Agustin Kola: Nuk më duket futboll shumë profesionist ky sot, ne ish-futbollistët po e gënjejmë futbollin shqiptar!

1046
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Tiranës dhe i Kombëtares, “skanon” ndeshjet e javës së 11-të të Kategorisë Superiore
Në përgjithësi, si i shikoni rezultatet që u arritën në javën e 11-të?
Nuk kishte ndonjë ndryshim nga ndeshjet që janë luajtur në 10 javët e kaluara. Unë shikoj se ka anomali në futbollin tonë superior, sepse duke i parë në logjikën profesionale, një skuadër e mirë humbet me një të dobët, ndërkohë që një e dobët fiton ose barazon me një skuadër të fortë.

Cilin nga këto rezultate e quan të paparashikuar, dhe cilët ishin në logjikën normale të tyre?
Mua nuk më duket shumë futboll profesionist ky sot, dhe teknikisht mendoj se asnjë skuadër nuk ka vazhdimësi në rezultate. Futbollistët në të gjitha skuadrat nuk vrapojnë, por më shumë ecin në fushë. Ne edhe kur luanim me lagjet, vraponim më tepër se këta futbollistë sot në Superiore.

Kësisoj, në këtë gjendje që ju e deklaroni sot, mendoni se ka pjesën e saj edhe FSHF-ja?
Absolutisht që jo, sepse për mendimin tim FSHF-ja e ka nderuar Shqipërinë dhe futbollin shqiptar. Kjo FSHF na çoi në një Kampionat Evropian, gjë të cilën nuk e kishim arritur në histori, dhe nuk i shoh të ndershme ato fjalë mediatike që i kundërvihen kësaj federate sot.

Po arbitrat në tërësi, si kanë qenë në perfomancën e tyre të gjykimit?
Nëse nuk gaboj, deri tani janë luajtur 54 ndeshje, dhe unë e them me bindjen time, se nuk është faji i FSHF-së, as për arbitrat dhe as për gjithçka që është luajtur në këto 11 javë. Arbitrat kanë bërë më të mirën, dhe aty ku ka pasur mangësi, prej tyre unë i mendoj vetëm gabime njerëzore.

Këtë javë janë thyer Skënderbeu kryesues e Kukësi kampion në fuqi, tregon kjo situatë për dobësi në lojën e tyre?
Luhatje të tilla janë normale për skuadra që kanë fituar tituj e trofe, ndaj mendoj se situatat te Skënderbeu dhe te Kukësi, nuk janë të papritura. Nëse unë them se në këto 11 javë ka një “Bravo” për Kamzën, më pak për Laçin apo edhe Teutën, nuk mund ta them këtë për Partizanin, edhe pse sot (dje) fitoi me Kukësin kampion në fuqi.

Me këto dy javë të fazës së dytë, mendoni se ka nisur të formatohet renditja nga kreu, në mesin e saj dhe në fund?
Jo, unë vetëm Skënderbeun në vendin e parë e quaj si të sigurt, ndërsa te skuadrat e tjera mendoj se do të ketë përmbysje. Sot, skuadra korçare është më e konsoliduar nga të gjitha anët, me financa që ndoshta nuk i kanë edhe skuadra të njohura në Evropë, ndaj i qëndroj mendimit se renditja do të ketë ndryshim javë pas jave.

Skuadrat e javës së 11-të, mund të themi se janë Partizani për fitoren ndaj Kukësit, dhe Kamza për barazimin ndaj Skënderbeut?
Natyrisht që po, sepse këto janë dy rezultatet më të pamenduar, dhe unë dua të them se Starova do ta ndryshojë gjendjen te Partizani. Këto fjalë të mira kam edhe për barazimin e Kamzës, por nuk mund të themi se Kukësi për humbjen e Skënderbeu për barazimin, kanë kapitulluar në vazhdimësinë e tyre.

Për këto 12 javë të luajtura, cili është mendimi juaj për çka është luajtur në fushë e jashtë saj?
Unë mendoj se, asgjë nuk ndryshon këtu, njësoj si në ekonomi dhe në politikë. Sepse nuk ka shumë profesionistë sot në skuadrat e Kategorisë Superiore, dhe për këtë nuk mund të fajësoj FSHF-në. Edhe shteti duhet që të ndërhyjë, për të bërë privatizimin e të gjitha klubeve sa më parë.

Me humbjen në Kukës, trajneri Milinkoviç paralajmëroi dorëheqjen, mendoni se trajnerët e huaj janë dështimi i këtij sezoni në Superiore?
Edhe këta të huajt u bënë si trajnerët shqiptarë, rrotullohen me njeri-tjetrin nga njëra skuadër në tjetrën. Të gjithë shohin tregun financiar, dhe më pak atë profesional, por edhe një herë, përjashtoj Skënderbeun nga kjo dukuri.

Është koha për krijimin e Ligës Profesioniste?
Koha për krijimin e kësaj Lige ka qenë disa vite më parë. Por unë ja u përsëris, se që të krijohet Liga Profesioniste në futbollin shqiptar, duhet të kemi skuadra në nivelin e standardet e Skënderbeut. 

Çfarë mendoni se duhet të ndryshojnë skuadrat për vazhdimësinë e tre fazave në Kategorinë Superiore?
Unë nuk shoh larg, por vetëm Skënderbeun e shoh që do ecë para. Të tjerat, nuk kanë financa dhe kështu do ecin. Ndaj mos prisni ndonjë ndryshim cilësor në këtë periudhë.
Edhe këta të huajt u bënë si trajnerët shqiptarë, rrotullohen me njeri-tjetrin nga njëra skuadër në tjetrën. Të gjithë shohin tregun financiar, dhe më pak atë profesional, por edhe një herë, përjashtoj Skënderbeun nga kjo dukuri.
Sigal