Alban Hoxha: S’jemi inferiorë, synojmë rezultat pozitiv

508
Dy ditë para nisjes për në Norvegji ku skuadra e Partizanit do të luajë takimin e parë të Turit Paraeliminator të Europa Ligë me Stromgodset, kapiteni e portieri i skuadrës së Partizanit Alban Hoxha, kërkon pak fat për një rezultat pozitiv në këtë sfidë. Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, portieri i të kuqve theksoi se janë disa arsye që në takimin e parë do synohet një rezultat pozitiv. “Kur e vendos barazimin si synimin e parë, unë nuk them se ne e përjashtojmë fitoren tonë dhe kualifikimin që në ndeshjen e parë në Norvegji”, theksoi midis të tjerave në intervistën e tij portieri i Partizanit, Alban Hoxha.
Alban, të enjten Partizani luan në Norvegji me skuadrën Sromgodset, jeni të “frikësuar” me këtë short të skuadrës suaj?
Jo, nuk ka pse të ndjehemi të frikëshëm sepse shorti është short dhe kështu duhet pranuar kundërshtari që ai të sjell. Në këtë aspekt do të thoja se më mirë që na ra ky short me një kundërshtar norvegjez ku luhet një kampionat i fortë dhe është mundësia që të tregosh vlerat më të mira. Në këtë këndvështrim, fjala “frikë” ndoshta është shumë për ta thënë.
Dhe ju si Partizan, sa e njihni këtë kundërshtar?
Njohje të drejpërdrejtë natyrisht që nuk kemi patur mundësinë, sepse nuk jemi ndeshur në asnjë rast, por nëpërmjet kasetave filmike, njohjes së aktualitetit të Kampionatit norvegjez të futbollit dhe studimit në linja të tjera, kemi bërë të mundur që ta njohim Stromgoset për vlerat që ka si skuadër.
Nga kjo njohje që ju thoni, çfarë vlerësimi keni për këtë kundërshtar?
Është një kundërshtar i fortë dhe i vështirë. Jo vetëm se Kampionati i Norvegjisë është në aktivitet në javën e 14-të të tij, por edhe për faktin se në këto javë kundërshtari ynë renditet në vendin e 7-të. Kjo është njera nga arsyet që e quajmë si kundërshtar të vështirë.
Çfarë arsye të tjera mendoni për shkallën e vështirësisë së kësaj përballje?
Një nga vështirësitë që ne e quajmë si kyç në rezultatin final, është transferta. Pra, duke qenë një ndeshje e parë që do të luhet në Norvegji, fusha kundërshtare e rrit shkallën e vështirësisë për synimin tonë, por nuk e bën të pamundur arritjen e tij.
Që do të thotë se ju mendoni ndonjë rezultat pozitiv që në ndeshjen e parë në Norvegji?
Patjetër që po, dhe barazimi për ne është objektivi i parë në këtë përballje. Kur them se është kundërshtar i vështirë, një pikë në transfertë është një rezultat shumë i mirë për ta kaluar atë skuadër në ndeshjen e dytë këtu në Tiranë.
E përjashtoni fitoren si synim, apo edhe humbjen tuaj?
Kësisoj, unë nuk them se ne e përjashtojmë fitoren tonë dhe kualifikimin që në ndeshjen e parë në Norvegji. Fitorja në ndeshjen e parë, jo vetëm që e bën më të sigurtë kualifikimin e skuadrës sonë për turin tjetër, por e rrit edhe më shumë mobilizimin në skuadër. Ndërsa humbjen nuk do doja ta mendoj.
Si është përgatitur Partizani për këtë rezultat që ju e mendoni si objektivin primar?
Në arsyet që përmenda më sipër, unë i mëshova më shumë barazimit dhe për këtë Partizani është përgatitur gjatë gjithë kësaj periudhe përgatitore. Jo vetëm ana psikologjike e përgatitjes sonë, por edhe përbërja që ka skuadra jonë aktualisht, është e mundur ta kapë këtë objektiv në takimin e parë në Norvegji. Nuk është e pamundur.
Në media këto ditë është folur për një “katenaçio” (lojë mbrojtëse) nga ana juaj, kështu e keni menduar takimin e parë në Norvegji?
Media ka punën e saj dhe bën aludimet apo parashikimet sipas këndvështrimit sportiv që ka. Unë mendoj se renditja taktike që parashikuar trajneri ynë për takimin e parë në Norvegji, më shumë është “kurth” që ne duam ta kapim kundërshtarin në situata të veçanta të lojës, një taktikë që fshehtas i jep prioritet kundërsulmit tonë.
Vetëm këta faktorë i mendoni si pedanat e suksesit tuaj?
Në ndeshje të tilla që duhet të luash vetëm dy takime vajtje-ardhje, njëherësh dhe me kundërshtarë të panjohur drejpërdrejt që realisht janë të vështirë në fushën e tyre, rëndësi merr edhe ana teknike e drejtimit të skuadrës. Nga ky këndvështrim i vlerësimit të kundërshtarit, ne kemi shumë besim tek përvoja e trajnerit Starova, i cili që pas njohjes së kundërshtarit ka aplikuar disa variante taktike për lojën tonë në Norvegji.
Dhe ju nga këta faktorë shkoni në Norvegji për të bërë surprizën?
Nuk do ta quaja surprizë asnjë nga rezultatet që do të prodhojë ndeshja e parë në Norvegji, por nga sa përmenda më sipër, barazimi vjen më afër synimeve tona. Natyrisht që për çdo rezultat pozitiv na duhet edhe pak fat, sepse është një transfertë ku fati është në planin e dytë, pas lojës sonë. 
Sa mund të quhet faktor në synimin tuaj gjykimi nga arbitri irlandez Pol Makloglin?
Asnjëherë në ndeshje futbolli, kësisoj edhe në të tilla takime nuk paragjykohet arbitri. Duke qenë se vjen nga një shtet ku luhet një kampionat i fortë si Irlanda, edhe arbitrin në fjalë do ta mendoja korrekt dhe faktor për një ndeshje normale për të dyja skuadrat.
Duke qenë se jemi në një periudhë agjerimi në muajin e Ramazanit, mendoni se do të ndikojë ky moment në lojën tuaj?
Me sa di, nuk kemi probleme agjerimi në skuadrën tonë, por edhe nëse do të ketë ndonjë nga kolegët, unë nuk do ta quaja si pengesë për synimin tonë. Besoj se gjithë futbollistët në Botë që e kryejnë këtë rit fetar, e kanë mësuar aktivitetin e tyre fizik dhe përshtatjen në fushën e lojës në periudha të tilla agjerimi. Unë nuk e quaj diçka të veçantë për ta patur në konsideratë.
Në orën 21:00 të së enjtes, pas përfundimit të takimit me Stromgodset, sipas jush, do të kemi një Partizan triumfues, të barabartë apo humbës?
Shpresojmë dhe besojmë shumë në dy rezultatet e para. Njëherësh, edhe këtë intervistë me ju do ta quaja si një motiv më shumë për synimin tonë.
Sigal