Agron KAJA/ Pse lëngoi Tirana, nuk humbi gara!

93

KAMPIONATI/ “Kësti i parë” i sezonit 2013-2014 mbyllet me tregues interesante

Më në fund, kjo pjesë e parë e sezonit futbollistik 2013-2014 u mbyll duke na lënë pas 16 javë të mbushura me dukuri, të cilat sikundër ikën, treguan se futbollin e kanë zënë “për fyti” dhe nuk duan që t’i shqiten atij vit pas viti. Kjo është e natyrshme për topkëmbën, por kur kujton se nga këto 16 javë të luajtura kemi lënë pas një panoramë shumëngjyrëshe me 1440 minutat zyrtare të luajtura dhe me një shportë me 195 gola të shënuar nga 90 futbollistë, 18 prej të cilëve janë futbollistë të huaj, patjetër si fillim duhet thënë një “BRAVO”, edhe pse ne…! Do të ecim në këto 16 javë, në të cilat kishte edhe shumë kartonë të verdhë e të kuq, aty ku kishte edhe gjykime ashtu-kështu, njëherësh, aty ku kishte edhe protesta dhune (si zakonisht jashtë fushës), e këto dukuri të rrokullisura së bashku mbyllën edhe tabelën e renditjes. Por kësaj tabele i duhet kushtuar një vëmendje më e madhe në këndvështrimin e pjesës së parë të sezonit futbollistik në vazhdim, sepse veç të tjerave, si asnjëherë tjetër në 40 vitet e fundit futbolli elitar shqiptar nuk e ka parë renditjen kaq të trishtë me Tiranën në vendin e fundit. Pas edicionit 1972-1973 kur Tirana luajti një finale me Apoloninë për të qendruar në Kategorinë e Parë dhe e fitoi, skuadra kryeqytetase në 73 kampionatet e tjerë që ka marrë pjesë ka njohur vetëm majat e renditjes. Është kjo skuadër e madhe që mban rekordin e titujve të fituar me 24 të tillë, ndërkohë që sot është kjo Tiranë që po noton në ujërat e rënies nga kategoria. E nëse për të udhëtuar nëpër korridoret e 16 javëve të para të këtij sezoni duhet më shumë kohë e radhë në gazetë, natyrisht që në mesin e tyre do të na duhet të qëndronim paksa më gjatë tek skuadra bardheblu. Është e veçantë kjo gjendje edhe për ne gazetarët sportivë të kohës, pasi si asnjëherë tjetër nuk ka ndodhur që të nisim belbëzimet tona mikrofonike e radhët në faqet e gazetave me keqardhjen se Tirana ndodhet në vendin e fundit të renditjes në Kategorinë Superiore për gjysmën e parë të sezonit 2013-2014. Shtohet kjo keqardhje faktike, pasi si asnjëherë tjetër në vitet e Tiranës në futboll nuk ka ndodhur që sipër saj në renditje të jenë skuadra si Kukësi, Laçi, Bylisi, Lushnja apo Kastrioti, të cilat edhe të marra së bashku nuk arrijnë dot të hyjnë në njërën nga qoshet e historisë futbollistike të Tiranës në vite. Nga ana tjetër, edhe tifozët bardheblu si asnjëherë tjetër në këtë histori nuk janë turpëruar nga skuadra e tyre sikundër në këto 16 javë të sezonit në vazhdim. Në gjithë këto vite, tifozët e Tiranës kanë qenë dekori më brilant i tifozerisë futbolldashëse në Shqipëri, shpesh edhe jashtë kufijve të saj. Këtë performancë janë munduar ta bëjnë edhe në 16 javët e luajtura, por shpirti i tyre “Fanatiks” nuk është më në standardin e zakonshëm e sot ata po “qajnë” 16 javët e “zeza” që Tirona e tyre la pas! Sepse edhe nuk e kanë menduar ndoshta, por që po e besojnë faktin se, skuadra e Tiranës 24 herë kampione e Shqipërisë sot diskuton mbijetesën në Kategorinë Superiore. Dhe nëse këto 16 javët e para të Kategorisë Superiore do t’i “kruanim” edhe më shumë, natyrisht që prej andej mund të nxirren të tjera “të palara” që Tiranën e sotme e kanë “salduar” me meritë aty ku e mbylli, në vendin e 12-të me 12 pikë. Duke mos i nënvleftësuar këto tregues negativë të Tiranës 2013-2014, të cilët lanë gjurmën më të errët në kolorin bardheblu të 75 kampionateve të luajtura, le të kalojmë në anën tjetër të medaljes së saj, në “PSE”-në e kësaj gjendjeje. Edhe nëse i madhi Sterjo Spasse do të ishte gjallë dhe në romanin e tij “PSE” do të fliste edhe për SK Tiranën, nuk do ta kishte gjetur fillimin e mbarimin e mangësive të saj me këtë pyetje. Por, ajo PSE-ja e ka një nisje, e cila zë fill në korridoret e Bashkisë së Tiranës, në këtë institucion të pushtetit vendor në kryeqytet ku skuadra e Tiranës ka “nën’ e babë”, në aspektin administrativ e financiar të saj. Sepse ishin këta dy elementë të rëndësishëm që nuk u menaxhuan si duhet që në startin e sezonit, prej të cilëve buroi edhe uji i ndenjur ku Tirana po “lahet” në fundin e tabelës së renditjes. Për të thënë më shumë PSE, mundet të jetë edhe e tepërt, sepse pas gjithë kësaj panorame gri të Tiranës duhet thënë se gara në Kategorinë Superiore ka vazhduar dhe harta e gjeografisë elitare të futbollit tonë është shpërndarë me të mëdhenj të tjerë, por edhe me të vegjël, të cilët së bashku kanë plotësuar 12-shen e skuadrave pjesëmarrëse. Kjo tregon se, edhe pse lëngon Tirana gara nuk ka humbur. Përkundrazi, ajo ka vazhduar edhe më e ashpër edhe për faktin se aty nuk është më në komandë “Zonja e vjetër”. Skuadrat e tjera: Skënderbeu, Partizani, Teuta, Flamurtari, Vllaznia e Besa tashmë “hesapet” e tyre janë duke i bërë pa Tiranën e dikurshme, por hapësira pa kampionat deri më 1 shkurt 2014 do të sjellë ndryshime të reja tek skuadrat e Superiores, bashkë me Tiranën, e në fundin e kampionatit ndoshta nuk do ta nisim me këto radhë komentin e përfundimit të tij. Deri atëherë, Tirana me të tjerat kanë kohë të gjejnë veten.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

1 shkurt 2014

Besa-Laçi

Bylis-Flamurtari

Partizani-Kukësi

Kastrioti-Tirana

Teuta-Lushnja

Skënderbeu-Vllaznia

RENDITJA

1    Skënderbeu      16   +12  33

2    Partizani       16   +3   26

3    Kukësi          16   +1   25

4    Laçi            16   +3   25

5    Flamurtari      16   +4   24

6    Teuta           16   +0   24

7    Besa            16   -3   21

8    Vllaznia        16   +1   21

9    Bylis           16   +2   21

10   Lushnja         16   -6   18

11   Kastrioti       16   -6   16

12   Tirana          16   -11  12

GOLASHËNUESIT NË 16 JAVË

9 gola: D. Xhafaj (Teuta), Bushiç (1p) (Vllaznia)

6 gola: Pejiç (Skënderbeu), F. Sefa (Besa)

5 gola: Kuli, Izuçuku (Bylis), Zeqiri (2p) (Flamurtari), Vuçaj (Laçi)

4 gola: Trashi, Canka (1p) (Lushnja), Malo (1p), Hyshmeri (1p) (Partizani), Cikalleshi, Progni (Kukësi), Hajdari (Vllaznia), Gërxho (1p)

3 gola: Meto (Bylis), Muzaka, Shkëmbi (1p), Ribaj  (Skënderbeu), Malindi (Kastrioti), Shtubina (Vllaznia), Allmuça (1p), Popoviç (Kukësi), E. Veliaj (1p), Tanushi (Laçi), Demiri (Partizani)

2 gola: T. Osmani (2p), Mancaku (1p), Murriqi, Nika (Teuta), Ferraj (Kastrioti), Morina, Arapi (Skënderbeu), Dita, Berisha, Batha (Besa), Korreshi (Lushnja), Semedo (Tirana), Brkiç (Laçi), Telushi, Abilaliaj, P. Arbri (Flamurtari), J. Sefa (Kastrioti)

1 gol: Onome, Mitraj, Thana, Maliqi (Partizani), Kuqi, Shehaj, Begaj, Qejvani, Beqiri, Veliu, Mici, L. Shehaj, Lena (Flamurtari), Ahmataj, Mustafaj, Dosti (Teuta), Xhejms, Bakiasi (Bylis), Bizhyti, Bjelkanoviç, R. Sulo, Mihani (Lushnja), Tafili, Semina (Vllaznia), Buljan, Nimani, Kastrati, Ndreca, Ofojeh (Laçi), G. Muça, Cake, Pashaj, Limani (Tirana), Guri, Ramadani (Besa), Radas, Dimo, S. Lilaj, Bici (Skënderbeu), Hoxha, Smajli, Shameti (Kukësi), Abraham, Turdiu, Sheta (Kastrioti)

Autogola: Java e 3-të, Gërxho (Bylis) në favor të Partizanit;

Në 16 javë janë shënuar 195 gola nga 90 futbollistë,

18 janë futbollistë të huaj

Të kuqtë synojnë të realizojnë pesë blerje të mëdha. Pritet merkato intesive dhe nga Tirana

 Peqini dhe Izuçuku te Kukësi, Popoviçi pranë Partizanit

 Merkato ende nuk është hapur zyrtarisht (nis më 1 janar 2014), por disa lëvizje të para janë bërë. Te Skënderbeu po mendojnë rikthimin nga huazimi të Jashanicës, një lëvizje që do t’i jepte mundësinë kampionëve të kishin një futbollist më shumë në dispozicion me nënshtetësinë shqiptare. Ardhja e kosovarit do t’i hapte dyert e largimit njërit prej mbrojtësve të krahut, Tomiç apo Fagu, të cilët duken të pakënaqur me minutat e aktivizimit. Gjithashtu i sigurt duket edhe largimi i Gvozdenoviç. ek Partizani pritet të ketë lëvizje të mëdha, pasi stafi nuk duket i kënaqur nga një pjesë e mirë e futbollistëve. Mazrekaj është futbollisti kyç i të kuqve, që pavarësisht deklaratës së drejtuesve mendohet të mos ketë nënshkruar ende zgjatjen e huazimit. Sulmuesi  Lazar Popoviç pritet të jetë afrim i madh në merkaton dimërore. Serbi i ka kërkuar klubit rritje rroge dhe garanci për formacionin, kjo ka bere qe klubi verior të prishë kontratën dhe ta lërë lojtarin të lirë. Te Kukësi me valixhen në dorë janë Dragoi e Hysa, të pakënaqur me minutat në dispozicion. Nënkmapionët kërkojnë një alternativë në krahun e djathtë për mbrojtësin Smajli. Edhe Davor Bratiç është në prag të largimit nga Kukësi. Në Laç, gjithçka vërtitet rreth të ardhmes së kapitenit Erjon Vucaj. Shkodrani mendon largimin nga kampionati shqiptar, ndërsa kurbinasit hedhin sytë tek futbollistët e pakënaqur tek skuadrat e tjera. Për momentin skuadra më e sulmuar duket Flamurtari, që mund të humbasë shumë futbollistë. Veliu, Dushku, Kuqi, Zeqiri, Telushi dhe Lena janë emrat më të lakuar, edhe pse në Vlorë betohen se asnjë nuk largohet. Problemet financiare mund t’i kushtojnë shumë edhe Besës pasi disa futbollistë të rëndësishëm kanë përfunduar në axhendën e shumë skuadrave. Jashanica mund të rikthehet tek Skënderbeu, teksa rruga e qendërmbrojtësit mund të ndiqet edhe nga Dita, Berisha, Batha e Sefa, që në Superiore kanë tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave. Ndërkohë Tirana përqendron forcat tek rikthimet, duke kërkuar Likën nga Kastrioti dhe Dushkun nga Flamurtari. Në axhendën e Maganit është edhe Mihani i Lushnjës. Përveç largimeve që pritet të jenë të shumta tek bardheblutë, mund të tentohen edhe rikthimet e Gvozdenoviç e Morinës, përveç alternativave të shumta që vijnë nga tregu i huaj.