Alpin Gallo: Skënderbeu e futi Vllazninë në krizë, Flamurtari të ndalojë polemikat për arbitrat

740
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Tiranës, Skënderbeut, Dinamos e Partizanit, ja skaneri i tij për javën e 18-të të Superiores
Si i mendoni rezultatet që u shënuan në javën e 18-të të Kategorisë Superiore, normale apo surpriza?
Më shumë mund të them se kanë qenë rezultate normale, pse jo edhe të pritshme. Sikundër edhe ishte kalendari, duke i vënë përballë skuadra me raport forcash të ndryshme, vetëm barazimin e Laçit nuk mund ta prisnim, ndërsa për ndeshjet e tjera, diferencat sollën rezultatet.

Cili është konkluzioni juaj për këtë javë të 18-të, në raport me renditjen e skuadrave?
Mendoj se në ndeshjen Skënderbeu-Vllaznia, del konkluzioni kryesor i kësaj jave të 18-të. Korçarët e mbajnë kreun, tashmë me +8 pikë më shumë nga Flamurtari i vendit të 2-të, ndërsa Vllaznia mbeti e parafundit, pasi Teuta është e shkëputur 2 pikë prej saj. 

Po tre barazimet, çfarë tregojnë më shumë për rezultatet e kësaj jave?
Kampionati ka ardhur në një pikë që, skuadrat tashmë të tregojnë vlerat e tyre më të mira. Kjo është e dukshme jo vetëm te Skënderbeu, por edhe te Lushnja e Teuta, të cilat kanë marrë nga 2 pikë në dy ndeshjet e luajtura gjatë vitit 2018.

U shënuan 10 gola në 5 ndeshje, është mesatare e mirë kjo?
Kjo ishte një javë e ngushtë në rezultate e në gola. Vërtet u shënuan 10, por 5 u shënuan vetëm në takimin Skënderbeu-Vllaznia 4-1, ndaj them se ishte një javë e pakët në gola, sidomos për skuadrat që rrezikojnë mbijetesën.

Disa skuadra kishin ankesa për gjykimet, ju si i vlerësoni arbitrat në këtë javë të 18-të të Kategorisë Superiore?
Skuadrat duhet të heqin dorë nga polemikat me arbitrat, dhe më shumë të përqendrohen në mënyrën e të luajturit nga ana e tyre. Fatet e ndeshjeve në këto 18 javë nuk janë përcaktuar nga gjykimet, ndaj duhet të hiqet edhe alibia ndaj tyre për çdo rezultat.

Në rezultatet që u fiksuan këtë javë të 18-të, ka ndikuar situata zgjedhore në FSHF?
Jo, unë nuk mendoj se futbolli i luajtur të ketë lidhje me këto zgjedhje. Besoj se delegatët e tyre janë mes Dukës e Finos për tu zgjedhur President në FSHF, ndërsa vetë skuadrat duhet të shikojnë ritmikën e sezonit. 

Të premten dhe të shtunën nis faza e tretë, çfarë do të presim tashmë nga skuadrat?
Do të presim edhe ndryshime, në raport me 18 javët e zhvilluara. Sepse kampionati tashmë mund të quhet se ka hyrë në rrjedhën e duhur, por kjo duhet që të hyjë në ritmin e kohës. Cila skuadër do të shfaqë futbollin më të mirë në këto dy fazat që do të luhen, ajo do të arrijë më shumë sukses, në raport me mundësitë që ka.

Nga kreu në fundin e renditjes, si i parashikoni ecuritë e skuadrave deri në mbyllje të Kampionatit?
Skënderbeu nuk do të ketë rival, Flamurtari, Kukësi e Partizani do ta kenë të vështirë luftën mes tyre për vendin e dytë e të tretë. Për skuadrat e rrezikuara, mendoj se Teuta e Vllaznia do të luftojnë mes tyre për të mos rënë nga kategoria.
Kjo ishte një javë e ngushtë në rezultate e në gola. Vërtet u shënuan 10 gola, por 5 të tillë u shënuan vetëm në takimin Skënderbeu-Vllaznia 4-1. Ndaj them se ishte një javë e pakët në gola, sidomos për 4 skuadrat që rrezikojnë mbijetesën, të cilat shënuan vetëm 1 gol
18 javë
Të dielën Kategoria Superiore luajti javën e 18-të të saj, njëherësh mbylli edhe fazën e dytë të Kampionatit
90 ndeshje
Kaq ndeshje janë luajtur në dy fazat e zhvilluara, të cilat përkojnë me 18 javët e këtij Kampionati në vazhdim
KATEGORIA SUPERIORE
Rezultatet-Java e 18-të
Të dielën, 4 shkurt 2018 
Laçi-Teuta 0-0 
Lushnja-Luftëtari 0-0 
Skënderbeu-Vllaznia 4-1
Kukësi-Flamurtari 1-1
Partizani-Kamza 2-1

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 18 40
2. Flamurtari 18 32
3. Kukësi 18 29
4. Laçi 18 28
5. Partizani 18 27
6. Kamza 18 26
7. Luftëtari 18 23
8. Teuta 18 17
9. Vllaznia 18 15
10. Lushnja 18 10

Ndeshjet-Java e 19-të
Të premten, 9 shkurt 2018 
Skënderbeu-Flamurtar 18:00
Të shtunën, 10 shkurt 2018
Kukësi-Kamza 14:00
Lushnja-Vllaznia 14:00
Partizani-Laçi 17:00
Teuta-Luftëtari 17:00
Sigal