Ambasadori i himnit zyrtar të Kampionatit Euro 2016, është fituesi Dj David Guetta

451
Dj i famshëm francez, David Guetta, fitues i shumë çmimeve Award do të këndojë këngën zyrtare të Kampionatit të futbollit, Euro 2016, që do të zhvillohet në Francë. I shpallur ambasadori zyrtar i kompeticionit, francezi do të kompozojë edhe himnin që ndryshe cilësohet nga UEFA edhe si “identiteti muzikor” i turneut. Guetta tha se ndjehej shumë krenar për mundësinë unike që iu dha për t’u bërë pjesë e një eventi, sa francez aq edhe ndërkombëtar. “Jam shumë krenar që jam përzgjedhur si ambasadori muzikor dhe tekstshkruesi zyrtar i këngës zyrtare të UEFA EURO 2016. Kjo është e jashtëzakonshme, është si një ëndërr dhe ndjehem shumë i nderuar. Për më tepër, do të kem mundësinë të zhvilloj edhe një koncert në “Champ de Mars”, ndërsa kulla Eiffel do të jetë pikërisht pas meje, është e mrekullueshme. Mendoj se vetë fakti që jam francez dhe që po bëhem pjesë e një ngjarjeje që do të zhvillohet këtu në Paris, por është njëkohësisht edhe më rendësi ndërkombëtare, për mua është një mundësi unike.”

Dj do të përformojë në ceremoninë e hapjes së Kampionatit “Stade de France” në muajin qershor, gjithashtu edhe në një tjetër koncert falas në “Champ de Mars” më 9 qershor. Francezi ka vendosur të përfshijë edhe fansat e tij në kompozimin e këngës. Ai do të hapë një App të veçantë ku ata mund të dërgojnë regjistrimet e tyre, ndërsa Guetta do t’i bëjë bashkë gjithë pjesët në një të vetme.

“Nuk jam thjesht duke e shkruar himnin e Euro 2016, por kam ruajtur edhe një pjesë të kompozimit të lirë dhe dua t’ju bëj thirrje fansave të mi të regjistrojnë veten duke kënduar. Dëshira ime është që të bëhen 1 milionë fansa që të këndojnë së bashku një pjesë të këngës. Ne do të lancojmë së shpejti edhe aplikacionin, që do t’ju krijojë mundësinë fansave të regjistrojnë veten e tyre duke kënduar një pjesë të kënëgës, të shoqëruar me tekstin dhe notat muzikore, dhe më pas të gjitha këto pjesë do të bashkohen në një të vetme.”

Së bashku me himnin zyrtar, Guetta do të jetë gjithashtu përgjegjës për audion në stadium dhe muzikën gjatë transmetimit të ndeshjeve të futbollit.
Kampionati europian i futbollit do të zhvillohet në Francë përgjatë katër javëve duke nisur nga data 10 qershor 2016.
Sigal