Agron KAJA/ Tifozët u rikthyen, futbolli çfarë duhet të bëjë?

502
Sigal

OPINION/ Java e 25-të e Superligës në “derbi”rifreskoi memoriet dhe “pastroi” shkallët e stadiumit

Java e 25-të e Kategorisë Superiore kishte rezervuar të shtunën kaluar një ngjarje sportive, e cila sikundër erdhi, dukej se ishte dizenjuar në mënyrën e saj më të mirë.  Në ndeshjen “derbi” midis Partizanit dhe Tiranës, gjithkush që e ndjek dhe e ndjen futbollin shqiptar, natyrshëm që është ndjerë entuziast edhe për atë atmosferë sportive që u demonstrua nga dekori i tifozëve në shkallët e stadiumit. Të dyja tifozeritë, “Guerils”-at e Partizanit dhe “Fanatiks”-at e Tiranës, me performancën që na dhanë në këtë “derbi” të 138-të, dolën të barabarta mes tyre nga stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, ndoshta për të thënë se edhe barazimi 1-1 i ndeshjes ishte edhe pjesë e “lojës” së tyre. Na duhet të jemi kaq të ndjeshëm për këtë moment të veçantë për futbollin tonë, pasi të gjithë e pamë se aty në shkallët e stadiumit u “hoq mungesa” që tifozeria kishte ndjerë në dy dekadat e fundit. Kësisoj, ky element i domosdoshëm për misionin që futbolli ka në vetvete po vjen gradualisht në ngjitje, kryesisht kur bëhet fjalë për “legjenda”si Partizani e Tirana, pse jo edhe kur këto skuadra luajnë në fusha e stadiume të tjera kundër çdo skuadre të Superligës, por jo me atmosferë të tillë si në “Qemal Stafa”, kjo nuk duhet mohuar. Gjithsesi, duke qëndruar në “derbi”, le të themi se ballafaqimi mes dy tifozerive u përcoll edhe me sharje, me fyerje të ndërsjella apo edhe me parulla raciste, pas të cilave ndeshja edhe mund të ishte ndalur, si edhe me gabime të gjykimit. Por asgjë nuk ndodhi, dhe a e dini pse? Sepse ky “derbi”ishte kalkuluar për të rishkruar një histori të re “tifosh”, një histori që edhe koha e kërkon të jetë e tillë si të shtunën, ndërsa futbolli vetë duhet ta gjejë më mirë veten pas situatave të tilla. Tifozët erdhën, po çfarë do ti servirin skuadrat me futbollin e tyre, këtu ndoshta duhet të ndalet prapavija që drejton e menaxhon klubet e skuadrat tona të futbollit. Nëse duam tifozë në shkallët e stadiumeve, këta nuk duhet që t’i trajtojmë vetëm si burim të ardhurash, nuk duhet t’í quajmë si “garniturë” në ndeshje. Ata janë realisht si një “Lojtar i 12-të” për çdo skuadër që luan në fushë. Sepse janë këta tifozë që i japin bukurinë e madhështinë çdo ndeshjeje, janë këta që e mbajnë të “zgjuar”futbollin nga e hëna e deri të dielën e çdo jave, dhe nga ana tjetër, veç “prodhimit” që japin në shkallët e stadiumit, tifozët ndihmojnë skuadrat e tyre me kontributin e drejtpërdrejtë financiar, por edhe me biletat që paguajnë për hyrjen në stadium. Kësisoj, kjo tifozeri po troket në portën e duhur, po kërkon që të hapen të tjera dyer të nivelit të futbollit që të rritet bashkë me ta edhe “prodhimi” në fushën e lojës. Ky bashkëpunim i domosdoshëm dha një shembull që duhet ruajtur, një shembull që nuk duhet të mbetet vetëm në Tiranë. Madhështia e një “derbi” si ai Partizani-Tirana nuk duhet që mbetet vetëm në “Qemal Stafa”, por ajo duhet që të “mësyjë”në çdo stadium tjetër. Le të themi se të shtunën me atë çka u demonstrua, ju dha një “grusht” i fortë edhe dhunës, elementë të së cilës në javën e kaluar morën një leksion LIVE se çdo të thotë të jesh “jashtë loje” me kohën e futbollit të sotëm në Shqipëri. Kohët e fundit, këtë ballafaqim sportiv kanë tentuar ta quajnë edhe një “El clasico” shqiptare, apo edhe një “Madonina” e vjetër, por asnjëra prej tyre nuk ka të krahasuar. Jo për faktin se, krahasimisht me këtë “derbi” nuk kemi të bëjmë me skuadra të niveleve botërore si Real Madrid, Barcelona, Inter, Milan e ndonjë tjetër, por se këtë herë u tregua se sa i domosdoshëm është për çdo skuadër tifozi në shkallët e stadiumit. Për këtë sezon nuk do ta kemi më këtë derbi, e nëse do të aludojmë që diku tjetër të na sillet ajo atmosferë magjike e së shtunës në “Qemal Stafa”, këtë le ta presim. Njëherësh, do të presim edhe me dritëhijen se Tirana është në “zonën e minuar” të renditjes, dhe ku i dihet pas javës së 33-të se në sezonin tjetër ndoshta nuk do të kemi më “derbi” në kryeqytet. Gjithsesi, ky ishte një “derbi” që rifreskoi memoriet dhe “pastroi”shkallët e stadiumit kombëtar. Kështu ka ndodhur!

 

EURO 2015/ Kombëtarja ndodhet në grupin 4 të “Elite Round”, së bashku edhe me Anglinë e Çekinë

 U-17, Shqipëria luan sot kundër Italisë

 Kombëtarja U-17 e Shqipërisë do të luajë sot kundër Italisë së asaj moshe, në ndeshjen e parë të fazës “Elite Round” të Kampionatit Europian. Në grupin tonë (4) janë edhe Anglia me Republikën Çeke, ku do të luhen edhe ndeshjet. Kuqezinjtë e vegjël që, drejtohen nga boshnjaku Xhemal Mustedanagic do të zbresin në fushë në orën 14:00 përballë Italisë së trajnerit Daniele Zorato. Italia konsiderohet si një ekip më i fortë se Anglia, ndaj së cilës do të luajmë, më 28 mars. Takimi i fundit është kundër Çekisë vendase, i programuar për më 31 mars. Shqipëria mbërriti në raundin e dytë kualifikues, pasi u rendit e dyta në grupin e saj pas Rumanisë, ndërsa la pas Bjellorusinë dhe Finlandën. Kjo është hera e dytë që 17-vjeçarët kualifikohen në “Elite Round” nën drejtimin e Xhemal Mustedanagiç, ndërkohë që në total jemi kualifikuar katër herë, pasi më parë jemi kualifikuar në vitet 1994 dhe 2003. “Ne ndodhemi në një grup shumë të fortë, së bashku me Anglinë, Italinë dhe Çekinë. Pikërisht, në Çeki do të zhvillohen edhe ndeshjet e “Elite Round”. Për mua, Italia është ekipi më i mirë. Ka një gjeneratë të fortë lojtarësh, por Anglia është e fortë. Unë mendoj, se njëra prej të dyjave do të shkojë në finalet e europianit. Në grup kemi edhe Çekinë, kështu që do të përpiqemi t’i marrim edhe asaj, pavarësisht se do të luajmë atje, – tha trajneri Mustedangagiç gjatë një interviste të dhënë para disa ditësh për “Telegraf”

KALENDARI U-17

26 mars

Itali- Shqipëri

Angli-Republika Çeke

28 mars

Angli-Shqipëri

Republika Çeke-Itali

31 mars

Itali-Angli

Shqipëri-Republika Çeke

KATËR PJESËMARRJET NË “ELITE ROUND”

 Shqipëria është kualifikuar katër herë në fazën “Elite Round” të një Kampionati Europian për moshën U-17. Gazeta “Telegraf” sjell një historik të shkurtër të këtyre pjesëmarrjeve.

1994

Kualifikimet nisin dhjetë vjet më parë, në vitin 1994. Në turin “Elite Round” kombëtarja jonë bënte pjesë në grupin A, së bashku edhe me Bjellorusinë, Austrinë dhe Spanjën. Në ndeshjen e parë humbi 1-0 me Austrinë, barazoi 1-1 me Bjellorusinë dhe humbi 4-0 me Spanjën, por fitues të grupit dolën Bjellorusia dhe Austria.

2003

Për herë të dytë, u arrit në turin e parë eliminator të Euro 2003. Në turin e dytë kualifikues (24-28 mars 2003, takimet u luajtën në Kastoria të Greqisë), ekipi ynë bënte pjesë në grupin e 5-të, së bashku edhe me Hungarinë (fituese të grupit), Zvicrën dhe Greqinë. Shqipëria humbi ndeshjen e parë 1-0 me Greqinë, po 1-0 humbi me Zvicrën dhe barazoi 3-3 me Hungarinë, duke zënë vendin e fundit (1 pikë).

2012

Në ndeshjet në grup (fazë eliminatore), Kombëtarja arriti këto: Shqipëri-Sllovaki 2-1, Gjermani-Shqipëri 1-0 dhe Estoni-Shqipëri 1-1. Vendi i dytë në grup dhe automatikisht në Elite Round. Në shortin e hedhur, më 29 nëntor 2012, Shqipëria ra në një grup me Holandën, Serbinë dhe Irlandën. Kombëtarja jonë humbi 4-0 me Holandën, 3-0 me Serbinë dhe fitoi 2-1 me Irlandën.

2014

Në eliminatoret Kampionatit Europian 2014, Shqipëria U-17 shkroi një tjetër faqe të bukur në historinë e saj, teksa dje, pas barazimit pa gola me Finlandën dhe humbjes së Bjellorusisë me Rumaninë (2-0), siguroi për herë të katërt kualifikimin për në fazën “Elite Round”, atje ku marrin pjesë 24 skuadrat më të mira të Europës të asaj moshe. Shorti i “Elite Round” na ka vendosur përballë Anglisë, Italisë dhe Çekisë.

  Alban Meha, golin e dhjetë në Gjermani

 Alban Meha tregoi sërish klasin e tij, duke shënuar një nga tre golat e fitores 3-0 t Padebornit kundër rivalit St. Pauli, takim i vlefshëm për javën e 27-të të Bundesligës së Dytë gjermane. Golin e parë e shënoi turku Saglik (41’), ndërkohë që mesfushori i Kombëtares shqiptare shënoi golin e dytë të ndeshjes në minutën e 58-të. Saglik realizoi me penallti golin e tretë (69’). Për Mehën ky ishte goli i tij i dhjetë sezonal, po aq sa Edmond Kapllani te FSV Frankfurt. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Ilir Azemi shënoi një dopjetë në fitoren 4-1 të Grojther Fyrthit ndaj Fortuna Dyseldorf. Azemi realizoi dy golat e parë të ndeshjes, në minutat 39’ dhe 55’. 22-vjeçari ka shënuar gjashtë gola këtë sezon. Për Grejthorin luajti edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj. Me këto fitore, Greujther Fyrthi dhe Padeborni ndajnë vendet 2-3, me Këlnin që kryeson Bundesligën 2.