Agron KAJA/ UEFA, Platini, Komisioni dhe arbitri, zyrtarisht racistë!

550
Sigal

KOMENT/ Konkluzionet kontradiktore të dënimit të Shqipërisë për dhunën në stadiumin e Beogradit, argumente të paargumentuara

Ambienti sportiv evropian, pse jo dhe ai botëror, tashmë janë të ndotur keqazi nga UEFA, e cila këto ditë ka zbardhur pretencën e vendimeve kontradiktore të saj lidhur me ndeshjen e 14 tetorit, Serbi-Shqipëri. Ajo ndeshje futbolli që serbët e kthyen në ndeshje nacionalizmi e dhune raciste, natyrisht që ka hyrë në korridoret e zeza të futbollit evropian, ndërkohë që çuditërisht, por jo rastësisht, nga UEFA e të korruptuarit e saj në drejtim e komisione, fatura më e rëndë i kalon Shqipërisë. Ta mohosh dhunën e koret raciste në stadium që nga minuta e 1-rë e deri në minutën e 42-të kur ndeshja u ndërpre, dhe aq më keq të mos i dënosh ato, është njësoj sikur të jesh edhe ti racist e nacionalist sikundër janë serbët. Këtë e bëri Komisioni i Disiplinës në UEFA, ndërkohë që më parë Presidenti kameleon, Mishel Platini, e kishte lëshuar dronin e tij duke bërë fajtore Shqipërinë që nuk pranoi të riluante ndeshjen! Kjo është paranteza që vjen logjikisht pas raportit të argumentuar (sipas UEFA-s, jo siç ndodhi në realitet), për dënimet që dha për këtë skandal Komisioni i Disiplinës në institucionin e lartë të futbollit evropian. Duke i lexuar me mendje në kokë, me logjikë dhe jo me njëanshmëri nacionaliste, këto mund të quhen konkluzionet më kontradiktore që UEFA ka përgatitur ndonjëherë në raste të tilla. Arbitri i kësaj ndeshjeje, anglezi Martin Atkinson, duket qartë se nuk ka ndërgjegjen më minimale si njeri e më pas si një drejtues ndeshjeje futbolli, jo ndeshjeje dhune, teksa citon vetëm deklaratën e kapitenit të skuadrës sonë, Lorik Cana, se nuk mund të rifillonin ndeshjen pas asaj situate që degjeneroi në dhunë. “Shqiptarët nuk pranuan të rifillonin lojën”, ky është konteksti i Atkinsonit, i cili me ndërgjegjen e një njeriu të zi nuk shkruan në raportin e tij as edhe një fjalë për korret raciste në stadium, nuk shkruan se 1 minutë më parë ai vetë e kishte ndërprerë ndeshjen pasi në fushë ishin hedhur fishekzjarrë dhe sende të forta ndaj lojtarëve shqiptarë. Gjyqtarë kaq idiotë nuk mund të gjenden as edhe në Bangladesh apo në Sri Lanka, ku jeta e çdo qytetari aty është e pasigurt në çdo moment dhe jo në Angli, sikundër thuhet se janë një nga shtetet më të kulturuar në Europë e në Botë. Atkinson me këtë që bëri, ndoshta duhet të jetë gjetur në një nga koshat e plehrave në Londër, sepse prej andej mund të flasësh përçart sikundër ai shkruan në raportin e tij për ndeshjen . Dhe kontradikta në mohimin e realitetit vjen pas deklarimit të delegatit të ndeshjes, holandezi Heri Bin, i cili pasi nuk ka dëgjuar ato kore raciste të ultrasve serbë në stadium dhe nuk ka parë banderolat diskriminuese, ka deklaruar se në minutën e 14-të nga tifozët serbë u dogj flamuri i NATO-s. E më tej, ai shkruan në raportin e tij se shqiptarët e kishin të pamundur të hynin në fushë për të rifilluar ndeshjen. Kjo është kontradikta e parë që e hedh poshtë vendimmarrjen e Komisionit të Disiplinës së UEFA-s në dëm të Shqipërisë, ndërkohë që në raportin e oficerit të sigurisë paraqitej realiteti. Sipas tij, kushtet e sigurisë në stadium nuk ekzistonin dhe për pasojë siguria aty ishte e dobët. Madje ai ka shkruar se policia dhe forcat e sigurisë u treguan pasive për të mos lejuar futjen e tifozëve në fushë. Pra, kaq mjaftonte për të kuptuar edhe nga një logjike e thjeshtë se ndeshja nuk duhej të luhej në këto kushte dhune. Por kontradikta më finale është alibia e dronit të rrezikshëm, të cilin vetë racisti Platini e quajti: “Sikur të ishte i rrezikshëm…”. Kjo situatë, të paktën si një shqiptar më detyron të pyes: “O qelbësirat e UEFA-s, po ju në minutën e 42-të shkuat në stadium, apo jeni qorrat me dashje dhe me përmbajtje raciste, më racistë se serbët që e kanë në traditën e tyre nacionalizmin ekstrem ndaj shqiptarëve? Për misionin që ka futbolli, ju me në krye atë Platininë, nuk duhet të jeni aty”. Shqipëria vërtet është e vogël gjeografikisht, por dinjitetin kombëtar e ka më të madh e më të shenjtë se nacionalizmi serb me avokate UEFA-n. Loja serbe ka qenë e përgatitur për ta çuar ndeshjen Serbi-Shqipëri në një situatë të tillë dhe ata ende nuk kanë treguar as pendesën më qytetare për dhunën e korret raciste, por kërkojnë të quhen viktima të dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe. Nacionalizmi i tyre i ndyrë do të reflektohet edhe sot, teksa Kryeministri ynë Edi Rama do ta zhvillojë vizitën e shtyrë në Beograd, por që nuk do të takohet me Presidentin ultranacionalist serb, Nikoliç. Duke parë edhe pamjet filmike të dhunës që u ushtrua ndaj lojtarëve shqiptarë, njëherësh duke shtuar edhe fobinë e Nikoliçit, kaq do të mjaftonte për ta kuptuar UEFA, se Serbia duhet ndëshkuar për skandalin e 14 tetorit në stadiumin e Beogradit, ndërsa Shqipërisë t’i japë tri pikët, pse jo edhe t’i kërkojë falje për dhunën. Kjo është drejtësi! Ndryshe, UEFA, Platini, Komisioni dhe arbitri janë zyrtarisht racistë.

Deklarimet kontradiktore

Arbitri anglez, Martin Atkinson

“Shqiptarët refuzuan të ktheheshin në fushë. Kapiteni i shqiptarëve, Lorik Cana, pas ndërprerjes së ndeshjes argumentoi se skuadra e ka të pamundur rifillimin e lojës nga ana e saj, për shkak të gjendjes psikologjike e fizike pas asaj që ndodhi minuta më parë. Por, skuadra shqiptare refuzoi të rikthehej në fushë pas pretendimeve që shprehu kapiteni i tyre”.

Kapiteni shqiptar, Lorik Cana

“Ne e kishim të pamundur të futeshim në fushë e të rifillonim ndeshjen, për shkak të gjendjes fizike e psikologjike të lojtarëve, nisur nga situata në fushën e lojës e në shkallët e stadiumit. Asnjëherë nuk u kërkua nga arbitri Atkinson që ne të riktheheshim në fushë, ndërkohë që ai pretendon se nga ana jonë është refuzuar një veprim i tillë”.

Delegati holandez, Heri Bin

“Nuk kam parë banderola diskriminuese në stadium (nuk ka ditur serbisht i shkreti), por lojtarët shqiptarë e kishin të pamundur të hynin në stadium e të rifillonin lojën pas asaj që ndodhi në fushën e lojës. Në minutën e 14-të, në shkallët e stadiumit u dogj edhe flamuri i NATO-s”.

  Oficeri i sigurisë në stadium

“Kushtet e sigurisë në stadium nuk ekzistonin, siguria aty ishte e dobët. Policia dhe forcat e sigurisë u treguan pasive për të mos lejuar futjen e tifozëve në fushë”.

Somario

Këto mund të quhen konkluzionet më kontradiktore që UEFA ka përgatitur ndonjëherë në raste të tilla. Arbitri i kësaj ndeshjeje, anglezi Martin Atkinson, duket qartë se nuk ka ndërgjegjen më minimale si njeri e më pas si një drejtues ndeshjeje futbolli, jo ndeshjeje dhune, teksa citon vetëm deklaratën e kapitenit të skuadrës sonë, Lorik Cana, duke e quajtur si një  refuzim rifillimin e ndeshjes  pas asaj situate që degjeneroi në dhunë