Aleko Bregu: Nga pauza në mbingarkesë, kjo nuk i shërben për mirë cilësisë e vazhdimësisë

828
NGA Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares, sot specialist futbolli
Futbolli Superior është ndalur zyrtarisht këtë javë, sa vlerë kanë këto stopime në vijueshmërinë e garës?
Natyrisht që ndalesa të tilla brenda garës, nuk u bëjnë mirë skuadrave, në të dy kahet e renditjes së tyre. Sepse në shumë skuadra shumë cilësia, dhe një fazë e tillë pushimi në një farë mënyre i ndal skuadrat në ritmin e garës. Gjithsesi, duke qenë e planifikuar, trajnerët duhet të ndryshojnë shumë detaje nga platformat e tyre stërvitore.

Por, edhe kalendari është ngjeshur si pasojë e kësaj hapësire pushimi në shërbim të miqësores së Kombëtares sonë me Turqinë, nuk është kjo një mbingarkesë?
Patjetër që është mbingarkesë, dhe kur mendon një skuadër të Superiores që pushon mbi 10 ditë dhe më pas luan dy ndeshje radhazi në harkun e gjashtë ditëve pasardhëse, në këndvështrimin profesional, nuk jep pasoja pozitive në garë. Këtë do ta vuajnë më shumë skuadrat që nuk kanë në strukturat e tyre lojtarë rezerve që të garantojnë si titullarët.

Është e drejtë që, ku luan Kombëtarja, veç Superiores të ndërpritet edhe Kategoria e Parë?
Në Kombëtaren e viteve të fundit, lojtarët nga Superiorja kanë qenë dhe janë me pikatore, sado të talentuar që janë, ndaj më normale do të ishte vazhdimi i garës, si në Superiore ashtu edhe në Kategorinë e Parë.

Si e përshkruani ju situatën e skuadrave të Kategorisë Superiore në 9 ndeshjet e fazës së parë?
Me përjashtim të Skënderbeut që e ka të konsoliduar skuadrën prej disa vitesh dhe do të jetë “superfuqi” në futbollin shqiptar, të tjerat kanë luhatje në këtë fazë të parë. Që nga Kukësi kampion në fuqi, e deri tek Lushnja e vendit të fundit, skuadrat kanë treguar probleme me përbërjet e tyre, dhe renditjet i kanë për sa kanë dhënë në fushën e lojës.

Po për situatën që kaloi Partizani në fazën e parë, cilët i mendoni si shkaktarë?
Është shumë e qartë, organizimi e menaxhimi i kësaj skuadre të madhe është bërë në abuzim me emrin që Partizani ka. Sepse duke sjellë lojtarë jashtë forme, e trajnerë jo të nivelit që do kjo skuadër, nuk mund të presësh më shumë se kriza. Uroj që, Starova ta ndërtojë punën sikundër ai di, dhe shpresoj që do ta ndryshojë në progres skuadrën

Dhe si e mendoni vazhdimësinë e renditjes në fazat e tjera?
Për të thënë se kush del kampion apo zbret një kategori më poshtë, është shumë shpejt. Por, duke ju referuar 9 javëve të luajtura, vetëm në mesin e tabelës mund të ketë lëvizje, ndërsa ekstremet e tabelës mendoj se do të jenë të tilla sikundër pas javës së 9-të.

Çfarë mendoni se synon trajneri i Kombëtares sonë me këtë miqësore sot ndaj Turqisë?
Të gjitha ndeshjet miqësore zhvillohen që skuadrat të kolaudohen për të qenë më të gatshme në kompeticionet zyrtare ku konkurrojnë. Ndërsa skuadra jonë, në këtë miqësore mendoj se synon një selektim të gardës së vjetër, pasi Panuçi është para provës së karrierës, për të përgatitur skuadër të denjë për “Evropianin 2020”.

Në çfarëdo lloj rezultati që të dalë kjo miqësore me Turqinë, çfarë ndikimi do të ketë te lojtarët e Kombëtares sonë?
Ne jemi vend Mesdhetar e Ballkanas, dhe miqësoret emocionalisht na futin nën presionin e rezultatit. Në këtë këndvështrim, ndikim më pozitiv do të ketë një rezultat i tillë, se sa ajo që synon Panuçi në përzgjedhjen e të rinjve e selektimin e më të vjetërve.
Vetëm një mangësi shikoj në këtë 9 javët e luajtura, pasi nuk ka shumë rivalitet mes skuadrave. Kur ka shkëputje të tilla si kjo e Skënderbeut, më kujtohet Dinamo kur unë luaja, me një shkëputje të tillë, në vazhdimësi rrezikoi shumë në lojë dhe në rezultate
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 10-të
E mërkurë, 15 nëntor 2017
Luftëtari-Teuta 14:00
Vllaznia-Lushnja 14:00
Flamurtart-Skënderbe 17:00
Të enjten, 16 nëntor 2017 
Laçi-Partizani 14:00
Kamza-Kukësi 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 9 25
2.Kukësi 9 18
3.Flamurtari 9 16
4.Kamza 9 15 
5.Laçi 9 11
6.Partizani 9 11
7.Teuta 9 8 
8.Luftëtari 9 8
9.Vllaznia 9 6
10.Lushnja 9 5
Sigal