Andrea Marko: Duke veçuar Skënderbeun, skuadrat e tjera kanë treguar futboll të dobët

745
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos e Kombëtares, ja këndvështrimi i tij teknik për pesë javët e Kategorisë Superiore
Janë luajtur 25 ndeshje në pesë javët e Kategorisë Superiore, cilën nga këto javë e veçoni si më të mirën, kryesisht në treguesit teknikë?
Në tërësinë e tyre, kanë qenë 25 ndeshje, ku skuadrat e kanë krijuar portretin e tyre në këto javë, por kanë treguar edhe oshilacione. Gjithsesi, Skënderbeu, Kukësi e Flamurtari janë treguar më egoistë, ndërsa të tjerat, kanë luajtur për të plotësuar zyrtarisht kalendarin.

Me renditjen aktuale që kanë skuadrat në këto pesë javë, cilat mendoni se ende nuk janë shprehur në vlerat e tyre plotësisht?
Mbi të gjitha, në katër javët e para ka qenë një zhgënjim i madh për Partizanin, ndërkohë që java e pestë me fitoren në Durrës, e rikonfirmoi Iulianon në bankinë. Përpos tre skuadrave që përmenda më sipër dhe Partizanit, ndoshta Teuta, Kamza e Luftëtari do të kenë më shumë për të thënë në vazhdimësinë e sezonit.

Nga 15 pikët e plota, Skënderbeu ka 13, është kjo performanca më e mirë e një skuadre në këto javë të luajtura?
Unë mendoj se Skënderbeu ka dhënë më të mirën e tij, me 4 fitore dhe 1 barazim. Në Kamzë, ai vinte pas një rrugëtimi pozitiv në Evropë, dhe për momentin e humbi përshtatjen e mundësive reale. Por, besoj se do të kemi një Skënderbe që tregoi më shumë nivel.

Kukësi është Kampion në fuqi, po këto pesë javë, është shfaqur i tillë?
Nuk mendoi se është keq, sepse janë pesë javët e para. Ka 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje me Skënderbeun, që do të thotë se e ka kohën e mundësinë e reflektimit. Duke qenë kampioni në fuqi, mendoj se do të jetë rival i fortë me Skënderbeun.

Partizani këtë javë gjeti golin e parë dhe fitoren e parë, çfarë tregon kjo për këtë skuadër?
Kjo situatë nuk ka ndodhur prej vitesh te skuadra e Partizanit, e cila nuk e kishte gjetur veten pas ndryshimit të stafit drejtues e teknik, por edhe të disa lojtarëve që po luajnë mirë në skuadra të tjera. Po menaxhohet nga emra të njohur, por duhet të ketë rezultate që të krijohet besim i plotë në punën e tyre.

Duke iu referuar renditjes, diferencat nga vendi i tretë te vendi i nëntë, nuk kanë shumë diferenca në pikë, çfarë tregon kjo ngjeshje?
Kjo ngjeshje tregon se ka rivalitet, por tregon edhe se skuadrat nuk kanë shumë diferenca mes tyre, duke përjashtuar vetëm Skënderbeun. Kjo tregon edhe anën tjetër, se do të kemi një kampionat të luftuar. 

Në dy skuadrat debutuese, renditja i tregon me diferenca, si i përshkruani Kamzën dhe Lushnjën në këto pesë takimet e para?
Kamza ka përbërje shumë më cilësore se Lushnja, dhe vetë rezultatet e saj e tregojnë këtë. Mendoj se do të ecë më mirë kjo skuadër, ndërkohë që Lushnja po tregon se përbërja nuk është plotësisht e garantuar për të qenë dinjitoze në Superiore.

Në javën e pestë u shënuan 13 gola, 5 me penallti dhe 1 autogol, por patëm edhe elementë dhune në fushë, tregojnë këto për mangësi në lojën e skuadrave?
Penalltia që nuk ju dha Laçit, ishte e dyshimtë, dhe po kështu ishte ajo që ju dha Vllaznisë. Autogolat janë pjesë e lojës, dhe këtë herë kanë qenë të pashmangshëm, e po kështu edhe 5 kartonët e kuq. Shumë, por ndodh në këto javë ku skuadrat ende janë të papërshtatura fizikisht dhe psikologjikisht me lojën.

Po performanca e gjykimeve, si ka qenë në këto pesë javë?
Pjesa e gjykimit është art, profesion dhe mënyrë interpretimi. Kur gabon një arbitër i FIFA-s, është e qëllimshme dhe e pajustifikueshme, e gjithsesi, penalltitë që kanë dhënë kanë edhe pjesën e dyshimit brenda. Disa skuadra janë mësuar me penallti, ndaj ankohen shumë kur nuk u jepen.

Ndeshjet e Kategorisë Superiore nga java e pestë në të shtatën, zhvillohen në harkun e 10 ditëve, është ngarkesë kjo për lojtarët e skuadrat?
Nuk e quaj ngarkesë, sepse kemi të bëjmë me kategorinë më profesioniste të futbollit shqiptar. Madje kjo ngjeshje është e detyrueshme, sepse u shty starti i këtij sezoni, i fundit në Evropë. Kjo nuk justifikohet si ngarkesë, atëherë çfarë do të themi në fazën e tretë dhe në të katërtën?
Më bëri përshtypje portieri i Luftëtarit, me atë gjest shumë të dobët që nuk duhet ta bënte. Ishin minutat shtesë dhe e ndëshkoi skuadrën e tij padrejtësisht, nuk u tregua profesionist. Dje mësova se është dënuar nga FSHF-ja me 5 ndeshje, pak është. Me sa ka deklaruar, ndoshta ka qenë në emocionet e Zinedin Zidanit vite më parë, apo të portierit Berisha me Izraelitin
Sigal