Alban Bushi: Jemi skuadër modeste, mendojmë më shumë cilësinë

597
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i Kombëtares U21, nga miqësorja te zyrtarja e Evropianit 2019, ja risitë e përbërjes
Lista e djeshme që e zyrtarizuat, çfarë statusi ka për ju si trajner i U 21 të Shqipërisë?
Kjo është lista përfundimtare me emrat e futbollistëve të cilët unë i kam menduar që të jenë pjesë e skuadrës për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian U 21. Pasi kam bërë disa teste, duke filluar që nga muaji janar, tashmë e kam më të qartë gjendjen që ka çdo futbollist, të cilët i kam menduar në këtë listë.

Edhe në prezantimin tuaj të parë, jeni shprehur se skuadra U 21, do të jetë modeste në kualifikueset e Evropianit 2019, i qëndroni ende?
Kur them që jemi modeste si skuadër, unë nuk e quaj të dorëzuar dhe të mbaruar si tur kualifikues. Nëse ju kujtoni takimin e parë me mediat në muajin janar, kam thënë se, ne kemi objektiv të nxjerrim sa më shumë lojtarë cilësorë për Kombëtaren e parë, dhe jo kualifikimi në këtë Kampionat Evropian. Vetë lista këtë tregon.

Cila është risia e kësaj liste, pasi shohim që ka një përzierje mes atyre që luajnë këtu në Shqipëri dhe jashtë vendit?
Po, kam përgatitur një listë me 25 futbollistë, nga të cilët, 9 janë nga kampionati shqiptar, ndërkohë që të tjerët luajnë me skuadra jashtë Shqipërisë, më shumë me të rritur, por ka edhe që luajnë me U 19 e U 20 vjeçarë. Këta janë nga më të mirët që kam testuar deri më sot, dhe them se do të jenë në gjendje të tregojnë vlera që ti shërbejnë së ardhmes në futbollin tonë.

Duke ju referuar moshës së futbollistëve që keni grumbulluar, keni përzierë edhe 19 e 20 vjeçarë. Çfarë synoni me këtë listë?
Unë ja u përmenda më sipër, se këta janë futbollistë që luajnë rregullisht në kampionatet ku aktivizohen, por edhe kanë aktualisht formë të mirë sportive. Në 25 të thirrurit në listë, nëntë futbollistë janë të datëlindjes 1996, shtatë futbollistë janë të datëlindjes 1997, ndërsa nëntë të tjerët janë të datëlindjes 1998. Këtu del qartë, se ne kemi objektiv të nxjerrim sa më shumë lojtarë cilësorë për Kombëtaren e parë.

Kjo listë që sot (dje) e zyrtarizuat me 25 emra futbollistësh, për cilat ndeshje është?
Në fakt, ne kemi dy ndeshje përpara, në fillim një miqësore me Francën në datën 5 qershor 2017, ndërsa një javë më pas kemi ndeshjen kualifikuese me Estoninë, me të cilën jemi në Grupin 2 kualifikues të Kampionatit Evropian U 21 që zhvillohet në vitin 2019.

Duke qenë se këta janë futbollistë të testuar e përzgjedhur prej jush si trajner, në këto dy ndeshje, çfarë prisni më shumë?
Unë synoj që skuadra të rritet në nivelin e saj nga miqësorja në kualifikuese. Me Francën ky është qëllimi, pasi një test me një skuadër të madhe është më i plotë se sa një test brenda grupit, apo edhe me skuadra të nivelit më të ulët. Këtu do të kërkoj maksimalen nga futbollistët, që të dal në përfundime edhe më të përafërta për ndeshjen e radhës me Estoninë.

Për ndeshjen e parë kualifikuese në Grupin 2, me Estoninë, cili do të jetë synimi?
Kur them se jemi skuadër modeste, unë nuk nënvleftësoj vlerat e lojtarëve në fushë, e nga ana tjetër nuk e mbivlerësoj kundërshtarin. Për këtë ndeshje përqendrimi do të jetë maksimal, dhe do të japim maksimumin, që veç paraqitjes së mirë, të marrim edhe një rezultat të mirë, pse jo fitoren.

E quani grup të vështirë, pasi Spanja e Sllovakia janë skuadra që luajnë në finalet e Evropianit në këtë muaj në Poloni?
Unë do t’i ndjek ato ndeshje, dhe natyrisht që me më shumë vëmendje Spanjën e Sllovakinë. Ndoshta ato do të më ndihmojnë që ti njoh më mirë si kundërshtarë, por më shumë po mendoj që të kalojmë këtë ndeshje të parë kualifikuese me Estoninë.

Mendoni se lojtarët e grumbulluar prej jush kanë lodhje nga kampionatet ku janë aktivizuar?
Unë nuk i mendoj të lodhur, por pak ngarkesë edhe e kanë, sepse tashmë jemi në fundin e sezoneve këtu në Evropë. Por, gjatë përgatitjeve në këtë ditë stërvitore, më shumë do të synohet që të mbahet forma sportive e lojtarëve, nuk bëhet fjalë për ngarkesa të larta.

Si ka qenë mbështetja e FSHF-së në këtë organizim që ju i keni bërë skuadrës U 21 të Shqipërisë?
Unë kam qenë pjesë e stafit të Kombëtares dhe e njoh nga afër përkushtimin që tregohet për të gjitha skuadrat kombëtare. Gjithçka që i takon FSHF-së, deri tani është në standardet më të mira, e do të uroja që edhe këta tregues të jenë frymëzues në lojën e skuadrës sonë në të dyja këto ndeshje, pse jo edhe në vazhdimësi.
Kur them se jemi skuadër modeste, unë nuk nënvlerësoj vlerat e lojtarëve në fushë, e nga ana tjetër nuk e mbivlerësoj kundërshtarin. Për këtë ndeshje përqendrimi do të jetë maksimal, dhe do të japim maksimumin, që veç paraqitjes së mirë, të marrim edhe një rezultat të mirë, pse jo fitoren
RREGULLORJA
Sipas formatit të përcaktuar dhe tashmë të njohur, nëntë skuadrat fituese të grupeve, do t’i bashkohen direkt Italisë si vend organizator, ndërsa katër të dytat me bilancin më të mirë, përveçse ndaj skuadrës që renditet e fundit në secilin grup, do të ndeshen mes tyre në “play-off” për të plotësuar kuadrin me 12 ekipet që do të luajnë në fazën finale. Do të përfshihet një rekord prej 54 skuadra. Ndërkaq, UEFA ka përcaktuar datat kur do të luhen ndeshjet: 20-28 mars 2017; 
5-13 qershor 2017; 28 gusht-5 shtator 2017; 2-10 tetor 2017; 6-14 nëntor 2017; 19-27 mars 2018; 3-11 shtator 2018; 8-16 tetor 2018. Ndeshjet Play-off: 12-20 nëntor 2018.
GRUPI 2
Viti 2017-Ndeshjet
Datë 12 qershor 2017 
Shqipëri-Estoni 
Datë 31 gusht 2017 
Irlanda V-Shqipëri
Datë 4 shtator 2017 
Islandë-Shqipëri
Datë 10 tetor 2017 
Shqipëri-Islandë
Datë 10 nëntor 2017 
Shqipëri-Irlanda V

GRUPI 2-PËRBËRJA
Skuadrat Nd P
1.Spanja 0 0
2.Sllovakia 0 0
3.Islanda 0 0
4.Shqipëria 0 0
5.Estonia 0 0
6.Irlanda V 0 0
Programi
Datë 1-3 qershor 2017, stërvitje në stadiumin “Besa” Kavajë
Datë 4-5 qershor 2017, stërvitje në stadiumin “Selman Stërmasi” Tiranë
Datë 5 qershor 2017, ora 21:05, ndeshja miqësore me Francën
Datë 6-11 qershor 2017, stërvitje në stadiumin “Kopi Kyçyku” Pogradec
Datë 12 qershor 2017, ora 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, ndeshja zyrtare me Estoninë
SHQIPËRIA
LOJTARËT E GRUMBULLUAR
Portierë: Elhan Kastrati (Teuta), Gentian Selmani (Laçi)
Mbrojtës: Ardit Toli (Olimpiakos U-20), Bardhec Bytyqi (Alborg), Leonardo Maloku (Peskara), Marlind Nuri (Tirana), Shaqir Tafa (Palermo), Arijan Qollaku (Grasshopers), Irlian Ceka (Lacio Primaver), Albi Doka (Tirana), Ardit Krymi (Vllaznia)
Mesfushorë: Emanuele Ndoj (Breshia), Taulan Seferi ( Jang Bojs), Elvir Maloku (AEK), Keidi Bare (Atl. Madrid), Sherif Kallaku (Kremoneze U-19), Qazim Laçi (Levadiakos), Endri Çekiçi (Lokomotiva Zagreb), Kristal Abazaj (Luftëtari), Ylber Ramadani (Partizani) Frederiko Zenuni (Tutokuoio)
Sulmues: Fiorin Durmishaj (Lamia), Grent Halili (Tirana), Valdrin Mustafa (Kaiserslauten U-19), Rubin Hebaj (Vllaznia)

FRANCA
LOJTARËT E GRUMBULLUAR
Portierë: Eskales (Marsejë), Kamara (Turs), Prevot (Sosho)
Mbrojtësa: Amian Adou (Tuluzë), I. Sise (Turs), Moktar Diakabi (Lion), Dialo (Monako), Hernandez (Alavesh), Faitot Mausa (Nansi), Mukiele (Montpelier), Pavard (Shtutgart)
Mesfushorë: Blin (Tuluzë), Koko (Guingamp), A. Diakabi (Renë), Fulgini (Valencienes), Ikone (Montpelier), Lopez (Marsejë), N’Doram (Monako)
Sulmuesa: Bamaba (Anxhers), Musa Dembele (Sëlltik), Siebatço (Shatëroks)
KAMPIONATET EVROPIANË U 21
PERIUDHA FITUESIT
1976/1978 Ish-Jugosllavia
1978/1980 Ish-BS
1980/1982 Anglia
1982/1984 Anglia
1984/1986 Spanja
1986/1988 Franca
1988/1990 Ish-BS
1990/1992 Italia
1992/1994 Italia
1994/1996 Italia
1996/1998 Spanja
1998/2000 Italia
2000/2002 Rep. Çeke
2002/2004 Italia
2004/2006 Holanda
2006/2007 Holanda
2007/2009 Gjermania
2009/2011 Spanja
2011/2013 Spanja
2013/2015 Suedia
2015/2017 ?
Sigal