Amir Rrahmani: “Fitore ndaj Kukësit!”

573
Sigal

 Mbrojtësi i Partizanit: “Nuk ka krisje mes futbollistëve dhe tifozëve. Na presin pesë finale”

Mbrojtësi i Partizanit, Amir Rrahmani, u bëri thirrje shokëve të tij të ekipit dhe tifozerisë së kuqe ta harrojnë sa më shpejt humbjen me Teutën dhe të marrin dy fitoret e radhës nga ndeshjet në shtëpi me Kukësi (këtë të diel) dhe Kastriotin (javën e ardhshme). 20-vjeçari Rrahmani- 20 ndeshje në këtë sezon – tha se, 15 herë kampionët e Shqipërisë lojtarë dhe tifozë kanë një marrëdhënie të shkëlqyer dhe kur vjen një rezultat negativ të humbur janë të gjithë. “Nuk ka krisje mes futbollistëve dhe tifozëve. Nëse vjen një humbje ajo është e të gjithëve. Më mirë që humbëm në transfertë, pasi në shtëpinë tonë do të ishte më e hidhur. Të paktën dy ndeshjet e radhës në fushën tonë me Kukësin dhe Kastriotin duhet të marrim fitoren”. Partizani-Kukësi do të luhet të dielën në “Qemal Stafa” në orën 17:00. Partizani–Kukësi është supersfida e javës së 29 të Kategorisë Superiore, me dy skuadra që synojnë objektiva madhorë. Të kuqtë kërkojnë Europën në vitin e parë të ringritjes së tyre, ndërsa verilindorët kanë hyrë në garë për të fituar titullin në sezonin e tyre të dytë në Kategorinë Superiore.

 – Rrahmani, humbja e fundit me Teutën (3-1) në Durrës, sikur i ka prishur disi marrëdhëniet e shkëlqyera me tifozët tuaj?

– Jam i bindur se, marrëdhëniet nuk janë vështirësuar aspak. Në klubin e Partizanit të gjithë jemi një së bashku me tifozët. Gjithçka ndodh, pasi ne i përjetojmë të gjitha bashkë dhe nuk ka vend për tu shqetësuar. Nuk ka asnjë keqkuptim midis nesh. Ata na kanë mbështetur dhe do ta bëjnë këtë gjithmonë, në shtëpi dhe në transfertë.

– Partizani pësoi tre gola në ndeshjen me Teutën, ku pamë një mbrojtje aspak solide dhe të shthurur?

– Nuk duhet të harrorjmë se, ne vazhdojmë të jemi sërish mbrojtja më e mirë në këtë sezon (vetëm 20 gola të pësuar). Këto gjëra mund të ndodhin dhe gjithmonë ka një herë të parë, edhe përsa u përket humbjeve. Pas nëntë takimesh me rezultate pozitive, humbja një ditë do të vinte edhe për ne.

– A është më mirë që humbja erdhi në transfertë?

– Ndoshta. Gjithsesi, është më mirë që humbëm në një transfertë, pasi takimet brenda duhet ti fitojmë të gjitha. Megjithatë, duhet ta harrojmë sa më shpejt atë dështim dhe të mendojmë për takimin e radhës. Na presin edhe pesë ndeshje deri në fund, të cilat do t’i konsideroja të gjitha si finale dhe duhet t’i fitojmë të gjitha duke nisur nga përballja me Kukësin.

– Si e shihni rivalitetin për një vend në Ligën e Europës?

– E shihni vet që me një humbja, gjithçka vihet në dilemë përsa i përket Europës. Prandaj duhet ti fitojmë sfidat e radhës që nga kjo e fundjavës me Kukësin dhe të tjerat më pas.

– Pas sfidës me Kukësin do të luani ndaj Kastriotit, e cila konsiderohet si një takim i lehtë…

– Sigurisht që, është një ndeshje shumë e rëndësishme pasi Kukësi është edhe një prej rivalëve tanë në luftën për vendin e 2-të ose të 3-të. Është takimi i radhës ku ne do të synojmë tri pikët. Gjithashtu, edhe ndaj Kastriotit do të luajmë në fushën tonë dhe do të kërkojmë fitoren. Ne në çdo përballje hyjmë në fushë me synimin për të marrë maksimumin.

– Trajneri Marcio Sampaio ka paralajmëruar ndryshime në formacion për sfidën e radhës. Si e vlerësoni?

– Trajneri e di më mirë këtë punë. Por, mendoj se në çdo skuadër ku ka konkurrencë është më mirë, pasi çdo lojtar përpiqet të japë maksimumin nga vetja për tu bërë pjesë e formacionit. Mendoj se asnjë prej futbollistëve nuk e ka vendin e sigurt në formacion.

– Përflitet se ke një ofertë nga Italia. Sa e vërtet është kjo?

– Nuk ka asgjë të vërtetë. Unë jam një lojtar i Partizanit.

NDESHJET E PARTIZANIT

Java 29/(19 prill)

Partizani-Kukësi

Java 30/(26 prill)

Partizani-Kastrioti

Java 31/(30 prill)

Laçi-Partizani

Java 32/(3 maj)

Partizani-Skënderbeu

Java 33/(10 maj)

Lushnja-Partizani

NDESHJET E KUKËSIT

Java 29/(19 prill)

Partizani-Kukësi

Java 30/(26 prill)

Kukësi-Laçi

Java 31/(30 prill)

Skënderbeu-Kukësi

Java 32/(3 maj)

Kukësi-Lushnja

Java 33/(10 maj)

Bylis-Kukësi

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 29

E shtunë, 19 Prill

Kastrioti-Vllaznia 14:00

Skënderbeu–Besa 17:00

Tirana- Bylis 3-0*

(fitore në tavolinë)

E diel, 20 Prill

Lushnja–Flamurtari 14:00

Laci-Teuta 16:00

Partizani-Kukësi 17:00

RENDITJA

1     Skënderbeu         54

2     Kukësi         49

3     Partizani             44

4     Teuta                  42

5     Laçi                     41

6     Vllaznia       38

7     Flamurtari           38

8     Tirana          37

9     Besa                    35

10   Kastrioti             29

11   Lushnja        26

12   Bylis                   24

Mbrojtja më e mirë kundër sulmit më të mirë

 Partizani-Kukësi është dhe një duel midis mbrojtjes më të mirë të kampionatit dhe sulmit më të mirë të momentit, të paktën për dhjetë javët e fundit. Partizani ka pësuar 20 gola, më pak se çdo ekipi. Kukësi ka shënuar 20 gola me një mesatare prej 2 golash për ndeshje. Në 18 javët e para nënkampionët e sezonit të kaluar kanë shënuar 15 gola, ndërsa vetëm në 10 ndeshjet e fundit në kampionat numri i tyre është më i lartë. Njeriu i momentit te Kukësi është Sokol Cikalleshi, autori i 13 golave në kampionat, 9 prej të cilave i ka shënuar në 12 ndeshjet e fundit.

 Edi Rama, numri 10 i Kukësit!

 Edi Rama, numri 10 i Kukësit! Është kjo fanella që Kryeministri i Shqipërisë mori si dhuratë nga Prefekti i Qarkut të Kukësit, Safet Gjici, njëherësh edhe president i Klubit të Futbollit të Kukësit, para ndeshjes miqësore Kukësi-Trepça 89 e Mitrovicës. Edhe Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, iu dhurua një fanellë të ekipit verilindor me emrat përkatës dhe numrin 10 mbi të. Takimi miqësor përfundoi në barazim 1-1 dhe ai ishte në vazhdën e organizimeve të ndryshme në kujtim të eksodit kosovar të 15 viteve më parë, që nisi 16 prillin e 1999 me kalimin e kufirit të 75 mijë qytetarëve të Mitrovicës në pikën e Morinës. Në stadiumin “Zeqir Ymeri” nuk munguan pavarësisht kushteve të papërshtatshme atmosferike dhe tifozë të dy ekipeve, ku në një numër të konsiderueshëm ishin dhe ata të ardhur nga Mitrovica.

Sa i përket takimit, Trepça 89 kaloi fillimisht në avantazh me një gol të Jetullahut në minutën e 10-të, ndërsa në pjesën e dytë për kuksianët barazoi Gerhard Progni.

Besa, një ndeshje pa shikues

 Komisioni i Disiplinës e dënoi Besën për të zhvilluar një ndeshje pa shikues, për hedhje të gurëve dhe sendeve të tjera brenda rrethimit të fushës së lojës, por pa shkaktuar akte dhune në ndeshjen kundër Laçit. Flamurtari u gjobit me 50 mijë lekë gjobë, ndërkohë që Elbasani me 25 mijë lekë. Zyrtari i Burrelit, Drilon Skura u pezulluar 12 ndeshje nga aktivitet sportive. Me nga tri ndeshje u pezulluan zëvendëstrajnerët e Tiranës dhe Lushnjës.

Nica: “Ndeshje e vështirë”

 Trajneri i Laçit, Stavri Nica, e vlerësoi shumë ndeshjen kundër Teutës, skuadrës së qytetit të tij. “Është një ndeshje e vështirë përballë skuadrës së qytetit tim. Uroj që të zhvillohet një lojë e bukur dhe Fair-Play dhe të fitojë. Mungesa e Vuçajt? Është një mungesë e rëndësishme për vetë cilësitë që ka, megjithatë mua nuk më shqetëson shumë, sepse ne kemi lojtarë të tjerë dhe e bazojmë lojën në skuadër”.

Gilberto, drejt Malajzisë

 Gilberto Fortunato kërkon të largohet nga Tirana ende pa u mbyllur sezoni. Futbollisti brazilian u ka kërkuar drejtuesve të klubit ta lënë të lirë të nënshkruajë me një klub nga Malajzia, i cili i ofron një kontratë shumë më të majme nga ajo që përfiton në kryeqytetin shqiptar. Braziliani ka shënuar 4 gola në 10 ndeshje ku është aktivizuar gjatë 2014. Ai ka premtuar se do të rikthehet gjatë sezonit të ardhshëm.

Ministri Hoxhaj takim me Canën dhe Berishën

 Lorik Cana dhe Etrit Berisha janë dy prej ambasadorëve të sportit shqiptar në botë. Dy lojtarët e Lacios dhe Kombëtares shqiptare, po japin një kontribut të madh për imazhin e shqiptarëve dhe për këtë arsye, ata janë takuar në kryeqytetin italian nga Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj. Menjëherë pas takimit, zyrtari i lartë i Prishtinës ka postuar në faqen e tij në Facebook një koment të shoqëruar me foto.