Amir Abrashi: “De Biazi ka bërë një Shqipëri të madhe”

645
Sigal

 Mesfushori i Kombëtares: “Mrekulli nëse Zvicra dhe Shqipëria do të mbërrijnë në Botëror”

Amir Abrashi është lojtari më i ri i Kombëtares shqiptare. Së fundi, ai u grumbullua për ndeshjen me Norvegjinë, pavarësisht se nuk u aktivizua nga trajneri Xhani De Biazi në atë takim. Gjatë një interviste për portalin sportiv zviceran Sport.ch, mesfushori 23-vjeçar, i lindur në Bischofszell (Zvicër) tha se “ai ndihet si zviceran, por do të mbajë shqiponjën në kraharor”. Abrashi kërkohej edhe nga Kombëtarja helvetike, por më në fund ai zgjodhi Shqipërinë. “Unë jam në një ekip të ri dhe jam befasuar në mënyrë pozitive: është një grup kompakt shumë i mirë. Edhe trajneri Xhani De Biazi më ka bërë shumë përshtypje”, – tha lojtari i Grasshopersit.

 – Amir Abrashi, ju do të luani ën të ardhmen për Shqipërinë dhe jo për Zvicrën. A e ndoqët në këtë vendim atë që ju këshilloi zemra apo mendja juaj?

– Po, pikërisht kështu. Unë e kam Zvicrën në zemrën time dhe do të doja me gjithë qejf të luaja për atë. Unë ndihem si një zviceran. Ka qenë dhe do të mbetet kështu. Por, mendja më këshilloi: bëje këtë hap!

– Çfarë pyetje i bëre vetes përpara se të vendosje?

– Është shumë e thjeshtë: Kur do të vijë koha që unë të jem në Kombëtaren A të Zvicrës? Konkurrenca është me të vërtetë e madhe. Unë nuk mund të them se, nuk e ka menduar. Por, pyetja është: Kur?

– Përpara jush qëndrojnë lojtarë të tillë si Golhan Inler, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Granit Xhaka dhe Pirmin Shvegler…

– Pikërisht. Ata janë që të gjithë lojtarë klasi dhe kanë shumë eksperiencë ndërkombëtare. Po, kështu trajneri Otmar Hitcfeld nuk do të bëjë shumë ndryshime në mesfushë deri në Botërorin e vitit 2014. Kush e di, ndoshta arrij dhe unë diçka me Shqipërinë diçka deri në verën e ardhshme. Askush nuk e di. Ne kemi një superkip, jemi në vendin e dytë në grupin dhe mund të arrijmë në “play-off”.

– Sa i madh është kontakti me shokët e tu të rinj në ekipin Kombëtar?

– Kemi një shkëmbim të rregullt mendimesh. Me trajnerin Xhani De Biazi i shkruajmë shpesh njëri-tjetrit. Ai më pyet, se si po shkoj, si është forma ime, nëse kam dëmtime, etj..

– Sa mirë flisni shqip?

– Unë e zotëroj gjuhën. Jo aq mirë sa gjermanishten, por unë mund të flas.

– Më 11 tetor do të luani me Shqipërinë kundër Zvicrës. Do të jerë një ndeshje speciale për ju, apo jo?

– Do të jetë si një kulm për mua, as që bëhet fjalë.

– Edhe pse kur do të këndohet himni kombëtar do të jeni në anën e gabuar…

– Ah, jo, kjo tashmë ka ndodhur (qesh). Do të jetë diçka speciale për mua, kjo është logjike. Nga ana tjetër, unë do të doja të luaja me kënaqësi për Zvicrën, por tani unë qëndroj nga ana tjetër.

Ju keni kaluar përmes ekipeve të ndryshme kombëtare moshave të Zvicrës. A e keni pasur opsionin “Shqipëri” qysh atëherë në kokën tuaj?

– Jo, diçka të tillë nuk i kam shkuar kurrë nëpër mend. Është vetëm një ndjenjë komike, por dhe më gëzon gjithashtu.

– Megjithatë, sa ju dhembi vendimi pro Shqipërisë dhe kundër Zvicrës?

– Nuk ishte aspak një vendim i thjeshtë, por tani ajo ka ndodhur.

– Kush ka ja këshilluar në vendimin tuaj?

– Sigurisht, menaxheri im. Familja nuk ka luajtur asnjë rol, ajo nuk dëshironte të përzihej dhe më tha: “Kjo është çështja jote”.

– A keni folur gjithashtu me shokët e skuadrës?

– Po, edhe me disa që, tani janë në ekipin e parë të Zvicrës. Por, dhe me disa kolegë të skuadrës sime, Grasshopersit. Askush nuk e mendonte, në asnjë rast, që unë do të vendosja për Shqipërinë. Shumë prej tyre me ndihmuan që unë ta ndërmerrja këtë hap.

– Kur Izet Hajroviç vendosi të luante për Bosnjë-Hercegovinën atë e quajtën “tradhtar’. Me juve kjo nuk ndodhi. Sa i gëzuar jeni për këtë?

– Më lejoni të kthehem pak prapa në kohë. Unë kam qenë qysh nga fillimi në kontakte me Otmar Hitcfeldin dhe kam folur me të. Unë nuk kam bërë asgjë prapa shpinë së tij, vetëm kur sqarova gjithçka me Federatën Zvicerane të Futbollit u bë publike çdo gjë. Në rastin e Izetit situata ishte ndryshe.

– Por, ai kishte bërë tashmë një ndeshje me Kombëtaren A.

– Pikërisht. Vendimi i tij ishte natyrisht një shok. Unë e kuptoj që, shumë njerëz u zhgënjyen me të. Por, nga ana tjetër unë e kuptoj vendimin e Izetit.

– Çfarë ju ka thënë Otamr Hitcfeldi, kur ai nuk ju përshtatej me idetë e tua?

– Ai më tha se, unë duhet të kisha durim, se koha ime do të vinte. Deri në Kampionatin Botëror natyrisht ishte më e vështirë, por më pas letrat do të përziheshin sërish. Ai mendonte se, unë isha në një rrugë të mbarë. Por, nga ana tjetër, ai kishte mirëkuptuar disi vendimin tim dhe atë që unë ndjenja.

– Përse nuk keni pasur durim derisa Kampionati Botëror 2014 të përfundonte?

– Unë kam luajtur deri në Kombëtaren U-21, më pak kam qenë dhe në Olimpiadë. Më mungonte diçka, dhe kjo ishte ekstreme. Unë e ndjenja që, unë duhet të bëja diçka.

– A do të ndryshonte diçka, nëse do të grumbulloheshit nga Otmar Hitcfeldi, edhe pse nuk do të luanit?

– Sigurisht, po. Kjo do të ishte diçka krejt tjetër. Por, unë doja që të spekuloja me të ardhmen dhe thjesht të shpresoja.

– Sa janë shanset që, në verën e ardhshme të jeni në Brazil?

– Nuk janë keq. Unë jam në një ekip të ri dhe jam befasuar në mënyrë pozitive: është një grup kompakt shumë i mirë. Edhe trajneri Xhani De Biazi më ka bërë shumë përshtypje. Janë akoma dhe katër ndeshje, Zvicra nuk dëshiron që ta lërë vendin e parë. Në dëshirojmë të jemi menjëherë pas saj.

– Dhe nëse Zvicra dhe Shqipëria do të mbërrijnë në Kampionatin Botëror, atëherë…

– … ky do të ishte kulmi (qesh).

Berisha: “Te Lacio, vetëm si numri 1”

Vazhdojnë përpjekjet e Lacios për të gjetur portierin rezervë të Marketit. Me Bizarin në ikje e sipër, kutia me “numrin 12” rezulton akoma e zbrazët. Gjatë orëve të fundit është përmendur fuqishëm emri i Etrit Berishës, portierit shqiptar të Kalmarit, skuadër që militon në kampionatin maksimal suedez. Portieri 24-vjeçar i Kombëtares shqiptare ka një kontratë me Kalmarin që skadon në 31 dhjetor. Kontaktet e Berishës me Lacion ku është drejtor sportiv Igli Tare dhe luan prej dy sezonesh Lorik Cana janë vendosur, dhe pranohen edhe nga vetë kosovari, por ai i ka kërkesat e qarta. “Kam pasur disa kontakte me skuadrën bardhekaltër, është një klub i madh, – citohet Berisha nga Lacionews24.com, – dhe do të isha mjaft i kënaqur të bëhesha bardhekaltër. Do të vija në Romë për të veshur bluzën me numër 1: jam në një moment shumë të rëndësishëm të karrierës sime, nuk mund t’ia lejoj vetes të mos luaj”.