Agron KAJA/ Stema e klubit nuk ndryshohet sipas dëshirave të tifozëve!

610
Sigal

PROBLEMI/ Pasionet personale në internet ngatërrohen me publikimet zyrtare në futboll

Kam lexuar këto ditë në gazetën sportive shqiptare “Panorama Sport”, për një fenomen që, pse ka ndodhur nuk më duket aspak normal, i cili ka të bëjë me ndryshim e stemës (logos) së Futboll Klub “Tomori” të Beratit. Në fakt, kjo gazetë e nderuar e tregut sportiv shqiptar merrte shkas nga botimi në një ueb sajt në internet (Clubecolours.blogsport.com), i cili me të drejtë kishte qëmtuar ndryshim disa herë në sezonet e fundit të stemës (logos) së klubit “Tomori” në Berat. Vërtet që është një realitet të cilin kjo faqe interneti e ka menduar për rekord “Guinnes”, pasi persona të veçantë, beratas ose jo, të paautorizuar zyrtarisht për ta bërë këtë ndryshim, rast pas rasti kanë publikuar në “Facebook” apo edhe në “Google” dy stema (logo) të reja, ndryshe nga ajo zyrtare. Ata kanë shprehur në një fare mënyre pasionet e tyre si pjesë e tifozerisë së kësaj skuadre, por kanë futur në “valle” ueb sajte në internet, që e kanë trajtuar këtë ndryshim si një rast të veçantë, njëherësh kanë fyer atë stemë (logo) zyrtare që përfaqëson komunitetin sportiv beratas, duke dashur që ta nxjerrin atë jashtë tregut. Por, cila është zyrtarja në këtë rast? Duke qenë autori i stemës që aktualisht është e vetmja zyrtare deri më sot, shpjegoj për të gjithë lexuesit dhe më gjerë se, për FK “Tomori” zyrtare është stema (logo) e cila shkruan me ngjyrë të bardhë FK në fushë jeshile, me një T të bardhë dhe jo të kuqe, ku në kokën e saj është shkruar viti i krijimit 1923. Sipër stemës (logos) janë tre pedena që simbolizojnë kalanë e Beratit të ngjyrosura me të kuqe e të shoqëruara me rrjetë futbolli. Në tre pozicione të stemës (logos), në tre ekstremet e shkronjës “T”, janë vendosur tre topa futbolli, e kështu, me këtë dizajn kjo stemë (logo) është miratuar në Këshillin e Bashkisë së Beratit në vitin 1998, së bashku me stemën e qytetit të Beratit. Për këtë stemë sportive, në qytetin e Beratit është bërë një përzgjedhje e disa modeleve ku kanë marrë pjesë persona të ndryshëm dhe me vendim unanim ka fituar ajo, për tu miratuar më pas sipas të gjitha rregullave ekzistuese në kësi rastesh. Fillimisht kjo stemë (logo), në muajin gusht 1998, i është dhënë për publikim gazetës sportive “Sporti Shqiptar”, e cila fillimisht e ka botuar atë sipas origjinalit zyrtar, por që më pas, duke kërkuar formën kompjuterike të punimit, e ka nxjerrë të ripunuar në “photoshop” në kompjuter. Në atë kohë, skuadra beratase e futbollit (Tomori) ka qenë pjesë e kategorisë inferiore dhe askush nuk e kishte çuar nëpër mend që të luante me stemën (logon) e klubit, ndërkohë që vite më pas kur Tomori debutoi në Superiore, u ngjallën dëshirat e pasionet që kjo stemë (logo), të “zihet peng” nga personat që nuk e kanë pasur të drejtën zyrtare të bënin ndryshimet e saj, edhe pse dëshira e tyre mund të ketë qenë për mirë. Mirëpo, duke u interesuar në bashkinë e Beratit dhe në FK “Tomori” për këtë rast, askush nuk jepte miratimin për këto ndryshime, çka tregon se ato janë jashtë zyrtares së këtij klubi futbolli. Sa për histori të këtyre stemave sportive, do të kujtoja se FK “Tomori” Berat është krijuar në muajin shkurt të vitit 1923 si një Shoqëri Sportive e qytetit. Ka qenë një shoqëri financiarisht e varfër, e cila deri në vitin 1938 morri pjesë në 7 kampionate: 2 në Kategorinë e Parë dhe 5 në Kategorinë e dytë. Në atë kohë nuk kishte ndonjë stemë (logo), pasi uniformat bliheshin në treg të lirë nga njerëz të pasur në këtë qytet e më pas u dhuroheshin futbollistëve. Në periudhën e pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit, edhe në Berat futbolli u ngrit mbi institucione duke shkrirë shoqëritë sportive, ndërsa nuk bëhej fjalë për ndonjë stemë të veçantë. Në fillimin e viteve 50’, gazetari sportiv i nderuar Vlash Pambuku, me stilin e tij si një piktor origjinal, kishte punuar një stemë (logo) që simbolizonte malin e Tomorit të ngjyrosur në ngjyrë bojë qielli të hapur dhe me borë të bardhë në krye, ndërsa në gjirin e tij ishte shkruar viti 1923. Madje në ato vite, zoti Pambuku kishte përgatitur edhe një flamur sportiv në Berat me një fushë jeshile, ku në mesin e tij ishte një fjongo ngjyrë e kuqe dhe në mesin e saj ishte shkruar viti i krijimit, 1923. Këto stema (logo) rezistuan pak kohë edhe pas vitit 1992, ndërkohë që deri në vitin 1998 kur u miratua stema (logo) zyrtare e FK “Tomori”, kanë qarkulluar disa variante stemash (logo), këto vetëm nëpër fanellat e futbollistëve, por që asnjëherë ato nuk u zyrtarizuan. Kësisoj, duke marrë shkas nga ndryshimet që i janë bërë nëpërmjet internetit stemës (logos) së FK “Tomori” në tre-katër edicionet e fundit futbollistike, ky mund të quhet edhe një fenomen ndaj të cilit duhet një dorë që t’i ndalojë, sepse ndryshime të tilla i përkasin një komuniteti të tërë dhe jo individëve të veçantë që dinë të përdorin internetin për dëshirat e tyre. Duhet të jenë bashkitë (në këtë rast ajo e Beratit), të cilat kanë edhe pjesën zyrtare të drejtimit të Klubeve të Futbollit, që duhet të ndërhyjnë për të mos e deformuar stemën (logon) zyrtare të klubit të futbollit, edhe në rastet kur u serviret ndonjë më e arrirë në raport me kohën. Njëherësh, edhe ata tifozë dashamirës të futbollit beratas duhet të më kuptojnë miqësisht në këto radhë, pasi i i kushtohen vetëm anës zyrtare të problemit.

 Presidenti i KOKSH-it: “Projekti do t’i vihet në dispozicion Kryeministrit Edi Rama”

 Bezhani: “Gati për të nisur Qendrën Olimpike në Shqipëri!”

 Shqipëria pritet të ketë shumë shpejt një Qendër Olimpike. Lajmin e shumëpritur e bëri të ditur Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtare Shqiptar, Viron Bezhani. Sipas kryeolimpistit shqiptar, institucioni që ai drejton ka gati projektin që do t’i vihet në tryezë Kryeministrit Edi Rama, për ndërtimin e qendrës olimpike në ambientet e ish-kompleksit Dinamo. Presidenti Viron Bezhani e sekretari Stavri Bello ishin të pranishëm gjatë fundjavës së kaluar, në Romë të Italisë u zhvillua asambleja e 42-të e Komitetit Olimpik Europian (EOC). “Ishte një takim i rëndësishëm, ku mori pjesë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) z.Tomas Bah dhe ku u diskutua për çështje të ndryshme të familjes së madhe olimpike. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Solidaritet Olimpik, me të cilët KOKSH-i ka marrëdhënie të shkëlqyera e ku mbështetja ka qenë e madhe, apo përfaqësues të Agjencisë Botërore Antidoping (ËADA)”, – tha Bezhani gjatë konferencës së tij për shtyp. “Arritëm një marrëveshje për një stërvitje më të specializuar të atletes Luiza Gega, kandidate për t’u kualifikuar për Lojërat Olimpike “Rio 2016″ si dhe për fitimin e bursës Olimpike, e cila do të stërvitet në Itali, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm”, – theksoi kreu i KOKSH-it. Brenda vitit 2014 do të nënshkruhen dy projekt-marrëveshje, një në Baku me përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Azerbajxhanit dhe një në Tiranë me përfaqësues të Komitetit Olimpik Turk. Të dyja këto marrëveshje kanë si pikësynim kryesor stërvitjen e përbashkët me sportistët tanë më të mirë në bashkëpunim me këto dy vende.

LOJËRAT OLIMPIKE

Sipas tij, në asamble u diskutua dhe u prezantuan disa nga aktivitetet e ardhshme olimpike që do të zhvillohen gjatë vitit 2014, duke nisur nga Lojërat Olimpike Rinore verore ne “Nanjing 2014″ ne muajin gusht. Gjithashtu, u diskutua për projekt-progresin e kryer për Olimpiadën e vitit 2016 në Rio de Zhaneiro të Brazilit e për mjaft veprimtari të tjera Olimpike në vitet në vijim. Më pas u kryen zgjedhjet për drejtuesit e rinj të Komitetit Olimpik Europian, ku në detyrën e presidentit u rizgjodh Patrik Hikej për të tretën herë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edicionit të parë të Lojërave Olimpike Europiane, të cilat do të zhvillohen për herë të parë në histori, në vitin 2015, në Baku të Azerbajxhanit e ku edhe Shqipëria do të marrë pjesë me sportistët e saj më të mirë. Një aktivitet  që do të jetë një “gur prove” për sportistët shqiptarë në prag të Olimpiadës së Rios.

TAKIME TË NGJESHURA

Përveç zhvillimeve të Asamblesë delegacioni olimpik shqiptar kishte edhe axhendën e tij të ngjeshur me takime me përfaqësues të ndryshëm të familjes olimpike në këto dy ditë të qëndrimit në Romë. “Natyrisht që momenti më i rëndësishëm ishte takimi me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bach dhe presidentin i Komitetit Olimpik Europian, Patrik Hikej”, – tha Bezhani. Kreu i Komitetit Olimpik Europian, Bach premtoi se do të kryhet një takim i përbashkët mes tij, presidentit të KOKSH-it dhe Ministres së Arsimit dhe Sporti, Znj.Lindita Nikolla, për të konfirmuar mbështetjen e tij për Shqipërinë dhe olimpizmin në vendin tonë. Sipas Bezhanit, një nga mbledhjet e bordit drejtues të Komitetit Olimpik Europian  do të zhvillohet në Tiranë gjatë vitit 2014. Gjithashtu, më 27 janar, në Tiranë do të vijë një delegacion i Organizatës Europiane Jo Qeveritare (ENGSO) për të zhvilluar një seminar për qeverisjen e mire te organizatave sportive.

  LUFTË DOPINGUT

Presidenti Bezhani, së bashku me sekretarin Bello zhvilluan një takim shumë të rëndësishëm me përfaqësuesin e Agjencisë Ndërkombëtare Antidoping për Europën, Frederik Donze. Ramë dakord që Donze të vijë në Shqipëri së shpejti për një seminar trajnimi për të parandaluar fenomenin e dopingut. Kjo mbetet një çështje e rëndësishme për ne për të evituar raste të tjera dopingu në sportin shqiptar.