Alma Angjo, fizioterapistja që i shërben futbollit

1046
Sigal

Profil nga Moisi DALIPI

 

Përpara vitit 1990 na dukej si e çuditshme deri në kufijtë e habisë kur dëgjonim dhe shikonim që një femër punonte si shofere, si traktoriste apo dhe vinçiere. Dhe në këto raste të gjithë njerëzit e shtypit nxitonin të gjenin “lëndën e parë” për ta lakuar e trajtuar në faqet e gazetave. Më vonë u mësuam kur dëgjojmë që femrat janë të përgatitura dhe si punonjëse policie, ushtarake dhe deri tek të luajturit të futbollit, që dikush në vite më parë e quajti si “vjedhje të lojës të meshkujve nga femrat”. Gjithsesi , koha evoluon dhe femrat marrin pozicionin e tyre shoqëror dhe profesional në shoqëri dhe kudo. Kështu mund ta vlerësosh dhe rastin e fizioterapistes të ekipit të futbollit të Pogradecit, Alma Angjo. Ajo ka plot shtatë vjet që me shumë pasion, shumë kulturë dhe profesionalizëm i shërben ekipit të futbollit të qytetit saj Pogradecit. Dhe kishim rastin të përcillnim disa sekuenca nga puna e saj në një ndeshje futbolli. Dhe rasti e kërkonte që kjo njohje më e mirë me femrën e parë shqiptare që i shërben ekipit të futbollit të meshkujve ta përjetonim në trevën e Labërisë, në ndeshjen e Kategorisë Parë, ajo e disa ditëve më parë midis Orikut dhe Pogradecit. Në një moment të ndeshjes dy futbollistë përplasen njëri me tjetrin. Gjyqtari ndërpret lojën dhe iu bën shenjë stafeve mjekësore për të dhënë ndihmën e parë. Nga bankina e skuadrës mike shkëputet me vrap një femër me veshje sportive, me kapele në kokë , me dorezat mjekësore dhe çantën e ndimës së parë. Pasi ka përfunduar detyrën me të dy futbollistët fiziotarapistja përshëndet me të dy futbollistët e dëmtuar dhe gjyqtarët e ndeshjes dhe i drejtohet vendit saj diku në bankinë. Një stuhi duartrokitjesh shkuan në ato momente drejt saj. E përqendruar tek ndeshja dhe tek vijueshmëria e gjendjes të dy futbollistëve fizioterapistja Alma Angjo miratonte në heshtje këtë vlerësim të punës kryer nga tifozët vendas. Dikush, aty në tribunë u shpreh, se pas rastit të ekipit të njohur anglez të futbollit Çelsit që ka fizioterapiste një femër, e cila është Eva Caniero, ky është rasti dytë në Evropë, por e tillë edhe për futbollin shqiptar. Dhe i takon që ekipi i futbollit shqiptar, si Pogradeci ta ketë këtë “privilegj”. Duke kërkuar të mësojmë diçka më shumë për këtë rast të veçantë. kemi ndjekur me vëmendje kryerjen dhe më tej të detyrës nga kjo fizioterapiste me djemtë e ekipit të futbollit.

Në pushim të të pjesës parë dhe në përfundim të ndeshjes me dorezat e punës të vendosura në të dy duart Alma kalonte në masazh të gjithë futbollistët që mund të kishin probleme. Dhe punën e kryente me shumë dëshirë edhe pse ka një moshë rreth të 47 vjeçe ”Kjo është pjesë e përditshme e punës time dhe më vjen mirë që çunat binden dhe nuk kundërshtojnë asgjë. Unë ju shërbejë , ata më falënderojnë dhe përshëndesin”.- na sqaron Alma. Një arsye më shumë kjo për të mësuar diçka më tepër për punën dhe përkushtimin e saj si pjesë e stafit drejtues të një skuadre futbolli me detyrën e fizioterapistes. “Në fillim në vitet 2012 kur fillova punën tek ekipi parë i futbollit e kisha pak të vështirë, por më vonë u mësova dhe gjithçka. Kujdesem për futbollistët duke filluar që nga ushqimi tyre, ngarkesat në stërvitje dhe pastaj traumat dhe dëmtimet e ndryshme .Kur dal tani në fushë për të ndihmuar ndonjë futbollist dhe sharjet e fyerjet ndaj gjyqtarëve sikur fashiten diçka”- thotë me humorin e saj kjo fizioterapiste e shkathët. Në fakt kështu ndodh, ndaj prania e saj në një skuadër futbolli po shërben si një katalizator i “zhurmës” të pakontrolluar që bëjnë tifozët gjatë ndeshjes. Sporti dhe shërbimi ndaj tij janë bërë pjesë e jetës të Alma Angjos që moshën 9 vjeçare, kur vraponte buzë liqenit me shoqet e saj. Më vonë vijën aktivizimet e para në atletik me ekipin e qytetit saj deri ne vitin 1991 kur nis studimet e larta në ILK.F “Vojo Kushi” –Tiranë , në degën atletikë. Aktivizohet me klubin e Dinamos, por një dëmtim në tendinin e Akilit e detyron të tërhiqet nga garat. Dy mjekët e njohur sportiv Lluka Heqimi dhe Profit Canaj që i qëndrojnë pranë shikonin tek kjo vajzë dëshirën për t’iu përkushtuar mjekësisë sportive dhe i rekomandojnë që pas përfundimit të këtyre studimeve të vazhdoj kursin e fizioterapisë dhe masazheri. Dhe kështu ndodh në vitin 1998, ku së bashku dhe me kursin e infermierisë të përgjithshme Alma Angjo të jetë e gatshme për t’i shërbyer sportit dhe njerëzve me probleme fizike. Nga ana gjenetike e ka si trashëgimi këtë profesion nga gjyshi saj. Kthehet në qytetin e saj Pogradec dhe fillon punë si mësuese edukimet fizik dhe më vonë si fizioterapiste pranë ekipit të rejave të volejbollit dhe atij të bich-volej. E përkushtuar, racionale dhe shumë profesionale. Ky është motivimi çdo dite pune. Në vitin 2012, pra plot shtat vjet më parë kalon në shërbim të ekipeve të futbollit. Të gjithë e respektojnë dhe mbështesin më kryerjen e punës saj. Rastet e vështira nuk mungojnë, por janë tejkaluar me shumë profesionalizëm. Kështu në ndeshjen miqësore Pogradeci-Skënderbeu apo ajo e ekipit të të rinjve Pogradeci-Elbasani ndërhyrja e saj në kohën e duhur dhe gjithë profesionalizëm ka shmangur situatën e vështirë. Po kështu, shumë futbollistë të dëmtuar si ata të ekipit kombëtar të U -21 Endri Çekiçi dhe Taluant Seferi, dy futbollistët lushnjarë; Canka dhe Ibrahimllari, tiranasi Klisman Cake, falë punës së saj vazhdojnë të jetë pjesë e futbollit. Po kështu mund të themi dhe për shumë futbollistë të tjerë nga Korça e Elbasani, nga Librazhdi e Gramshi, të cilët janë riaftësuar në një kohë rekord nga puna serioze e kësaj fizioterapisteje sportive. Por, edhe pse dita e punës për Alma Angjon është shumë ngarkuar ajo di ta ndajë atë me shumë kujdes, duke iu përkushtuar punës, tre vajzave të saj, bashkëshortit dhe prindërve dhe shoqeve të shumta dhe miqësisë së saj. Tre vajzat e saj; Sanja 22 vjeçe që studion për gazetari, Anastasia 17 vjeç gjimnaziste, Maria 7-vjeçare dhe bashkëshorti Mihali janë ata që e mbështesin dhe ndihmojnë në kryerjen e detyrës së saj të vështirë, të bukur , por shumë fisnike në shërbim të futbollit. Ndoshta, dikush një ditë do kujtohet në FSH.F për të vlerësuar kontributin e saj për futbollin. Dhe fizioterpistja e ekipit të futbollit të Pogradecit, Alma Angjo i ka marrë dhe po merr çdo ditë duartrokitjet dhe përshëndetjet e tifozerisë në stadium, kudo ku ka shkuar në shërbim të ekipit. Kjo nuk është pak për atë fizioterapisten e parë femër që i shërben çdo ditë futbollit shqiptar. Për njerëzit që punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm respekti është gjithmonë i veçantë..

SKEDA: Alma Angjo

Lindur: Në Pogradec, më 11.12.1970

Studimet e larta:

1991-1994 ILKF “Vojo Kushi”

1998 “Kursi njëvjeçar për Fizioterapi dhe Masazheri”

2010 Studimet e Larta “Infermieri e Përgjithshme

Përvoja në punë: Në vitet 2011-2012 fizioterapiste tek ekipi volejbollit për të reja dhe 2012 e në vazhdim përgjegjëse stafit mjekësor në klubin e futbollit, Pogradeci.

Specializimet e kryera: Studion dhe bashkëpunon me specialistët e njohur brenda dhe jashtë vendit në tema shkencore në fushën e fizioterapisë dhe masazherisë sportive për luksacionet dhe traumat.