Akçaj: “E vështirë me Kukësin!”

570
Sigal

LIGA E EUROPËS/ Trajneri i Trabzonsporit: “Fitoret tona 6-0 dhe 4-0 kundër Vllaznisë i përkasin së kaluarës”

Trajneri i Trabzonsporit, Mustafa Reshit Akçaj, ishte i vetëdijshëm se, ndaj Kukësit e pret një ndeshje e vështirë, për më tepër që ai kishte shumë pak informacione për skuadrën më të mirë shqiptare në Europë. Gjatë konferencës së tij për shtyp, për mediat shqiptare dhe një numri jashtëzakonisht të madh gazetarësh dhe televizionesh të ardhura nga Turqia, Akçaj theksoi se, Fitoret tona 6-0 dhe 4-0 kundër Vllaznisë i përkasin së kaluarës. “Kanë kaluar gjashtë vjet dhe si lojtarët, ashtu dhe trajnerët kanë ndryshuar. Ato ndeshje vlejnë tashmë vetëm për staticienët”. Blerjet e reja të Trabzonsporit, Florent Malouda dhe Bosingva, nuk do të luajnë të enjten në “Qemal Stafa”.

 – Zoti Akçaj, Trabzonspori juaj do të luajë nesër (sot) kundër Kukësit, sa e njihni kundërshtarin?

– Për të thënë të vërtetën shumë pak, përveç videove që kemi parë. Gjithsesi, kam mbetur i befasuar që skuadra e Kukësit ka kaluar tre ture dhe ka eliminuar ekipe me emër. E vlerësoj si një kundërshtar të fortë dhe jemi përgatitur për një ndeshje shumë të vështirë. Jemi në shtëpinë tuaj, kështu që besoj se gjithçka do ta zgjidhim në ndeshjen e kthimit në vendin tonë.

– Trabzonpsori humbi të dielën finalen e Superkupës turke me Beshiktashin. Si është atmosfera në ekip?

– Pavarësisht se, humbëm ndeshjen me Beshiktashin, ne treguan një lojë të mirë. Kemi nxjerrë mësime nga ajo humbje. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje të mirë dhe ta fitojmë ndeshjen. Ndaj Kukësit do të tregohemi shumë të vëmendshëm, pasi mund ta pësojmë edhe nga momente të veçuara. Duhet të jemi shumë të përqendruar.

– Kur Trabzonspori luajti në vitin 2007 me Vllazninë e Shkodrës, për Kupën Intertoto, i fitoi të dyja takimet me rezultat të thellë: 6-0 në Turqi dhe 4-0 në Shqipëri. A u besoni atyre statistikave?

– Mendoj se, ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk vlejnë shumë këto rezultate. Skuadrat nuk janë të njëjta, për më tepër që futbolli shqiptar është rritur në arenën ndërkombëtare.

Trajneri aktual i Kukësit, Armando Cungu, ka qenë ndihmës i Vllaznisë në ato ndeshje. A e shihni si një minus apo plus të tij, pasi e njeh Trabzonsporin?

– Nuk mund të them diçka për këtë. Gjithsesi, më duhet ta vlerësoj dhe respektoj për ata që ai ka bërë.

– Zoti Akçaj, sa e njihni Shqipërinë dhe kush është lojtari më i njohur për ju?

– Futbolli shqiptar është rritur shumë vitet e fundit. Më duhet ta pranoj, se nuk di shumë gjëra.

– Cila është strategjia që do të ndiqni, do të shohim një Trabzonspor në sulm apo më të tërhequr?

– Sigurisht që, ne kemi ardhur për ta fituar ndeshjen. Dhe këtë ua kam përcjellë edhe lojtarëve. Kemi disa mungesa, por kemi një grup të aftë për ta fituar. Gjithsesi, këtë do ta tregojë fusha.

– Midis klubeve të dy vendeve janë zhvilluar dhjetë ndeshje, që të gjitha të fituar nga ekipet turke: Gallatasaraj, Fenerbahçe, Beshiktash, Kajserispor dhe vetë Trabzonspori. A mendoni se, do ta ruani këtë traditë?

– Këtë do ta tregojë fusha. Futbolli luhet atje, jo në konferenca shtypi.

Bilanci me ekipet turke, dhjetë ndeshje, dhjetë humbje

 Shqipëria dhe Turqia janë ndeshur dhjetë herë në nivel klubesh. Bilanci është shumë trishtues, pasi në dhjetë takime kemi pësuar po aq humbje, duke shënuar vetëm dy gola kundër 30 të turqve. Pra në dhjetë ndeshje kemi: 0 fitore, 0 barazime dhe 10 humbje. Janë katër skuadrat tonat: Vllaznia (4 ndeshje), Partizani (2), Dinamo (2) dhe Tirana (2). Kundërshtarët janë: Gallatasaraji, Trabzonspori, Fenerbahçe, Beshikatashi dhe Kaiserspori.

LIGA E KAMPIONEVE

Sezoni 1986-1987, turi i parë

Dinamo-Beshiktash    0-1

Beshiktash-Dinamo    2-0

Sezoni 2001-2002, turi i dytë

Gallartasaraj-Vllaznia     4-0

Vllaznia-Gallatasaraj      1-2

KUPA UEFA

Sezoni 1995-1996, turi i parë

Partizani-Fenerbahçe       0-4

Fenebahçe-Partizani        2-0

Sezoni 2006-2007, turi i dytë

Tirana-Kajserispor         0-2

Kajserispor-Tirana         3-1

KUPA INTERTOTO

Sezoni 2007, turi i dytë

Trabzonspor-Vllaznia       6-0

Vllaznia-Trabzonspor       0-4

Bilanci në total

10 ndeshje; 0 fitore, 0 barazime, 10 humbje. Golaverazhi 2-30

 Bosi i Kukësit e shpërbleu ekipin me 100 mijë euro për turin e dytë dhe 200 mijë euro për të tretin

 Gjici: “Kualifikimi vlen 300 mijë euro!”

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka dhënë një konferencë shtypi para ndeshjes së “play-off”-it të Ligës së Europës me turqit e Trabzonsporit, ku ka bërë publike edhe shifrën e premios që ka vënë për ekipin e tij nëse arrijnë të kualifikohen dhe të shkojnë në fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Gjici i ka pohuar se të tijtë janë të motivuar për ta fituar edhe këtë ndeshje shumë të vështirë, ndërsa kërkoi mbështetjen e tifozërisë, e cila pritet të jetë në stadium si asnjëherë tjetër. “Edhe pse i kemi kaluar tre ture dhe lojtarët nuk kanë presion, kjo nuk do të thotë që nuk do e fitojmë ndeshjen. Ne do e fitojmë ndeshjen dhe do jetë një ndeshje spektakolare. Zoti dhe fati do të jenë me ne.

Kemi treguar imazhin tonë në Evropë. Kukësi ka treguar korrektësi si asnjë skuadër tjetër shqiptare dhe kështu do vazhdojmë deri në fund”, tha presidenti Gjici. 300 mijë euro është shpërblimi, nëse Kukësi e kalon edhe kundërshtarin turk, Trabzonsporin.

Presidenti premton se përpara ndeshjes do të jepet shpërblimi prej 200 mijë eurosh për kalimin e turit të tretë, ndërsa beson se në stadium do të jenë më shumë se 10 mijë tifozë. Gjithashtu Gjici deklaron se trajneri Cungu ka në dispozicion edhe blerjet e fundit Smajli apo Cikalleshi dhe Musollin e kthyer nga pezullimi.

Dy legjendat e kombëtares shqiptare, Alban Bushi dhe Klodian Duro, të cilët e njohin mjaft mirë futbollin turk për shkak të aktivizimit për shumë vite në kampionatin e këtij vendi, tregojnë mënyrën sesi Kukësi të mposhtë turqit e Trabzonsporit, të cilët padyshim janë favoritë në letër. “Kur një ekip i vogël që nuk është favorit qarkullon topin më shumë, kundërshtari nervozohet dhe del nga detyrat. Kukësi mund t’i sulmojë tek kjo pjesë”, shprehet Bushi. Ndërsa Duro thekson: “Është mirë që ndeshjen e parë e luajnë në shtëpi dhe këtë gjë Kukësi duhet ta shfrytëzojë pasi Trabzoni do të jetë në presion në fushën e vet nëse nuk merr rezultat të mirë në Tiranë”.

 KOREGRAFI GJIGANTE

 Dy flamuj gjigandë, afërsisht 1000 metra katror, do të zbulohen në tribunën karshi të “Qemal Stafës’, ai i klubit verilindor dhe flamuri kombëtar. Rreth 400 bileta kanë kërkuar tifozët turq.

 Cungu: “Luajmë për të gjithë shqiptarët”

 Gjithmonë e ka konsideruar veten thjesht një trajner, por Armando Cungu e ka futur veten në histori si tekniku më i suksesshëm shqiptar përsa u përket klubeve, pasi askush më parë nuk ka mundur të kalojë tre ture në Europë. Pas eliminimit të Flora Talinit (Estoni), Sarajevos (Bosnjë) dhe Metalurg Donteskut (Ukrainë), tani përballë Kukësit është Trabzonspori, skuadra e njohur turke. “Është një ballafaqim mjaft vështirë. I kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe me ndihmën e Zotit urojme të surprizojmë prapë. Kukësi nuk do të luaj vetëm për vete, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë”, – tha trajneri shkodran, i cili si për ironi të fatit ka qenë ndihmës te Vllaznia, kur klubi shkodran humbi me rezultatin e përgjithshëm 10-0 në Kupën Intertoto (2007), pikërisht me Trabzonsporin.