Agron KAJA/ Spektakli në politikë, duartrokitjet në futboll

59

KOMENT/ Aktualiteti shqiptar i “ndotur” nga skorjet e së shkuarës dhe i shpërfillur nga sportet

Këto ditët e para të marsit 2015, veç kohës shumë vibrante në temperatura e lagështi, do të mbahen mend edhe për sfidën që sportet i bënë këtij sfondi gri me erën e zakonshme të zamallahive të politikës së viteve të shkuara. Dhe jo vetëm sporti, por i gjithë ambienti qytetar shqiptar pas ngjarjeve politike të ditëve të fundit, duket se jo vetëm që e shpërfill atë duke qëndruar kështu, por i kërkon politikës së ditës që të jetë më shumë vizionare dhe reale me jetën e përditshme të tyre. Natyrisht që ky është një spektakël me regji politike, por që realisht mbytet nga atmosfera sportive si sfida më LIVE e qytetarisë shqiptare në 25 vitet e fundit. Ky spektakël që ka pushtuar ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave të përditshme në Shqipëri, nuk ka mundur ta bëjë këtë me ekranet dhe faqet e shtypit të shkruar sportiv në vendin tonë. Trajtuar kështu në këto radhë, ndoshta mund të lexohet sikur jemi duke trajtuar ndonjë temë politike në versionin sportiv. Përpos indiferencës për këtë politikë që edhe sportin po e mban peng në indietro me kohën, këto radhë janë protesta më e kulturuar që i bëri futbolli shqiptar kësaj situate, pasi nga data 1 mars që ishte ditë e diel dhe deri, dje më 6 mars 2015, ku kanë nisur përgatitjet për festat tradicionale të 7 dhe 8 marsit, në stadiume e fusha futbolli topi ka bërë rrotullimet pambarim të tij nëpër këmbët e futbollistëve dhe në rrjeta portash. Kategoria Superiore luajti të dielën e 1 marsit ndeshjet e javës së 24-t, luajti në mesjavë ndeshjet e javës së 25-të, e njëherësh do të luajë ditën e diel, më 8 mars, ndeshjet e javës së 26-të. Në këto ditë luajtën edhe nivelet e tjera të futbollit tonë, që kësisoj tregojnë se sporti në misionin e tij e di mirë se si ta sfidojë motin politik dhe atë atmosferik të ftohtë e me reshje shiu. Kjo është sjellja më e mirë që mund të ndodhte në qiellin gri politik, por duhet thënë se gjatë kësaj jave edhe në sport ka pasur problematikë, me të cilën futbolli ynë ka vite që vegjeton e bashkëudhëton në rrugën e tij jo fort të qartë e të sigurt. Duke ju referuar ndeshjes së javës së 25-të të Kategorisë Superiore, Partizani-Flamurtari 2-1, kujtojmë se janë hedhur akuza për trukim nga skuadra e Flamurtarit dhe këtë më së shumti e kanë bërë drejtuesit më të lartë të skuadrës vlonjate. Duke e vëzhguar në këndvështrimin e tyre, ata akuzojnë se kjo ndeshje është trukuar nga disa futbollistë të skuadrës që ata drejtojnë,  e për këtë kanë bërë edhe një denoncim në prokurorinë e Vlorës, ku edhe indiciet e para kanë treguar nën zë se futbollistët e Partizanit u kishin thënë disa lojtarëve të Flamurtarit se dihej rezultati i kësaj ndeshjeje. Natyrisht që kjo sëmundje e vjetër në futbollin tonë, e ndodhur padrejtësisht mes atyre minutave lojë që janë luajtur e do të luhen në këtë javë të parë të marsit 2015, nuk mund të lihej pa u përmendur. Sepse kur e themi që në titull se, pas spektaklit në politikë duartrokitjet janë në futboll, këtu nuk mund të ndahen minutat e luajtura në fushë dhe minutat e gatitura në tavolina e në skedina bastesh. E kësisoj, do të kemi edhe këtu hallakatje në prokurori e në gjykata, të cilat futbolli nuk i ka në misionin e tij, por i janë ngjitur atij nga infeksioni që ka e gjithë situata politike në vendin tonë. Gjithsesi, futbolli do të luhet të dielën, ku në javën e 26-të veçohet si e rëndësishme përballja direkte për titullin kampion, Kukësi-Tirana. Me një ndeshje më pak, bardheblutë do të kërkojnë përmbysjen në Kukës, por që e dinë mirë se aty nuk do të gjejnë parajsën. Aty luhet vazhdimësia për kreun e renditjes, ndaj kjo është kryesfida e javës së 26-të, por njëherësh, në të tilla përmasa vlerësimi është edhe përballja e Vlorës mes Flamurtarit e Skënderbeut. Jo vetëm se luajnë dy nga skuadrat më të mëdha të futbollit tonë, porse skuadra korçare vetëm me 1 pikë larg Kukësit në renditje, do të kërkojë të përfitojë edhe nga situata jo fort e mirë në kampin vlonjat pas asaj ndeshje me Partizanin, të dyshuar për trukim. Nga ana e tij, Partizani ndoshta udhëton i qetë në Shkodër, për vetë pozicionin pa interes që Vllaznia ka në renditje, ndërsa në Fier do të jetë një sfidë mbijetese midis Apolonisë e Teutës. Pas fitores 1-0 në Elbasan në mesjavë, skuadrës fierake i janë ngjallur shpresat për mbijetesë, duke menduar që në Elbasan më favorite për tri pikët do të jetë skuadra e Laçit. Kjo është panorama futbollistike superiore, e cila në majën e këtij muaji do të kulmojë me ndeshjen Shqipëri-Armeni, e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2016”, e cila do të luhet në “Elbasan Arena” më 29 mars 2015, ora 18:00. Ky është realiteti sportiv që sfidon grinë e politikës së ditës në Shqipëri. Spektakli në politikë, duartrokitjet në futboll!

 NDESHJET-JAVA E 26-të

Nesër, datë 8 mars 2015

Elbasani-Laçi                 14:00

Apolonia-Teuta              14:00

Vllaznia-Partizani          17:00

Tirana-Kukësi                17:00

Flamurtari-Skënderbeu  18:00

 RENDITJA

Skuadrat              Nd     Pikë

1.Kukësi               25      52

2.Skënderbeu        25      51

3.Tirana                24      47

4.Partizani            24      47

5.Laçi                   24      41

6.Flamurtari         24      34

7.Vllaznia             25      27

8.Teuta                 25      19

9.Elbasani            25      13

10.Apolonia         25      13

Dy sportistë në Europianin e Peshëngritjes, Qerimaj dhe Brahja

Do të jenë vetëm dy sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që do të zhvillohet nga data 10 deri më 18 prill, e këta dy sportistë janë Erkand Qerimaj, kampioni në fuqi dhe Shqiponja Brahja. Ky turne do të mbahet në Tbilis të Gjeorgjisë. Në fakt, pjesëmarrja e sportistëve dukej pothuaj e pamundur, nisur nga dyshimet se regjistrimi nuk ishte bërë në kohë nga Federata jonë e Peshëngritjes, por në fakt ka qenë vetë federata që ka bërë të ditur pjesëmarrjen në këtë turne. Përveç përfaqësimit dhe dëshirës për të marrë trofe, ky turne mund të shërbejë edhe për të rritur disi imazhin e peshëngritjes shqiptare, që u përbalt nga rastet e dopingut në Kampionatin e fundit të Botës në Kazakistan.

 Disiplina “kryqëzon” Skënderbeun, ndeshja me Vllazninë do të jetë pa tifozë

Mbledhja e djeshme e Komisionit të Disiplinës ka hedhur sytë edhe një herë në shkeljet që u bënë javën e 25-të të Superligës, ku vëmendjen kryesore e mori ndeshja Skënderbeu-Tirana, ose më saktë, tifozët e Skënderbeut që nuk kursyen shishet në drejtim të futbollistëve miq, duke i gjuajtur ata gjatë zhvillimit të takimit. Në lidhje me këtë, Disiplina për sjelljen e gabuar të tifozerisë korçare, u dënua me një ndeshje pa tifozë, ndeshje kjo që do të luhet ndaj Vllaznisë, javën e 27-të të kampionatit. Duke parë formën jo shumë të mirë të Vllaznisë, nuk pritet që të ketë ndonjë ndikim shumë të madh tek skuadra mosprania e tifozëve, në mbështetje të tyre. Skënderbeu ka qenë skuadra e vetme që ka marrë dënim nga Komisioni sa i përket Superligës, por nuk kanë ngelur pas ligat e tjera, e në rastin e Kategorisë së Parë, kanë marrë vetëm paralajmërim ekipi i Tërbunit dhe i Mamurrasit, që po për shkak të sjelljes së gabuar të tifozerisë së tyre, në rast përsëritje, do të dënohen nga Komisioni. Sa i përket ekipeve dhe tifozerive të tjera, asgjë nuk ka shkuar keq, nëse flitet për sjellje, duke e bërë një javë sa më të lehtë këtë për Komisionin e Disiplinës.

 Naser Aliji pajiset me pasaportë shqiptare, gati për Armeninë

Futbollisti më i ri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit do të jetë Naser Aliji, mbrojtësi shqiptar që luan për skuadrën e Vaduzës në Superligën e Zvicrës. Dje u konfirmua edhe nga një përfaqësues i FSHF në Zvicër që Aliji është pajisur me pasaportë shqiptare, pasi Presidenti Nishani ka dekretuar dhënien e shtetësisë shqiptare, futbollistit. Ky është një lajm i mirë për Kombëtaren tonë, që tani në momentet më delikate sa i përket kualifikimit, po i shtohen dhe element të rinj në përbërje, ku aftësitë e Alijit janë të padiskutueshme dhe do të sjellë një tjetër forcë në mbrojtje. Vetë mosha e tij e re, 21 vjeç, flet shumë për të ardhmen që e pret Kombëtaren tonë, që aktualisht kualifikimin për në Europian e sheh më afër se kurrë.