Andrea Marko: Superiorja e papërgatitur për këtë situatë të motit, futboll nuk luhet vetëm në kushte ideale

662
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” specialisti i futbollit shqiptar, ja si i shikon ndeshjet e javës së 22-të të Kategorisë Superiore
Një mesjavë me ndeshje nën efektet e motit me reshje bore e shiu, si ndikuan ato në lojën e skuadrave?
Mendoj se Superiorja shqiptare është e papërgatitur për të luajtur në të tilla kushte atmosferike. Kemi parë Evropën që është ndalur në të tilla kushte për të luajtur futboll, gjithsesi, ishte e nevojshme që një herë të provohej sfida edhe në mot me reshje bore.

Është infrastruktura e duhur për të përballuar ndeshje në kushte të tilla të motit?
Infrastruktura e stadiumeve, gjithmonë përshtatet me pozicionin gjeografik që ka çdo shtet. Për Shqipërinë si vend mesdhetar, këto kushte janë afatshkurtra, e të gjitha skuadrat duhet ti kenë bërë llogaritë edhe për të tilla situata. Përjashtoj rastin e fushës Kuçovës me Bylisin në fundjavën e kaluar, e cila më rikujtoi futbollin në sistemin e kaluar në Shqipëri. 

Çfarë fiton më shumë futbolli ynë në të tilla kushte të motit dhe të infrastrukturës?
Futbolli nuk luhet vetëm në kushte ideale dhe kampionati është për tu respektuar në kalendarin e tij që ka shtrirje 10 mujore. Skuadrat nuk duhet të justifikohen me të tilla kushte me reshje shiu e bore, sepse kështu forcohet më shumë karakteri i tyre për vazhdimësinë.

Në tre ndeshjet e mesditës, cilën veçoni si më interesanten, në lojë e rezultat?
Natyrisht që të tria ishin interesante. Sepse Skënderbeu nuk mendohej të barazonte në Kukës, aq më shumë që pjesa e parë u mbyll 2-0 për Kuksianët. Në rezultat, veçoj fitoren e Teutës me Kamzën, pasi ishte fitore në transfertë në Kamzë, ndërsa fitorja e Laçit me Vllazninë nuk ishte e pritshme.

Në ndeshjen Kukësi-Skënderbeu 2-2, çfarë mendoni se nuk funksionoi mirë në lojën e të dyja skuadrave?
Mendoj se loja e të dyja skuadrave pati dritëhije. Kukësi ishte më mirë në pjesën e parë dhe me dy golat sikur u rrëmbye në vetëkënaqësi, ndërsa Skënderbeu e shfrytëzoi këtë situatë dhe e vuri në presion kundërshtarin në pjesën e dytë. Dy golat e Soue tregojnë klasin e këtij sulmuesi.

Cili nga katër takimet e luajtura dje, doli jashtë pritshmërive?
Ndoshta vetëm fitorja e Teutës me Kamzën, por edhe këtu, duke marrë parasysh oshilacionet e kamzalinjve, ka qenë një rezultat i pritshëm. Në rezultatet e tjera, Vllaznia pritej të merrte të paktën 1 pikë në Laç, ndërsa Kukësi duhet të jetë i kënaqur me barazimin.

Me humbjen dje në Laç, mendoni se Vllaznia po i rikthehet momenteve të krizës?
Nëse i referohemi situatës në tabelën e renditjes, Vllaznia e Teuta janë 1 pikë larg njëra-tjetrës, një diferencë kjo që i ve të dyja këto skuadra në situata emergjente për mbijetesën. Që në javën e 23-të ku Vllaznia pret Flamurtarin e Teuta pret Partizanin, dhimbja e kokës për to do të jetë e madhe. 

Po Partizani, sa e justifikoi dje në sfidën kundër Lushnjes?
Ndoshta ka qenë një ndeshje ku Partizani duhet të jetë kolauduar për vazhdimësinë. Dihej forca e Lushnjës, dhe fitorja e thellë 6-0 nuk mund të mbetet barometri i ndryshimit, por që gjithsesi, ka marrë tri pikë të cilat do ti bëjnë punë për synimet deri në fundin e Kampionatit.

Java e 23-të do të luhet në këtë fundjavë, si i shikoni këtë kalendar kaq të ngjeshur?
Duke qenë se FSHF-ja e shtyu një javë rifillimin e kampionatit, kjo ngjeshje është e pritshme. Jemi në futboll profesionist dhe skuadrat duhet ta menaxhojnë mirë këtë situatë me ndeshje të afërta, sepse edhe kampionati duhet të përfundojë në muajin maj.
6 gola
Partizani-Lushnja 6-0, ishte rezultati më i thellë i javës së 22-të të Kategorisë Superiore, njëherësh edhe i të gjitha javëve të luajtura
LAÇI-VLLAZNIA 1-0
Gol mes polemikash, Laçi rikthen Vllazninë në krizë
Ka mjaftuar vetëm goli i Ozunit në minutën e 44-t, që Laçi të merrte tri pikët ndaj Vllaznisë. Gol mes polemikash, por kjo ndeshje që ka konfirmuar se Laçi është makthi i Vllaznisë, e cila dje luante edhe për një pikë. Krijoi dhe humbi shumë raste, pësoi atë gol fatal që solli shumë debate, tashmë Vllaznia ndjen trokitjet e Teutës e mbijetesa po e kërcënon më shumë. Tri pikët e afrojnë Laçin më shumë në zonën e Evropës.

PARTIZANI-LUSHNJA
“Demat”shënojnë gjashtë, e “shqyejnë” Lushnjën
Java e 22-të mund të konsiderohet edhe si një javë konfirmimi për Partizanin, i cili ka gjetur fitoren, por këtë herë me rezultat të thellë. Kësisoj, me 6 golat ndaj Lushnjes, ai nuk e ka humbur shansin për të marrë tre pikë të lehta ndaj një kundërshtari tashmë të dorëzuar, që luan vetëm për ta respektuar kampionatin. Dhe “Demat” u treguan shumë të “urritur” në “Selman Stërmasi”, dukë shënuar nga tre gola në seicilën pjesë. Kronika flet qartë në favor të skuadrës së kuqe, dhe kjo fitore për të ndoshta do të jetë edhe një pedanë e fortë për të mos hequr dorë nga Europa, sepse difereanca nga Kukësi i vendit të dytë është vetëm 7 pikë.
KUKËSI-SKËNDERBEU 2-2
Soue “zbavitet” me dy gola në borë, Kukësi nuk di të fitojë
Mes borës së dendur e katër golave që u shënuan, sfida e djeshme Kukësi-Skënderbeu 2-2 mund të quhet edhe si ndeshje e surprizave. Dy golat e Ali Soue ndalin Kukësin, i cili e nisi shumë mirë ndeshjen, shënoi dy gola në pjesën e parë me Kalenë dhe Shkodrën, duke menduar se këtu u mbyll fitorja. Ky iluzion i 45 minutave të para ndoshta erdhi nga fakti se Skënderbeu kishte mungesa, dhe moti i acartë i shoqëruar me borë të dendur, u duk se e mpiu skuadrën kryesuese të Superiores. Dhe në pjesën e dytë, Kukësi u vetëkënaq dhe humbi disa raste për golin e tretë, por në 7 minuta u zgjua i “forti” Soue, i cili shënoi dy gola që e “ftohën” stadiumin. Një barazim i drejtë, por Kukësi mbetet i keqardhur, pasi fitoren e kishte në dorë.
KAMZA-TEUTA 1-2
Teuta “godet” në Kamzë, jep sinjale të “ringjalljes”
Në këtë sezon, skuadra durrsake e kishte eliminuar Kamzën nga Kupa, ndërsa në dy ndeshje kampionati kishte marrë vetëm një barazim, dhe me situatën në vendin e parafundit në renditje, dukej shumë e vështirë që të fitonte dje. Kësisoj, edhe ëndrra e Kamzës për t’u afruar me vendet e kreut, ndoshta ka marrë një përgjigje të fortë, pasi durrsakët u treguan mjaft të zotë në kundërsulm. Teuta u tregua racionale, shfrytëzoi mirë dy pakujdesi të mbrojtjes së Kamzës, e cila gaboi në aplikimin e pozicionit jashtë loje. E kështu, Kamza ndalet për të shkuar në Evropë dhe duhet ti bëjë më mirë llogaritë në vazhdimësinë e 14 javëve të mbetura, ndërsa Teuta rikthehet fuqishëm në garën për mbijetesë, pas humbjes së Vllaznisë në Laç.
Rezultatet-Java e 22-të
Dje, 28 shkurt 2018 
Kukësi-Skënderbeu 2-2
Shënues: Kale 20’, 
Shkodra 45’/ Soue 62’, 69’
Kamza-Teuta 1-2
Shënues: Raçiç 90’+2 / 
Beqja 15’, Latif 78’
Laçi-Vllaznia 1-0
Shënues: Uzuni 44’
Partizani-Lushnja 6-0
Shënues: Bardhi 29’, 36’, 
Belica 45+1’, Progni 58’, 
Kardozo 64’, Ramadani 84’
Luhet sot, 1 mars 2018 
Flamurtari-Luftëtari 17:00

RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 22 50
2. Kukësi 22 38
3. Flamurtari 21 36
4. Laçi 22 33
5. Kamza 22 32
6. Partizani 22 31 
7. Luftëtari 21 28
8. Vllaznia 22 22
9. Teuta 22 21
10. Lushnja 21 10
Sigal