Akuza të rënda nga Argjentina: Emiliano Salan e kanë vrarë, e lanë të vetëm në avion

138

Vazhdon ende të mbetet mister arsyeja e rrëzimit të avionit me të cilin Emiliano Sala u rrëzua në natën e 21 janarit në ngushticën e Le Manshit, duke humbur jetën bashkë me pilotin e mjetit fluturues. Ndërkohë, familjarët dhe personat e afërm akuzojnë klubet dhe menaxherin e tij se janë fajtorë për atë fluturim të pakontrolluar drejt Uellsit ku lojtari po shkonte t’i bashkohej Kardif, klubit me të cilin sapo kishte nënshkruar.

Matias Gati, kushëriri i sulmuesit argjentinas të ndarë në mënyrë tragjike nga jeta, mendon se duhen hetuar rrethanat në të cilën ndodhi ky incident.

“Emilianon e kanë vrarë. Në këtë histori ka disa gjëra që nuk kanë kuptim, është bërë gjithçka në mënyrë shumë të ngutshme. Dua të kuptoj se përse është detyruar të ngjitej në atë avion. Ai ishte një lojtar i rëndësishëm dhe e kanë lënë të vetëm, asnjë përfaqësues nuk ishte me të”, theksoi kushëriri i lojtarit.

“Policia duhet të hetojë pjesët e errëta të kësaj historie, duam drejtësi. Ai duhej të kishte udhëtuar me atë avion në kusht të tjera, nuk e dimë as nëse mjeti ishte në gjendje të përshkonte La Manshin. Askush nuk do të na e kthejë mbrapsht, por nëse dikush ka gabuar, duhet ta paguajë”, ishin fjalët e tij.