Altin Rraklli: “Objektivi madhor, kualifikimi”

71

 Trajneri i Kombëtares së Femrave: “Është historike, fakti që Shqipëria merr pjesë në një Botëror”

Altin Rraklli, trajneri i Kombëtares së Femrave në futboll, pohoi për gazetën “Telegraf” se, pjesëmarrja e Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Botëror për Femra është një moment historik. “Do ta konsideroja me të vërtetë, si një moment historik për futbollin tonë të femrave. Ekipi Kombëtar i ynë është i ri, dhe për më tepër ne marrim pjesë për herë të parë në eliminatoret e një Kampionati Botëror”. Shqipëria bën pjesë në grupin 1 paraeliminator, së bashku edhe Maltën, Luksemburgun dhe Letoninë. Ndeshjet do të zhvillohen në Maltë, nga 4 deri më 9 prill të vitit 2013. Altin Rraklli fillimet e tij i ka me Besën e Kavajës, dhe përveç disa ekipeve në Gjermani, me SC Freiburg, Hertha BSC, SpVgg Unterhaching, SSV Jahn Regensburg dhe SpVgg Bayern Hof, ka veshur edhe atë të Tiranës, me të cilën doli kampion në sezonin 2004-2005. Altin Rraklli e veshi 63 herë fanellën e Kombëtares shqiptare, duke shënuar 11 gola. Ai është shënuesi i katërt më i mirë i Shqipërisë, pas Erjon Bogdanit (18), Alban Bushit (14) dhe Ervin Skelës (12)

 – Rraklli, Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në eliminatoret e një Kampionati Botëror të futbollit për femra.. Tashmë, është hedhur dhe shorti, ku jemi në fazën eliminatore do të përballemi me Maltën, Luksemburgun dhe Letoninë. Si do ta vlerësonit?

– Do ta konsideroja me të vërtetë, si një moment historik për futbollin tonë të femrave. Ekipi Kombëtar i ynë është i ri, dhe për më tepër ne marrim pjesë për herë të parë në eliminatoret e një Kampionati Botëror. Shqipëria bën pjesë në grupin 1 paraeliminator, së bashku edhe Maltën, Luksemburgun dhe Letoninë. Ne kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore ndërkombëtare, qysh kur u krijuam para dy vitesh si ekip Kombëtar.

 – Kombëtarja e femrave është një ekip relativisht i ri, ndërkohë që dhe Shqipëria ka pak traditë. Cilat janë lojtarët e ekipit përfaqësues?

 – Jemi munduar të ndërtojmë një ekip sa më kompetitiv, në një kohë relativisht të shkurtër. Jemi munduar të grumbulluar lojtarët më të mira të kampionatit shqiptar, nga ai kosovar, por dhe nga diaspora, pra nga ato që luajnë në Europë, por dhe në botë. Pra, jemi munduar të bëjmë një seleksionim të gjithanshëm. Pra, në një farë mënyre, ashtu si ekipet kombëtare të meshkujve, që kanë në gjirin e tyre lojtarë kosovarë, edhe ajo e femrave është në këtë traditë. Jemi një komb, të gjithë shqiptare dhe patjetër duhet të kemi një ekip Kombëtar. Në këtë kontekst, jam munduar të thërras lojtarët më të mira, të bazuar në tre linja: pra nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora.

 – Emrat e kundërshtarëve tashmë dihen. Sa i njihni ata?

 – Për të qenë i sinqertë, për momentin nuk i njohim ekipet kundërshtare, ose më saktë kemi informacione të pakta, kjo përmes internetit. Gjithsesi, deri në muajin prill, kohë edhe kur do të luhen ndeshjet zyrtare kemi tre muaj kohë që, të marrim më shumë informacione. Unë, si trajneri i ekipit Kombëtar do të mundohem të marrë pjesë edhe në ndonjë ndeshje miqësore që ato do të zhvillojnë. Gjithsesi, e dimë se në eliminatoret e kampionatit të kaluar, ekipet si Malta, Luksemburgu, janë ndeshur me Maqedoninë, një kundërshtar që ne jemi ndeshur disa herë në ndeshje miqësore. Por, duhet theksuar se, ndeshjet miqësore nga ato zyrtare janë krejtësisht të ndryshme. I konsideroj si ekipe të nivelit tonë, por me një plus më të vogël më shumë, pasi kanë vite që janë krijuar dhe kanë më shumë eksperiencë. Marrin pjesë prej disa vitesh në fazën paraeliminatore dhe kanë zhvilluar më shumë ndeshje zyrtare.

 – Cilat janë objektivat e Shqipërisë në këto eliminatore?

 – Sigurisht që, ne kemi objektivat tona. Të kualifikohemi në fazën eliminatore është objektivi i madh, ndërsa përsa i përket renditjes, i parë-i dytë, është synimi i dytë. Do të ishte një hap historik për Kombëtaren tonë: pjesëmarrja e parë dhe kualifikimi për herë të parë. Na duhet të punojmë shumë për të arritur këtë objektiv. Deri tani, kontaktet me vajzat e kemi të shpeshta, dhe unë personalisht kam ndjekur me shumë vëmendje si kampionatin shqiptar, ashtu dhe atë kosovar.

 – Altin, është formuar një bazë e mirë, të paktën përsa u përket ndeshjeve miqësore: pese ndeshje, pesë fitore. Sa ju ndihmon kjo statistikë?

 – Kjo shërben vetëm si një analizë fillestare për mua si trajner, apo si një statistikë. Por, dua ta theksoj këtë, ndeshjet miqësore janë krejt ndryshe nga ato zyrtare. Nuk kemi zhvilluar asnjë takim zyrtar. Nëse do të dalim me sukses në këto të fundit, atëherë miqësoret do të kishin vlerë, nëse dështojmë ato do të harrohen shumë shpejt. Nuk duhet të futemi me mendimin se, kemi fituar ndeshjet miqësore.

 – Ndeshjet zyrtare do të luhen në muajin prill, në Maltë. A keni planifikuar gjatë kësaj kohe ndonjë ndeshje miqësore?

 – Po mundohemi, për të gjetur kundërshtarë nga Ballkani: Maqedoni, Mali i Zi, Greqi, Bullgari.

 – Edhe Kombëtarja U-19 e femrave do të marrë pjesë për herë të parë në eliminatoret e një Kampionati Europian. Çfarë është bërë me këtë ekip?

 – Federata Shqiptare e Futbollit dhe Presidenti i saj më ka ngarkuar mua që, të merrem edhe me ekipin Kombëtar U-19. Jam marrë personalisht edhe me formimin e asaj skuadre. Duhet theksuar se, është më e vështirë krijimin e Kombëtares U-19 sesa asaj A, pasi dhe mosha e lojtarëve është më e vogël. Është pak e vështirë që, në të marrim futbolliste nga Kosova, që ende nuk e kanë marrë nënshtetësinë shqiptare, apo nga Diaspora. Megjithatë, ne kemi bërë një grumbullim me Kombëtaren U-19, të cilin unë do ta konsideroja relativisht të suksesshëm. Gjithsesi, kemi më shumë kohë në dispozicion, pasi dhe ndeshjet e U-19-s zhvillohen në muajin shtator 2013.

 – Jemi mësuar ta përdorim termin “legjionarë” për futbollistët meshkuj, por a kemi lojtare femra që luajnë jashtë?

 – Po, janë shumë femra që luajnë jashtë, madje disa në kampionate të rëndësishme. Gjithsesi, unë personalisht nuk dua të bëj një ndarje midis atyre që luajnë në Shqipëri me ato që luajnë jashtë. Në listën përfundimtare prej 22 lojtaresh do të thërras ato që janë më në formë, pavarësisht se ku luajnë. Në urimin tim për Vitin e Ri dërguar vajzave, u kërkoja të preokupoheshin në ruajtjen e gjendjes fizike, përpara eliminatoreve. Është normale që, lojtaret që vijnë nga jashtë trajnohen në kushte më të mira stërvitore, por jo se në vendin tonë nuk ka lojtare të talentuara, si Ana Baro, Aurora Seranaj, apo futbolliste që luajnë me Adën, Jubanjin.

 – Në Gjermani, kosovarja Fatmire Bajramaj është shembulli i lojtares që ka bërë histori me Kombëtaren gjermane. A kemi ndonjë talent tjetër shqiptar në Europë?

 – Lira Bajramaj është me të vërtetë një futbolliste e madhe. Ajo ka dalë kampione e Gjermanisë, Europës dhe e Botës, plus që ka qenë dhe ndër lojtaret më të mira në botë në vitin 2010. Është një shembull shumë i mirë për vajzat tona. Nëse ato do të punojnë seriozisht edhe mund të arrijnë atë emër të mirë që kanë venë Lira në futbollin e femrave. Në vëzhgojmë në vazhdimësi të gjitha vajzat që luajnë në futbollin europian.

 – Ndodhemi në merkaton dimërore. A kemi edhe në futbollin e femrave?

 – Po, është e njëjta procedurë si me futbollin e meshkujve, pra janë të njëjtat rregulla.

 – A kemi pasur ndonjë rast, kur ndonjë futbolliste shqiptare është transferuar në Europë?

 – Po, kemi pasur. Para dy sezonesh, Ana Baro dhe Aurora Sinanaj u transferuan në Gjermani, në kampionatin e kategorisë së tretë, por u rikthyen për shkak të rregullave të punës në Gjermani.

 – Ju keni ndjekur ndeshje nga kampionat kosovar i futbollit për femra. Cila është cilësia?

 – Kosova ka një kampionat të rregullt për femra dhe kanë ekipe cilësore, madje dhe më të mira se tonat. Kanë lojtarë të mira.

 – Po, futbolli shqiptar i femrave, çfarë niveli ka?

 – Kampionati shqiptar po zhvillon sezonin e tij të katërt. Shoh përmirësime në cilësinë e lojës dhe te disa lojtare. Ka akoma punë për të bërë për një kampionat më cilësor dhe kompetitiv.

 Shorti i Botërorit

 Shqipëria e futbollit për femra njohu kundërshtarët e saj, për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2015 për Femra, që shënon edhe në debutimin e saj të parë historik zyrtar në arenën ndërkombëtare. Ky është Kampionati i VII Botëror. Shorti i hedhur në Nijon të Zvicrës e vendosi Kombëtaren e drejtuar nga Altin Rraklli në grupin 1 paraeliminator, së bashku edhe me Maltën, Luksemburgun dhe Letoninë. Ndeshjet do të zhvillohen në Maltë, nga 4 deri më 9 prill të vitit 2013. Në grupin 2 bëjnë pjesë Mali i Zi (debutues), Gjeogjia, Ishujt Faroe dhe Lituania (pritëse e ndeshjeve). Dy vendet e para të çdo grupi do të vazhdojnë më pas në fazën kualifikuese të grupeve, ku do të bashkohen edhe më 38 skuadra që kanë koeficient më të mirë. Shorti i kësaj faze do të hidhet, më 16 prill 2013, ndërsa do të formohen shtatë grupe me nga gjashtë skuadra. Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje, nga 20/21 shtator 2013 deri më 17 shtator 2014. Shtatë fituesit e grupeve do të kualifikohen në finalet e Botërorit, që do të zhvillohet në Kanada. Katër vendet e dyta të renditura statistika më të mira se vendet e para, të treta, të katërta dhe të pesta në grupet e tyre do të shkojnë në dy raunde “play-off”-i me eliminim direkt.

 BOTËRORI I FEMRAVE 2015 SHORTI PARAELIMINATOR

 GRUPI 1

 Shqipëria

Luksemburgu

Malta*

Letonia

GRUPI 2

 Gjeorgjia

Ishujt Faroe

Lituania*

Mali i Zi

* Vendet pritëse të ndeshjeve

 MIQËSORET

Pesë ndeshje, pesë fitore

 Kombëtarja shqiptare në futboll për femra deri tani ka arritur pesë fitore në po kaq miqësore të zhvilluara. E fundit mban datën e 22 majit, pasi mundën Maqedoninë me rezultat të pastër 2-0 në miqësoren e luajtur në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” në Pogradec. Dy “perla” të Suada Jasharit. Kjo ishte fitorja e tretë në po aq ndeshje me Maqedoninë, pas dy të parave 1-0 (në Pogradec) dhe 4-1 (në Ohër). Këtë sezon vajzat e trajnerit Altin Rraklli fituan fillimisht në transfertën malazeze në Bar 4-2 me skuadrën vendëse, vijuan serinë pozitive në Shkodër ndaj të njëjtës rivale 4-3.

 Shqipëria U-19, për herë të parë edhe në Kampionatin Europian

 E shumëpritur nga të gjithë, tashmë edhe Shqipëria e femrave do të marrë pjesë në një eveniment kontinental. Dhe premiera kuqezi starton në kampionatin evropian të sezonit 2013-2014 të U-19-ës, finalet e të cilit do të mbahen në Norvegji. Në shortin e hedhur në Nion të Zvicrës u vendos që Shqipëria – një nga tre kombëtaret debutuese në një kompeticion të tillë së bashku me Maltën dhe Malin e Zi – do të jetë në Grupin 7 (nga 11 në total) me Italinë, kampionen e Europës në 2008-n, Poloninë dhe Slloveninë. Ky është

Kampionati i 13-të Europian për femra. 11 fitueset e 11 grupeve, si dhe dhjetë skuadrat e dyta të renditura më mirë, kualifikohen për finalet e kampionatit evropian të korrikut 2014 në Norvegji.

 Zbardhen ftesat e De Biazit

 Mediat italiane zbardhën disa nga ftesat e dërguara nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, për miqësoren e 6 shkurtit kundër Gjeorgjisë, takim që do të luhet në “Qemal Stafa”. Midis të seleksionuarve është dhe portieri i Palermos, Samir Ujkani, i cili në dy ndeshjet e fundit kundër Sllovenisë dhe Kamerunit qëndroi në bankinë, për t’i bërë vend Etrit Berishës. Te Lacio mbërriti gjithashtu ftesa e De Biazit, për kapitenin e Shqipërisë, Lorik Cana.

 Berisha pret boksierin Seferi

 Kryeministri Shqiptar, Sali Berisha, ka pritur të mërkurën në zyrën e tij boksierin Nuri Seferi, moment të cilin e ka ndarë përmes faqes së tij në “Facebook” me të gjithë miqtë në këtë rrjet social: “Të dashur miq! Për mua takimi me boksierin e madh shqiptar Nuri Seferi, kampion disa herë në peshën e tij në Europë, ishte i veçantë”.