Agron Kaja/ Pas 21 qershorit, pse duhet një Ministri Sporti?

225
Një vit më parë kur Reforma Administrative mori rrugën e saj, në hapësirën që kjo reformë morri në tregun politik, u kërkua edhe mendimi se çfarë efekte do të sillte ajo në administrimin e sporteve në bashkitë e reja. Deri më sot, as para fushatës elektorale dhe as gjatë saj, askush nga kandidatët për kryebashkiakë, por edhe mbështetësit e tyre politikë, nuk folën një fjalë të vetme se çfarë do të bëhej me sportet me këtë strukturë të re administrative. Është normale të mendosh se në një strukturë të re administrative, çfarë vendi do të zëjë funksionimi dhe organizimi i jetës në këto zona, në mesin e të cilave ka sportistë e sportiste ka të rinj e të reja që te sporti shohin të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Dhe në këto kushte ky komunitet sportiv ndoshta ndodhet në dilemë, por mund të jetë edhe i interesuar se çfarë ndryshimi do të pësojnë sportet në vendin tonë pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit me Reformën e re Administrativo-Territoriale. Për të kërkuar përgjigjen e kësaj, dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve na u duk si një kohë e gjatë, sepse sportet në çdo kohë janë në aktivitet dhe pritshmëritë zyrtare e bëjnë që ekzistenca e tij të ketë paqartësi. Kësisoj, efektet e saj do të jenë pozitive me këtë strukturë të re administrative kur ajo të ketë plotësisht në drejtimin e duhur edhe sportin. Në këtë këndvështrim ndoshta mund të lexohemi edhe si paradoksalë me këto radhë, mund të gjykohemi me skepticizëm nga kryebashkiakët e rinj, apo edhe nga ajo pjesë e komunitetit që më parë ka qenë e zhgënjyer prej atyre që i drejtuan në 23 vitet e shkuara. 
Por tani jo, sepse kjo është vetëm e shkuara që nuk duhet ta mbytë me aromën e saj të tashmen. Me atë kohë të shkuar që u mbyll më 21 qershor, mirë apo keq, iku edhe ajo “era mbytëse” që i përshkoi sportet në vendin tonë, kryesisht futbollin, të cilin kryetarët e njësive administrative në bashki dhe komuna, e mbajtën nën sqetullat e tyre të djersitura nga injoranca për të patur në xhep vota, si edhe nga korrupsioni dhe paaftësia për të bërë sport. Sepse në misionin e tij, sporti nuk ka nevojë për politikë, pasi vetë ai është një politikë sportive që sfumon çdo lloj politike tjetër që rreket rrugës së demokracisë, ndërsa brenda kësaj reforme edhe ai duhet të pësojë ndryshimin e tij administrativ. Kjo është kërkesa e parë që shtrohet për zgjidhje e njëherësh për përgjigje ndaj komuniteteve, të cilët u dhanë votën atyre jo vetëm për të qeverisur tendera e forma korruptive si deri më sot, por midis të tjerave për t’u dhënë qytetarëve të tyre. Po ku janë kryebashkiakët e rinj? E dimë të gjithë që pjesa më e madhe e tyre janë përfaqësues së maxhorancës së majtë dhe deri këtu nuk ka asgjë të dyshimtë, sepse ky ishte verdikti i shumicës së shqiptarëve. Por le t’u kujtojmë atyre që do të ulen në poltronët e njeriut të parë të komunitetit, se sporti nuk është nën ta, se sporti nuk njeh të majtë e të djathtë. Është me rëndësi në nënvizohet se sporti nuk pranon idenë se, duke qenë që pushtetin e ka në dorë e majta, edhe sportet që do të shikohen me prioritet do të jenë pikërisht në bashkitë ku janë zgjedhur për kryebashkiakë individë të këtij krahu politik. Kjo do të ishte fatkeqësia që do ta godiste sportin më keq se deri tani dhe që mund të marrë përmasat e një fatkeqësie sportive kombëtare. 
Le të themi se prej tyre sporti kërkon një “amnisti” nga e kaluara si pjesa më vitale e Reformës Territoriale, sepse në sport përgatiten e argëtohen të majtë e të djathtë (sa keq tingëllon kjo shprehje politike për sportin, por ja që Shqipëria politike e imponon atë, s’ke ku shkon ndryshe!). Ka edhe të tjera arsye që kryebashkiakët e rinj i bën edhe më të detyrueshëm në hapësirën sportive, ku duhet kujtuar se burimet njerëzore që do të realizojnë këto bashki të reja në interes të sporteve, nuk duhet ta degjenerojnë sportin si deri më tani. Nuk duhet të ndjehen të fyer këta kryebashkiakët e rinj me këto radhë të këndvështrimit sportiv, por nëse do të bëjnë sikundër shumica e atyre ish-ëve që sportet i degdisën në kategori inferiore, që në sportin lokal bëheshin edhe shefa klubesh dhe si presidentë skuadrash, pikërisht me lekët e shtetit, të taksapaguesit “komunitet”, këtu do të prodhohej stërkëmbshi ndaj ndarjes së re administrative. Nuk është e tepërt kujtesa, se kryebashkiakët e rinj duhet të punojnë që të ndajnë sportin mes shtetit e privatit dhe prioritet duhet tu jepet këtyre të fundit me angazhimin maksimal të pushtetit lokal. Sepse biznesi është një kalë që tërheq një karrocë të rëndë, por po nuk e ndihmoi shteti, ai do të bëjë ndalesa rrugës. Ka edhe një problem real që do të lindë tashmë me bashkitë e reja, pasi ende nuk kuptohet qartë së si do të funksionojë pronësia në terrenet sportive aktualë. Me Ligjin aktual të Sportit, terrenet sportive si stadiume, pallate sporti etj, janë pronë e bashkive dhe komunave respektive, ku deri më sot asnjera prej tyre nuk ka dhënë as edhe një kacidhe për t’i mirëmbajtur. Parë kështu, këtu duhet të ketë nevojë emergjente të ndryshojë Ligji aktual për Sportin, ndërsa një tjetër problem që sporti do të ndeshet në këtë administrim të ri do të jetë edhe organizimi i kampionateve kombëtare të futbollit dhe atyre rajonale, gjithnjë me hartën e re territoriale. Aktualisht, kampionate të të gjitha moshave ekzistojnë, por duke u ndarë Shqipëria në 61 bashki të reja mbi bazën e tyre duhet që të luhen kampionatet e vogla, për tu bashkuar më pas në ata kombëtare. E për ta mbyllur këtë këndvështrim, pas zgjedhjeve të reja lokale të 21 qershorit le të hedhim në tregun mediatik mendimin se erdhi koha që edhe Shqipëria të ketë një Ministri të Sportit. Sportin nuk duhet ta harrohet e të futet si deri më sot në xhepat e ministrive të tjera. Këto janë kërkesat që sporti ia kërkon kryebashkiakëve që besoi më 21 qershor, se kësisoj ata/ato do të jenë më të respektuar nëse do ta dëgjojë këtë bashkudhëtarë të pandarë të punës së tyre. Por, këto ndryshime administrative trokasin edhe në portën e qeverisë shqiptare, e cila në ndryshimet e pritshme gjatë muajit shtator, të mendojë një herë të vetme edhe për sportin, për ta patur më në fund dikasterin e domosdoshëm për sportet, Ministrinë e Sportit. Kështu nuk mendohet se do të gjejnë alibinë e krizës greke.
Futbolli në 61 bashki
Me zgjedhjet e 21 qershorit 2015, bazuar në ndarjen e re administrative, futbolli në kategoritë sportive ekziston në të gjitha bashkitë. Në futbollin Superior janë në lojë 9 bashki me 10 skuadra, ndërkohë që në Kategorinë e Parë janë 20 skuadra të ndara në 2 grupe që i përkasin 17 bashkive të reja. Tirana ka më shumë skuadra futbolli, teksa përfaqësohet me 2 skuadra në Superiore: Partizani e Tirana, dhe 1 skuadër në Kategorinë e Parë: Dinamo. Tërbuni i Pukës është skuadra më e re e Superiores.
Kategoria Superiore
Skuadrat Bashkitë
Skënderbeu Korçë
Kukësi Kukës
Partizani Tiranë
Laçi Laç
Tirana Tiranë
Flamurtari Vlorë
Vllaznia Shkodër
Teuta Durrës
Bylis Ballsh
Tërbuni Pukë
Kategoria e Parë
Grupi A
Skuadrat Bashkitë
Besëlidhja Lezhë
Mamurrasi Lezhë
Kastrioti Krujë
Iliria Krujë
Burreli Burrel
Kamza Kamzë
Besa Kavajë
Korabi Peshkopi
Erzeni Durrës
Grupi B
Skuadrat Bashkitë
Apolonia Fier
Elbasani Elbasan
Lushnja Lushnje
Butrinti Sarandë
Sopoti Librazhd
Luftëtari Gjirokastër
Dinamo Tiranë
Shkumbini Peqin
Pogradeci Pogradec
Gramshi Gramsh