Agron KAJA/ Pse futbolli nuk e respektoi festën fetare?!

578
Sigal

KOMENT/ Ndeshjet e Superiores dhe të Kategorisë së Parë nuk duhej të luheshin në Ditën e Kurban Bajramit

Mund të duket si një paradoks, por sot, pas 24 viteve të rifutjes së fesë në jetën e shqiptarëve (e ndaluar nga ish-regjimi komunist për 34 vite), kemi një shpërfillje të riteve e të festave fetare nga sfera sportive. Kështu po ndodh në vitet e fundit në një shtet si Shqipëria me shumicë myslimane, sikundër të shtunën në një ditë feste të madhe si Kurban Bajrami, dita e harmonisë, e mirënjohjes e begatisë për çdo besimtar mysliman. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë thuhet se Shqipëria është shtet laik, ku ekzistenca e disa besimeve fetare është detyrim në respektimin e tyre, por ndoshta futbolli nuk e ka “blerë” ende Kushtetutën e Shqipërisë. Dhe, sikur të mos ishte kjo një festë që respektohet edhe nga qindra lojtarë e trajnerë, nga mijëra tifozë që janë besimtarë të fesë myslimane, futbolli vazhdoi vrapin e tij duke mos e lëvizur aspak kalendarin e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë. Në ditën e shtunë, kur festa e Kurban Bajramit kulmonte me madhështinë e saj, shumë besimtarë u privuan duke i lënë në tryezë të gjitha përgatitjet, për t’ju drejtuar 10 fushave e stadiumeve të futbollit në të gjithë Shqipërinë, në të cilat u luajtën 2 ndeshje të Kategorisë Superiore dhe 8 ndeshje të Kategorisë së Parë. Me ato çka u prodhuan në këto ndeshje, që të nisësh një fokus jave në të tilla kushte, në radhë të parë duhet një respekt i veçantë në të tilla raste, atë që FSHF-ja nuk arriti ta bënte dot, e cila ose nuk e kishte menduar më parë këtë kalendar, ose e ka pasur të imponuar nga të tjerë, apo më shumë, ka menduar për ndeshjet e skuadrës sonë Kombëtare më 11 e 14 tetor. Dakord, po le të hyjmë paksa në këndvështrimin teknik e fizik të efekteve që jep një lojtar pasi ka kaluar momente festive në familje e shoqëri, ku edhe mund të ketë përdorur ndonjë pije alkoolike që në këtë ditë feste janë të lejueshme, pse jo, mundet që të ketë konsumuar ushqime të shumta e të pakontrolluara dietikisht. Përgjigja edhe hamendësohet nga gjithkush që e njeh sado pak efektin e pijes alkoolike tek sportistët dhe nga trajnerët që i vendosin ata në fushën e lojës. E nga këta aktorë të lojës së futbollit, me futbollistë që vijnë nga festa të përgjysmuara fetare për shkak të zhvillimit të orarit të ndeshjeve në mesditë, shikuesit në stadium dhe ekrane televizive nuk marrin kënaqësinë në nivele as mesatare, gjë që u reflektua në të gjitha ndeshjet e ditës së shtunë. Ky ishte këndvështrimi fillestar për një moment të tillë edhe keqardhës që ndodh, i cili në kuptimin e tij nuk e pranon të luhet në një ditë feste fetare të ngarkuar me emocione e gjendje fizike të pakontrolluar, ndërkohë që ka edhe një tjetër arsye për të thënë se të shtunën nuk duhet të kishte asnjë ndeshje futbolli zyrtare. Sepse ka edhe arbitra që janë besimtarë, të cilët në ditën e Kurban Bajramit festojnë ashtu sikundër është tradita e zakoni në këtë festë fetare. Dhe ata nuk mund të jenë në gjendje të plotë fizike e teknike që t’i drejtojnë më pas ndeshjet, e nga gabimet e tyre që mund të rrjedhin edhe nga kjo arsye, vijnë ndoshta protesta në fushë, në ndonjë rast edhe në shkallët e stadiumeve. Pas kësaj arsyeje, vjen edhe e fundit në këtë kundërshti për të luajtur ndeshje në ditë festash fetare. Nëse themi se të gjitha fetë në Shqipëri kanë një bashkëjetesë të shkëlqyer, atëherë pjesëmarrja në stadium në të tilla festa mbetet e vakët nga ata që quhen shpesh “Lojtari i 12-të”, sepse do të jenë të angazhuar në adetet e festës. Kështu tifozët “ndërsehen” për t’u larguar nga shkallët e stadiumit, sepse së bashku, pasi kanë drekuar më parë, ndoshta nuk e kanë dëshirën që të zhvendosen në stadium, por edhe ata që shkojnë aty, kur mbaron ndeshja e marrin vesh se cila ishte skuadra e tyre. Pra, në të tilla kushte konkluzioni që vjen nga të gjithë këndvështrimet e quan paradoks mosrespektimin deri në detaje të festës së Kurban Bajramit nga futbolli shqiptar, të cilin në Kategorinë Superiore e “ndëshkoi” duke mos u shënuar as e një gol në dy ndeshjet që u luajtën, me një faturë 2 kartonë të kuq dhe 14 kartonë të verdhë.

Somario

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë thuhet se Shqipëria është shtet laik, ku ekzistenca e disa besimeve fetare është detyrim në respektimin e tyre, por ndoshta futbolli nuk e ka “blerë” ende Kushtetutën e Shqipërisë. Dhe, sikur të mos ishte kjo një festë që respektohet edhe nga qindra lojtarë e trajnerë, nga mijëra tifozë që janë besimtarë të fesë myslimane, futbolli vazhdoi vrapin e tij duke mos e lëvizur aspak kalendarin e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë

 

Kreu i renditjes ndryshon në javën e shtatë me Kukësin që kryeson e vetme

Kreu i “shkrehur” për gola, Kukësi merr komandën

Java e 7-të i luajti të 5-ta ndeshjet e saj në harkun e dy ditëve, ku pas rezultateve që u fiksuan u shënuan 6 gola, nga të cilët 1 me penallti dhe 5 nga loja. Kjo javë i nisi ndeshjet e saj ditën e shtunë me dy takimet “VIP”, Partizani-Flamurtari dhe Skënderbeu-Tirana, katër skuadrat që renditen ndër pesë skuadrat më të mira në 6 javët që ishin luajtur. Pritshmëria për këto dy takime ka qenë e madhe, jo vetëm për një nivel të mirë loje, por edhe për rezultate me gola. Duke ju referuar së pari takimit Partizani-Flamurtari, loja u zhvillua në nivel të kënaqshëm, por ajo nuk prodhoi finalizim të saktë goli, ku mund të thuhet se në këtë takim mbeti mangësia e vetme. Nga ky rezultat nuk përfitoi çifti i mbrëmjes së të shtunës, Skënderbeu-Tirana, ku fitorja për çdo skuadër i jepte kreun e renditjes. Edhe këtu finalizimi në portat përkatëse nuk kishte shënjestër goli, ndërkohë që në këtë ndeshje gjakrat u nxehën në 30 minutat e fundit, gjatë të cilave të dyja skuadrat luajtën me nga 10 lojtarë në fushën e lojës pas daljes me karton të kuq  të Martins për Skënderbeun dhe Bulkut për Tiranën. Për të dyja këto çifte, çudia ishte se të katër trajnerët u shprehën se barazimet ishin rezultatet më të drejta, çka nënkupton se skuadrat rivale kënaqen vetëm me 1 pikë ndaj njëra-tjetrës. Ndërkohë që dje i përveshën mëngët 6 skuadrat që formojnë grupin e pjesës së dytë të tabelës së renditjes, përjashtuar Kukësin e vendit të 5-të, i cili me fitoren minimale 1-0 ndaj Teutës, nga dje është ngjitur në vendin e 1-rë. Skuadra kuksiane e administroi mirë lojën, kërkoi më shumë golin se sa lojën e mirë dhe me kroatin Pejiç gjeti golin tri-pikësh, ndërkohë që edhe vetë Pejiç del në krye të listës së golashënuesve me 4 gola. Teuta luajti mirë, por i mungoi fati për shënim, ndërsa në Laç, skuadra e Vllaznisë së Shkodrës shkatërrohet me një humbje të thellë 3-0, ku spikati nigeriani Xhejms me 2 gola të shënuar në këtë takim. Në Pogradec u ndeshën dy skuadrat e vendeve të fundit, njëherësh edhe debutueset e këtij sezoni në Superiore. Elbasani fitoi 2-0 ndaj Apolonisë, duke shënuar kështu fitoren e parë në 7 javët e luajtura. Kështu, pas këtyre ndeshjeve futbolli merr 15 ditë pushim, pasi dy ndeshjet e Kombëtares për Euro 2016: më 11 tetor me Danimarkën dhe më 14 tetor me Serbinë, do t’u  japin kohë të marrin pak frymë e të rinisin më 18 tetor javën e 8-të.

Ndeshjet-Java e 7-të

Të shtunën, 4 tetor 2014

Partizani-Flamurtari      0-0

Skënderbeu-Tirana        0-0

Të dielën, 5 tetor 2014

Laçi-Vllaznia                 3-0

Kukësi-Teuta                 1-0

Elbasani-Apolonia         2-0

 

 

Nr Skuadra Nd F B H P
1 KF Kukësi 7 4 1 2 13
2 KF Tirana 7 3 3 1 12
3 KF Flamurtari 7 3 3 1 12
4 KF Partizani 7 3 2 1 12
5 KF Skënderbeu 7 3 2 2 11
6 KF Laçi 7 2 4 1 10
7 KF Vllaznia 7 3 2 2 8
8 KF Teuta 7 2 1 4 7
9 KF Apolonia 7 1 1 4 4
10 KF Elbasani 7 1 0 6 3