Agron Sejamini: Viron Bezhani, gjithçka e tij është e jashtëzakonshme

939
Sigal

“Mjeshtri i Merituar i Sportit”është nga tre kandidatët, për presidentin e ri të KOKSH-it

 Nëse jeta sportive e Viron Bezhanit do të shfaqej në një film artistik,  me siguri shumica e shikuesve kishin për ta paragjykuar atë skenar. Edhe pse ato sekuenca do i mbanin në ankth dhe emocione përsëri më shumë do i besonin realizimit artistik se sa të vërtetës jetësore.

Prindërit e Vironit kishin dijeni se fëmija e tyre stërvitej për atletikë në ekipin e “17 Nëntorit”, madje edhe lejen e tyre e kishte siguruar duke u thënë se do të konkurronte në kampionatin e atletikës për moshat. Ndaj, kur panë se biri i tyre u kthye në shtëpi si kampion i Shqipërisë për të rritur në mundje, ata e pritën si një fëmijë të pasjellshëm dhe problematik.

– Ku je për mundje ti mor bir? Si ke shpëtuar pa thyer ndonjë dorë a këmbë? Mos ta dëgjojmë më këtë emër sporti!

Urdhri ishte i prerë. Të nesërmen ata nuk e lanë të shkonte as në stërvitje. Ndërsa një ditë më pas, kur e panë që nuk po u bindej e futën prapa dollapit të rrobave që i kufizuar me dy faqet e murit, i përngjante një qelie. Kushti për të rifituar lirinë ishte që ai të deklaronte se do të zbatonte këshillën e prindërve. Kur kishin kaluar katër orë dhe kishte ardhur orari i gjumit, e nxjerrin nga izolimi. Edhe më i burrëruar pas këtij ndëshkimi.  Mes inatit fëminor Vironi u lëshon “bombën”:

– Shkollën e lë dhe mundjen jo!

Ishte e pamundur të ç’burërrohej ai fëmijë! Ky personalitet dhe dinjitet i shfaqur kaq herët, në vitet që vijuan, do të rrezatonte krenari dhe madhështi jo vetëm për prindër, por edhe për mundjen dhe sportin shqiptar.

Gjithçka e tij është e veçantë dhe e jashtëzakonshme! Dëshira e atyre dy prindërve intelektualë, e ëma inxhiniere ndërtimi dhe i ati jurist, ishte që fëmija e tyre t’i përkushtohej shkollës. Kjo dëshirë për ata ndonjëherë përjetohej si domosdoshmëri dhe merak kur i referoheshin edhe fizikut të Vironit.

Jeta do të dëshmonte se mes bashkëmoshatarëve ai do të ishte më shtatlarti, më triumfuesi, më i suksesshmi. Asnjëherë nuk i është trembur përballjes. i shkathët dhe i guximshëm në fëmijërinë e tij, shquhej për organizimin e shumë lojërave. I pëlqente sfida me të rriturit edhe pse vazhdimisht dilte humbës. Besonte ndaj përherë garonte. Kur ishte në shkollën 8-vjeçare “De Rada” disa prej shokëve të tij nisën atletikën. Dikush mundi të bëhej kampion në kërcimin me shkop, të tjerët po dalloheshin në vrapim. I vogël në trup dhe hapshkurtër, pas tyre ecte edhe Vironi. Për të mbërritur ajo ditë kur çuditi një gjyqtari të tërë në vrapimin e 10 mijë metrave… Në një aktivitet kombëtar zuri vendin e parë për moshat. Një garë tjetër nisi mes shokëve se kush do e kishte më shumë shok Vironin.

Një ditë shoku i tij, Kujtim Ismaili, tre vjet më i madh në moshë, e merr me vete për t’i bërë shoqëri gjatë orëve të stërvitjes në palestrën e mundjes. Krejt rastësisht, hyn në bisedë me trajnerin Petrit Agalliu, që i lutet të fillojë sportin e mundjes. Vetëm i buzëqeshi asaj ftese Vironi. Por, u bë shumë serioz, kur Petriti iu lut të ndeshej me një mundës njëzetë e ca vjet më i madh. Nuk u mëdysh ai fëmijë por si të kishte dëgjuar fërshëllimën e nisjes së një gare zyrtare, iu kacavir kundërshtarit. Mes të qeshurave dhe shprehjeve inkurajuese, trajneri dalloi te ai fëmijë shpirtin luftarak dhe dëshirën për të triumfuar.  Nuk mban mënd Vironi se si e gjeti fundi i atij dyluftimi, poshtë apo lart kundërshtarit, por  fjalët e Petritit i jehojnë edhe tani në vesh: – Të lumtë! Fitove!

Ditën tjetër, Vironi i ktheu krahët atletikës dhe frymën e mbajti tek tapeti i mundjes. Ende kur nuk kishte kaluar viti, nga ekipi i të rinjve kalon te të rriturit. I pari aktivitet zyrtar për të, është kampionati kombëtar i organizuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1974. Në rubrikën sportive komentatori jep lajmin, se: “Në ditën e sotme të kampionatit kombëtar të mundjes së lirë organizuar në qytetin e Shkodrës, kampion për peshën 48 kilogram u shpall 15 vjeçari Viron Bezhani.”

 Edhe pse numrat janë të vegjël, mosha 15 vjeç dhe pesha 48 kilogram ai shpallet  kampion i të rriturve. Medalja e kampionit i peshoi në gjoks pa ndërprerje në 13 vitet që vijuan. Si asnjë tjetër! Në moshën 17 vjeçare i jepet titulli Mjeshtër Sporti. Mbase rekord në vetvete përbën edhe fakti tjetër që në moshën 22 vjeçare bëhet Mjeshtër i Merituar Sporti.

Në gati 170 takime që ka zhvilluar Vironi, ka humbur vetëm katër prej tyre. Edhe ato në konkurrimet e vlefshme për Kupën e Republikës. Humbje që i kanë shërbyer më shumë se fitoret! Në vitin 1979, si për syrin e keq, ndëshkohet në finale nga mundësi Pëllumb Qosja. I shtrëngon dorën kundërshtarit dhe akoma më shumë vetes… rrypin. Qeth kokën zero si për t’u disiplinuar edhe me tepër dhe dyfishon djersën në stërvitje. Pas tre muajve, ndaj të njëjtit kundërshtar, i mjaftuan dy minuta për të vendosur dinjitetin në lartësinë e duhur.

Tipike vironiane është edhe ndodhia e vitit 1976. Gjatë stërvitjes ai nxjerr dorën dhe detyrohet që ta hedhë në jaki tek Ceni, mjek popullor. Pas dhjetë ditësh në Peshkopi zhvillohej Kupa e Republikës. Me krah të fashuar dhe në cilësinë e shikuesit me ekipin udhëton edhe Vironi. Në një nga ditët e aktivitetit, trajneri i tij, Asip Omuri, zihet ngushtë pasi lojtari i tij që kishte parashikuar për të konkurruar nuk i plotësonte peshën. I bën shenjë Vironit që të futet në peshim që ekipi të mos humbiste një pikë që fitohej nga regjistrimi. Mirëpo nuk lejohet nga gjyqtaria pasi kishte krahun e fashuar. Kthehet pranë trajnerit dhe e “urdhëron” që t’i heqë jakinë! I hoqi jakinë Asip Omuri, por i shtoi edhe inatin…

– Po dëshirove nesër t’i mund të hysh në tapet. Edhe me një dorë e mund ti kundërshtarin!

Trimëria dhe guximi i Vironit nga ky optimizëm i trajnerit u dyfishua. Të nesërmen si të përjetonte Gjergj Elez Alinë nis dyluftimin. Më e vështira garë e jetës. Lëvizte nëpër tapet, shmangte sulmet e kundërshtarit, bënte kapje të befasishme dhe ndjente që i dilte krahu. Ndërpritej takimi, i fusnin krahun në vendin e vet dhe rrifillonte beteja. Kështu disa herë deri sa në fund të takimit arbitri ngriti lart dorën e shëndoshë të legjendës Viron Bezhani. Në ato dy ditë të aktivitetit ai zhvilloi dhe fitoi gjashtë takime duke zënë vendin e parë.

Pas Peshkopisë kontakti i parë që pati në Tiranë ishte profesor Panajot Boga i cili konstaton diagnozën luxacion habitual pasojë e mosrespektimit të këshillave mjekësore. Një dalje e shpeshtë e krahut që i përsëritej edhe duke fjetur gjumë. Situatë shumë e ndërlikuar. Profesori i shquar detyrohet të aplikojë një metodë të re operacionale që i rrezikon pacientit edhe jetën. Falë Zotit, pas pesë orë ndërhyrjeje kirurgjikale gjithçka shkoi shumë mirë. Të paktën një vit Vironi duhej të mbante rregjim absolut. Dy muajt e parë korrikun dhe gushtin i kaloi në plazhin e Durrësit. Kthehet në Tiranë për t’u vizituar te profesor Boga, i cili gëzon për shëndetin e pacientit dhe lumturon për suksesin e tij të jashtëzakonshëm. I rripërsërit edhe një herë këshillat dhe regjimin e fortë që duhet të respektojë. Vetëm për shtatorin mundi ta mbajë fjalën e dhënë Vironi sepse në fillim të tetorit shtypi dhe radioja oshëtinë fitimin e titullit kampion të Viron Bezhanit në kampionatin kombëtar të radhës. Lajmi mbërriti edhe te profesor Panajoti, i cili e përjetoi me dhimbje dhe trishtim. Madje edhe me zemërim… Kjo jehonë ndjesish shkoi edhe te Vironi. Gjatë operimit profesori i vendosi edhe një bullon që do ia hiqte disa muaj më vonë. Nuk iku më Viron Bezhani te Panajot Boga! Më të lehtë e kishte të shtrëngonte dhëmbët nga dhimbja që i shkaktonte ajo pjesë metalike në ditë të vrenjtura dhe stërvitjeje se sa të përballej me atë doktor që kishte bërë aq shumë për të.

Në moshën 27 vjeçare ndërpret karrierën si sportist, por nuk braktis mundjen. Fillon punë si trajner i ekipit të mundjes së të rriturve të “17 Nëntorit”. 1987-ta, ka qenë viti i parë i kësaj sfide të Viron Bezhanit. Me dëshirën dhe punën që bëri me ekipin, mundi të zërë vetëm vendin e katër në kampionatin kombëtar. Iu deshën edhe dy vjet për të mbërritur në majë, aty ku ka “jetuar” edhe si sportist. Nga viti 1990 deri në vitin 2008, pa ndërprerje “17 Nëntori” shpallet kampion absolut në mundje. A nuk është arritje e veçantë dhe e jashtëzakonshme? Pra, 13 vjet si sportist dhe 18 vjet si trajner, bluza bardhë e blu ka mbretëruar në sportin e mundjes edhe për meritën e Viron Bezhanit!

Mundjes i mbetet përherë mirënjohës dhe borxhli.  31 titujve të artë të kampionit si sportist dhe trajner u shtoi edhe disa “tituj” të tjerë po aq të artë si drejtues i federatës së mundjes. Gjatë kësaj periudhe realizoi ato që dikujt tjetër nuk i ishin shfaqur as në ëndërr. Guxon dhe organizon në Tiranë kampionatin europian të mundjes për të rinj. Më shumë se mundja shqiptare për këtë veprimtari europiane kishte nevojë Shqipëria. Ka qenë qershori i vitit 1998, ku ende plagët e turpit që i kishim shkaktuar vetvetes, pikonin gjak dhe marrëzi. Ekipet e ardhura nga 33 shtetet e kontinentit kishin marrë edhe… bukë me vete. Dhjetra artikuj ushqimorë ishin bërë pjesë e bagazheve sportive. Çdo ekip i kishte shtuar listës së sportistëve edhe kuzhinierin… Për të qarë dhe për të qeshur! Kjo ngarkesë e rënduar psikologjike i detyroi të përjetonin surprizën e këndshme pas akomodimit dhe kushteve të jashtëzakonshme në “Hotel Tirana Internacional”, dhe “Rogner”. U çuditën kur në këtë vend shumë të bukur natyror, në këtë komoditet dhe qetësi të ambienteve hotelerike dhe sportive, nuk panë “njerëz të egër” siç propagandonin shtypi dhe televizionet e tyre. Në përfundim të kampionatit të gjithë pjesëmarrësit e pritën mëngjesin duke gëzuar e festuar si të ishin krushq në një dasmë shqiptare…

Shumë mirë ky kampionat mund të kishte emrin e Viron Bezhanit. Nëse në këtë përcaktim jemi të tepruar, askush nuk kishte për të kundërshtuar, po të thoshim se nëpërmjet këtij kampionati europian të mundjes, Shqipëria mundi një Europë të tërë me atë mjegullnajë ligësie duke errësuar dhe ekzagjeruar realitetin shqiptar.

Pas pesë vjetësh, në vitin 2002, Viron Bezhani do e sillte Europën përsëri në Tiranë për të zhvilluar kampionatin e mundjes për të rinj. Përsëri ia arriti t’i bashkojë mundësit e rinj në Tiranë edhe më 2005 duke i përcjellë gjithë kontinentit mesazhe kulture, miqësie dhe qetësie. Europës dhe botës! Sepse në vitin 2008 është po Viron Bezhani që organizon kampionatin botëror të mundjes në plazh për të rritur…

Më pas, ai do të mendonte edhe për sportin shqiptar e jo vetëm për mundjen e tij të dashur, duke nisur të jetë pjesë e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, në forumet drejtuese. Një zë që gjithnjë ka folur qartë dhe fort dhe në kërkim të së drejtës, për të mbështetur sportin dhe të tregojë padrejtësitë që i bëhen sportit tonë. Në fillim anëtar i KE-së e më pas kryetar i Komisionit Teknik, ai është një drejtues i drejtë dhe organizon me sukses punët, ndërkohë që përfaqëson sportin shqiptar në disa turne ndërkombëtarë e Olimpiada.

Ja, pse Viron Bezhani në gjithçka është i veçantë! I jashtëzakonshëm!

Zbardhen kandidaturat për President të KOKSH-it

 Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar zyrtarizoi tre kandidaturat për postin e Presidentit, i cili do të votohet më 20 shtator 2013 (11:00, nw Hotel “Tirana Internatinal”) në Asamblenë e 17-të të Përgjithshme Zgjedhore,  Propozimet kanë ardhur nga anëtarët në bazë të nenit 16, pika 2.3 e Statutit të KOKSH-it. Kështu, kandidat për President të KOKSH-it janë avokati Genc Boga, presidenti i Mundjes, Martin Biba dhe shefi i Komisionit Teknik të KOKSH-it, Viron Bezhani. Kandidatë për zv/presidentin e KOKSH-it janë Gergji Ruli dhe Vojo Malo. Kandidat i vetëm për mbajtjen e Thesarit është Floben Dilaveri. 18 kandidatët për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv janë Agim Çiraku, Agron Cuka, Alketa Çaushi, Ela Tase, Elez Gjoza, Erald Dervishi, Erzen Breçani, Genti Malko, Gëzim Panariti, Gjergj Leqejza, Hyrmete Gjetaj, Ilir Gusho, Labo Çapo, Linda Spaho, Majlinda Pilinci, Skënder Anxhaku, Stefan Rrufa dhe Vladimir Gjonaj. Aktualisht, KOKSH-i ka presidenti ne detyrë zonjën Ela Tase, pas dorëheqjes së Agim Fagut.

KANDIDATËT PËR PRESIDENT

Genci Boga

Martin Biba

Viron Bezhani

KANDIDATËT PËR

ANËTARËT E

KOMITETIT EKZEKUTIV

 

Agim Çiraku

Agron Cuka

Alketa Çaushi

Ela Tase

Elez Gjoza

Erald Dervishi

Erzen Breçani

Genti Malko

Gëzim Panariti

Gjergj Leqejza

Hyrmete Gjetaj

Ilir Gusho

Labo Çapo

Linda Spaho

Majlinda Pilinci

Skënder Anxhaku

Stefan Rrufa

Vladimir Gjonaj

Të kuqtë do të luajnë sot, për herë të parë pas katër vjetësh para sportdashësve të vet

 Partizani, i “dënuar” të fitojë me Bylisin

  Pas dy transfertave aspak të lehta, në Krujë dhe në Laç, Partizani do të luajë sot, për herë të parë para sportdashësve të vet në “Qemal Stafa” pas një mungesë katër vjeçare me statusin e skuadrës së Kategorisë Superiore. Për 15 herë kampionët e vendit, ndeshja me Bylisin është një detyrim për fitore, pas suksesit 2-0 me Kastriotin në Krujë dhe humbjes minimale 1-0 me kurbinasit në Laç. Trajneri Hasan Lika dhe “djemtë” e tij i pret një sfidë jo e lehtë ndaj një Bylisi që, vjen pas fitores 2-1 me Kastriotin.

Ballafaqimi i fundit mes Partizanit dhe Bylisit është regjistruar më 25 prill 2009 (sezoni 2008-2009), kur në “Adush Muça” për vendësit vendosi goli i Roland Nenajt. Ky takim ka qenë i kontestuar nga stafi dhe tifozeria e Partizanit, pasi në mënyrë të çuditshme gjyqtari anësor Genc Maloku anuloi një gol të rregullt. Gjithashtu ka pasur edhe raste të tjera të dyshimta, pasi u mohua një penallti. Rezultati i këtij takimi të javës së 29-të rezultoi përcaktues për Partizanin, që me një pikë më pak se Bylisi shkoi në “play-off” dhe në fund nga një tjetër padrejtësi e anësorit Arjan Mali në sfidën me Kastriotin (29 maj 2009) zbritën në Kategorinë e Parë, për t’u kthyer vetëm këtë sezon. Fitorja me skuadrën ballshiote konsiderohet detyrim për të kuqtë, të cilët në dy ditët e fundit janë përgatitur për ta finalizuar këtë objektiv. Ndeshjet e tjera të javës së 3-të të Superligës propozojnë “klasiken” Vllaznia-Tirana, Lushnja-Laçi, Teuta-Flamurtari, Kastrioti-Besa, për t’u mbyllur me ndeshjen e orës 17:00, atë midis dy skuadrave më të mira të sezonit të kaluar, kampiones Skënderbeu dhe nënkampionit Kukësi, por me këtë të fundit që nuk ka marrë ende asnjë pikë nga dy ndeshjet e para.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA III

Sot, 18 shtator 2013

Lushnja-Laçi         14:00

Vllaznia-Tirana      14:00

Teuta-Flamurtari           14:00

Kastrioti-Besa       14:00

Partizani-Bylis      14:00

Skënderbeu-Kukësi    17:00

RENDITJA

1    Teuta           2    +1   4

2    Laçi            2    +1   4

3    Tirana          2    +1   4

4    Flamurtari*     2    +2   3

5    Vllaznia        2    +2   3

6    Partizani       2    +1   3

7    Bylis           2    +0   3

8    Skënderbeu      2    +0   3

9    Lushnja         2    +0   3

10   Besa            2    -1   1

11   Kastrioti       2    -3   0

12   Kukësi**        2    -4   0

* Flamurtarit i janë zbritur 3 pikë nga Komisioni i Disiplinës

** Kukësi e ka humbur 3-0 ndeshjen në tavolinë me Vllazninë

LIGA E KAMPIONEVE

DITA E PARË

Dje, 17 shtator 2013

GRUPI A

Mançester Jun.-Bajer Lev. 20:45

Real Sociedad-Shahktar D.  20:45

 GRUPI B

Kopenhagen-Juventus        20:45

Gallatasaraj-Real Madrid   20:45

GRUPI C

Benfika-Anderleht          20:45

Olimpiakos-PSG             20:45

 Grupi D

Bajern Munih-CSKA Moskë    20:45

Viktoria Pl.-Mançes.Siti   20:45

Sot, 18 shtator 2013

Grupi E

Shalke-Steaua        20:45

Çelsi-Bazel          20:45

 Grupi F

Marsejë-Arsenal      20:45

Napoli-Dortmund      20:45

Grupi G

Atleriko-Zenit       20:45

Austria Vienë-Porto  20:45

Grupi H

Milan-Sëlltik        20:45

Barcelona-Ajaks      20:45