Alban Bushi: “Nuk meritonim më shumë!”

465
Sigal

EL.KUPA E BOTËS, QIPRO-SHQIPËRI 0-0. Reagimi i Xhani De Biazit: “Patëm raste, por mungoi finalizimi”

Një Kombëtare e dëshpëruar kundër Qipros, në një barazim pa gola dhe një stadium tërësisht të zbrazët në “GSP Stadion” të Nikosisë, duke zënë vendin e parafundit në grupin e saj (E) të eliminatoreve të Botërorit, me 11 pikë pas 10 ndeshjesh, duke lënë pas vetëm Qipron (5 pikë). Në Botëror shkoi Zvicra, që dje mundi Slloveninë 1-0 me golin e shqiptarit Granit Xhaka, ndërsa biletën e “play-off-it e preu Islanda, që barazoi 1-1 në Norvegji. Raste të mira për gol për Salihin, Hykën, Roshin dhe Balajn,  por asnjë nuk e gjeti rrjetën. Një Shqipëri, që e mbyll pas asnjë fitore në pesë ndeshjet e fundit, aq sa e detyroi menaxherin e ekipeve Kombëtare, Alban Bushi ta thotë drejtpërdrejt në televizion konstatimin e dhimbshëm të tij: “

Morrëm atë që meritonim, nuk është se meritonim më shumë. Ekipe si Sllovenia, Islanda, Norvegjia, kanë investuar shumë në futboll. Mendoj se frytet e kësaj pune që kemi punuar mund ti marrim vitin tjetër në evropian. Vijmë nga një vend i mbaruar siç është Shqipëria. Këtu është vetëm Kombëtarja, futbolli që ngre lart emrin e Shqipërisë kudo në botë, pasi gjërat e tjera lënë të gjitha për të dëshiruar”. Më qartë se kaq, nuk ka të shkojë. Alarm që vjen pas dështimi të radhës së kuqezinjve, një miksi lojtarësh shqiptarë dhe kosovarë. Kronika nga sfida e dytë kundër ishullorëve të “Afërditës” ishte tejet e varfër, aq sa na mbetet të kujtojmë me nostalgji ndeshjen e parë, atë të 7 shtatorit 2012 në “Qemal Stafa”, kur Shqipëria fitoi 3-1 me Qipron, falë golave të Armando Sadikut (36’), Edgar Çanit (84’) dhe një supergoli të Erjon Bogdanit (87’), por me autorët që nuk u thirrën nga Xhani De Biazi për ndeshjen e djeshme.

De Biazi”

Xhani De Biazi ishte i pakënaqur me rezultatin e barabartë, 0-0 me Qipron. Trajneri italian tha se Kombëtarja shqiptare meritoi më shumë, pas ndeshjes së zhvilluar dje në Nikosia, e fundit për eliminatoret e Botërorit 2014. Kuqezinjtë patën disa raste të mira dhe dominuan ndaj kundërshtarit të pafuqishëm qipriot, por nuk ia dolën ta gjenin rrjetën. “Patëm tri raste të mira, po luajmë mirë, po krijojmë raste, por na mungon finalizimi. Duhet të ktheheshim në shtëpi me fitore. Na vjen keq për rezultatin, pasi i meritonim tri pikë. Megjithatë, pashë një dëshirë shumë të madhe të lojtarëve, por na mungon kualiteti”, deklaroi trajneri De Biazi.

Barazimi i 13-të

Barazimi pa gola kundër Qipros ishte i 13-ti që Shqipëria realizon në 95 ndeshje të vlefshme për eliminatoret e kampionateve Botërore. Në këtë edicion u regjistrua edhe barazimi 1-1 me Norvegjinë në “Qemal Stafa”. Kuqezinjtë kanë arritur të fitojnë vetëm 14 takime, ndërkohë që kanë humbur 68 ndeshje.

 Eliminatoret “Botërori 2014”

Grupi E

QIPRO-SHQIPËRI  0-0

15 tetor 2013, stadiumi “GSP”, Nikosia

QIPRO: Georgallides, Dossa Junior, A.Haralambous, Nikolaou, Laban, Efrem, Demetriou, Vasiliou, Alexandrou (Aloneftis 46’), Mitidis (Pavlou 65’), Soteriou (Avraam 86’). Trajner: M.Hadjipieris

SHQIPËRIA: E.Berisha, Mavraj, Lila, Cana, Rama, Agolli, Bulku (Abrashi 72’), Hyka (Mehmeti 72’), Roshi, Kaçe, Salihi (Bala 87’). Trajner: De Biazi

Gjyqtarë: I.Bebek, T.Petroviç, M.Grgiç (Kroaci)

Kartonë të verdhë: Laban 52’ / Cana 56’, Kace 59’, Abrashi 73’

 

 

Eliminatoret “Botërori 2014”

Grupi E

Dje, 15 tetor

Qipro-Shqipëri       0-0

Norvegji-Islandë           1-1

Zvicër-Slloveni      1-0

RENDITJA PËRFUNDIMTARE

Ekipi      N    GSH  GP   P

Zvicra     10   17   5    24

Islanda    10   17   15   17

Slloveni   10   14   11   15

Norvegjia  10   10   13   12

Shqipëria  10   9    11   11

Qipro      10   4    15   5

– Zvicra kualifikohet direkt për në finalet e Botërorit “Brazil 2014”. Në “play-off” shkon Islanda.

A do të rinovojë De Biazi?

 Është folur shumë ditët e fundit, për rinovimin e kontratës së trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi, me Federatën Shqiptare të Futbollit. Pavarësisht se edhe pas përballjes me Zvicrën trajneri italian theksoi se kishte rënë parimisht dakord me presidentin Duka, firma nuk është hedhur ende. Barazimi me Qipron mund të ngrejë dyshime të reja. Në fakt, arsyeja e vonesës së firmës së italianit qëndron te një kusht që së fundmi kreu i federatës i ka vënë trajnerit për kualifikimet e ardhshme. Nëse për këtë edicion De Biazi nuk ka pasur një objektiv primar dhe të qartë, përveçse rinovim të skuadrës dhe marrjen e sa më shumë pikëve, për EURO 2016 (ndeshjet e të cilit nisin në shtator 2014) Duka ka vënë si kusht në kontratë kualifikimin e Kombëtares në këtë eveniment.

Shqipëria koleksionoi 3 fitore, 2 barazime e 5 humbje, duke grumbulluar 11 pikë nga 30 të mundshmet

 Dhjetë ndeshjet e Kombëtares

 Me barazimin pa gola dje kundër Qipros, Shqipëria mbylli dhjetë ndeshjet e fushatës kualifikuese të Botërorit “Brazil 2014”. Edhe pse, trajneri De Biazi dhe Kombëtarja tentuan të arrijnë rekordin e vendosur nga Brigeli, me 13 pikë në një fushatë, nuk arritën ta arrijnë atë. Në dhjetët ndeshjet e saj, Shqipëria koleksionoi 3 fitore, 2 barazime e 5 humbje, duke grumbulluar 11 pikë nga 30 të mundshmet, ose e shprehur në përqindje, vetëm 36.6 për qind të pikëve, pra shumë pak. Duke i parë ndeshjet një nga një, Shqipëria ka fituar tri nga dhjetë ndeshjet: me Qipron (3-1), Slloveninë (1-0) dhe Norvegjinë (1-0). Kombëtarja jonë barazoi 1-1 me Norvegjinë dhe 0-0 me Qipron. Përsa u përket humbjeve, Shqipëria dështoi në pesë takime: me Zvicrën 2 herë (2-0, 2-1); Islandën 2 herë (2-1, 2-1) dhe me Slloveninë (1-0). Kombëtarja jonë shënoi nëntë gola: 0.9 gola për ndeshje, ndërsa pësoi dy më shumë, 11 (1.1 gola për ndeshje). Nëntë golat e Shqipërisë mbajnë firmat e Edgar Çanit (2), Hamdi Salihit (2), Valdet Ramës (2), Erjon Bogdanit (1), Odise Roshit (1) dhe Armando Sadikut (1).

 NDESHJET E SHQIPËRISË

 Shqipëri-Qipro       3-1

Zvicër-Shqipëri      2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

Norvegji-Shqipëri    0-1

Shqipëri-Norvegji    1-1

Slloveni-Shqipëri    1-0

Islandë-Shqipëri           2-1

Shqipëri-Zvicër      1-2

Qipro-Shqipëri       0-0

Bilanci: 10 ndeshje; 3 fitore, 2 barazime, 5 humbje; 11 pikë

 Me qipriotët, ekuilibër perfekt

 Bilanci i Shqipërisë me Qipron është perfekt, pasi në gjashtë takimet e zhvilluara secili ekip ka arritur nga dy fitore, ndërsa dy ndeshje është janë mbyllur në barazim pa gola. Dy ndeshje janë zyrtare (këto për eliminatoret e Botërorit 2014) dhe katër miqësore. Qipro ka fituar 3-2 në Nikosia në vitin 1998, ndërsa takimi i gushtit të vitit 2000, i luajtur në Tiranë, është mbyllur në barazim 0-0. Ishullorët kanë vijuar të fitojnë sërish në fushën e tyre në 2004-n me rezultatin 2-1, për të ardhur më pas ta fitorja 6-1 që kuqezinjtë korrën në Tiranë. Më pas erdhën dy ndeshjet zyrtarë: 3-1 në “Qemal Stafa” (më 7 shtator 2009) dhe 0-0 në “Tangkipria” në ndeshje zyrtare. Bilanci është pozitiv vetëm të golat pasi Shqipëria ka shënuar 12 gola (6 prej të cilëve në një ndeshje të vetme), duke pësuar 7.

NDESHJET

ZYRTARE

07/09/2012, Tiranë

Shqipëri-Qipro 3-1

15.10.2013, Strovolos

Qipro-Shqipëri 0-0

MIQËSORE

19/08/1998, Nikosia

Qipro-Shqipëri 3-2

15/08/2000, Tiranë

Shqipëri-Qipro 0-0

18/08/2004, Nikosia

Qipro–Shqipëri  2-1

12/08/2009, Tiranë

Shqipëri-Qipro 6-1

Bilanci: 6 ndeshje; 2 fitore, 2 barazime, 2 humbje.

Golaverazhi: 12-7

 Rekordi 13-pikësh i Brigelit

 Edhe pse u duk se Shqipëria e De Biazit do ta kalonte kuotën e 13 pikëve rekord të arritur nga ish-trajneri gjerman Hans Peter Brigel në një fushatë të vetme, ajo nuk e arriti atë.  Në fakt, dukej se ky do të ishte një objektiv i realizuar, pasi skuadra grumbulloi 10 pikë nga gjashtë ndeshjet e para. Por, në katër ndeshjet e fundit, ajo mori vetëm një pikë, atë të djeshmen me Qipron, teksa pësoi edhe tri humbje, duke u ndalur në kuotën e 11 pikëve, pra 2 më pak se Brigeli dhe “djemtë e tij”. Kujtojmë se, Brigeli i arriti 13 pikët e tij në një fushatë me 12 ndeshje (grupi kishte 7 ekipe), ndërkohë që grupi i këtij edicioni është me 6 ekipe, pra në total 10 ndeshje, 2 më pak se ai kohës së Brigelit.