Ahmataj: Nuk jemi ende të kualifikuar, kemi dhe sfidën e kthimit

438
Sigal

Luftëtari mori një fitore të madhe 2-1 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Trajneri i gjirokastriteve, Julian Ahmataj deklaroi se ende gjithçka është e hapur për kualifikimin.

“Asgjë nuk zgjidhet në ndeshjen e parë. Duhet të luajmë futboll dhe të vazhdojmë të ecim me atë ecuri që kemi bërë gjatë kësaj periudhe. Partizani na vuri në vështirësi, por e përballuam mirë dhe patëm mundësi për ta ndëshkuar edhe me gol tjetër. Lojtarë të veçantë kanë ardhur vonë në janar dhe nuk kanë kondicion për të përballuar 90 minuta. Kemi një grup lojtarësh që duhet t’u japim besim dhe të shprehen në fushë.

Mbijetesë të sigurt apo Kupën? Nuk mund t’i jap përgjigje kësaj pyetje. Duhet t’i përgjigjen drejtuesit në nivel më të lartë. Unë punoj për të stërvitur skuadrën.

Xhekson? Është lojtar inteligjent, por në momente të caktuara lodhja bën të vetën. Ka raste kur neglizhon, por jo se nuk i ka aftësitë për ta bërë mbrojtjen. Jam munduar ta dubloj, sepse Asani bëhej i rrezikshëm në 1 kundër 1.

Kualifikimi? Nuk është mbyllur çështja e Kupës, pasi nuk mbyllet çdo gjë në një ndeshje. Kemi marr rezultat që na favorizon, por vetëm kaq. Mund të dështosh një ndeshje dhe dështoi kompeticioni”, deklaroi Ahmataj.