Albert Bozhani: Faza përgatitore e këtij muaji vlen për konsolidim, ekstremet e renditjes të “betonuara”

683
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” specialisti i futbollit në Durrës, ja si e përshkruan situatën e skuadrave në Kategorinë Superiore
Në këtë periudhë dimërore pa futboll zyrtar, e keni ndjekur ritmikën e përgatitjeve të skuadrave të Kategorisë Superiore?
Patjetër që po, sepse profesioni na mban lidhur me të gjitha kategoritë e futbollit tonë. Në këtë muaj të parë të vitit 2018, skuadrat kanë bërë më të mirën e zakonshme që imponon kjo periudhë, me përgatitje fizike, me lojtarë e trajnerë në merkato, por edhe me ndeshje miqësore. 

Është ngarkesë fizike e madhe kjo situatë që i angazhon skuadrat në këtë periudhë?
Mendoj se jo, pasi kjo është një mini-fazë e nevojshme, e cila zhvillohet nga programet e trajnerëve, që mendohet se e njohin skuadrën. Nëpërmjet këtyre elementëve: Përgatitje, merkato e miqësore, trajnerët kanë mundësi ta konsolidojnë më mirë skuadrën për pjesën tjetër të sezonit. 

Ju mendoni se skuadrat nuk janë shprehur plotësisht në vlerat e tyre gjatë 16 ndeshjeve që janë luajtur?
Natyrisht që këtu veçohet Skënderbeu, i cili me gjithë ngarkesën e madhe me ndeshjet në Evropë, ka treguar se është skuadra “Lider” e këtij sezoni në Superiore. Luftëtari duhet të ishte më lart, por gaboi me trajnerin e huaj, të tjerat kanë marrë çfarë kanë dhënë në fushën e lojës.

Për ju, cila skuadër është shfaqur më efektive në këtë periudhë përgatitore?
Duke parë lëvizjet e shumta në merkato, pse jo edhe emrat që janë afruar e larguar, them se Partizani e Vllaznia janë më mirë, më pas tyre vjen Kukësi. Skënderbeu është më racional, sepse ka një skuadër më të konsoliduar, ndërsa të tjerat i kanë bërë hapat më të vegjël, ndoshta sipas financave.

Mendoni se trajneri i ri Kukësit do të jetë i përshtatur me skuadrën në ndeshjen e javës së 17-të të Superiores, ku do të luajë në transfertë me Vllazninë?
Nuk mendoj se Pakult do të përshtatet kaq shpejt me futbollin shqiptar, edhe pse është një trajner që ka drejtuar skuadra më të mëdha se Kukësi. Këtë gjysmë të dytë të këtij sezoni, ai do ta ketë si gur prove në bankinën e Kukësit, titullin kampion nuk e mbron dot.

Do të kishte më shumë vlera për futbollin e financat e skuadrave, që përgatitjet e tyre në këtë periudhë të zhvilloheshin vetëm në Shqipëri, dhe jo jashtë saj?
Për disa ekipe që nuk kanë financa të larta, edhe ndoshta, por për ato që i përballojnë shpenzimet, mendoj se është normale. Në krahasim me Turqinë, këtu në Shqipëri infrastruktura është e varfër, dhe klima jo shumë e favorshme. Në Antalia është mundësia më e mirë për ndeshje miqësore, pasi ka shumë skuadra të huaja që përgatiten atje.

Në këto kushte, çfarë mendoni se do të ndryshojnë më shumë skuadrat në 20 ndeshjet e tjera të Kampionatit?
Asgjë më shumë se sa kanë treguar deri më tani. Skënderbeu do të kërkojë të mbajë kreun, Flamurtari, Kukësi e Partizani do të kërkojnë një vend në zonën e Evropës, ndërsa Laçi, Kamza, Luftëtari, Teuta e Vllaznia, do të mundohen që të mos e shoqërojnë Lushnjen në Kategorinë e Parë.

Kësisoj, ju nuk prisni ndonjë befasi me ndryshime të dukshme në renditje gjatë 20 javëve të tjera?
Çdo gjë mund të ndodhë, por përmbysje të mëdha nuk duken në horizont. Unë ja u deklarova më sipër, se ndryshime do të ketë te emrat e skuadrave që do të zënë një vend në zonën e Evropës, dhe tek ato skuadra që mendojnë mbijetesën. Ekstremet e renditjes, mendoj se do të jenë këto.
Në krahasim me Turqinë ku po zhvillojnë përgatitjet pjesa më e madhe e skuadrave të Superiores, këtu infrastruktura është e varfër, dhe klima jo shumë e favorshme. Aty është mundësia më e mirë për ndeshje miqësore, pasi ka shumë skuadra të huaja që përgatiten.
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 17-të
Datë 27 janar 2018 
Kamza-Laçi
Flamurtari-Partizani
Vllaznia-Kukësi
Luftëtari-Skënderbeu 
Teuta-Lushnja

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8
Sigal