Ahmet Shqarri: Prag Botërori në televizionet shqiptare, si në një xhungël mediatike për rekord Guinnes

686
Sigal

Nga Agron KAJA

Sot nisin ndeshjet finale në grupe, gazeta “Telegraf” sjell në rreshtat e saj zërin më të veçantë të radiofonisë sportive në Shqipëri, ja përshkrimi i tij për këtë event botëror brenda e jashtë medias

Nesër (sot) nisin ndeshjet finale të Botërorit “Rusi 2018”, ju si e kaluat atmosferën në pragun e këtij starti?

Gjithmonë me kureshtjen më të madhe se çfarë do të sillnin skuadrat në këto finale. Natyrisht që për mua si gazetar, emocionet e këtij Botërori kanë nisur pasi përfundoi i kaluari që u zhvillua në Brazil, por që e fitoi Gjermania.

E mbani mend Botërorin e parë që ju keni ndjekur në jetën tuaj, më parë se të nisnit rrugën e gazetarisë sportive?

Kam qenë student në Universitetin e Tiranës në vitin 1966, kur kam patur mundësinë të ndjek Botërorin e parë. Ai u luajt në Angli dhe po anglezët e fituan, por kujtoj se e kam ndjekur nga shtëpia e Gramoz Pashkos, i cili e kishte bërë shtëpinë si kinema.

Gjatë karrierës suaj 35 vjeçare si gazetar sportiv në Radio Tirana, sa Kampionate Botërorë keni transmetuar?

Atëhere (viti 1970), nuk kishte gazetar me kurajo që të transmetonte në Radio Tirana ndeshje të Kampionateve Botërorë. Në vitin 1974, pasi morra nga Besnik Dizdari disa të dhëna në gazetën “Bashkimi”, i transmetova ato në radio gjatë lajmeve. Në Botërorin “Italia 1990” është dhënë kronika e parë në Radio Tirana për një Kampionat Botëror.

Po në televizion, keni transmetuar ndonjë Kampionat Botëror?

Si gazetar, kam drejtuar gjithçka në TVSH për Botërorin e vitit 2002 që u zhvillua në Japoni e Korenë e Veriut. Kam qenë për gati 35 ditë non stop në ekran me komente dhe të ftuarin Din Zhega, i cili si tifoz i Gjermanisë nuk e fitoi bastin me mua, dhe direkt në ekran më dhuroi kollaren e tij.

Duke krahasuar me periudhën tuaj, sot si ju duket atmosfera në prag të Botërorit “Rusi 2018”?

Ndërsa ne kishim varfëri në informacion, sot ka një ozurpim, një “barbarizëm” në televizionet shqiptare. Këtu në Shqipëri është bërë si një xhungël mediatike, sepse nuk ka mbetur ekran televizoni pa emisione, për të mos folur për personat që e drejtojnë dhe ata që ftojnë, më shumë të dalë në “pozicion jashtë” loje me ekranin.

Ju e shikoni me “syrin e keq” këtë atmosferë që ata kanë sjellë në ekranet e tyre?

Nuk ka të bëjë syri i keq, por profesionalizmi i dobët e kaotik që ekziston në aspektin mediatik në vendin tonë, ndërsa në median e shkruar është pak më mirë. Dy janë televizionet që do t transmetojnë, 20 të tjerë janë lëshuar në ekran sikur e kanë ekskluziv këtë event.

Do të krijojë boshllëk në këtë Botëror mungesa e Italisë 4 herë Kampione, dhe e Holandës 2 herë finaliste në Botërorë?

Për deri sa të dyja janë skuadra të mëdha, për nostalgjikët e tyre, por edhe për ata që e njohin historinë e Botërorëve, do të jetë boshllëk. Por, do të harrohet, sepse të gjithë do të merren me aktualitetin e Botërorit, jo me historitë e 20 botërorëve që janë luajtur.

Ju për cilën skuadër do të bëni tifo në këtë Kampionat Botëror në Rusi?

Unë nuk kam një skuadër fikse në Botërorë. Gjthmonë kam bërë tifozllëk me ato ekipe që më kanë pëlqyer. Këtë herë jam me Argjentinën, jo vetëm se ka një Mesi, por edhe pse duket siskuadra me më shumë talente që janë të shpërndarë në të gjithë Botën.

Cilat skuadra i mendoni si favorite për ta fituar këtë Kampionat Botëror?

Këtu është një pikpyetje e madhe, sepse është e vështirë të përcaktosh fituesin, pa u mbyllur ndeshjet në grupe. Ndoshta do të jenë ato 6 skuadra që i kanë fituar 20 Botërorët që janë luajtur, duke mos përjashtuar edhe Rusinë si vend organizator, por me lojtarë cilësorë.

Këtu në Shqipëri është bërë si një xhungël mediatike, sepse nuk ka mbetur ekran televizoni pa emisione, për të mos folur për personat që e drejtojnë dhe ata që ftojnë, më shumë të dalë në “pozicion jashtë” loje me ekranin. Në Itali, vetëm dy televizione flasin për Botërorin, ndërsa në Arabinë Saudite nuk do shikohet live ndeshja e parë me Rusinë

Axhenda sot, e enjte 14 qershor 2018

Ceremonia e hapjes së Botërorit, ora 16:00

Ndeshja Rusi-Arabia Saudite, ora 17:00

Në stadiumin “Luzhniki” në Moskë

Rusi-Arabia Saudite, gjykon argjentinasi Nestor Pitana

Nga FIFA, dje është caktuar edhe gjyqtari i ndeshjes inaguruese të Kupës së Botës 2018, Rusi-Arabia Saudite, e cila do të luhet sot më 14 qershor në “Luzhniki Stadium” në Moskë. Ai do të ketë asistentë Juan Pablo Bellati dhe Hernan Maidana, dhe brazilianin Sandro Riçi si gjyqtar i katërt. Ndrësa ekipi i VAR është i përbërë nga italianët Massimiliano Irrati dhe Daniele Orsato, argjentinasi Mauro Vigliano dhe kiliani Carlos Astroza.

Policia ndalon “Mesin iranian”, Reza Parastesh bëhet “VIP” në Moskë

Dje, një ditë para fillimit të Botërorit, policia ruse në Moskë është detyruar të arrestojë iranianin Reza Parastesh, i cili ngjan shumë me Lionel Mesin. Në Rusi nuk e kishin menduar se do të shihnin në rrugët e Moskës një kopje origjinale të argjentinasit, dhe kur ai është shfaqur në Sheshin e Kuq me fanellën e Barcelonës, është krijuar aq kaos. Duhej ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën, ku qindra tifozë e kanë rrethuar menjëherë duke kujtuar Mesin e vërtetë, për të bërë foto me të. Policia e shoqëroi në komisariat iranianin, i cili disa orë më pas ka bërë një postim në rrjetet sociale duke ecur në rrugët e Moskës, por me një maskë në fytyrë.

Macja Akil si orrakull i Botërorit, zgjedh pjatën e Rusisë si fituese

Nuk është hera e parë që në botën e futbollit, kryesisht në Kampionate Botërorë, kafshët konsiderohen fatsjellëse. Këtë herë, macja e bardhë që quhet Akil, e ardhur nga një muze i qytetit të Shën Pjetërburgut, ka zgjedhur ushqimin që gjendej në pjatën e Rusisë. Kështu, tifozët rusë mund të jenë të lumtur para ndeshjes hapëse sot me Arabinë Saudite, duke qenë se orakulli Akil ka parashikuar fitoren e tyre për këtë sfidë. Në këtë atmosferë, ka qenë oktapodi Pol që jetonte në një akuarium në qytetin Oberhausen të Gjermanisë, i cili u bë i famshëm në të gjithë Botën me parashikimet e sakta të ndeshjeve të Gjermanisë, sidomos në Botërorin “Afrika 2010”.

Deputetja ruse Pletniova jep alarmin: Femra ruse, mos bëni seks me të huajt

Dje, një ditë para fillimit të Kampionatit Botëror që çelet sot në ora 17:00 me ndeshjen Rusi-Arabia Saudite, deputetja ruse Tamara Pletniova i ka bërë një thirrje të fortë femrave ruse. Ajo i nxit ato që të mos kryejnë marrëdhënie seksuale me tifozë të huaj, që mund të vijnë në Rusi për të ndjekur ndeshjet. “Nëse kanë vërtetë nevojë, më mirë të gjejnë një partner nga raca e njëjtë. Ndonjë fëmijë i lindur si pasojë e këtyre marrëdhënieve seksuale sjell pasoja të rënda psikologjike, pasi ata nuk vijnë në jetë si pjesë e një dashurie”, ka deklaruar dje deputetja ruse.

“Bomba” e Legjendës ruse, Kançelskis: Kjo, skuadra më e dobët në histori

Ish-futbollisti i Kombëtares së Rusisë, Andrei Kançelskis, e shikon skuadrën aktuale në këtë Botëror, me shumë probleme. Rusia ka një sistem tradicional dhe Kombëtarja jonë ka kohë që nuk është në nivelin e duhur. Aktualisht kemi shumë probleme, dhe jam i shqetësuar pasi shoh grupin më të dobët ka pasur ndonjëherë Rusia. Brenda skuadrës ka shumë probleme, por ka elemente të mirë që nuk luajnë në nivelin e duhur në Kombëtare, për shkak të problemeve me trajnerin”, kjo ka qenë deklarata e djeshme e Kançelskis, një ditë para ndeshjes hapëse të Botërorit, Rusi-Arabia Saudite, që do të luhet në “Luzhniki” të Moskës.

Braziliani Pele është lojtari i vetëm në histori që e ka fituar tri herë Kupën e Botës: në vitet 1958, 1962 dhe 1970, ndërsa trajneri i Uruguajit, Oskar Tabarez do të marrë pjesë për herë të katërt në një Botëror: 1990, 2010, 2014, 2018