Alket Islami: Rezultatet e këtij viti, koha për terrene më të përshtatshme

124
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i Kombëtares së Aeronautikës shqiptare, analizon si pozitiv vitin 2017
Çfarë po bën Alket Islami në këtë vjeshtë të parë?
Sapo kemi ardhur nga përgatitjet për Evropian Championship në Slloveni, ndërsa dje në sheshin “Skënderbej”, filluam Albanian Coast Trip. Ky event do të zgjasë gjashtë ditë (1-8 tetor), ndërkohë që në punën time të botimeve, po përfundoj albumin “Albanian Alps from the Sky”.

Nga veprimtaria e parë tek e fundit, si e bëni bilancin e aeronautikës për këtë vit kalendarik?
Mendoj se viti 2017 ka qenë më i suksesshmi në historinë e gjatë 24 vjeçare të aeronautikës shqiptare. Për herë të parë në Shqipëri u mbajt një Kampionat Botëror në nivel sportesh, dhe i përkoi aeronautikës në vendin tonë me këtë 24 vjetor.

Mund ta quajmë si kulmin e veprimtarive tuaja këtë Kampionat Botëror?
Natyrisht që po. Ky ishte Kampionati i 9-të Botëror i Aeronautikës për fluturimet e lira në precizion, që ne e organizuam në qytetin e Vlorës. Pas tij, kemi pasur një numër në rritje, dhe mund ta quaj një BOOM numrin e atyre që fluturuan dysh në Llogara, mbi 1300 persona.

Dukeni mediatik vetëm në periudhë veprimtarie, qëndron ky konstatim?
Konstatimi juaj qëndron, por do të thosha se janë vigjiljet e eventeve që na bëjnë të jemi më afër kamerave në nivel marketingu. Ndoshta është edhe vetë sporti që e tregon individin të tillë, edhe kur është në fluturim!

Cilat janë projektet tuaja për vazhdimësinë?
Për vitin 2018, në epiqendër kemi 25 vjetorin e Aeronautikës Shqiptare, e me këtë rast do të organizojmë shumë eventeve, si Albania Open, Gjiro Open Air, Korça Open Air, Llogara Air Games, Albanian Coast Trip. Përfaqësimi dinjitoz në Kampionatin Evropian në Slloveni, dhe dy botimet: “Tirana from the Air” dhe “Gjirokastra from the Air”, do të jenë pjesë e punëve tona në vazhdimësi. 

Çfarë sugjeroni për shtrirjen e këtij sporti të bukur, të vështirë dhe me kosto?
Që të ushtrohesh në këtë sport, që ju e quani të bukur, të vështirë dhe me kosto, natyrisht që duhen terrene sportive të përshtatshme, si trampolinat e fluturimit dhe vendet e uljes. Pra, duhen aerodrome sportive dhe certifikimi i tyre. 

Kur do presim ndonjë fluturim “BIG” prej jush?
Fluturim BIG! Mendoj se, si trajner i ekipit kombëtar, fluturim BIG është që ta çoj ekipin në podium medaljesh, dhe për këtë po punojmë fort.
Që të ushtrohesh në këtë sport, që ju e quani të bukur, të vështirë dhe me kosto, natyrisht që duhen terrene sportive të përshtatshme, si trampolinat e fluturimit dhe vendet e uljes. Pra, duhen aerodrome sportive dhe certifikimi i tyre