Ancelotti do të jetë trajneri i ri i Napolit, ja 3 futbollistët e kërkuar

734
Sigal

Sot paradite, Carlo Ancelotti, u largua nga hoteli në Romë dhe u takua sërish me Aurelio De Laurentiis. Trajneri hipi në makinën e presidentit të Napoli dhe ishte momenti kur i tha përfundimisht “po” ofertës për të punuar në “San Paolo”.

Ish-trajneri i Milan, Real, PSG, Chelsea dhe Bayern Munich do të firmosë për dy sezone, me opsionin për një sezon të tretë. Ai do të marrë me vete të gjithë stafin teknik dhe do të paguhet 6.5 milionë euro në sezon. Nesër pritet prezantimi i tij.

Sipas shtypit italian, tre janë emrat e kërkuar nga Ancelotti në merkato: Benzema, Vidal dhe Balotelli. Ai ka thënë se Hamsik dhe Mertens mund të largohen nëse duan…

Në 14 vjet si president i Napoli, Aurelio De Laurentiis ka zgjedhur trajnerin e tetë, Carlo Ancelotti. Numri 1 i Napoli mund të ketë 1000 të mira dhe difekte, por mes tyre nuk është shkarkimi i trajnerëve. Deri tani ai ka punuar me shtatë trajnerët: Ancelotti do të jetë i teti.

Aventura e De Laurentiis ka nisur me Gianpiero Ventura, në Serie C1, atje ku nisi projekti që e çoi ekipin deri në Champions League. Në ditën që De Laurentiis mori klubin ekipi drejtohej nga Agostinelli, por ky i fundit u largua vetë, pas vetëm pak ditësh. Pas Ventura erdhën vitet e rikthimit në Serie A me Edy Reja në fillim dhe me Walter Mazzarri më pas, ku erdhi edhe trofeu i parë i epokës De Laurentiis. Në mes ishte edhe periudha pa fat e Donadoni.

Më pas erdhi cikli i Rafa Benitez, që nuk shkëlqeu në kampionat, por solli dy trofe: Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë. Pjesa tjetër e historisë është kjo e kohëve të fundit, me tre vitet nën urdhrat e Sarri, ku Napoli luajti futbollin më të bukur në Itali, por nuk fitoi asgjë.