Alban Bushi: Short i vështirë, gati për “beteja”!

57

Shorti i hedhur mëngjesin e djeshëm në Nion të Zvicrës, i vendosi kuqezinjtë 21 vjeçarë të Shqipërisë në Grupin 2 eliminator, së bashku me Irlandën e Veriut, Estoninë, Islandën, Sllovakinë dhe një kundërshtar të njohur si Spanja. Në veçanti, ky short ka vënë përballë skuadrën tonë Kombëtare U21 me Spanjën e fortë, njëherësh edhe me skuadrat e tjera shumë të forta, të cilat kërkojnë një njohje më të madhe në grupin dhe forcën që kanë. Këtë e thekson edhe vetë trajneri i Kombëtares U21 Alban Bushi, për gazetën “Telegraf”, pak pas hedhjes së shortit në Zvicër. “Është një grup relativisht i vështirë, sepse janë skuadra të një niveli të lartë, dhe sigurisht këtu është edhe vështirësia e mosnjohjes reale të nivelit të çdo kundërshtari, të paktën për momentin. Quhet grup i vështirë, por do të thoja, mbase i lehtë pas përfundimit. Shpresoj shumë të na qëllojë si me Serbinë e Portugalinë kur kishim Eliminatoret e Evropianit të Francës”, deklaroi fillimisht tekniku i Kombëtares sonë Shpresa, i cili më pas deklaron se do të jenë ndeshje dinjitoze me të gjithë kundërshtarët e grupit. “Të them se jemi të mërzitur me këtë short, ky ishte fati, por shpresoj të dalim të kënaqur në fund, dhe kështu mendoj dhe besoj edhe unë. Do përgatitemi për shumë beteja, dhe kam bindjen që do të bëjmë një grup ndeshjesh realisht shumë dinjitoze. Pse jo, do guxojmë të kërkojmë maksimalen, edhe në këtë grup të vështirë”, deklaroi nga Zvicra trajneri Alban Bushi, i cili së bashku me Drejtorin Administrativ të FSHF-së, Denis Bastari, ishin prezent në ceremoninë e hedhjes së këtij shorti të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të U21. Gjatë muajit janar 2017, trajneri Bushi ka zhvilluar edhe një test me disa lojtarë që mendon ti ketë në dispozicion për këto eliminatore, të cilat do të fillojmë më 20 mars. Ndërkohë, shorti ka shmangur edhe përplasjen mes Shqipërisë me Kosovën, e cila në këtë rrugë të Kampionatit Evropian do të luajë ndeshjet eliminatore në Grupin 5. Ndeshjet finale të këtij Evropiani do të luhen në Itali dhe San Marino në verën e vitit 2019.

Datat e ndeshjeve
20-28 mars 2017
5-13 qershor 2017
28 gusht-5 shtator 2017
2-10 tetor 2017
6-14 nëntor 2017
19- 27 mars 2018
3-11 shtator 2018
8-16 tetor 2018
Play-off
12-20 nëntor 2018

Grupet eliminatore
Grupi 1: Republikë Çeke, Kroaci, Greqi, Moldavi, Bjellorusi, San Marino
Grupi 2: Spanjë, Sllovaki, Islandë, Shqipëri, Estoni, Irlandë e Veriut
Grupi 3: Danimarkë, Poloni, Finlandë, Gjeorgji, Lituani, Ishujt Faroe
Grupi 4: Angli, Holandë, Ukrainë, Skoci, Letoni, Andorrë
Grupi 5: Gjermani, Izrael, Norvegji, Irlandë, Azerbajxhan, Kosovë
Grupi 6: Suedi, Belgjikë, Turqi, Hungari, Qipro, Maltë
Grupi 7: Serbi, Austri, Rusi, Maqedoni, Armeni, Gjibraltar
Grupi 8: Portugali, Zvicër, Rumani, Uells, Bosnjë-Hercegovinë, Lihtenshtein
Grupi 9: Francë, Slloveni, Mali i Zi, Bullgari, Kazakistan, Luksemburg.

DRITËHIJE TE TIRANA
Lajmi i keq, tifozët “zbarkojnë” në stërvitje
Dje paradite, në mjediset e Kompleksit Sportiv “Skënder Halili”, disa tifozë të Tiranës kanë hyrë në fushën e lojës ku skuadra do të kryente seancën stërvitore, në prag të ndeshjes me Teutën. Ata nuk kanë dashur ta pranojnë vendimin e klubit së bashku me Bashkinë e Tiranës, që Partizani ti zhvillojë ndeshjet e gjysmës së këtij sezoni në stadiumin “Selamn Stërmasi”. Tifozët i kanë detyruar lojtarët të futen në dhomat e zhveshjes, por më vonë ata u rikthyen, ku ka pasur përplasje mes tifozëve dhe mesfushorit Gilman Lika. Në këtë situatë, trajneri Mirel Josa ka vendosur ta anulojë stërvitjen dhe futbollistët u larguan, ndërsa tifozët qëndruan në fushë.

Lajm i mirë, Elis Bakaj rivishet bardheblu
Edhe pse ka kaluar një situatë aspak të këndshme me tifozët e saj, Tirana ka bërë edhe “bum”-in në merkaton e saj për këtë muaj. Lojtari “xhol” (Bakaj vjen dhe ikën sa herë ka oferta të tjera), do të jetë pjesë e bardhebluve për gjysmën e dytë të sezonit. Gjatë muajit shtator të vitit të kaluar, Bakaj ka zhvilluar përgatitjet e tij te skuadra RNK Split e Kroacisë, duke pritur ndonjë ofertë të re, e cila nuk erdhi deri ditën e djeshme kur ai hodhi firmën për Tiranën. Fantazisti tiranas ka bërë hyrje-dalje të shpeshta te Tirana dhe kjo është hera e tretë që ai luan si bardheblu. Ka shënuar 13 gola në sezonin 2014-2015 dhe 14 gola në sezonin e kaluar, 2015-2016.

Sot futbolli zbret në fushë, rifillojnë emocionet e munguara
Pas datës 22 dhjetor 2016, kur u mbyllën ndeshjet e fazës së dytë, Kategoria Superiore e prish sot “agjërimin” zyrtar dhe zbret në fushën e lojës. Do të nisë pikërisht në Shkodër, në “djepin” e futbollit shqiptar, ku Vllaznia vendase do të ketë përballë Kukësin kryesues në dy fazat e para. Kanë qenë 36 ditë mungese zyrtare të këtij futbolli, i cili në dy fazat e para luajti 90 ndeshje, të bukura, me nivel e pa nivel, me gola dhe pa gola, por mbi të gjitha, u luajt një futboll pa dhunë e pa trukime. Në këto ndeshje spikatën Kukësi si kryesues dhe Korabi si debutues në fundin e tabelës, e në mes tyre, Partizani si një rival i fortë për Titullin Kampion dhe Skënderbeu si një “ish” që pati zbritje graduale në renditje. Më poshtë u rendit Tirana, edhe këtë herë pa autoritetin e “24 karatëshit”, Vllaznia e Flamurtari në dritëhije vetëm për mesin e tabelës. Por, aty është edhe Luftëtari debutues, që me ndeshjet e luajtura e renditjen që ka, nuk duket si i tillë. Teuta dhe Laçi, duket se do të diskutojnë biletën e mbijetesës, ndërkohë që durrsakët gjatë merkatos së janarit kanë treguar se do jenë pjesë e progresit. Gjithsesi, sot në dy fazat e mbetura të këtij kampionati Superior, gjithkush do të dëshironte “fotokopjen” e dy fazave të para, njëherësh pa dhunë, trukime e dukuri të tjera që e prishin imazhin e kësaj loje kaq popullore.