Alket Islami: “Shkolla e Vashave”, krenaria e Aeronautikës shqiptare

1366
Sigal

Instruktori i aeronautikës shqiptare jep një shikim më në thellësi të përgatitjes së vajzave në hedhjen me parashuta

Aeronautika shqiptare ka një fillesë të hershme në Shqipëri, daton që në vitin 1993, atëherë kur skeptikët nuk reshtnin së qeni të tillë dhe projektet e këtij lloji cilësoheshin si jo normale dhe të rrezikshme. E në fakt, kur kanë kaluar plot 22 vite, çdo gjë duket më e qartë, më reale dhe synimet fillestare të iniciatorit të kësaj nisme duket se janë përmbushur. Bëhet fjalë as më pak e as më shumë sesa për Alket Islamin, shqiptarin e parë që mori guximin të hidhej me parashutë, e këtë nxitje të tij, ta kalonte edhe te shumë pasionantë të tjerë. I pyetur për “Telegraf”, Islami nuk ndalet shumë tek vetja, tek arritjet e tij si individ, por tek puna në grup, ku kryesore është promovimi i këtij sporti tek të rinjtë. I pyetur mbi këtë fakt ai shprehet thjeshtë dhe saktë se duan ta zgjerojnë këtë program: “Aktualisht në Federatën tonë, ka pilotë të shumtë, por nisma jonë kryesore është që brenda vitit 2020 ta shtojmë numrin e pilotëve deri në 100”. Ashtu si çdo sport tjetër, ka federatën e saj, që punon me përkushtim në mirëqenien dhe vazhdimësinë e këtij projekti tashmë afatgjatë, duke qenë e njohur edhe në Federatën Ndërkombëtare të Aeronautikës, çka sigurisht i jep garancinë dhe lejen e pjesëmarrjes edhe në turnetë ndërkombëtar, përveç atyre kombëtar. Por më e veçanta e kësaj federate, edhe pse ka shumë, është padyshim prania femërore në turnetë, që me konsensus po i quajmë ajror. Vetëm dy vite më parë u hap ajo që me krenari përmendet nga vetë themeluesi si pjesa më e bukur e Aeronautikës shqiptare dhe që i është vënë emri “Shkolla e Vashave”, që me këto dy vite përvojë mbi shpinë, kanë arritur një nivel të lartë përgatitjeje, duke u afruar çdo ditë e më shumë në stadin e profesionisteve, saqë tani njihen si pilote. Janë tetë, “vashat” që janë pilote, por sipas informacioneve që na jep vetë instruktori i tyre, Alket Islami, pritet që të bashkohen edhe shumë të tjera, ku në trajnim aktualisht janë edhe tre “vasha” që do i shtohen 8 të parave si profesioniste. Luçiana Kokaj, Krisela Mulliri, Ibena Zeqaj, Anisa Lera, Neva Qose. Mariza Driza dhe Ardita Kuçi janë tetë vajzat që janë pjesë aktive e konkurrimit, që mbas shumë orëve teori dhe stërvitjes së vazhdueshme në praktikë, kur u pa se vajzat janë gati, ato realizuan fluturimet e para me radio, nën komandën e instruktorit (Alketit). Pas disa fluturimeve me radio, ato tanimë janë pilote dhe që tani më në fund janë edhe pjesë e garave ndërkombëtare dhe kombëtare, duke e sjellë në një tjetër nivel konkurrimin femëror në këtë sport. Gjatë gjithë kohës së shkollës (stërvitjes) vajzat ishin pjesë e të gjitha aktiviteteve të organizuar nga Federata, ndërsa në kampionatin e vitit të kaluar, ishin pjesë e garave, duke filluar nga etapa e Prizrenit e për të vazhduar pastaj me Albania Open 2014, ku vajza e shkollës së Aeronautikës Shqiptare, Luçiana Kokaj, hapi aktivitetin me fluturime përshëndetëse. Dita-ditës, shihet qartë se si po shtohet ky grup, jo vetëm nga kërshëria, por për të qenë pjesë dhe pjesëmarrëse aktive në organizime të ndryshme, ku ndër të tjera mund të përmendim edhe pjesëmarrjen në Triathlon (not, vrapim. fluturim) ku për herë të parë u dha edhe Kupa e Kombit. Vajzat kanë filluar që së fundmi të përgatiten së bashku për kampionatin Albania Open 2015, ku sigurisht në bazë të përgatitjes që kanë shihen qartazi si pretendente të forta. Kjo përvojë vlen shumë, e kjo vihet re tek ajo se çfarë shprehin vetë vajzat, ku në kontaktin që patëm më to shprehen shumë të kënaqura mbi çdo aktivitet që organizojnë dhe pjesëmarrjen e tyre, pa lënë mënjanë përvojën e pazëvendësueshme në takimin me “ajrin” në ajër dhe shkëmbimin e përvojave të papërsëritshme sa herë organizohen që të fluturojnë. Duket se instruktori i tyre, Alket Islami, ju ka injektuar në gjak atë dellin fillestar që të jep magjia e fluturimit ku të gjithë pilotët dhe pilotet, janë gjithmonë gati për një hedhje të re, e pastaj nuk ngelet gjë tjetër vetëm të shijojnë fluturimin, të përjetojnë emocionet dhe së fundmi t’i tregojnë ato.

Dy fjalë për Federatën e Aeronautikës Shqiptare

Duke marrë fjalë për fjalë atë çfarë tha vetë A. Islami, Federata e Aeronautikës funksionon më së miri, pasi aplikohet sistemi i rotacionit, ku drejtuesit ndërrohen, duke mos krijuar një “mësim” me pozicionin, por duke sjellë frymë të re dhe ide të reja nëpërmjet drejtuesve po të rinj.  Aktualisht president është Renis Tershana, Sekretar i Përgjithshëm është Artion Vreto, ndërkohë që Alket Islami tregon se aktualisht po mbulon pjesën e Promovimit të Sportit tek të rinjtë.

Kupa e Kombit, kur ajri bashkohet me ujin dhe tokën

Kur sporti bashkohet në një, nëpërmjet ajrit, tokës dhe ujit. Këtë gjë e bëjnë Federata Shqiptare e Aeronautikës Shqiptare, Federata Shqiptare e Atletikës dhe Federata Shqiptare e Notit, ku në një turne të vetëm organizojnë sportistët nga secila fushë që të shpalosin secili aftësitë në sportin që përfaqësojnë. Vitin që shkoi, u organizua në Drimadhas edhe Kupa e Kombit, e para herë që jepej ky çmim, me pjesëmarrës të shumtë nga të gjitha trevat.

 Aero Klubet shqiptare

Aeronautika Shqiptare

Aero Club of Gjirokastra

Aero Club of Durrësi

Aero Club of Tirana

Air Kadet Albania