“Alpinisti” De Biazi: “Nuk dua të ngjitem në majë të malit me helikopter”

504
Sigal

Tekniku italian: “Më pëlqen t’i ngjis me shkallë malet, duke djersitur. Ashtu panorama duket më e bukur”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, i përdor shpesh metaforat për të zbukuruar shpjegimet e tij. Italiani është mësuar me mediat, pasi dhe vetë bën një punë afërsisht të tillë, kur ai komenton në Itali për televizonet e Silvio Berluskonit, apo radiot dhe gazeta të ndryshme të Apenineve. “Ajo që dua të them se, ne jemi këtu së bashku për të kërkuar për të bërë më të mirën e mundësive tona. Është në mënyrën time, nuk jam nisur dhe nuk kam arritur në majë me një helikopter, pasi nuk e kam dhe nuk e kam mundësinë ta blej një të tillë. Por i ngjit me shkallë malet, shpesh me forcë, me lodhje për të arritur në majë. Nëse unë arrij në majë, besoj se shoh një panoramë ndryshe prej atij që arrin atje me ndihmën e një helikopteri. E njëjta metaforë vlen edhe për atë që duhet të bëjmë ne. Ne mund të kemi dëshirë të shkojnë në San Paolo të Brazilit, apo diku tjetër. I ftoj gazetarët apo televizionet të punojmë dhe ta përjetojmë së bashku këtë ëndërr. Ndodhemi në një grup shumë të veçantë, tepër të vështirë. Kemi skuadra që në renditjen e FIFA-s janë shumë përpara nesh. Jemi këtu për të luajtur, por e përsëris, në 90 minuta lojë gjëja më e rëndësishme është topi, duhet përqendrim maksimal, dëshirë dhe organizim. Kështu që, duhet të jemi më të përgatitur se kundërshtarët tanë”, – shpjegoi trajneri.

PROJEKTI

“Jemi duke punuar për të ndërtuar një projekt, duke kërkuar arritjen e një ëndrre. Jemi në një periudhë shumë të veçantë, pasi shumë lojtarë që ishin pjesë e skuadrës në eliminatoret e Europianit nuk janë më pjesë e këtij grupi. Jam i përqendruar shumë në përmirësimin e grupit të lojtarëve që kemi, kjo e parë si nga cilësia e futbollistëve, ashtu dhe në organizimin e lojës. Le të themi se, kemi përpara një rrugë të gjatë për të përshkuar. Jemi vetëm në ndeshjen e tretë nga 10 të tilla për të arritur kualifikimin në finalet e Botërorit”, – theksoi tekniku.

OBJEKTIVAT

“Megjithatë, unë e kam zakon të përqendrohem dhe të fokusohem në objektivat e radhës. Dhe sot, një objektiv i tillë quhet Islanda.  Sipas meje, është një skuadër shumë e vështirë për ta përballuar.  E përsëris është një skuadër me cilësi të mirë dhe kondicion të mirë fizik. Gjëja më e keqe e grupit aktual është se lojtarët njihen shumë pak. Unë e kam parë Islandën në dy ndeshjet e saj kualifikuese, si atë kundër Norvegjisë, të cilën ajo e fitoi në shtëpi me rezultatin 2-0, ashtu dhe me Qipron të humbur 1-0, një ndeshje që në tridhjetë minutat e para, sipas meje, bëri një lojë të shkëlqyer. Madje edhe dizavantazhit bënë një lojë shumë të mirë duke goditur edhe traversën”, – tha De Biazi

MËSIMET

“Sot futbolli të mëson se, në çdo ndeshje duhet përqëndrim maksimal, duhet të jesh në maksimumin e gjendjes fizike, për të kërkuar të mundësh kundërshtarin. Në futboll ekulibrat janë të tilla se, duhet të djersitësh edhe kur kundërshtari nuk është një emër i madh, pasi tani diferencat nuk janë të mëdha. Ne duhet të punojmë shumë, të përmirësohemi në çdo aspekt, për të bërë më mirë, si nga ana ndërtimit të lojës, por dhe në aspektin e rritjes së lojës individuale të lojtarëve më cilësorë, të bashkëpunojmë të gjithë së bashku, duke përfshirë dhe motivacionin brenda tij. Të besojmë në atë që bëjmë. Në ndeshjen e fundit të luajtur në Zvicër, ne patëm dy episode me të vërtetë negativë, të cilët kondicionuan edhe rezultatin e paraqitjes sonë. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt”, – argumentoi trajneri i Kombëtares.

_____________________________________________________________________________________

FSHF-JA: “MOS BLINI BILETA NË TREGUN E ZI”

Çmimet e biletave për ndeshjet Shqipëri-Islandë dhe Shqipëri-Slloveni janë në nivele të ndryshme, kjo në varësi të tribunave. Kështu, kategoria 1 e tribunave A dhe B kanë vlerën e 5 mijë lekëve, blloku 2 i atyre tribunave shkon në 3500 lekë. Karshia është ndarë sipas sektorëve: D2 (qëndrori) me 1000 lekë; tribunat D1 dhe D3 me 700 lekë dhe ato anësore, C dhe E, me nga 200 lekë. Federata Shqiptare e Futbollit u bëri të ditur tifozëve edhe shenjat dalluese të biletave, të cilat janë të pajisura me numër serie, me shenjë holografike dhe me vulën e FSHF në pjesën e pasme. “Nëse nuk i kanë këto shenja, apo biletat tregtohen me vlerë më të lartë, atëherë do të thotë se ato ose janë false ose shitja e tyre ka përfunduar në ‘tregun e zi’. Denonconi çdo rast”, – tha një zyrtar i Departamenti të Marketingut pranë FSHF-së.