Agron Kaja: Një testament për futbollin Shijakas

846
Libri më i fundit sportiv i gazetarit, komentatorit e statisticienit kavajas Fatmir Efica, KF.Erzeni me 85 vite histori dhe emocione
Vetëm tre ditë para se të mbyllej viti 2016, KF.Erzeni festoi 85-vjetorin e themelimit të tij. Ishte një festë sportive që me jehonën e saj zgjoi një interesim shumëdimensional, pasi në kushtet kur shumë nga Klubet e mëdha elitare të Shqipërisë ende nuk e kanë të dokumentuar përshkrimin e historisë së tyre me ndonjë libër, Bashkia e qytetit të Shijakut ka arritur të negociojë e vërë në punë aftësitë e gazetarit, komentatorit e statisticienit të mirënjohur kavajas, Fatmir Efica. Ky i fundit, i njohur ndryshe si “bleta punëtore” e gazetarisë sportive në Shqipëri, ka materializuar me një botim vërtet cilësor, që ka bërë krenar tashmë në Shijak e jo vetëm, tërë komunitetin e madh futbolldashës. Në veçanti njerëzit direkt, protagonistët e fushës, ata (lojtarët ndër breza) që kanë dhënë një kontribut shembullor në 85 vitet e historisë dhe… emocioneve të mëdha që përshkruhen etapë pas etape në këtë libër sportiv. Gazeta “Telegraf”, duke mos marrë përsipër të bëjë recensën konkrete, thjesht hedh sot dritë mbi këtë botim që është një “dritare” e re komunikimi për historinë e KF.Erzeni, duke anonçuar edhe disa këndvështrime të ndryshme. 
Nga historia 85-vjeçare, Erzeni në Kategorinë Superiore
Mbeten historike shtatë pjesëmarrjet e Erzenit në Kategorinë Superiore, të cilat i ndeshim të shtrira dhe të shpërndara në periudha të ndryshme kohore përgjatë 85 viteve të historisë së klubit shijakas. Meritojnë të quhen arritjet më të spikatura, jo vetëm për brezat e futbollistëve e trainerëve, por mbi të gjitha, për krenarinë e gjithëpushtetshme që kanë dhuruar për protagonistët e fushës (futbollistët) e të drejtimit (trajnerët e stafet teknike), e mbi të gjitha, për tifozerinë e mrekullueshme të Shijakut. Kanë ndikuar në shumëfishimin e “adrenalinës” së tifozëve të zjarrtë të Erzenit, të cilët kurrë nuk do t’i harrojnë emocionet nga këto përfaqësime. Secila pjesëmarrje ka pasur specifikën e vet, edhe ulje-ngritje, të cilat në futboll vijnë me natyrshmërinë që ka gara. Kujtesa historike me shumë të veçanta specifike që evidentohen edhe nëpërmjet rezultateve dhe statistikave, mbetet ana e bukur e mbresave të pashlyeshme të dinamikës zhvillimore që ka pasur futbolli shijakas, duke synuar të lartësojë sa më mirë cilësitë e karakteristikat e veta pozitive.
Përfaqësimet e rezultatet në Kategorinë Superiore
Nr. Viti Vendi Nd F B H G +/- Pikë Verdiktee
1.1946 3 gr. B 10 4 4 2 14:11 12
2.1948 5 gr. B 14 5 5 4 23:25 15
3.1949 9 16 1 4 11 13:48 6 Zbret Kat.II
4.1952 6 gr. C 10 0 0 10 1:22 0 Zbret Kat.II
5.1965-66 12 22 3 6 13 12:48 12 Zbret Kat.II
6.2001-02 12 26 9 1 16 31:54 28
7.2002-03 12 26 6 6 14 23:37 24 Zbret Kat.II
TOTALI: Pj.7 124 28 26 70 117:245 97 
Kryetar i Bashkisë Shijak¸ Ardian Kokomani: Rrezaton edhe vlera për të gjithë brezat
Meriton të përshëndetet me respekt puna e autorit Fatmir Efica, për t’i shtuar atmosferës së festës së 85-vjetorit të themelimit të KF.Erzeni edhe një dhuratë të bukur, botimin e librit “85 vite histori dhe…emocione”. Një qytet shumë futbolldashës si Shijaku, ka tani në “pëllëmbë të dorës” rrugëtimin 85-vjeçar të skuadrës së futbollit Erzeni. Të gjitha ngjarjet e fiksuara në “memorien” e tetë dekadave e gjysmë, në këtë libër “flasin” për gjurmë të rëndësishme dhe të bukura. Evidentimi i tyre, sa është një “detyrim”, po aq rrezaton edhe vlera për të gjithë brezat që kanë shërbyer me pasion të jashtëzakonshëm e dinjitet shembullor. Kultura e qytetaria sportive janë të mishëruara në këtë propagandim serioz që i bëhet të gjithë etapave të historisë futbollistike, mbështetur në “shtyllat” e zhvillimit konkret të të gjithë aktivitetit të klubit dhe skuadrës shijakase. Janë sjellë në vëmendje etapat nga themelimi i klubit 85 vite më pare, e gjer më sot. Në skanerin e statistikave mjaft interesante, përshkruhen të argumentuara deri në detaje gjithçka ka ndodhur në 85 vite. Secili nga brezat e kaluar, të tanishëm e të nesërm, tashmë zbulon informacionin konkret mbi gjithçka i duhet të dijë mbi futbollin dhe skuadrën aq të dashur e simpatike të Erzenit. Fatmir Efica ka sjellë me këtë libër të kompletuar, mesazhin e qartë dhe shumë kuptimplotë të pasurimit dhe të ridimensionimit të fondit më të mirë të trashëgimisë historike e sportive të Shijakut. Prandaj dhe ky jubile sportiv i futbollit për KF.Erzeni ia ka shtuar edhe më shumë reputacionin qytetit të Shijakut dhe jo vetëm. 
Fatmir Efica
Datëlindja: 13 dhjetor 1961
Vendlindja: Kavajë
Fillimet si gazetar sportiv: Nga 16 dhjetori 1978
Aktualisht: Drejtor i Klubit Shumësportësh “Besa” në qytetin e Kavajës 
Puna si gazetar (korrespondent): Në të gjitha gazetat më të mëdha sportive në Shqipëri “Sporti Shqiptar”, “Sport Ekspres”, “Sport Plus” dhe “Sot Sport”. Nga viti 1991 e deri më sot, është komentator në emisionin më radiofonik të Radio Tiranës “Nga njëra ndeshje në tjetrën” 
Eksperienca profesionale: Dallohet si dekorator dhe mësues në disa shkolla të Kavajës, ka punuar edhe si moderator i Kombëtares shqiptare të Futbollit në periudhën 2005-2015
Librat e botuar: “Besa një histori, në vitin 1995; “Futbolli Shqiptar për të Rinj” në vitin 1998; “Legjenda me emrin Partizani, në vitin 2013; “KF.Erzeni, 85 vite histori dhe…emocione
në vitin 2017; në proces dy libra të tjerë: “Bylis, krenaria e Mallakastrës” në prag të 45-vjetorit të themelimit të klubit ballshjot 1972-2017; dhe “Një dekadë nga historia e një skuadre të re simpatike” (Luzi 2008, tani quhet Kavaja Junajted)
Ka punuar si redaktor në gazetat “Ballkan” dhe “Kavaja Progres”. Në vitin 2001 ka fituar çmimin e lartë sportive “Anton Mazreku”
Kolegët për Eficën, respekti që përcillet me sinqeritet
Shpëtim Gjoshi: Evidentimi i historisë e statistikave sportive, nga botimi për Erzenin sjell një model që duhet ta ndjekin edhe klube të tjera. Të tilla botime janë me shumë vlerë për të gjithë brazat që kanë qenë kontributorë të mëdhenj në sport. 
Dëfrim Methasani: Të lumtë Fatmir Efica! Je këmbëngulës, profesionist dhe korrekt. Erzenit në futboll i ke lënë, jo thjesht një libër, por një testament. Konstatimit tim do t’i shtoja metaforën e merituar: Fatmir: “je bleta punëtore e gazetarisë”.
Bedri Alimehmeti: Urime Fatmir! Më në fund armata e gazetarisë sportive kavajase që i ka pasur fillimet me Fejzulla Dollinë, pasohet me nivel e cilësi nga “institucioni Efica”. Me këtë rikthim te librat sportivë, është sërish në “shinat” e njohura. Mbarësi!
Isuf Myrtaj: U emocionova për librin e ri nga mjeshtri i penës dhe mikrofonit sportiv, Fatmir Efica. Si koleg e mik, e them shumë sinqerisht: “Krenar për një koleg si Efica!”. Unë ndjehem me shumë fat që njohëm, punuam e punojmë së bashku me ju.
Xhevahir Lleshi: Ky libër është një sukses, edhe për faktin, se statistikat nuk të lënë kurrë në baltë. Ato e shoqërojnë kurdoherë pasionin dhe bëhen zëdhënëse të punës. Efica përshkruan qartë se, nga koha kur është themeluar KF.Erzeni, ky klub në dukje i vogël ka një histori të jashtëzakonshme e të pabesueshme, pasi tregohet shfrytëzimi i çdo mundësie, edhe pse në dukje të pakta e të vogla. Ky libër, sa mëson, po aq të bën dhe krenar, dhe kjo nuk është pak.
KËNDVËSHTRIM
Ky libër sportiv, një “gol” në libraritë shqiptare
Nuk e diskutova dy herë propozimin e Fatmir Eficës, që libri i tij sportiv për historinë e bukur të K.F Erzeni “85 vite histori dhe…emocione”, të publikohej edhe në gazetën “Telegraf”. Jo vetëm se, së bashku kemi 27 vite kolegë, fillimisht në Radio Tirana, e më pas në gazeta të ndryshme sportive në Shqipëri, por edhe për faktin, se kësisoj Fatmiri po “zbardh” historinë e Erzenit me këtë libër, e cila ka vite që duket si e “pluhurosur”. Kjo nuk ka ndodhur vetëm te Erzeni, por është një “epidemi” që historisë sportive ia ka “gërryer” fletët e saj, por asnjëherë nuk ia ka humbur. Të tilla rutina kanë qenë pjesë e të paaftëve, qoftë nga harresa e “punët e shumta” që kanë bërë ndër vite gazetarë e punonjës të ndryshëm në klube e skuadra sportive, por edhe nga fakti se, këto libra duan “ustallarë”. Natyrisht që Fatmir Efica nuk është i pari, por as edhe i fundit që e “zbardh” historinë sportive gjithandej në Shqipëri, dhe kësisoj, ai mbetet i veçantë për pasionin e profesionalizmin se si i trajton nga libri në libër. Siç e përmend edhe vetë Efica, se në Shqipëri duket paradoks i madh fakti, që botimet sportive s’janë aq të shpeshta, tashmë ky paradoks po vjen duke u zbutur, për të mos thënë, se kështu do të bëhet i padukshëm. Ndërkohë që, në këndvështrimin profesional, të botosh sa më shumë libra, do të thotë që të kontribuosh edhe në aspektin social të shoqërisë sonë, sepse ai që ble një libër, aq më shumë libër sportiv, nesër nuk do të orientohet në planin negativ të jetës së tij. Nisur nga këto vlera, të cilat i bart edhe ky libër i Fatmir Eficës, “85 vite histori dhe…emocione”, veç urimit për autorin, le të “gërvishtim” sa do pak edhe për ata njerëz që sot kanë pushtet e para, që t’i japin mbështetje librit. Urime Fatmir! Respekt historisë së futbollit shijakas!
FSHF-ja mbledh arbitrat, përballë me kapitenët
Nga Drejtori për Shtypin në Federatën Shqiptare të futbollit, Gerti Çarçani, dje u mësua se një tjetër veprimtari në kuadrin e përmirësimit të mangësive me lojën e futbollit do të zhvillohet sot. E këtë herë FSHF-ja duket se e ka vënë “dorën mbi plagë”, teksa ka thirrur në një takim arbitrat, “xhaketat e zeza” të përfolura periodikisht në futbollin tonë. “FSHF ju njofton se, ditën e mërkurë në orën 10:00, në stadiumin “Selman Stërmasi” organizohet një takim sensibilizues dhe ndarje opinionesh e mendimesh, mes arbitrave dhe asistentëve me gjyqtarët kryesorë të Kategorisë Superiore, njëherësh edhe të kapitenëve të skuadrave të të kësaj kategorie. Në këtë takim, sa të domosdoshëm aq edhe interesant (mblidhet për herë të parë) do të jetë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe objekti kryesor do të jetë garantimi i një klime më Fair-play në fushë gjatë ndeshje, e koordinuar kjo edhe me diskutime mes arbitrave dhe kapitenëve të skuadrave të Kategorisë Superiore. Një veprimtari që ia vlen të ndiqet, por edhe të pasqyrohet nga mediat, sepse kështu bashkohen më mirë hallkat në futbollin tonë në shërbim të përmirësimin të dukurive negative që e shoqërojnë atë.
Kosova thyen Serbinë, goditja nga Arbitrazhi Sportiv
Qysh nga viti i kaluar, pala serbe kishte kërkuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, që të shfuqizimin e vendimit të UEFA-s marrë në Kongresin e 3 majit 2016 në Budapest të Hungarisë, i cili e bënte Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) anëtaren e 55-të të saj. Pas rrëzimit të këtij pretendimi, Kosova konfirmohet anëtare me të drejta të plota në UEFA, e kështu kjo është një tjetër fitore shqiptare ndaj Serbisë, pas asaj që Shqipëria fitoi në nëntor 2015 me historinë e dronit në stadiumin e Beogradit. Për pasojë, apeli i Federatës Serbe u hodh poshtë, duke qenë njëherësh edhe goditja e dytë, që ajo merr nga futbolli shqiptar në të gjitha trevat e tij.
Dëmtohet Salihi, trembet Skënderbeu 
Dje, në stadiumin “Selman Stërmasi, skuadra e Skënderbeut ka zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën Shpresa U 21 vjeç të Shqipërisë, e cila në pak minuta ka rezultuar e pafat për sulmuesin kryesor të saj. Kështu, Hamdi Salihi, i nisur si titullar në këtë ndeshje miqësore, ka braktisur fushën e lojës pas pak minutash. Pasi e ndjeu dëmtimin, lojtari i bëri me shenjë stafit teknik dhe kërkoi zëvendësimin. Më pas, ai iu drejtua një klinike në kryeqytet për një kontroll më të specializuar. Të shtunën, skuadra e Skënderbeut do të presë Flamurtarin, në kuadrin e javës së 19-të të Kategorisë Superiore.
Teuta bën merkato, firmos me Prognin
Këto ditë të merkatos së janarit, ishte përfolur në thasethemet e merkatos se, skuadra e Teutës së Durrësit do të marrë një nga futbollistët më cilësorë të Kategorisë Superiore shqiptare. Madje edhe vetë Presidenti Edmond Hasanbelliu, në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, e pohoi këtë fakt, por nuk e zbuloi emrin. Kështu që, dje Progni ka firmosur kontratën për të qenë pjesë e Teutës deri në mbyllje të sezonit 2016-2017. Skuadra durrsake ndodhet në vendet e fundit në renditjen e Superiores, njëherësh është edhe pjesëmarrëse në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë.
Sigal