Sigal

Cristiano Ronaldo do të jetë mungesa më e madhe e kësaj jave të ligës së kampionëve. Sulmuesi portugez u ndeshkua me karton të kuq në ndeshjen hapëse të këtij edicioni përballë Valencias dhe do t’i mungojë Juventusit në ndeshjen e nesërme kundër Young Boys.

Ndeshja e nesërme do të jetë e para që Juventusi luan këtë sezon pa yllin portugez. Ronaldo është aktivizuar në 8 sfida që kanë zhvilluar bardhezinjtë këtë sezon duke shënuar 3 gola dhe 3 asiste, duke qenë lojtari më produktiv në skuadrën e tij të re.

Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri është shprehur se, ndeshja përballë Young Boys do të jetë kurioze për të parë sjelljen e skuadrës së tij pa Ronaldon në fushë. “Jam kurioz për të parë Juventusin pa Ronaldon. Me Valencian e pamë skuadrën pa të, por ishim me 10 lojtarë. Fatmirësisht mori vetëm një ndeshje pezullim dhe  përballë Maçesterit do ta kemi. Gjithsesi ai kishte nevojë të pushonte, pas asaj ndeshje intensive me Napolin, e cila për mua ishte ndeshja e tij më e mirë që kur ka ardhur tek Juventusi”-u shpreh Alegri në konferencën për shtyp.