Agron KAJA/ Shqipëria pa kupë Federate, Europa ka edhe kupa provincash

557
Jemi në dy javët e para të sezonit të ri futbollistik 2015-2016 për Kategorinë Superiore shqiptare, ndërkohë që edhe në shumë shtete të tjerë anëtarë në UEFA i kanë luajtur 4-5 javët e para në kampionate dhe eliminatoret e para në Kupat respektive. Por, në këtë periudhë kohe kur nga njera anë shikon në TV apo edhe lexon në faqet e ndryshme të internetit se në pjesën më të madhe të këtyre shteteve evropiane luhet edhe për një kupë të federatës së tyre të futbollit, dhe në anën tjetër kur sheh se ky eveniment në futbollin shqiptar mungon, një fakt i tillë të detyron të mendosh atë që thuhet shpesh në media: në FSHF-në tonë ose ka mungesë dëshire për t’i dhënë sa më shumë hapësirë futbollit kombëtar, ose ka mungesë të menaxhimit kohor të këtij futbolli që në Shqipëri po mbetet gjithmonë i brishtë. Kështu, mbi këto hamendje që nuk janë pa gjë, ndërkohë që teknikisht në botën e zhvilluar me futbollin kupa të tilla luhen me seriozitet, pasi aty të gjithë skuadrat nisin kolaudimet për sezonin e ri. Madje për ta mbajtur këtë ngarkesë në tonusin e duhur, në shumë shtete në Europë dhe në Botë janë krijuar Kupa të ndryshme promocionale, dhe kështu ndodh aty ku futbolli është më lart se sa në Shqipëri. Po pse të mos lindë edhe një pyetje e tillë, si: po këta zyrtarët tanë që merren me topkëmbën, pse nuk e krijojnë një mundësi të tillë?
Kërkesat për Kupën e FSHF-së
Që një federatë të organizojë kupën e saj kjo është “A”-ja e identitetit të një institucioni futbolli kombëtar, po çfarë kërkon për Shqipërinë organizimi i kësaj kupe? Së pari: Një kupë e Federatës Shqiptare të Futbollit kërkon burime njerëzore më të kualifikuar dhe struktura më profesionale në këtë federatë. Sepse ka shumë probleme me kampionatet e ndryshme, pse jo edhe me Kupën e Shqipërisë dhe po të shtohet edhe kjo Kupë, atëhere do të kishim “mal” me probleme me përbërësit aktualë që ka kjo federatë. Ky është njëri nga faktorët që FSHF-ja ndoshta nuk ka guxuar me kohë që të organizojë një veprimtari të tillë kaq prestigjioze. Së dyti: Organizimi i një veprimtarie të tillë kërkon edhe burime financiare, të cilat për hir të realitetit, federatës sonë të futbollit nuk i mungojnë. Sepse kjo veprimtari, ashtu sikundër edhe kampionati apo Kupa e Shqipërisë, si e gjithë bota e futbollit, duhet të ketë mbështetësit e saj financiarë, që në gjuhën e sotme quhen sponsorë. Kupa e Federatës e mbështetur financiarisht nga kompani të ndryshme të biznesit shqiptar, pse jo edhe nga ai i huaj, bëhet një eveniment sa popullor aq edhe i domosdoshëm në të tilla kushte financimi. Së treti: Të organizosh një Kupë federate, ndoshta duhet të ndeshesh ashpër me infrastrukturën e dobët që ekziston në pjesën më të madhe të skuadrave të futbollit në futbollin tonë në të gjitha kategoritë e tij. Pra, në rast se këta tregues vijnë në përmirësim gradual në raport me kohën, atëhere edhe një Kupë e Federatës Shqiptare të Futbollit bëhet pjesë e këtij gradualiteti pozitiv në futbollin tonë.
Efektet që sjell Kupa e FSHF-së
Po çfarë sjell në futbollin tonë organizimi i një veprimtarie të tillë? Së pari: Futbolli ynë njeh më shumë ndeshje zyrtare brenda tij dhe profesionalizmi i kategorive rritet edhe më shumë. Së dyti: Kjo veprimtari mund të shtrihet gjeografikisht shumë gjatë, brenda të gjithë vitit kalendarik sportiv, që do të përfshinte të gjithë aktorët e garës që FSHF-ja ka në strukturat e saj. Së treti: Investimet që skuadrat tona të futbollit bëjnë në periudhën verore e dimërore duke emigruar në Malin e Zi, në Maqedoni apo në Kroaci, do të ishin këtu, duke bërë njëherësh dy efekte, mbajtjen e niveleve të mira të të ardhurave ne skuadrat respektive, por edhe livrimin e tyre në vendin tonë duke zbutur sado pak problemet sociale që bashkëudhëtojnë tash 23 vjet në Shqipëri. Efekti më pozitiv i organizimit të një Kupe të FSHF-së do të sjellë trajtimin më ndryshe edhe nga ana e UEFA-s, e cila kështu do t’i hapë më shumë rrugët e pjesëmarrjes në kupat e saj për futbollin shqiptar. Sepse futbolli rritet kur ka sa më shumë evenimente brenda tij, por edhe pasurohet kur të gjitha këto platforma vihen në funksion së bashku me biznesin.
Realiteti me Kupa të ndryshme
Pas vitit 1990 në futbollin shqiptar kanë lindur shumë organizime kupash lokale me emra futbollistësh dhe institucionesh, të cilat nuk janë brenda strukturave të FSHF-së. Si të tila ato nuk shprehin vullnetin e institucionit shqiptar të futbollit, kështu që edhe efektetet teknike të tyre për futbollin në të gjitha nivelet kombëtare nuk janë ato që kërkon koha në standardet që ky futboll ndeshet në Europë. Që të ketë sa më shumë veprimtari të ndërmjetme rajonale e Kombëtare, këtë e pranon vetë futbolli, por në mbyllje të këtyre radhëve le të pyesim së fundmi: Pse nuk kemi një Kupë të FSHF-së?!
Shtete me Kupa të Federatave
ITALIA
ANGLIA
SPANJA
FRANCA
HOLANDA
DANIMARKA
NORVEGJIA
GREQIA
Kupa në futbollin shqiptar, para vitit 1990
Kupa e Republikës
Është Kupa e cila ka rezistuar që nga viti 1938, ku për herë të parë është fituar në nga skuadra e Tiranës, duke hyrë në histori si fituesja e parë e saj. Organizatorët ishin drejtuesit e FSHF-së, institucion ky që atëherë ishte vullnetar dhe më pas filloi të varej nga shteti, duke mos qënë një organizatë e pavarur. Realisht, Kupa e Shqipërisë vlerësohet në Evropë me pjesëmarrjen në UEFA Europa Ligë.
Kupa “Sporti Popullor”
Kupat me emrin e gazetave të ndryshme të kohës organizoheshin çdo vit, para fillimit të sezonit futbollistik. Këtu merrenin pjesë skuadrat e Kategorisë së Parë të ndara në dy grupe. Më pas kupa të tilla u pasuan edhe nga redaksi të gazetave të tjera të kohës si “Bashkimi”, “Puna”, “Mësuesi”, etj, deri në vitin 1990.
Kupa e Kryeqytetit
Kjo ka qënë kupa e vetme që organizonte FSHF-ja, në të cilën merrnin pjesë tre skuadrat nga kryeqytetit, Tirana, Partizani dhe Dinamo duke ftuar edhe një skuadër rrethi si Vllaznia, Elbasani, Teuta, etj. Kjo kupë zgjaste vetëm një ditë, sepse ndeshjet zhvilloheshin me eliminim me nga 30 minuta një pjesë loje.
Kupa “11 Janari”
Ka qënë më shumë një kupë që luhej në kryeqytet gjatë periudhës së dimrit, para datës 11 janar që është edhe dita e shpalljes së Republikës së Shqipërisë. Në këtë Kupë luanin vetëm tre skuadrat e Tiranës, ku edhe kjo zhvillohej vetëm në një ditë me ndeshje eliminimi me kohë të reduktuar loje.
Kupa e Paqes
Kjo ka qënë një kupë shumë e veçantë dhe e përvitshme, e cila organizohej vetëm para fillimit të sezonit futbollistik. Organizatorë ishin drejtuesit e Komitetit për Mbrojtjen e Paqes dhe ngjyrat e kësaj kupe një ditore ishin më shumë politike se sa më përfitim profesional. Gjithsesi ishte një kupë e kohës.
Atmosferë kuqezi
De Biazi: Me Danimarkën, ndeshja e jetës
Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, italiani Xhani De Biazi (alias Gani Abazi), nuk ka munguar të shprehë emocionet e tij në prag të dy ndeshjeve eliminatore të “Euro 2016” kundër Danimarkës më 4 shtator në stadiumin “Parker”në Kopenhagen, dhe kundër Portugalisë më 7 shtator 2015 në stadiumin “Elbasan Arena”. Në faqen e internetit fifa.com, De Biazi ka vlerësuar maksimalisht dy ndeshjet e radhës në Grupin I eliminator të Evropianit, ndërsa atë me Danimarkën e ka quajtur si ndeshjen e jetës për kombëtaren shqiptare. “Ne jemi krenarë për atë që po bëjmë me skuadrën. Rruga drejt Francës është e gjatë dhe me të papritura, por ne të gjitha ndeshjet do ti marrim me radhë. Së pari, më 4 shtator ndeshjen me Danimarkën do ta quaja si “ndeshja e jetës” sa i përket kualifikimit tonë direkt në Europian dhe aty do të kërkojmë maksimumin. Kërkojmë të jemi skuadra e dytë në grup dhe ky objektiv do të na e bëjë sa të vështirë, aq edhe të bukur rrugën deri në mbylljen e ndeshjeve në grup”, kështu ka deklaruar dje trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit në prononcimin e tij në portalin fifa.com. Ky synim duket edhe si një dozë euforie për një rezultat pozitiv edhe për tifozerinë kuqezi, e cila në stadiumin e Kopenhagenit pritet të jetë e madhe në numur (thuhet se do të jenë mbi 4 mijë vetë).
RENDITJA/ GRUPI I
Skuadrat Nd Pikë
1.Portugalia 4 9
2.Danimarka 4 7
3.Shqipëria 4 7
4.Serbia 4 1
5.Armenia 4 1
Ndeshjet e mbetura të Shqipërisë
4 shtator 2015
Danimarkë-Shqipëri 20:45
7 shtator 2015
Shqipëri-Portugali 20:45
8 tetor 2015
Shqipëri-Serbi 20:45
11 tetor 2015
Armeni-Shqipëri 18:00
Sigal