Agron KAJA/ Një Kombëtare pa kosovarë, nuk është hata kuq e zi

586
Sigal

OPINION/ Njohja e Kosovës nga FIFA, kryefjalë në tregun mediatik sportiv në të dy anët e kufirit

Ndërsa jemi duke kaluar një dimër që më shumë po na ngjason me nisjen e pranverës, në futboll po përjetojmë një periudhë gri ku topi zyrtarisht ka mbetur i “shpuar” dhe ka kapur pikën zero sa i përket zyrtarizmit të tij. Por, në këtë periudhë kaq të trishtë pa këtë futboll, një tjetër ngjarje e prodhuar nga kancelaritë më të larta të futbollit botëror po na bën që të zgjohemi e të ngrysemi pikërisht me topkëmbën si kryefjalë. Ka qenë vendimi i fundit i FIFA-s për ta njohur Kosovën duke i lejuar asaj që të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare miqësore, i cili po na ngatërron mendimet PRO dhe KUNDËR, kryesisht për pasojat e së ardhmes së këtij vendimi pa lojtarë kosovarë në Kombëtaren tonë. Tashmë ne jemi mësuar dhe jemi dashuruar me futbollin që shfaqin futbollistët shqiptarë nga Kosova, pasi me ta në Kombëtare në 20 vitet e fundit futbolli ynë kombëtar është shfaqur në fusha e stadiume më shumë se sa kombëtar. Sepse vetëm ky futboll arriti që të realizojë ëndrrën e shqiptarëve për bashkimin e kombit tonë, pasi gjatë kësaj periudhe kohe në përbërjen e të gjitha skuadrave tona kombëtare dhe në ato të klubeve të veçantë, ka pasur dhe ka lojtarë shqiptarë nga Kosova, nga Maqedonia e Mali i Zi. Madje në dhjetë vitet e fundit, në skuadrën tonë përfaqësuese futbollistët nga Kosova shpesh janë bërë protagonistë dhe shtylla të rëndësishme në të gjitha paraqitjet e saj. Ndoshta nuk mund të rikujtojmë të gjithë emrat e atyre futbollistëve nga Kosova që kanë qenë të veçantë me paraqitjet e tyre në Kombëtare, por për ta nisur me mesfushorin Besnik Hasi, portierët Arian Beqaj, Saimir Ujkani e Etrit Berisha, mbrojtësit Armend Dallku, Mërgim Mavraj e Debatik Curri, mesfushorin dhe kapitenin aktual Lorik Cana, mesfushorët Migjen Basha e Valdet Rama, apo sulmuesin individualist në lojë, Besart Berisha, ku të gjithë këta së bashku me shumë të tjerë e kanë zbukuruar dekorin kuq e zi në fushën e lojës. Më tej, duke e lënë pas nostalgjinë dhe aktualitetin e emrave të futbollistëve nga Kosova që kanë veshur fanellën kuq e zi, si një “mizë kali” është duke qarkulluar në ajrin mediatik edhe pyetja se, çfarë do të ndodhë me Kombëtaren shqiptare në rast se këta futbollistë i thonë SOS Shqipërisë dhe atashohen në Kombëtaren e Kosovës? Unë mendoj se nuk do të ndodhë hataja e nuk do të bjerrë tërmet në Kombëtaren tonë, por veçse një psherëtime nacionaliste e llojit shqiptar do të lëshohet “…Ah, pse …”. Më pas ata do të kujtohen si në përralla kur e nisim me fjalën “… na ishte një herë”, pa menduar asnjëherë se mund të shahen e fyhen sikundër ka ndodhur me ata futbollistë kosovarë që nuk kanë pranuar të vishen kuq e zi, për të luajtur në Kombëtare të shteteve tjera në Europë. Pra, edhe nëse futbollistët shqiptarë nga Kosova që aktualisht luajnë me Kombëtaren e Shqipërisë do të shkojnë në kombëtaren mëmë, kombëtarja shqiptare do të ekzistojë. Mirë apo keq, ky mund të jetë një realitet të cilit nuk duhet t’i frikësohet askush, pasi përpos vlerësimit dhe respektit për të gjithë futbollistët shqiptarë nga Kosova që kanë veshur fanellën kuq e zi në vite, është mirë të kujtojmë se asnjeri prej tyre nuk ka bërë diferencën vetjake për ta nxjerrë Kombëtaren tonë nga tradita shumëvjeçare e vendeve të fundit në renditjen e grupeve eliminatore për botërore dhe evropianë. Madje disa prej tyre që kanë luajtur dhe luajnë në skuadra të mëdha të shteteve me futboll cilësor në Europë e në Botë, në Kombëtare kanë qenë më shumë se të barabartë me të tjerët, për të mos thënë se ndonjeri prej tyre nuk ja ka vlejtur cilësisht të ishte lojtar kuq e zi. Në këtë këndvështrim, edhe institucioni i futbollit shqiptar (FSHF-ja), duhet të jetë i përgatitur për një situatë ndryshe në skuadrat kombëtare të moshave dhe në atë përfaqësuese, por nuk do ta besoja skupin e hedhur në tregun mediatik sportiv shqiptar dhe në atë kosovar se kjo FSHF do ta pengojë lëvizjen e futbollistëve aktualë kosovarë për t’u larguar nga Kombëtarja shqiptare në Kombëtaren kosovare. Jo vetëm për qytetarinë dhe seriozitetin e drejtuesve të saj, por edhe për të respektuar realitete që ndryshojnë për shkaqe kombëtare, “postblloku” nuk do të ishte lajmi i mirë në mesin e shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë. Gjithsesi, nuk mund të vihet në dyshim se në të ardhmen e afërt e të largët mund të ketë të tjerë futbollistë shqiptarë me origjinë nga Kosova që do të duan të vishen kuq e zi, e për ta ndoshta do të duhet një aktivizim më cilësor në Kombëtare. Kështu le të nisë një epokë e re dhe me standarde më cilësorë edhe për këtë pjesë, por nëse do të bëhet fjalë për të tillë si Adnand Januzaj.

  Trajneri i Çelsit po shfaqet si tifozi numri një i talentit shqiptar të Mançester Junaitid

  Murinjo: “Januzaj me të ardhme të madhe”

  Zhoze Murinjo është tifozi më i ri i Adnan Januzajt. Trajneri i Çelsit tregoi respektin maksimal për talentin shqiptar të Mançester Junaitid. Ish-tekniku i Interit dhe Realit të Madridit e cilësoi kosovarin si një “fëmijë-mrekulli”, duke theksuar se i vjen keq që akademia e “Bluve” nuk ka prodhuar yje të rinj.

Adnan Januzaj u shpall njeriu i ndeshjes në fitoren në “Old Traford” ndaj Suonsit me 72% të votave, po merr përsipër lojën krijuese të “djajve” në mungesë të Uejni Runejt dhe Robin Van Persit e pikërisht ky fakt nuk i ka shpëtuar syrit të mbrehtë të “Special One”, që nuk ngurron të thotë fjalët më të mira për një kundërshtar të tij në fushën e blertë. “Ai është lojtar fantastik. Ai nuk duket si 18-vjeçar, por si 25- vjeçar. Januzaj është shumë i zgjuar dhe ndihet rehat me lojën e tij. Është një lojtar shumë i mirë dhe i rëndësishëm”. Sipas portugezit, djaloshin me origjinë shqiptare e pret një e ardhme e jashtëzakonshme për vetë cilësitë që ka. “Mendoj se Januzaj është lojtar shumë i mirë dhe me perspektivë për të patur një karrierë të madhe dhe të gjatë. Nuk e njoh djalin nga afër, por ai duket se ka shumë besim në vetvete”. Ai është një lojtar fantastik”.  Adnan Januzaj mbetet një nga objektivat kryesore të kombëtares shqiptare, edhe pse babai I futbollistit nuk ka dhënë shumë shpresa për përfaqësimin e Januzajt me Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi, me përfshirjen madje edhe të politikës në këtë çështje, besohet se ekzistojnë mundësitë për ta bindur talentin 18-vjeçar që të veshë fanellën kuqezi.

 Liverpuli kërkon Valon Berishën

 E ardhmja e Valon Berishës mund të jetë në Premier Ligën agleze. Gjigantët e Liverpulit kërkojnë shërbimet talentit kosovar që luan me Salzburgun në Austri. Lajmin e ka bërë të ditur “sportdirectneës. com”. Mesfushori 20-vjeçar ka aftësi të shkëlqyera. Ai luan nga viti 2012 me Salzburgun. Ai luan me Kombëtaren e Norvegjisë.

 Abrashi, në fokusin e Katanias

 Katania është duke u interesuar për Amir Abrashin, mesfushorin e kombëtares shqiptare që luan në Grasshoppersin në Zvicër. Katania luan në Serinë A italianë dhe më parë në radhët e saj ka qenë Edgar Çani. 23-vjeçari Abrashi është me skuadrën e tij në fazën përgatitore në Marbella të Spanjës, ndërsa mediat italiane atë e kanë portretizuar si një Valon Behrami i ri.

 Kristiano Ronaldo, “mbreti” i golit

 “Topit i Artë” duket se e ia ka shtuar oreksin Kristiano Ronaldos. Në 19 takimet të zhvilluara deri tani në La Liga, ylli i Realit ka realizuar 21 gola, me një mesatare më shumë se një gol për ndeshje. Në Ligën e Kampioneve ka luajtur 5 ndeshje dhe ka realizuar 9 gola. Që nga starti i sezonit ka kapur në total shifrën e 31 golave.

Lorik Cana drejt largimit nga Italia. E ardhmja e kapitenit të Shqipërisë mund të jetë në Francë

 Berisha, numri “1” i Lacios

 Etrit Berisha po konfirmon vlerat e spikatura të tij sa herë që trajneri Edi Reja e ka futur në fushë. Edhe dje, portieri i Laciso dhe i Kombëtares shqiptare ishte ndër më të mirët në fushë, duke mbrojtur fitoren e ngushtë 3-2 të Lacios kundër Udinezes në Friuli, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 20-të të Serisë A. Lacio fitonte për herë të parë pas 256 ditësh në një ndeshje në transfertë, ndërkohë që pas 81 muajsh mundin për herë të parë Udinezen në Friuli. Edhe dje, trajneri Reja e preferoi shqiptarin para portierit të parë zyrtare, Federiko Marketit, duke e lënë këtë të fundit në tribunë. Lacioja zbriti në fushë me Etrit Berishën në portë dhe Strakoshën e Guerririn në bankinë. Duket qartë se, Marketi po numëron ditët e fundit të Lacio, pasi e kërkon Milani. Në vitin 2014, portieri i dytë i Kombëtares italiane nuk ka luajtur asnjë minutë, teksa në portë ka qenë Etrit Berisha. Fillimisht, Marketi mungoi për shkak të dëmtimit në kofshë, por edhe pas rikuperimit trajneri Reja besoi te Berisha, ndërsa vetë presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, e konsideroi një zgjedhje teknike. Berisha është treguar një kampion i vërtetë në paraqitjet e tij, teksa Lacio nuk ka humbur asnjë nga tri ndeshjet me kosovarin në portë. Në fakt, portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ka bërë për vete gjithë ambientin e Lazios, duke i “detyruar” në një fare mënyre drejtuesit që të nxjerrin në shitje Federico Marketin. Gardiani kuqezi Berisha ka mbrojtur më së miri portën e Lacios, duke fituar çdo ndeshje notën 6.5. Ndërsa, Etrit Berisha konfirmohet, Lorik Cana mund të largohet nga Lacio që në merkaton e janarit. Kapiteni i Shqipërisë luajti vetëm gjashtë minuta në ndeshjen e djeshme, duke hyrë si zëvendësues në vend të Edersonit të dëmtuar. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen më së shumti së përditshmes sportive “Gazzetta dello Sport”, drejtuesit janë duke menduar largimin e një mbrojtësi mes Mikael Cianit dhe Lorik Canës. Duke qenë se luajnë në të njëjtin rol, njëri prej tyre pritet të ndryshojë skuadër, kjo edhe për faktin se nuk preferojnë të qëndrojnë në bankinë. Nuk dihet nëse do të largohet pikërisht kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, por mendohet se rikthimi i Edi Rejas në krye të skuadrës nuk ka qenë një sinjal i mirë për Canën.