Alket Islami: Atletikë, fluturime dhe not në Llogara dhe Dhërmi

2766
Intervistë për “Telegraf” me Alket Islamin, Drejtor i Përgjithshëm i Aeronautikës Shqiptare (FLY ALBANIA) si dhe përgjegjës për veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare në Federatën Shqiptare të Aeronautikës
Cila është veprimtaria e radhës e Aeronautikës Shqiptare?
Aeronautika shqiptare, si pjesë e federatës shqiptare të aeronautikës përpara ka një veprimtari shumë të rëndësishme dhe të veçantë “Triathlon Albania 2”, që do të zhvillohet nga data 4-5 gusht 2015 në Llogara dhe Dhërmi ku bashkëpunojnë organizatat sportive “Federata e Aeronautikës Shqiptare”, “Federata e Areonautikës së Kosovës”, “Federata Shqiptare e Notit”, “Federatat Shqiptare e Atletikës”. Gjithashtu mbështetës të veprimtarisë janë edhe “Blusub”, “Albania Alpine Adventure” dhe “Daily Paradise”. Ky është edicioni i dytë që rezervon të tjera befasi dhe të tjera emocione. 
Përse keni zgjedhur të bashkëpunoni me Federatën Shqiptare të Notit?
Sepse vetë karakteri i “Triathlon Albania 2” përmban dhe disiplinën e notit dhe mbi të gjitha është sport që po rritet nga dita në ditë. Ideja e futjes së notit në “Triathlon Albania 2” është që të promovohen edhe veprimtari të tjera në det dhe të largohet vëmendja vetëm nga jeta e natës në plazhet dhe brigjet e Shqipërisë. Në “Triathlon Albania 2” kemi përfshirë si notarë profesionistë ashtu dhe të rinj të grupmoshave të ndryshme që e kanë pasion apo e dashurojnë sportin e bukur të notit. 
Çfarë do të bëhet konkretisht gjatë kësaj veprimtarie?
Si edhe edicionin e parë, edhe në këtë edicion do të jenë të harmonizuar disa veprimtari. Do të jenë 10 ekipe me nga 3 pjesëmarrës: vrapues në mal, pilotë parashutistë dhe notarë. Gara do të fillojë me vrapuesit të cilët do të përshkojnë një distancë rreth 6 km dhe i lënë stafetën pilotëve me fluturime nga Llogaraja drejt Drimadhes. Pastaj stafeta i jepet notarëve të cilët e mbyllin “Triathlon Albania 2” me distancën 1 km not.
Kush janë mbështetësit tuaj në këtë veprimtari?
Ministria e Ekonomisë dhe e Turizmit, kompania e Sigurimeve “Eurosig” dhe “Max optika”. Partnerë të veprimtarisë janë gjithashtu “Albtelecom” dhe kompania “Kaon”. Natyrisht duhet shtuar se është edhe gatishmëria e shumë njerëzve, trajnerë dhe sportistë që japin ndihmesë në këtë veprimtari e cila synon të promovojë më tej sportin dhe të tërheqë sa më shumë njerëz.
Mediat kanë folur për një konflikt të shoqatës që ju drejtoni me disa pronarë pretendues të ballkonit të Llogarasë?
Është një çështje që do zgjidhet shpejt. Është kërkuar në dikasteret shtetërore që trampolina e fluturimeve në Llogara, e cila ka pasur këtë funksion që nga fluturimi i parë në 1993, të mbetet me këtë destinacion me një investim teknik përmirësues të infrastrukturës së fluturimit.
Në disa prej aktiviteteve tuaja ka qenë mbështetës Ministria e Arsimit dhe e Sportit; a vazhdon kjo mbështetje?
Ministria vazhdon të na mbështesë për çdo vit me dhënien e grandit për Federatën Shqiptare të Aeronautikës. 
Albumi juaj me pamjet më të mrekullueshme shqiptare ka bërë xhiron e botës; a do të ketë një botim tjetër më të plotësuar dhe me imazhe të reja?
Kjo është një punë tjetër e shoqatës sonë që, përveç organizimit të veprimtarive të një karakteri krejt të veçantë, të promovojë më mirë bukuritë shqiptare për vendasit dhe sidomos për të huajt. Aktualisht ne kemi përgatitur tri albume që titullohen “Albania from the Air, vol 1”, “Albania from the Air, vol 2” dhe “Albanian Riviera from the sky”, të cilat janë pritur mjaft mirë brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë po punohet për përgatitjen e dy albumeve të reja që titullohen “Kosovo from the Air” dhe “Albanian Alps from the sky”. 
Sigal