Aleksandër Ngresi, 14 vjeçari magjik i notit

974
Sigal

Nga 3-7 dhjetor 2014, në Doha të Katarit u zhvillua Kampionati Botëror i Notit në pishinat 25 metër. Në ekipin përfaqësues të Shqipërisë ishte pjesëmarrës edhe 14 vjeçari nga Durrësi, Aleksandër Ngresi i cilësuar si një nga notarët me më të ardhme në Shqipëri. Shqipëria u përfaqësua nga notarët Deni Baholli, Franc Aleksi, Klavio Meça, Nikol Merizaj, Diana Basho, Binald Mahmuti dhe më i riu ndër to durrsaku Aleksandër Ngresi. Aleksi siç i thërrasin bashkëmoshatarët e tij, është i biri i një ish basketbollisti Gjergj Ngresi i cili e shoqëroi të birin edhe në kampionatin botëror të Dohas, në Katar. Por ndërkohë me kërkesë të Federatës Shqiptare të Notit, thërritet me urgjencë pranë ekipit shqiptar edhe specialisti i njohur i notit italian Eros Pavon. Ai stërvit prej dy vitesh Aleksandër Ngresin dhe ekipin me shumë perspektivë Teuta Swimming. Ndonëse pjesëmarrës për herë të parë në një event të nivelit ta lartë botëror, Aleksandër Ngresi e nderoi notin shqiptar dhe në mënyrë të veçantë edhe atë durrsak. Ai përmirësoi katër rekorde kombëtare, barazoi një dhe përmirësoi tjetër rekord në grup, në stafetën 4×50 m stil i përzier. Thuajse në të pesë ditët, nëpërmjet stacioneve të huaja televizive, kemi ndjekur garat e kampionatit dhe veçanërisht ato të ekipit shqiptar. Kemi ndjerë emocione të forta teksa kemi parë të garojë birin e qytetit tonë, djaloshin e talentuar që po prek historinë, 14 vjeçarin Aleksandër Ngresi. Garat e Ngresit kanë qenë kryesisht me orën 8 të mëngjesi sipas orës tonë lokale dhe që në Doha shënonte orën 10.00. Para kësaj, Aleksandër Ngresi është mbajtës i 11 rekordeve kombëtare në 50, 100 dhe 200 metrave stil shpinë, 100, 200, 400 dhe 800 metra stil i lirë duke i përmirësuar disa herë ato. Tani që kampionati botëror është i përfunduar, biseda që bëmë me trajnerin italian Eros Pavon ishte befasuese. Po kështu tejet aktive në mbarëvajtjen e rezultateve të Ngresit, është edhe ish presidenti i FSHN-së, nga personalitetet e notit shqiptar Feim Alliu. Dhe në Doha Aleksandër Ngresi tërhoqi vëmendjen e shumë specialistëve të huaja, të cilëve u bënte përshtypje talenti i djaloshit shqiptar dhe veçanërisht mosha shumë e re e tij, nga më e vogla nga të gjithë garuesit në Doha. Pavon ndonëse i kursyer në përshtypje, kjo për shumë arsye nuk e fsheh entuziazmin për performancën gjithnjë në rritje të Aleksandër Ngresit. – Kemi të bëjmë me një djalosh ëndërrimtar për të shkelur në një rrugë rekordesh, që nuk kanë ndodhur nga asnjë moshatar i tij më parë. Vetëm në një sezon ai ka përmirësuar 15 rekorde kombëtare për moshën 13-14 vjeç. Po më tej çdo të ndodhë me të?! Po e ndjek me shumë vëmendje ecurinë e këtij djali pasionant dhe më takon ti
qëndroj akoma më afër. Është zbuluar një talent, që nuk duhet të humbasë por të thellojë me punë të jashtëzakonshme atë që është në gjendje të bëjë. Në Doha, ndonëse në prezencë të emrave të mëdhenj të notit botëror dhe emocionet e garave janë tejet të mëdha, Aleksandër Ngresi notoi me shpirt duke përmirësuar kohët e tij dhe duke arritur të jetë zot i gati të gjitha rekordeve shqiptare për moshën. Na takon të punojmë me këtë talent, për ta nxjerrë faqebardhë jo vetëm atë, por edhe notin shqiptar”. Ndërsa Alliu që njihet edhe si ndjekës i statistikave të notit botëror sipas shteteve, flet me argumente për atë që po arrin Aleksandër Ngresi. “Ja, shpjegon ai, të marrim notimin e 200 metrave stil shpinë. Koha e re që shënoi në Doha 2’26”02, do të renditej i treti sikur të garonte në kampionatin rus dhe i dyti në Itali . Dihet mirë se në çfarë nivelesh janë notarët rus dhe italianë. Ajo që vlen të veçohet është, se me Ngresin kemi të drejtë të mburremi dhe të krahasohemi edhe me arritjet më të mira të botës së notit botëror”. Aleksandri përmirësoi në kampionatin botëror të notit zhvilluar në Doha, rekordet kombëtare në garat e 50m stil i lirë, 50,100 dhe 200 metra shpinë, si pjesëtarë në stafetën 4×50 stil i përzier me kohën 1’56”86 (rekord kombëtar ky për të rriturit) dhe barazoi rekordin në 100 metra stil i lirë. Gjergji, i ati i Aleksandrit, që është aktiv në stërvitjen dhe ndjekjen hap pas hapi të ecurisë së të birit është shumë i përmbajtur. “ Sandri që të shkojë atje ku duhet, shpjegon Gjergji, ka shumë punë për të bërë. Është fat që stërvitet nga një specialist i mirëfilltë i notit italian siç është tashmë miku ynë  i respektuar Eros Pavon. Do Zoti, kemi fat të nxjerrim një notar të madh, që të përfaqësojë me shumë personalitet notin shqiptar në nivele botërore. Shpresojmë, por duhet të jemi gjithnjë me këmbë në tokë pasi sa më lart të ngrihemi aq më shumë shtohen vështirësitë”. Ndonëse i lodhur nga ngarkesa e kampionatit dhe rrugëtimi tranzit ajror, Aleksandër Ngresi rifilloi pa humbur kohë stërvitjet. Në pozicionin e një ndjekësi të kahershëm të sportit durrsak, të mbështetësit dhe inkurajuesit të zellshëm të tij, do ti uroja këtij talenti të spikatur që është fat që e kemi në Durrës, suksese dhe mbarësi në synimet e përcaktuara. Ajo që të bën optimist për Aleksandër Ngresin, nuk është se nga ai shpresohet të jetë i pari i botës së notit, por që të jetë një arritje e pazakontë e sportit shqiptar të notimit. Prandaj inkurajimi dhe propagandimi i tij është detyrë primare e jona, aq më shumë që tani sporti i ujit drejtohet nga një njeri shumë pasionant dhe i bindur për ecuri pozitive Agim Çiraku.

Nga BUJAR QESJA