Agron Kaja: Plaga e futbollit shqiptar, infrastruktura dhe talentet

687
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Prof. Dr. Mehmet Spahiu, i bën “skaner” 18 javëve të Kategorisë Superiore dhe gjithë futbollit shqiptar

Një “skaner” për gjysmën e parë të sezonit futbollistik 2016-2017, e në veçanti për Kategorinë Superiore, nuk ishte e lehtë ta merrje nga Prof. Dr. Mehmet Spahiu, sepse vëmendja e akademikëve në këtë fillimjavë ishte rinisja e procesit mësimor, pas ndërprerjes për shkak të motit të keq. Gjithsesi, për specialistin e futbollit Met Spahiu, fenomeni i trukimit të ndeshjeve mbetet një nga elementët më negativë në futbollin tonë. “Për të eliminuar këtë fenomen negativ në futbollin tonë, duhet të ketë një vullnet pozitiv nga qeveria, e cila nëpërmjet përmirësimit të politikave lidhur me sportin, si dhe nëpërmjet organeve të specializuara, mund të mbajë nën kontroll të gjithë këtë veprimtari, në mënyrë që të ndëshkojë me rreptësi individë apo grupe të caktuara shoqërore që ndyjnë imazhin e sportit shqiptar dhe nëpërkëmbin djersën e dhjetëra futbollistëve e trajnerëve, të cilët sakrifikojnë në mënyrë të admirueshme”, theksoi midis të tjerave në intervistën e tij Mehmet Spahiu.

Në këtë dimër të acartë që po kalon Shqipëria, si ju duket atmosfera pa futboll zyrtar?
Natyrisht që, për ne që merremi me futboll, një periudhë e tillë duket sa e gjatë, aq edhe e shkurtër. Është një periudhë kohore që mundohemi ta plotësojmë me futboll të huaj, apo me punët akademike, por që “zbrazëtinë” e futbollit shqiptar asnjëra s’e plotëson.
Në këndvështrimin tuaj, duhet të kishte ndërprerje kaq të gjatë në këtë periudhë?
Ndërprerja e aktivitetit ishte si rrjedhojë e bllokimit të disa veprimtarive në Shqipëri dhe për këtë arsye, nuk mund ta veçojmë si mangësi apo dobësi në mbarëvajtjen e kampionatit tonë, por duhet të themi se fatkeqësisht “ne mbytemi me një gisht ujë”.
Po shtyrja që ju bë nga FSHF-ja me një javë rifillimit të Kategorisë Superiore, sa e ndihmon këtë futboll në tërësi në këtë periudhë?
Ndërprerjet e kampionatit, aq më shumë shtyrjet që bëhen pas tij, sigurisht që nuk sjellin ndonjë impakt pozitiv në futboll, por përkundrazi, detyrojnë trajnerët të ndryshojnë planet stërvitore, si dhe shpërndarjen e ngarkesave të planifikuara më parë prej tyre.
Thuajse në të gjitha shtetet e tjera Europiane futbolli ka rinisur, pas dy apo tri javë ndërprerje, sa ngjan ky futbolli ynë me Evropën me këtë ndërprerje pesë javore?
Në rast se do të kërkojmë që një fakt të tillë ta krahasojmë me Evropën, më vjen keq ta pranoj që jemi shumë larg tyre në të gjitha aspektet. Vërtet ata kanë një ndërprerje disa javore, por kanë mot më të ashpër se sa po bën këto ditë janari tek ne, kanë edhe një infrastrukturë e cila garanton zhvillim normal të çdo ndeshjeje futbolli.
Ndërkohë që skuadrat janë duke u përgatitur jashtë Shqipërisë, sa shkon një përgatitje e tillë për financat e skuadrave në futbollin tonë?
Kosto ka, natyrisht, por të gjitha ato skuadra që e kryejnë këtë përgatitje jashtë Shqipërisë, i kanë financat. Nëse do të kryhej këtu në Shqipëri, do të ishte mirë, por kemi parasysh edhe faktorë të tjerë që mungojnë në infrastrukturën tonë.
Çfarë mendoni për 18 javët e luajtura në dy fazat e para të Kategorisë Superiore 2016-2017?
Në kategorisë Superiore janë luajtur 18 javë të kampionatit dhe do të veçoja përballjet e pretendentëve : Partizani, Kukësi, Skënderbeu dhe Tirana. Por, me shumë emocione dhe mbresa mbetet tradicionalja Tirana-Partizani, ndeshje e cila gjithmonë ka dhuruar garë të vërtetë sportive, nivel të kënaqshëm, spektakël, emocione dhe tifozeri të veçantë. Në 90 ndeshjet e luajtura, ka mes tyre nga të gjitha nivelet e me të gjithë treguesit e një loje futbolli, që kësisoj tregojnë realitetin në futbollin tonë superior.
Si është niveli i kësaj Superioreje, krahasuar me të kaluarat?
Ndryshime ka nga sezoni në sezon, por ky model përballjesh na tregon se ne mund të arrijmë të realizojmë një kampionat me nivel të lartë, por problemet e shumta që e rrethojnë dhe ngarkojnë kampionatin tonë, bëjnë që shumë ndeshje të kampionatit të luhen pothuajse pa spektatorë, çka tregon se niveli i kampionatit nuk jep emocione dhe nuk ngjall asnjë lloj interesi për ta ndjekur.
Nisur nga renditja aktuale, mendoni se kështu do të vazhdohet deri në mbylljen e Kampionatit?
Renditja aktuale të jep përshtypjen se ky rivalitet do të ruhet deri në fund, megjithatë, ndoshta ndonjë merkato e paparashikuar e dimrit mund të ndikojë në përmirësim të dukshëm të ndonjë skuadre, apo dobësimin e ndonjë tjetre, si dhe kjo mund të sjellë ndryshime edhe në rivalitetin për kreun e renditjes e në fundin e saj.
Ka thashetheme për merkaton e dimrit, si e shikoni ecurinë e këtij treguesi në futbollin tonë sot?
E kam ndjekur me vëmendje shtypin sportiv të këtij muaji, dhe konstatoj se ka lëvizje lojtarësh e trajnerësh, siç ishte Ilir Daja te Skënderbeu që në datën 4 janar 2017. Është domosdoshmëri mendoj unë për çdo skuadër, që nëpërmjet merkatos të plotësojë ndonjë mangësi që e ka vërejtur në javët e kaluara. Me emrat që servilen në media, duket se kemi të bëjmë me emra cilësorë, por që kjo cilësi e tyre do të shikohet kur të shprehet në fushën e lojës.
Në gjysmën e parë të këtij sezoni ka patur edhe një tregues, Skënderbeut u akuzua nga UEFA për trukime ndeshjesh, por që nga FSHF-ja nuk pati masë ndëshkimore, pse sipas jush?
Për sa i përket trukimeve të ndeshjeve, mendoj se “dyqanet” e shit-blerjeve të ndeshjeve në Shqipëri janë një biznes i mirë dhe fitimprurës për tregtarët e kësaj fushe. Për të eliminuar këtë fenomen negativ në futbollin tonë, duhet të ketë një vullnet pozitiv nga qeveria e cila nëpërmjet përmirësimit të politikave lidhur me sportin, si dhe nëpërmjet organeve të specializuara mund të mbajë nën kontroll të gjithë këtë veprimtari sportiv, në mënyrë që të ndëshkojë me rreptësi individë apo grupe të caktuara shoqërore që ndyjnë imazhin e sportit shqiptar dhe nëpërkëmbin djersën e dhjetëra futbollistëve e trajnerëve të cilët sakrifikojnë në mënyrë të admirueshme.
Po infrastruktura aktuale, si po e përballon gjithë ngarkesën që ka futbolli në vendin tonë?
Plaga e futbollit shqiptar janë infrastruktura e dobët dhe mungesa e vëmendjes për zhvillimin e talenteve. Për këtë shqetësim do t’ju sjell në kujtesë një të kaluar: Para viteve ’90-të, në Tiranë, kur kryeqyteti kishte vetëm 350,000 banorë, kishte 26 fusha sportive, të cilat unë i kam renditur më poshtë. Dhe po të shohim gjendjen e tyre aktuale, kuptojmë se çfarë është bërë me këtë infrastrukturë, vetëm te futbolli.
Ka patur shumë kontestime për gjykimet, mendoni se ato po ndikojnë për keq në mbarëvajtjen e futbollit në vendin tonë?
Për sa kohë që dhe sistemi gjyqësor shqiptar, i cili përfaqëson në vetvete një nga tre pushtetet në vendin tonë, ka treguar ndër vite se ka korrupsion të niveleve të larta, sigurisht që nuk përjashtohet mundësia që dhe sistemi gjyqësor në futboll (arbitrimi) të jetë i prekur nga kjo dukuri.
Sa vlerë kanë për futbollin ato sjelljet gati vandale që kanë bërë disa herë tifozeritë e skuadrave në ndeshje të ndryshme?
Nëse tifozerinë do të shohim në këndvështrimin tonë, jashtë psikologjisë së tyre, natyrisht që dhuna e tyre nuk është aspak në shërbim të futbollit. Tifozë ka në të gjithë Botën, por këtu tek ne duhet të kemi parasysh edhe situatën politiko-ekonomike, njëherësh edhe elementët me precedentë që “kombinohen” mes tifozëve, duke sjellë edhe ato momente dhune. Dhuna nuk ka vlerë në futboll, por duhet vullnet nga qeveria me politikat e saj që ta frenojë sa më shumë këtë dukuri.
Ka ardhur koha që në futbollin elitar shqiptar të ndryshojë formula e Kampionatit me më shumë skuadra në përbërje?
Shqipëria është i vetmi vend në Europë që i ka provuar të gjitha formulat e mundshme të kampionateve, dhe ndryshimi i tyre nuk kanë sjellë ndryshime cilësore nga njëra formulë në tjetrën. E rëndësishme është që, nëpërmjet formulës të zhvillohet një kampionat sistematik dhe ai të shtrihet gjatë gjithë vitit, duke pranuar ndërprerjen ndërmjet dy fazave.
Për vazhdimësinë e këtij sezoni, cila është “receta”juaj për Superioren në veçanti, por edhe në tërësi për futbollin shqiptar?
Unë mendoj që, largimi i trukimeve të ndeshjeve afron tifozerinë në stadium, çka ndikon direkt në rritjen e cilësisë në futboll. Eliminimi i kësaj dukurie, ndikon direkt në rritjen e cilësisë sportive dhe në rritjen e spektaklit në stadium. Nëse kjo dukuri luftohet kështu, atëherë treguesit e saj do të jenë në rënie graduale.
Nëse për vitin 2017 do tu kërkoja një “Kartolinë” urimi e vlerësimi, në cilin sport do ta dërgonte atë Met Spahiu?
Kartolinën e urimit për Vitin 2017 do ta veçoja vetëm për sportin e futbollit, dhe do t’ia dërgoja ekipit tonë kombëtar. Sepse ishte kjo skuadër Kombëtare që gjatë vitit të kaluar arriti kulmin e historisë në futbollin tonë, dhe besoj se e meriton.

Somario
Në rast se do të kërkojmë që një fakt të tillë ndërprerjeje në Kampionatin tonë të futbollit ta krahasojmë me Evropën, më vjen keq ta pranoj që jemi shumë larg tyre në të gjitha aspektet. Vërtet ata kanë një ndërprerje disa javore, por kanë mot më të ashpër se sa po bën këto ditë janari tek ne, kanë edhe një infrastrukturë e cila garanton zhvillim normal të çdo ndeshjeje futbolli në vendin tonë

Somario
Për mendimin tim, plaga e futbollit shqiptar janë infrastruktura e dobët dhe mungesa e vëmendjes për zhvillimin e talenteve. Për këtë shqetësim do t’ju sjell në kujtesë një të kaluar: Para viteve ’90-të në Tiranë, kur kryeqyteti kishte vetëm 350,000 banorë, kishte 26 fusha sportive, dhe po të shohim gjendjen e tyre aktuale, kuptojmë se çfarë është bërë me këtë infrastrukturë, vetëm te futbolli

Fushat stërvitore në Tiranë, janë “masakruar”
“Në periudhën 1945-1990, në Tiranë kanë qenë këto fusha dhe ambiente stërvitore, të cilat shërbenin për përgatitjet e futbollistëve të të gjitha niveleve. Fusha “Ali Demi 1”; Fusha “Ali Demi 2”; Fusha e “Dibranëve “ (Arkitekt Sinani); Fusha “Farmacia 10”; Fusha “Lagjia 10”; Fusha “Ish shkolla e Partisë”; Fusha “Aneksi Dinamo”; Fusha “ 11 Janari”; Fusha “ Qyteti Studenti”; Fusha “Shkolla e Policisë”; Fusha “Pallati i Pionierëve”; Fusha “Aneksi Qemal Stafa”; Fusha “Shkolla Skënderbej”; Fusha “ Shkolla e Bashkuar”; Fusha “Shkolla Teknologjike”; Fusha “Qyteti i Nxënësve” (sot Skënder Halili); Fusha “ Shkolla Loro Boriçi” (Shkëndija); Fusha “Kombinat”; Fusha “Laprakë”; Fusha “Kamëz”; Fusha “Instituti Bujqësor”; Fusha “ILKF Vojo Kushi”; Fusha “Klubi Partizani”; Fusha “Kompleksi Dinamo Nr.1”; Fusha “Kompleksi Dinamo Nr.2”; Fusha “Politeknikumi” (7 Nëntori). Kanë qenë edhe tri fusha lokale, të quajtura për kohën si, “Fusha të zeza” tek 21 Dhjetori, tek ish Stacioni i Trenit dhe prapa ish Kinema “17 Nëntori”. Ndërkohë që radhitëm një numër të konsiderueshëm fushash sportive, dhe në Tiranë si dhe në çdo skaj të saj, futbollistë të moshave të ndryshme kishin mundësi stërvitore, sot, në mënyrë të dhimbshme shikon që nëpër vende të papërshtatshme, ndoshta dhe nëpër skuta, stërviten me një pasion të papërshkrueshëm me dhjetëra fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët për fat të keq nuk arrijnë të realizojnë ëndrrat e tyre në rrugën e nisur. Në rast se duam ta shërojmë këtë plagë të futbollit shqiptar, duhet të mendojmë për ndërtimin e një numri të konsiderueshëm fushash sportive, që të mbështesim pasionin dhe talentin e fëmijëve të moshave të ndryshme, në mënyrë që të mbjellim një të ardhme për futbollin shqiptar”.

Kjo Kombëtare, e mbylli ciklin e vet
Nëse në bashkëbisedim, Met Spahiu e dërgoi kartolinë e viti 2017 tek Kombëtarja e futbollit, ai e quan të mbyllur ciklin e kësaj kombëtareje. Sipas tij, kjo kombëtare nuk prodhon dot më shumë se sa dha në “Euro 2016”. “Unë e përmenda më sipër Kombëtaren, duke ja dhënë edhe “Kartolinën” e urimit për vitin 2017. Dhe jo më kot, sepse se ky grup futbollistësh të Kombëtares sonë të futbollit, e mbylli ciklin e vet, duke arritur majën më të lartë të historisë. Tani duhet menduar për një grupim futbollistësh të rinj, sepse dy ndeshjet e fundit treguan se kjo kombëtare nuk prodhon dot më shumë”, kështu theksoi fillimisht Met Spahiu për aktualitetin e Kombëtares, ndërkohë që sipas tij, ka ardhur koha të mendohet për një trajner shqiptar. “Është mirë që të hidhet syri edhe te trajnerë shqiptarë, pse jo, në një të ardhme jo të largët. Ndoshta ka ardhur koha që, me nivelin e disa trajnerëve në tregun e trajningut shqiptar, apo edhe jashtë vendit, Kombëtarja të shohë për një të ardhme më të mirë”.

Skeda/ Mehmet Spahiu
Datëlindja: 9 janar 1952/ Vendlindja: Tiranë
Sporti që ka ushtruar: Futboll/ Roli në fushë: Mesfushor
Skuadrat ku është aktivizuar: Shkëndija 1968-1974
Si trajner: Në vitet 1974- 1980 – mësues në klasat sportive 15-18 vjeç Gjimnazi “Ismail Qemali “Tiranë, në vitet 1980-1992 te Shkëndija në të gjitha nivelet e moshave, paralelisht edhe pedagog në ILKF “Vojo Kushi”, ekipi privat Albanët në vitet 1998-2001, trajner te Studenti të rritur në vitet 1993-1996, trajner te Kastrioti të rritur 2001-2002
Detyra e funksione për sportin: Drejtor i sporteve në MTKRS në vitet 2005-2007, drejtor i Qendrës Kërkimore Shkencore të Sportit në vitet 2007-2010, Pedagog në departamentin lojërave sportive në AEFS “Vojo Kushi” (Seksioni futboll), 2010-2012 Dekan i Fakultetit të Shkencave të Lëvizjes në UST, 2013-2015- Dekan i Fakultetit të Shkencave të Lëvizjes në UST, aktualisht pedagog futbolli në Departamentin e Sporteve, anëtar i senatit akademik në UST
Grada Shkencore: Doktor i Shkencave, në vitin 1994
Titulli Akademik: Profesor, në vitin 2008

Shkodran Mustafi dhe Granit Xhaka,
mes 100 futbollistëve më të vlefshëm në botë
CIES, Observatori i Futbollit, ka publikuar dje listën e 100 lojtarëve më të vlefshëm në pesë kampionatet kryesore Europiane, të renditur sipas përllogaritjeve të saj, duke marrë për bazë jo vetëm kontributin aktual në skuadrat përkatëse, por edhe moshën apo atë që mund të tregojnë në vijim. Në listën e 100 lojtarëve më të vlefshëm janë edhe dy futbollistë shqiptarë, ndonëse asnjë prej tyre nuk vesh fanellën kuqezi të përfaqësueses. Të dy luajnë në kampionatin anglez dhe janë pjesë e Arsenalit, Shkodran Mustafi dhe Granit Xhaka. Por, bie në sy se në krye të listës nuk qëndrojnë Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, por braziliani Neimar. Sipas CIES, Neimar përllogaritet se vlen plot 246,8 milionë euro, ndërsa Mesi është i dyti me vlerën 170,5 milionë euro. Në vendin e tretë është Pol Pogba, futbollisti që për momentin mban rekordin për transferimin më të shtrenjtë në histori. Vlera e Pogba është 155,3 milionë euro, ndërsa sa i përket Kristiano Ronaldos, ai është në vendin e 7-ta në këtë listë, me një vlerë prej 126,5 milionë eurosh, i kaluar edhe nga Grizman, Suarez dhe Kein.

Muzaka-Tirana, FSHF-ja nuk i pajton dot
Dje në FSHF u zhvillua seanca e dytë e pajtimit, mes futbollistit Gjergji Muzaka dhe klubit të Tiranës, të cilët kanë mosmarrëveshje mes tyre për çështjen e pagesave. Rezultati ka qenë negativ, pasi palët nuk kanë gjetur akordin mes tyre për zgjidhjen me mirëkuptim të çështjes. Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, FSHF-ja ka bërë me dije se tashmë çështja ka kaluar për shqyrtim dhe gjykim në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. “Sot (dje) në seancën e dytë të Pajtimit në Federatën Shqiptare të Futbollit për çështjen e futbollistit të KF Tirana, Gjergj Muzaka, bazuar edhe një kërkesë të vetë lojtarit, palët nuk kanë gjetur AKORD-in për zgjidhjen me mirëkuptim të çështjes në fjalë.