Agron KAJA/ UEFA “ledhaton” Rusinë, mban “peng” Shqipërinë!

482
Realiteti i futbollit evropian, në këndvështrimin e ndeshjeve eliminatore të “Euro 2016”, që në nisje kërkon përgjigjen e pyetjes: Kemi një UEFA “PRO” dhunës, apo një UEFA “KUNDËR”dhunës? Edhe pse një përgjigje direkte do ta japin këto radhë, teksa do të mundohemi të përshkruajnë ngjarjet e ndodhura dhe ndëshkimet për pasojat e tyre, ato nuk e fshehin anomalinë juridike (me apo pa dashje, me apo pa qëllim) të UEFA-s në standardet e saj fyese ndaj Shqipërisë. Kështu, le të kujtojmë se kanë kaluar 48 orë pa dhënies së vendimit të saj për ngjarjet e javës së kaluar në ndeshjen e Grupit G eliminator për “Euro 2016”, Mali i Zi-Rusi, dhe jo vetëm shqiptarët, por gjithkush nga evropianët e kthjellët që e ndjek futbollin e shtetit të tij, nga ky vendim kaq i shpejtë e ka nxjerrë një konkluzion paraprak, krahasuar me ndeshjen e tetorit 2014 Serbi-Shqipëri. Çfarë ndodhi? Natyrisht që përgjigjet vijnë të drejtëpërdrejta, sido që një logjikë e thjeshtë t’i trajtojë situatat më të fundit. Sepse, sikundër edhe ndodhi në Beograd, kur ndeshja midis Serbisë e Shqipërisë u ndërpre pa përfunduar, ashtu ndodhi javën e kaluar në ndeshjen Mali i Zi-Rusi, të dyja këto ndeshje kualifikuese për “Euro 2016”. Për nga mënyrat e ndërprerjes, të dyja këto ndeshje kanë të përbashkëta, por kanë edhe një pikë ku padrejtësisht ndahen. E përbashkëta e parë është se në të dyja ndeshjet e ndërprera deri më sot, Serbi-Shqipëri e luajtur në Beograd më 14 tetor 2014 dhe Mali i Zi-Rusi e luajtur në Podgoricë më 27 mars 2015, janë të përfshira dy skuadra të ish-Jugosllavisë me tifozeritë e tyre ultra-nacionaliste. Ky konstatim ka një domethënie reale, pasi disa nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, ende kanë në mendësitë e tyre qytetare e sportive ndjenjën e nacionalizmit, ndjenjën e dhunës ndaj kundërshtarëve në fushën e lojës, apo edhe në shkallët e stadiumeve. E përbashkëta e dytë është se në të dyja këto ndeshje, objekt i dhunës dhe i ndërprerjes kanë qenë tifozët serbë e malazezë, pra këta ish-jugosllavë që kur ndeshen me skuadra të tjera, inferioritetin në fushë kërkojnë ta “balancojnë” me dhunë brenda e jashtë saj. Duke vazhduar më tej në këtë logjikë sqaruese, për vendimin e Beogradit u bë shkak droni me flamurin shqiptar që fluturoi mbi fushën e lojës, ndërkohë që në Podgoricë shkak i ndërprerjes u bë dhuna e tifozëve vendas. Çfarë dallimi qesharak, për nga logjika juridike që UEFA ka përdorur për dy raste analoge në formë, por që në ekzekutimin e tyre kanë një ndryshim thelbësor për shkakun. Sepse vetëm flamuri ynë u bë objekt i vendimmarrjes së UEFA-s për t’ia dhënë Serbisë tri pikë, dhe më pas kësaj Serbie iu hoqën këto tri pikë se përdori dhunë. Kështu nga këto vendime të UEFA-s, duket sikur huliganët serbë dhe ata malazezë po na dalin si viktima të kundërshtarëve në fushat e tyre, ndërsa ka ndodhur e kundërta. Ky nuk është standardi i një Evrope të kulturuar e të qytetëruar, e cila në zhvillimet e saj bazë ka ligjin në zbatueshmërinë e tij, por edhe në ndëshkueshmërinë për shkeljet ndaj tij. Pra, për të dyja këto momente, UEFA ka dhënë vendimet e saj kontradiktore, realisht vetëm në dëm të Shqipërisë, dhe këtu dallon ndryshimi i tyre, që në titull e kam quajtur standard ndryshe. Këtu ka edhe një fakt kohor vendimmarrës, pasi për ndeshjen Mali i Zi-Rusi, vendimi u dha në një kohë rekord dhe në favor të skuadrës së dhunuar, që në këtë rast ishte Rusia, ndërkohë që për ndeshjen tonë në Serbi, vendimi paraprak jo vetëm që nuk u dha në harkun e një jave, por edhe kur ai u zbardh, ishte tërësisht qesharak dhe fyes për Shqipërinë. Dy standardet dhe padrejtësia e UEFA-s, krahasuar me të dyja këto ndeshje tashmë të ndërprera, vazhdon edhe më tej, në renditjen periodike mujore të këtyre skuadrave. Serbia dhe Mali i Zi, “llava” e dhunës në stadiumet evropiane, ende mbahen në vende komode në renditjen periodike mujore të saj, ndërkohë që Shqipëria e dhunuar ndodhet më poshtë tyre, pa marrë fare në konsideratë pikët që Kombëtarja jonë ka grumbulluar në këto eliminatore, krahasuar me dy skuadrat sllave, Serbinë e Malin e Zi. Edhe ky është një moment ku UEFA del e zbuluar, teksa tregon dy fytyra ndërsa punon me dy standarde në raport me gjendjen e skuadrave në grupet eliminatore euro 2016. Si përfundim le të shprehim një konsideratë në formën e një konkluzioni: Kemi të bëjmë me nacionalizëm e padrejtësi, apo futboll të ndershëm e korrekt? Këtë UEFA duhet ta përkthejë më mirë në fytyrën e saj juridike, e të mos justifikohet me banderolat e shumta që vendos nëpër stadiume: “RESPECT”, por në këtë këndvështrim, Shqipëria nuk duket se do të presë ndonjë përgjigje pozitive më 17 prill, teksa KAS-i në Lozanë ka deklaruar se të premten e ardhshme do ta mbyllë “telenovelën” e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Dhe e fundit, si shqiptarë që e duam futbollin tonë kombëtar, le të shpresojmë që në miqësoren e muajit maj 2015 midis Shqipërisë e Gjermanisë të viteve ’80, skuadra jonë Kombëtare të ketë marrë përgjigjen normale pozitive për tri pikët e ndeshjes me Serbinë.
SHQIPËRIA
Renditja në UEFA
Vendi i 33-të me 23,041pikë
Renditja në FIFA
Vendi i 57-të me 575 pikë
“EURO FRANCË 2016”
RENDITJA/ GRUPI I
Skuadrat Nd Pikë
1.Portugalia 4 9
2.Danimarka 4 7
3.Shqipëria 4 7
4.Serbia 4 1
5.Armenia 4 1
RENDITJA/ GRUPI G
Skuadrat Nd Pikë
1.Austria 5 13
2.Suedia 5 9
3.Rusia 5 8
4.Mali i Zi 5 5
5.Litehshtejni 5 4
6.Moldavia 5 1
Sigal