Agron KAJA/ Pazaret e një tregu zyrtarisht të çakorduar

525
Sigal

FUTBOLL/ Në Superiore, skuadrat janë kontradiktore me emrat dhe shifrat jo zyrtare në merkato

Ndërkohë që në kampionatet e tjera të futbollit në Evropë dhe në Botë topi zyrtarisht po shkund rrjetat e njomura nga shiu e bora, në Shqipëri tashmë është bërë traditë që muaji janar për topkëmbën të quhet vetëm “muaji i merkatos”. Një “detyrim-përcaktim” ky, jo vetëm për periudhën kalendarike kur luhet futbolli ynë, por edhe për infrastrukturën jo fort të plotë për këtë stinë të dimrit. Kësisoj, ky muaj i parë i vitit bart në vetvete atë periudhë në të cilën skuadrat orientohen në trazimin e “zareve”, ndërsa kur i referohesh deklarimeve zyrtare të skuadrave që kanë hyrë në tregun e kësaj merkatoje, natyrshëm mendojmë për një papjekuri profesionale, përderisa këto lëvizje janë vetëm në tavolina pa gjë konkrete në fushën e lojës. E në këtë “valle” të drejtuesve të klubeve ka hyrë edhe media e shkruar dhe ajo vizive, të cilët për të mbushur faqet e gazetave dhe ekranet televizive, e bëjnë çdo thashethem tavolinash e kafenesh si të vërtetë.  Nga të gjithë këta aktorë e faktorë të futbollit të luajtur e të shkruar qëndrojnë “peng” mijëra e mijëra njerëz që e ndjekin këtë lojë popullore, të cilët jetojnë me çdo thashethem që u “injektohet” prej tyre. Deri këtu kemi prekur vetëm pjesën e dukshme të kësaj merkatoje, sepse në këtë vorbull janë ata të pafajshëm që nuk kanë marrë pagat për muaj me radhë, por janë edhe ata bosë që e quajnë pa rëndësi këtë moment financiar ndërkohë që vetë nuk kursehen të pushojnë me ditë të tëra edhe jashtë Shqipërisë. Në këtë situatë, është evident fakti se në këtë muaj pa futboll zyrtar kemi një treg të çakorduar mes të cilit fshihet zyrtarizimi, për ta lënë të lirë rutinën e zakonshme të pa futboll zyrtar. Le të mendojmë për një moment se çfarë efektesh do të kenë transfertat e janarit në këtë treg të merkatos, kur ana sociale e financiare e aktorëve lojtar-trajner, është në minimumin e mundshëm. Një merkato që bëhet në kushte të dobëta financiare dhe në kushte të mangëta administrative e organizitive, natyrisht që “… me miellin që do të gatuash do të marrësh prodhimin e tyre”. Nga ana tjetër, këto “tela”të kësaj “violine” (merkatoje) të çakorduar kanë edhe një efekt financiar jo fort të besueshëm e të pranueshëm, sepse shtegtimi që bëjnë disa skuadra në këtë periudhë bën që të ardhura serioze të shkojnë në vende të tjera fqinje, të cilat kanë menduar me kohë për ta thithur këtë valutë në interes të tyre. Pa likuiduar ende financat për vitin 2013, gjenden ato për shtegtim stërvitor jashtë Shqipërisë! Këto janë paradokset që në kuadrin e merkatos bëjnë një mal me thashetheme me probleme të shumta që mbeten ende të koklavitura në zgjidhjen e tyre. Sepse në një treg të çakorduar dhe jozyrtar, faturat e tij janë në të zezë dhe prej tyre futbolli ynë asnjëherë nuk ka dalë i fituar.

1 trajner

Vetëm Kastrioti i Krujës është skuadra që do të kërkojë edhe trajner në këtë merkato të janarit, pas largimit të beratasit Kristaq Mile në startin e këtij muaji

THASHETHEMET NË MERKATO

SKËNDERBEU

Larguar: Nuk ka

Afruar: Nuk ka

PARTIZANI

Larguar: J. Thana, F. Udoh, V. Buac, A. Mitraj, S. Sulçe, O. Oladele, O. Sodje

Afruar: L. Ahmeti, E. Sali, A. Pliska, D.Filipoviç

LAÇI

Larguar: H. Ndreka, E. Shazivari, J. Nino, J. Kulli

Afruar: U. Nvoko?

KUKËSI

Larguar: L. Popoviç, L. Malekarne, D. Bratiç, K. Dragoi, A. Marku, G. Manuka

Afruar: E. Haxho, A. Thorja?

FLAMURTARI

Larguar: Nuk ka

Afruar: Nuk Ka

TEUTA

Larguar: B. Mancaku, V. Murriqi, A. Hoxha, E. Mustafaj, A. Deliallisi

Afruar: B. Berisha, E. Imami, I. Batha, L. Moskatielo, J. Apeztegua, P. Bedalli, M. Mbaje, A. Bezmareviç, R. Çeko

BYLIS

Larguar: Xh. Çutra, S. Izuçuku, E. Haxho. K. Ristevski

Afruar: B. Guga, A. Shilova, Xh. Huan, L. Doshlaku

VLLANIA

Larguar: K. Semina

Afruar: A. Marku, M. Zefi, A. Bulat, S. Shaba

BESA

Larguar: V. Mile, I. Batha, B. Jashanica

Afruar: V. Murriqi, B. Mancaku, A. Deliallisi, A. Hoxha

LUSHNJA

Larguar: S. Çela, A. Fataki, G. Cimili, M. Mihani, B. Bjelkanoviç. R. Hysko, L. Tiodoroviç

Afruar: H. Korreshi, A. Allkanjari, M. Hasa, E. Xhafa

KASTRIOTI

Larguar: K. Mile (trajner), I. Lika, K. Fonseka, O. Abazaj, S. Shaba, S. Elmazi

Afruar: S. Çela, L. Popoviç, G. Manuka

TIRANA

Larguar: V. Gerc, F. Hysenbelliu, E. Çaço, B. Vashaku, H. Semedo, R. Peqini

Afruar: I. Lika, M. Morina

NDESHJET

Java e 17-të

1 shkurt 2014

Partizani-Kukësi

Bylis-Flamurtari

Skënderbeu-Vllaznia

Besa-Laçi

Teuta-Lushnja

Kastrioti-Tirana

Renditja

Skuadrat         Nd     Pikë

1.Skënderbeu    16      33

2.Partizani     16      26

3.Laçi          16      25

4.Kukësi        16      25

5.Flamurtari    16      24

6.Teuta         16      24

7.Bylis         16      21

8.Vllaznia      16      21

9.Besa          16      21

10.Lushnja      16      18

11.Kastrioti    16      16

12.Tirana       16      12

MIQËSORE NDERKOMBETARE

Laçi humbet 2-0 me Fajburgun

 Laçi ka humbur miqësoren e parë në tokë spanjolle, teksa është mundur 2-0 nga gjermanët e Frajburg. Me dy gola në pjesën e dytë është mbyllur ndeshja, teksa ishte fillimisht Majk Hanke që shënoi për “vendasit” pas pasimit të Julian Shyster. Laçi përpiqet të reagojë , por e ka të vështirë ndaj një kundërshtari më cilësor në përbërje. Në minutën e 57-të, vetëm shtatë minuta pasi gjeti avantazhin, Frajburgu gjen dhe golin e dyfishimit, teksa është Krmas që shfrytëzon më së miri një kros të Feliks Klaus dhe mposht portierin Bakaj. Me këtë rezultat mbyllet miqësorja e parë e Laçit në Spanjë, në Rota ku është duke zhvilluar fazën përgatitore.

  Kukësi humbet 2-1 me Bunjodkor

 Ekipi i Kukësit ka luajtur miqësoren e parë në tokë turke, teksa është përballur me kampionët e Uzbekistanit, Bunjodkor Tashkent. Verilindorët kanë humbur me rezultat të ngushtë 1-2, dhe kanë  treguar nivel loje të kënaqshëm. Në këtë miqësore janë aktivizuar të gjithë lojtarët që trajneri Shensoji ka pasur, përfshirë këtu edhe nigeriani Uçe dhe egjiptiani Mohamad që janë prurjet e reja të ekipit kuksian. Golin e vetëm për Kukësin e ka shënuar Vilfor Hysa.

Prapaskena e vendimit. Kosova duhet të njoftojë FIFA-n, ndërsa kjo e fundit Serbinë

  Historike, FIFA lejon Kosovën të luajë ndeshje ndërkombëtare

 FIFA ka vendosur t’i lejojë zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare të përfaqësueses A të Kosovës. Sipas Komisionit për Çështjet Urgjente të FIFA-s, Kosova përkohësisht do të luajë miqësore pa flamur dhe pa himn. Vendimi erdhi pas takimit të radhës në Curih të Zvicrës, midis Presidentit të FIFA-s, Sep Blater, presidentit të Federatës së Kosovës, Favid Vokrri dhe atij të Serbisë, Tomislav Karaxhiç, të zhvilluar më 10 janar 2014. “Vendimi i marrë nga Komiteti i Emergjencave të FIFA-s përfaqëson një nxitje të madhe për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe nga ana tjetër konfirmon edhe njëherë fuqinë e jashtëzakonshme të sportit tonë për t’i bashkuar njerëzit”, – citohet Presidenti i FIFA-s, Sep Blater nga portali zyrtar i saj, fifa.com. Hashim Thaçi: “Kam qenë në komunikim me Presidentin e FIFA-s, zotin Sep Blater, dhe me këtë rast e falënderoj për ndihmën që ka dhënë për këtë hap të parë, por të rëndësishëm, të ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar. Falënderoj edhe FFK, me në krye legjendën e futbollit tonë, Fadil Vokrri, Ministrinë e Sportit, si dhe gjithë futbollistët kosovarë për angazhimin në këtë drejtim. Shpreh bindjen se në të ardhmen e afërt FFK do të jetë anëtare e barabartë në UEFA dhe FIFA”. FIFA ka zbuluar detajet në bazë të cilave përfaqësueset dhe klubet e Kosovës mund të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare miqësore. Federata botërore e futbollit, FIFA ka sqaruar vendimin e marrë nga Komiteti për çështje emergjente në lidhje me lejimin e anëtarëve të saj që të zhvillojnë ndeshje miqësore me klubet dhe përfaqësueset e Kosovës. “Bazuar në nenin 83 të statutit të FIFA-së, Komiteti ekzekutiv i FIFA-së ka të drejtën që të autorizojë anëtarët e FIFA-së me luajtur ndeshje miqësore me Federatat e papranuara, në këtë rast Federatën e futbollit të Kosovës”, thuhet në vendimin FIFA-së. “Pas disa takimeve që janë bërë nga viti 2010, Komiteti për çështje emergjente i FIFA-së ka konfirmuar modalitetet e ndeshje miqësore ndërkombëtare me klubet dhe ekipet përfaqësuese të Kosovës”. “Më poshtë janë modalitetet e ndeshjeve miqësore me klubet dhe ekipet përfaqësuese të Kosovës, që janë aprovuar dhe hyjnë menjëherë në fuqi: “Federatat anëtare të FIFA-së lejohen me luajtur ndeshje miqësore ndërkombëtare me klubet dhe ekipet përfaqësuese të FFK-së. Klubet dhe ekipet përfaqësuese të FFK-së nuk mund të vendosin simbolet kombëtare (flamurin, emblemën, etj) ose të luajnë himnin kombëtar. Sidoqoftë ato janë të lejuara të bartin dhe mbajnë në veshmbathje emrin Kosova, Klubet dhe ekipet përfaqësuese të FFK-së nuk mund të luajnë në ndeshje zyrtare ose kualifikuese deri sa FFK-ja nuk bëhet anëtare e FIFA-së. Klubet dhe ekipet përfaqësuese të FFK-së nuk mund të luajnë kundër klubeve dhe ekipet përfaqësuese që kanë dalë nga ish-Jugosllavia deri në një njoftim të ri. Ndeshjet ndërkombëtare miqësore me klubet dhe përfaqësueset e Kosovës mund të luhen në territorin e Kosovës pas informatës me shkrim drejtuar FIFA-së së paku 21 ditë para çdo ndeshje. FIFA do të informojë për këtë Federatën e futbollit të Serbisë. Çdo thyerje e kësaj marrëveshje do të referojë FIFA dhe do të përfundojë automatikisht”. FIFA po ashtu ka hedhur poshtë një kërkesë të Federatës së Futbollit të Serbisë, e cila ka thënë që ekipet e futbollit serbe në Kosovë të luajnë në ligat e Serbisë duke thënë se ato ekipe duhet të regjistrohen në Federatën e Futbollit të Kosovës.

 Miqësorja e parë kundër SHBA-së ose Holandës

 FIFA ka vendosur t’i lejojë zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare të përfaqësueses A të Kosovës. Menjëherë kanë filluar zërat se cila kombëtarja do të jetë kundërshtari i parë në miqësoren e përfaqësueses së Kosovës që drejtohet nga Albert Bunjaku. Në mesin e shumë përfaqësuesve figurojnë emrat e SHBA-së dhe Holandës. Ndërkohe Suedia dhe Bullgaria janë dy emra tjerë që përmenden si të mundshëm për zhvillimin e ndeshjes miqësore.