Agron KAJA/ Sportet në 2014-ën,  bardhezi në “Telegraf”

476
Sigal

VËSHTRIM KALENDARIK/ Ja dritëhijet në veprimtaritë sportive më të spikatura në Shqipëri dhe në Botë

Viti 2014 ka ditë që i ka mbyllur fletët e kalendarit të tij, një mbyllje fizike kjo, pasi kujtesa gjatë 365 ditëve të tij nuk mund të humbasë me atë çka u prodhua ditë pas dite. Në fakt, ka pasur ngjarje të ndryshme, janë zhvilluar shumë evente sportive të përmasave kombëtare, europiane e botërore, të cilat si në një kasetë me filma të animuar na dalin para me skuadra, sportistë e sportiste që gjatë atij viti u munduan të japin atë çka kishin për të dhënë. Pra, në pjesën më të madhe të sporteve, Shqipëria njohu momente sportive të veçanta gjatë vitit të kaluar dhe nëse ishte ky një vit ku vibracionet sportive testuan realitetin, një vit në pit-stop ku sportet “vegjetuan” të kaluarën, këtë le të përpiqemi ta përcjellim në këto radhë, mes të cilave edhe pse nuk mund të kujtohet gjithçka ka ndodhur në këto ditë, ato do të na sjellin atë atmosferë të përjetuar në çdo event. Duke i parë veç e veç veprimtaritë kombëtare dhe ato ndërkombëtare, viti 2014 për Shqipërinë sportive spikat me atleten Luiza Gega, e cila doli Kampione Ballkanit në salla të mbyllura në garën 1500 m, ndërsa dy javë më pas renditet në vendin e 6-të në Botë po në garën 1500 m. Por, një muaj më vonë, kjo kurbë ulet me dhunën e pa shembullt në stadiumin e Ballshit ku u rrahën lojtarë, drejtues e tifozë të skuadrës së Flamurtarit. Më pas, në muajin prill vijnë dy rezultate të larta në peshëngritje, ku peshëngritësi Erkand Qerimaj u shpall Kampion Europe dhe  Daniel Godelli nënkampion. Gjashtëmujori i parë do të mbyllet me Skënderbeun e Korçës që u shpall Kampion në Kategorinë Superiore, titulli i katërt radhazi, e më pas po nga futbolli kujtojmë se formula e kampionatit për sezonin 2014-2015 do të ndryshonte në përbërjen e skuadrave, nga 12 në 10. Muaji korrik është i ngjeshur me merkaton verore të futbollit ku spikasin katër futbollistët e Kombëtares: Debatik Curri, Ervin Bulku, Elis Bakaj e Kristi Vangjeli, të cilët do të vinin në Superiore nga kampionati ukrainas, ku lufta etnike në këtë vend i detyroi të ndërronin skuadër. Por, këtë muaj skuadrat tona të futbollit nuk shkëlqyen me ndeshjet në Europa Ligë dhe në Ligën e Kampioneve, duke thënë se ky ishte viti “Pit Stop” me Europën në futbollin e klubeve. Vazhdon Luiza Gega me rekordet e saj, e këtë herë thyen atë të 1500 metrave, ndërkohë që në muajin shtator nis një dhunë e pa parë herë të tjera në shkallët e stadiumeve tona. Në Shkodër në ndeshjen Vllaznia-Tirana shkatërrohen stolat e stadiumit “Loro Boriçi”, për pasojë dënime për të dyja skuadrat dhe tifozeritë e tyre. Në fakt, dhuna në futboll nuk nguroi edhe në raste të tjera në Elbasan e Korçë, duke e nxirë sezonin me këto fenomene. Gjithsesi, duke dalë nga Superiorja, skuadra jonë Kombëtare shënon disa kulme. Së pari më 7 shtator fiton me Portugalinë, më pas barazon me Danimarkën në ndeshje eliminatore për Evropianin 2016, ndërkohë që më 14 tetor, në ndeshjen me Serbinë u shkaktua skandali më i madh i racizmit në futboll. Dhe më goditëse u bë kjo ndeshje, pas dënimeve që dha UEFA, qesharakë dhe racist ndaj Shqipërisë. Gjithsesi, kjo ngjarje e rëndë do të pasohej me një tjetër goditje, por në peshëngritje. Dy peshëngritësit tanë, Daniel Godelli e Romela Begaj shpallen Kampionë Bote në Kampionatin Botëror që u zhvillua në muajin nëntor në Kazakistan, por disa javë më pas ata rezultuan pozitivë në përdorimin e dopingut. Këtë doping e pasoi edhe peshëngritësi Hysen Pulaku në Kampionatin Evropian, e kështu ky doping e mbylli në këtë situatë sportin shqiptar për vitin 2014, ndërkohë që duke kaluar në sportet në Europë e në Botë, futbolli mbetet i pari. Kështu, nëse i kalojmë si ngjarje, veçojmë muajin janar ku FIFA i thotë PO Kosovës për të luajtur ndeshje miqësore me skuadrën e saj kombëtare, e po në këtë muaj Kristiano Ronaldo fiton Topin e Artë për herë të dytë në karrierën e tij, duke e mposhtur kështu Mesin, i cili e fitoi këtë trofe plot katër herë radhazi. Ngjarjet sportive Botërore pasuan në muajin shkurt me Lojërat Olimpike Botërore që u zhvilluan në Sochi të Rusisë, në NBA LeBron James bën një rikthim historik, duke u transferuar nga Miami te Klevelandi. Por, spikat Reali i Madridit në muajin maj teksa  arrin të fitojë finalen e Ligës së Kampionëve kundër Atletiko Madridit. Do të vazhdohet me atmosferën sportive Botërore me Kampionatin Botëror të futbollit, ku fituese doli Gjermania. Nuk mund të mos kujtohet si event i vitit 2014 ai vallëzimi i Usain Boltit me tifozët, para dhe pasi fitoi garën në 4X100 metra. Më pas, njëra nga befasitë më të mëdha në historinë e tenisit ishte ajo kur tenisti zviceran Vavrinka, i cili arriti krejtësisht papritur të fitojë turneun Grand Slam ‘Australian Open’ kundër legjendës spanjolle, Rafael Nadal. Në muajin gusht në Monako, Kristiano Ronaldo arrin që të shpallet si futbollisti më i mirë në Europë nga UEFA, ndërsa Lionel Messi arrin që në muajin nëntor të shpallet golashënuesi më i mirë në historinë e La Ligas, pasi tejkaloi rekordin e mbajtur nga Telmo Zarra, me 251 gola të shënuar. Pasi fituan Ligën e Kampionëve dhe Superkupën Europiane, më 20 dhjetor, skuadra e Real Madridit arriti ta sundojë edhe botën, duke fituar finalen e Kupës së Botës për Klube ndaj skuadrës San Lorenzo të Argjentinës. Parë kështu bardhezi, sporti në vitin 2014 tregoi oshilacione të dukshme në të dy kahet e tij, të cilin gazeta “Telegraf” me këto radhë e solli për nostalgji dhe respekt.

Admir Mehmedi, goli i parë shqiptar në Botërorë

Në Botërorin që u luajt në Brazil në periudhën qershor-korrik, të veçantat ishin të shumta, aq sa fitorja e thellë 7-1 e Gjermanisë ndaj Brazilit i kaloi të gjitha pritshmëritë dhe theu historinë e 5 herë kampionëve të botës, Brazilit. Por për Kombin shqiptar në këtë Botëror, një tjetër moment ishte mëse i veçantë. Futbollisti Admir Mehmedi shkruan historinë, pasi bëhet lojtari i parë shqiptar që arrin të shënojë gol në Kupën e Botës. Ai këtë gjë e bëri për Zvicrën, më 15 qershor duke shënuar gol në takimin kundër Ekuadorit. Nga ky moment, për shqiptarët nuk do të jenë më “tabu” kampionatet Botërorë, dhe jo vetëm për pjesëmarrje, por edhe si protagonistë.

  Në Beograd, serbët na shanë, na rrahën dhe… UEFA u dha tri pikët!

Pas dhunës që u ushtrua në ndeshjes Serbi-Shqipëri, ndoshta e gjithë Shqipëria është ndjerë e fyer, por edhe e nënvlerësuar si Komb, pas vendimit skandaloz që dha UEFA në lidhje me ndeshjen e 14 tetorit Serbi-Shqipëri. Makinacionet e paralajmëruara ditë më parë nga presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, i bëri realitet Komisioni i Disiplinës në UEFA, i cili me vendimin që dha, tregoi se vetëm drejtësi nuk di të japë. Me këtë vendim UEFA e tregoi veten të barabartë me racizmin në stadiumin e Beogradit, dhe po këtë “valle” hodhi Komisioni Apelit. Kësisoj edhe besimi te Europa ka pësuar një rënie jo vetëm te shqiptarët, por edhe te ndërkombëtarët që këtë e kanë quajtur edhe skandal.

 Peshëngritja e dopuar, fenomen me shqiptarët

Peshëngritja i dha një goditje të rëndë atmosferës sportive shqiptare për vitin 2014pasi 4 peshëngritës, Kampionë Bote dhe Kampionë Europe, dalin pozitivë në përdorimin e substancave të ndaluara, me doping. Kjo ndodhi edhe pas testit “B” anti-doping me Romela Begën, Kampione e Botës për tri javë kalendarike, ndërsa nuk mendohet se do të ketë ndonjë lajm të mirë në këtë aspekt për Daniel Godellin e Hysen Pulakun. Dhe jo vetëm dopingu është ai që zbeh vlerat dhe arritjet e shtangës sonë për vitin 2014, por më shumë titujt e mëdhenj si Kampionë Bote e vrasin deri në palcë atë. E thënë më troç, kjo peshëngritje që del e zbuluar nga ky doping që nuk fshihet as edhe në palestrat greke të peshëngritjes.