Alesia Neziri: Në Durrës përfitova Bursën Rinore, në Evropian do të përmirësoj kohët

Nga Agron KAJA

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” notarja kampione e Tiranës, fitoi Kupën si “Notarja më e Mirë” në Kampionatin Mbarëkombëtar

Është qetësuar Alesia, pas garave të Kampionatit Mbarëkombëtar?
Në fakt, në garat e Kampionatit Mbarëkombëtar në Durrës, lodhja ka qenë e dyfishtë, sepse ato u zhvilluan në një mot shumë të nxehtë. Por, duke qenë se unë po përgatitem që të marr pjesë në Kampionatin Evropian, nuk e kam ndalur stërvitjen. Që ditën e enjte kam qenë në pishinë, dola menjëherë në stërvitje.

Cili kampionat Evropian zhvillohet, ku ju do të merrni pjesë?
Po, në datat 23-30 korrik 2017, në Budapest të Hungarisë zhvillohen garat e Kampionatit Evropian për të Rinj. Është një event ndërkombëtar i rëndësishëm për mua, pasi do të marr pjesë në dy gara: 50 m dhe 100 m krol. Në këtë aktivitet ndërkombëtar do të ketë shumë notarë të moshës time që do të garojnë, ndaj mendoj se do të jetë shumë e bukur, njëherësh edhe e vështirë.

Synimi i Alesias në këtë Kampionat Evropian për të Rinj, cili është?
Në Kampionatin Mbarëkombëtar në Durrës, unë ja arrita qëllimit. Në garën 100 m shpinë e përmirësova kohën, nga 1.15 në 1.14, ndërsa në të gjitha garat e tjera kapa kohët e mia. Këtë do të dëshiroja edhe në Evropian, edhe pse aty konkurrenca do të jetë shumë më e madhe se sa garat ë Durrës.

Kthehemi te Mbarëkombëtari, ju fituat edhe Kupën si “Notarja e re më e Mirë, e kishe menduar këtë trofe?
Gjithmonë në garë unë hyj për të bërë më të mirën, dhe me aq sa arrita në këtë Kampionat të parë Mbarëkombëtar, them se isha mirë. Në fakt, vetëm dy javë më parë unë morra pjesë në Kampionatin Kombëtar për të Rinj, dhe hapësira e kohës deri në Mbarëkombëtar ende nuk më kishte dhënë kondicionin e duhur.

Ndoshta po i fshiheni suksesit që ju arritët në këtë Kampionat Mbarëkombëtar?
Nuk mund të fshihem, sepse gjithçka që arrita ishte rezultat i mirë. Unë fitova Kupën si “Notarja e re më e Mirë” e Kampionatit Mbarëkombëtar, dhe pas këtij eventi, përfitova Bursën Rinore nga KOKSH-i. Ky është një stimul për mua, vlerësim për rezultatet që kam arritur, por edhe një shtysë për rezultate më të larta.

Trajneri juaj Arian Fetishi ju ka veçuar si notare e perspektivës elitare, e ndjen si përgjegjësi këtë vlerësim?
Patjetër që po, sepse trajneri im është ai që më ka stërvitur e motivuar në të gjitha arritjet që kam deri më sot. Shpresoj të stërvitem gjatë me të, e së bashku të kemi rezultatet më të larta. 

Pas Kampionatit Evropian që do të zhvillohet në këtë fund muaji në Budapest, do ta kemi Alesia Nezirin në këtë nivel garimi?
Nga eventi në event, unë kam pasur progres. Shpresoj që kjo ritmikë rezultatesh të jetë edhe në Kampionat Evropian, ku po ja u përmend se do të synoj të jem në nivelet e mia më të mira.

Detyrimet shkollore, e pengojnë Alesian për stërvitshmërinë e rezultate më të larta?
Asnjëherë! Unë kam mbështetjen e familjes në gjithçka, dhe ndjehem shumë komode nga ndihma që më japin të gjithë në familje. Për mua, familja ime ka qenë dhe do të jetë baza e çdo suksesi, sot në sport dhe në vazhdimësi për jetën time.

Keni disa vite që garoni, çfarë ndryshimi shikoni në drejtim dhe infratsrukturë?
Në fakt, unë shikoj se në tre-katër vitet e fundit, ndryshimet vijnë hap pas hapi, nga veprimtaria në veprimtari. Duket që ka dorë të mirë në menaxhimin e këtij sporti nga federata e notit, dhe kjo na bën ne notarëve edhe më të përgjegjshëm e të sigurt në karrierën tonë.

Të themi së fundmi në këtë bisedë, se Alesia Neziri do të jetë një “Federika Pelegrini” në notin shqiptar?
Unë e kam idhull këtë notare, por jam shumë larg saj. Që të arrij sukseset e saj, më duket pak larg, por gjithsesi, duke pasur një objektiv në horizontin e karrierës, e ke një dritë ku të referohesh për më shumë progres.

Gjithçka që arrita ishte rezultat i mirë. Unë fitova Kupën si “Notarja e re më e Mirë” e Kampionatit Mbarëkombëtar, dhe pas këtij eventi, përfitova Bursën Rinore nga KOKSH-i. Ky është një stimul për mua, vlerësim për rezultatet që kam arritur, por edhe një shtysë për rezultate më të larta

Kategoria të Rinj/ Femra
KAMPIONE
Alesia Neziri, Tirana me 984 pikë

Në Mbarëkombëtar
Garat e Alesia Nezirit
50 m krol 30.32 
100 m krol 1.05.50
50 m shpinë 34.94
100 m shpinë 1.14.37

KAMPIONATI SHQIPTAR
INDIVIDUALE
Kategoria të Rinj/ Për Femra
Alesia Neziri, Tirana me 984 pikë
Kategoria të Rinj/ Për Meshkuj 
Frenc Bërdaku, Teuta me 1322 pikë
Kategoria të Rritur/ Për Femra
Nikol Merizaj, Alb me 1207 pikë
Kategoria të Rritur/ Për Meshkuj 
Klavio Meça, Alb me 1355 pikë
EKIPORE
Kategoria të Rinj
Për Femra: Te Stela me 221 pikë
Për Meshkuj: Teuta me 220 pikë
Kategoria të Rritur
Për Femra: Studenti me 198 pikë
Për Meshkuj: Studenti me 213 pikë