Albert Bunjaki: “Nuk do t’ia marrim lojtarët Shqipërisë!”

538
Sigal

Trajneri i Kombëtares së Kosovës flet pas miratimit të FIFA-s: “Nuk kemi pse të ngutemi”

 Kosova bëri një hap përpara drejt anëtarësimit me të drejta të plota në FIFA pas ndezjes së dritës jeshile për zhvillimin e ndeshjeve miqësore dhe ky lajm duket i mirëpritur në vend.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki, përshëndeti vendimin e FIFA-s për miqësoret. Ai ka thënë se do të nisë menjëherë punën për të mbledhur futbollistë kosovarë, kryesisht nga Evropa. Bunjaki tha se, është ende shumë herë të kërkohet inkuadrimi i yjeve si Januzaj, Shaqiri e Behrami. “Mendoj se duhet të jemi më të kujdesshëm se është fjala për lojë miqësore dhe interesi i lojtarëve gjithmonë është që të kenë sa më shumë lojë për kualifikime evropiane e botërore. Përderisa nuk jemi të pranuar me kushte të plota të UEFA-s e FIFA-s, mendoj se zhvillimi shumë ma i madh për ta është ku janë, sesa t’i bashkohen Kosovës në këtë moment. Duhet ta dimë se me pranimin e plotë të Kosovës, gjithë këta lojtarë do të kenë mundësi ta zgjedhin Kosovën, prandaj nuk kemi nevojë të ngutemi në këtë fazë”, tha Bunjaki për media kosovare. Personazhet kryesorë dhe drejtuesit e futbollit kosovar e cilësojnë vendimin e institucionit më të lartë të futbollit botëror si një lajm mjaft të mirë për futbollin në atë vend. Trajneri i klubit të Prishtinës, Afrim Tovërlani është njëri prej tyre. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Komitetit të Emergjencës dhe bisedimeve të zhvilluara nga FIFA me drejtuesit e federatës së Kosovës e Serbisë. Gjithsesi, të drejtat do të jenë të limituara pasi Kosova nuk është shtet anëtar i OKB-së dhe në këtë mënyrë nuk mund të zhvillojë ndeshje zyrtare. Ministri i Sportit, Memli Krasniqi e lexon qartësisht këtë vendim, por shton se puna për anëtarësimin me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA nuk do të ndalet. “Ne i kuptojmë dhe i respektojmë modalitetet e vendosura nga FIFA për kombëtaren e Kosovës dhe klubet dhe kjo nuk është një situatë ideale. Ka disa kufizime por ne do t’i respektojmë derisa Federata e Futbollit të Kosovës të bëhet anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA”. Në rast se Kosova do të realizojë ëndrrën e anëtarësimit, atëherë mund të formojë një kombëtare prestigjioze pasi shumë prej lojtarëve të kombëtares së Zvicrës si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami apo Granit Xhaka do të kenë të drejtën për të përfaqësuar vendin e origjinës së tyre.

 Kosovarët e Shqipërisë

 Ata i dhanë një formë krejt tjetër Kombëtares shqiptare. Ndonëse në fillim angazhimi i tyre u pa me skepticizëm, askush s’mund ta mohojë sot kompetivitetin që i dhanë ata skuadrës kuqezi. Në një farë mënyre duket se Kombëtarja është “e varur” (në kuptimin e mirë të fjalës) tashmë nga lobi kosovar, kjo edhe për shkak të cilësisë që ata sjellin në organikë. Duke filluar nga Arian Beqaj (lojtari i parë kosovar që ka luajtur pas viteve ‘90 me Shqipërinë) e deri tek aktivizimi i Mavrajt, Etrit Berishës, Amir Abrashit. Arjan Beqaj, ish-gardiani kuqezi ka qenë i pari që ka debutuar me ekipin përfaqësues. Beqaj, i lindur në Prizren, hapi rrugën për futbollistët të tjerë kosovarë që, edhe nëpërmjet Shqipërisë, sot kanë bërë emër në futbollin ndërkombëtar. Sakaq, duhet thënë se Beqaj ka luajtur në 45 ndeshje me kuqezinjtë dhe i dha fund karrierës futbollistike në moshën 35- vjeçare. Pas tij, në Kombëtare erdhi Besnik Hasi, aktualisht zëvendëstrajner i Anderlehtit. Kosovari i tretë që u bë pjesë e skuadrës kuqezi ishte kapiteni Lorik Cana, djali i futbollistit të njohur Agim Cana. Mesfushori i Lacios është edhe futbollisti më i shtrenjtë i kësaj përfaqësueseje, vlera e kartonit të të cilit, sipas transfermarkt, shkon deri në 10 milionë euro. Pas Canës në Kombëtare nga ish-trajneri Hans Peter Brigel u afrua Mehmet Dragusha. Talenti i tij ra në sy të drejtuesve të FSHF-së pikërisht kur ai ishte pjesë e Eintraht Frankfurtit. Rrugën e këtyre të fundit e ndoqi edhe mbrojtësi i Prishtinës, Armend Dallku. Fillimisht Dallku kaloi në futbollin shqiptar tek Elbasani. Pas tij, dy emra të tjerë u bënë pjesë e ekipit: Besart Berisha dhe Debatik Curri, të rekrutuar që të dy nga Oto Bariç. Ky i fundit ka debutuar zyrtarisht në ndeshjen ndaj Bjellorusisë në Minsk (2006), kurse Berisha ndaj Holandës (2006). Por nga Kosova nuk kemi pasur vetëm talente, pasi të paktën dy prej tyre, Bekim Kastrati dhe Blerim Rrustemi, kanë rezultuar si dy rekrutë dështakë. Kastrati pati shansin e keq të bëhej edhe protagonisti negativ në humbjen me Rumaninë në 2006-ën, ndeshje në të cilën ai bëri edhe debutimin e tij. Ndërsa Rrustemi u pajis urgjentisht me pasaportë shqiptare për të luajtur ndaj Sllovenisë më 24 mars 2007, por tregoi limitet e tija si në miqësoren ndaj Anglisë B, edhe në dy ndeshjet e fundit ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë. Por rekrutimi kosovar nuk mbaroi aty. Më pas në skuadër u afrua Samir Ujkani, i cili aktualisht konsiderohet edhe si gardiani nr.1 i portës sonë dhe pas tij, duke kaluar nga Shpresat erdhi sulmuesi Ahmed Januzi. Stafeta kosovare vazhdoi me Erit Berishën, Mërvgim Mavrajn, Alban Mehën, Burim Kukelin, Valdet Ramën, Shkëlzen Gashin, Amir Abrashin, etj..

Ku do të luajë Adnan Januzaj?!

Menjëherë pasi u publikua lajmi se, FIFA do të lejojë Kosovën për të zhvilluar ndeshje miqësore futbolli, me disa kufizime, nisën hamendësimet se ylli i ri i Mançester Junajtid, Adnan Januzaj mund të luajë për këtë përfaqësuese. Gazeta prestigjioze britanike, “Daily Mail” thekson se vendimi i FIFA-s shuan shpresat e Anglisë se Januzaj mund të luajë për kombëtaren e tre luanëve. Sipas tyre, fakti që talenti i djajve është me origjinë nga Kosova, mund të bëjë që ai të marrë vendimin për të luajtur për ngjyrat e shtetit të ri. Interesante janë edhe komentet e sportdashësve në lidhje me këtë artikull, pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptare. Ata janë të ndarë në mendime. Disa shprehen se ky është një lajm i madh, ndërsa të tjerë shprehin dëshirën që Januzaj të luajë për përfaqësuesen e Shqipërisë, e të Kosovës.

Denoncime nga trajnerë të ekipeve kombëtare, për deformimin e votimit e favorizimin e Ronaldos

 “Topi i Artë”, pas festës vazhdojnë polemikat

  Festa e “Topit të Artë” mbaroi dhe si zakonisht, pas gostisë kanë nisur polemikat, ku nuk mungojnë akuzat publike në media, për deformimin e votimit e favorizimin e Kristiano Ronaldos. Sipas të përditshmes katalanase “Sport”, trajneri i Bolivisë, Habier Azkargorta dhe ai i Guinesë Ekuatoriale, Andoni Goikoeçea nuk kanë marrë pjesë në votim, por emri i tyre figuron në listën e FIFA-s. Goikoeçea shprehet se votoi sipas radhës Ronaldo, Messi, Iniesta por askund nuk e gjen të publikuar këtë, ndërsa drejtuesi i Bolivisë shton se votat e tij shkuan për Iniestan, Messin dhe Kristiano Ronaldon. Denoncimi i gazetës vijon me trajnerin e Ishujve Fiji, Juan Carlos Buzzetti, i cili shprehet se votat e tij nuk janë pasqyruar sipas asaj që ai vendosi, ndërsa tekniku i Kuvaitit, Horvan Vieira që ka votuar me 5 pikë Mesin, 3 Nejmarin dhe 1 Ronaldon. Ai shprehet se, Nejmar nuk figuron në preferencat e tij dhe se në vend të brazilianit duhej të ishte suedezi Zlatan Ibrahimoviç. Edhe trajneri i Republikës Domenikane, Domingo Hernandez shprehet se vota e tij është deformuar sepse ai nuk votoi për Lionel Mesin, por për Kristiano Ronaldon dhe pas tij renditi argjentinasin dhe francezin Riberi. Lista e plotë është publikuar në faqen zyrtare të FIFA-s. Kjo nuk është hera e parë që ka amulli në lidhje me çështjen e votimit, madje pas publikimit të atyre që kanë përzgjedhur të preferuarit e tyre, polemikat kanë vijuar për muaj të tërë. Menjëherë pas dhënies së çmimit “Topi i Artë” Kristiano Ronaldos kanë ardhur reagimet e para. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, beson se “Topi i Artë” ka pësuar një ndryshim negativ, që kur FIFA mori të drejtën e dhënies së këtij çmimi. Edhe pse Platini e pranon se Ronaldo ishte një fitues i denjë, ai beson se dështimi i Riberisë për t’u shpallur fitues i këtij trofeu, pasi udhëhoqi Bajern Munih drejt një “triplete” historike në vitin 2013, provon edhe njëherë se sukseset me ekipin nuk po merren më në konsideratë, kur hidhen votat për këtë çmim.“Ronaldo është një fitues i denjë për ‘Topin e Artë’, por jam shumë i zhgënjyer dhe ndiej keqardhje për Frank Riberi”,- tha ai për francezen “L’Equipe 21”. “E them seriozisht: vitin tjetër, apo pas dy vitesh, ky çmim do të fitohet sërish nga Mesi apo Ronaldo. Për 50 vjet, mendoj se “Topi i Artë” merrte në konsideratë rezultatet dhe trofetë, ndërsa tashmë duket se po lihen pas dore. Mendoj se, nëse Frank nuk arriti ta fitonte këtë çmim personal gjatë një viti, kur ai fitoi të gjithë titujt e mundshëm, atëherë ky është një problem, ashtu siç ishte një problem edhe për lojtarët e kombëtares së Spanjës në vitin 2010. Ka diçka që ka ndryshuar ‘Topin e Artë’, që kur e drejta e këtij çmimi iu dha FIFA-s”. Platini, si lojtar, e ka fituar tre herë radhazi “Topin e Artë”,  në vitin 1983, 1984 dhe 1985.