Agron Kaja/ Qeveria fiton “bastin” me “batakun” në infrastrukturën sportive

480
Java që u mbyll, ndoshta mund të quhet edhe si një javë sportive me kulminacione të brendshme e të jashtme. Ajo nisi me muaj të ri, por njëherësh nisi me lajmin e projektit të ri të Parkut Olimpik Sportiv në Shqipëri, ndërsa u mbyll me finalen e Ligës së Kampioneve Juventus-Barcelona. Por, duke ju referuar kryesisht lajmit të parë, që për shqiptarët është më shumë se sa një lajm, me shpalosjen ditë më parë të projektit të ri të Parkut Olimpik Sportiv, le të themi se më në fund edhe sportet në Shqipëri e gjetën semaforin jeshil në infrastrukturë. Ndoshta ky mund të ishte një titull që realisht ka sfiduar kohërat e vështira për sportin shqiptar ndër vite, sepse më në fund ëndrrat e qindra e mijëra sportistëve shqiptarë që kanë shkruar historinë tonë sportive ndër vite, të hënën e 1 qershorit 2015 startuan drejt bërjes realitet. Kjo datë do të jetë e veçantë jo vetëm për festimin e festës tradicionale të fëmijëve, por tashmë edhe për sportin tonë cilësor shqiptar dhe për sportistët tanë elitarë.
E thënë më sinqerisht, kjo datë troket më shumë se një lajm i mirë dhe vjen në kohën e duhur për të trazuar ujin e ndenjur ku “noton” aktualisht infrastruktura sportive në vendin tonë, pse jo, edhe atë ujë të ndenjur ku janë zhytur disa sporte të traditës. Të hënën e kësaj jave që mbyllëm, Kryeministri Rama ka vënë në tregun sportiv bastin e dyfishtë: së pari, si i pari i shtetit shqiptar që sportin e ka për detyrë ta ndihmojë e ta përkrahë, e së dyti edhe si një ish-sportist që sportin e di ta përkthejë në vlerë. Dhe me projektin e ri të Parkut Olimpik Sportiv, këtë bast teorikisht qeveria aktuale shqiptare e ka të fituar, nëse në treguesin “infrastrukturë” do të krahasojmë periudhën e para viteve ’90-të me periudhën e 23 viteve të fundit. Dukshëm, mes tyre ka diferenca të mëdha, pasi në atë sistem të kaluar që në këto 23 vite është sharë e fyer, u bë diçka për infrastrukturën sportive. Ndërsa me projektin e ri të Parkut Olimpik Sportiv, realisht le të themi se deri më 1 qershor 2015 fjalët për infrastrukturën sportive në Shqipëri kanë qenë të fokusuara vetëm për ndonjë stadium a pallat sporti të amortizuar, për sporte e federata sportive që punonin e përgatiteshin nëpër skuta në shkallët e stadiumeve apo në ndërtesa pa lidhje me sportin. Jo vetëm kaq, por kjo infrastrukturë e dalë kohe ka qenë një kamare shtegtimi për shumë talente të sportit shqiptar, kryesisht në dy dhjetveçarët e fundit, të cilët ngrenë lart flamujt e shteteve ku infrastruktura sportive ju përgjigjet kërkesave e niveleve të tyre sportive dhe ekonomike. 
Në këtë periudhë, fjala për infrastrukturë sportive ka qenë e përkthyer vetëm me fushat e stadiumet që ka rikonstruktuar FSHF-ja, vetëm me ato objekte sportive që kanë ndërtuar individë të ndryshëm, për interesa vetjake, ose jo. Dhe vetëm kaq, prandaj ky Park Olimpik troket në këtë moment si një rrëzim i “murrit të Berlinit” në sportin shqiptar sa i përket infrastrukturës, duke thënë njëherësh se politikat sportive të zbatuara nga politikanët shqiptarë kanë qenë në vizione të ngushta, kanë qenë politika elektorale jashtë konkretes. Kësisoj, me Parkun e ri Olimpik do të ndjehemi krenarë sepse Shqipëria sportive do të hyjë më komfrote në tregun e rezultateve të mëdha në Botë dhe Europë. Me këtë infrastrukturë që lançohet për t’u ngritur, të paktën nuk do të jemi në atë situatë kryeministrash e kryeparlamentarësh që kur kishte ndonjë ndeshje të madhe kombëtarja e futbollit, e lidhnin një shall kuq e zi në qafë dhe prej aty kërkonin të belbëzonin fjalët e para të fushatës së tyre elektorale. Jo! Sporti të lexon mirë dhe Rama së bashku me Metën (të dy ish-sportistë), këtë lexim e dinë mirë se sa me vlerë del. 
Sepse ky Park Olimpik që do të ndërtohet sot është një fat i madh për sportin tonë, kur rikujtomë gati dhjetë vite më parë që disa politikanë tribunash e pazareve, gjithë territorin e Kompleksit Sportiv “Dinamo” ku do të ndërtohet Parku i ri Olimpik, e kishin në projekt për një park pallatesh shumë katëshe, biznes me djersën e gjakun e historisë sonë sportive. Ndërsa me këtë projekt edhe politikat sportive duhet të marrin drejtim tjetër të ri dhe modern, çka do të thotë se disa vite më vonë nuk do të ndjehemi ne më inferiorët e Ballkanit në këtë tregues. Këto, dhe të tjerë detaje e bëjnë këtë Park Olimpik si lajmin më të prekshëm të atmosferës sportive në vendin tone. Natyrisht që ky Park Olimpik nuk është pronë e qeverisë, nuk është vetëm i sportistëve dhe i trajnerëve të tyre. Ai është Parku Olimpik Shqiptar, e kësisoj, këtu kanë pjesë të gjithë aktorët e faktorët e tregut sportiv dhe atij mediatik, aty është fytyra e Shqipërisë sportive.
Sigal