Agron KAJA/ Në Vlorë u luajt futboll për sallon basti!

578
Sigal

KATEGORIA SUPERIORE/ Në ndeshjen e javës së 19-të, Flamurtari-Teuta 2-1, rezultatin e vendosi tavolina

Dy sezone më parë futbolli shqiptar akuzohej nga Sport Radar si një nga më të trukuarit në Europë, me 97 ndeshje të tilla për dy-tre sezone. Dhe gjatë kësaj kohe kemi kujtuar se do të ishim në rrugë të mbarë sa i përket korrigjimit të këtij fenomeni, por jo. Gjatë muajit janar, në periudhën që skuadrat tona u përgatitën në fazat përgatitore jashtë Shqipërisë, u akuzuan për trukim në dy ndeshje miqësore që zhvilluan me skuadra të huaja. Bëhet fjalë për Skënderbeun e Flamurtarin, të cilët për akuzuat që u bënë nga mediat e huaja, mohuan gjithçka. Gjithsesi, këtu ka qenë ndoshta vetëm një “nxemje” për ta kujtuar këtë fenomen, sepse të shtunën në stadiumin “Flamurtari” në takimin Flamurtari-Teuta 2-1 pamë një trukim amator të dukshëm e të turpshëm. Kush e trukoi këtë ndeshje? Vlonjatët menjëherë pas përfundimit të saj dolën në një deklaratë shtypi ku distancoheshin nga ky teatër, duke thënë se ky fenomen nuk është pjesë e Flamurtarit dhe se do të kërkojë të hetohet nga FSHF-ja. Po durrsakët? E ndoshta këtu duhet parë kjo shfaqje e shpifur e së shtunës, madje që me daljen nga loja të portierit Rizvani. Sepse ai kërkoi zëvendësimin e tij në gjysmën e dytë të pjesës së dytë kur rezultati ishte i barabartë 1-1, duke treguar një dëmtim në shpatullën e majtë, ndërkohë që në momentin e zëvendësimit, me dorën e tij tregonte kofshën e këmbës së djathtë! Një vëmendje e lehtë këtë moment mund ta quajë si një nisje e minutave trukuese, të cilat më pas ishin të dukshme të gatuara me trukim. Dhe nëse do ti referohemi kronikës së kësaj ndeshjeje vetëm të 10 minutave të fundit të saj, kemi parë disa raste të pastra shënimi për të dyja skuadrat, raste të cilat janë humbur çuditërisht nga futbollistët respektivë. Madje, dukshëm portieri i rifutur në lojë për Teutën, i jepte një ritëm lojës brenda zonës së tij, ritëm i cili është në kundërshtim me logjikën sportive të fushës kundërshtare. Dukej sikur u thoshte vlonjatëve: “Hë pra, kur do shënoni?” Por, edhe vetë momenti i shënimit u duk qartë se kishte brenda tij erën e keqe të lënies nga durrsakët. Ky është një këndvështrim personal, duke qenë se këtë ndeshje e kam ndjekur në TV dhe në radio, aty ku kolegu im vlonjat për këtë gol ka lëshuar nga kabina e transmetimit vetëm një belbëzim, jo me atë karizmën e tij dhe ritmikën admiruese që tradicionalisht ai transmeton. Kësisoj, trukimi këtë herë doli sheshit shumë shpejt, ndoshta jo si në të tjera raste ku aktorët nuk dalin hapur. Në raste të tjera, hetimet për trukime e debatet për to janë mbyllur me justifikimin se “mungojnë provat” ose “nuk i kemi mekanizmat që t’i zbulojmë ndeshjet e trukuara”. Po, është e vërtetë që FSHF-ja ka bërë diçka në luftë me fenomenin e trukimeve dhe nuk mund ta quash atë si “nëna” e tyre, por kur “ujkun” e pe LIVE në Vlorë, atëherë mos i kërko gjurmët në ndonjë zyrë pa adresë. Se ne turpin për të tilla raste, por edhe për dhunën në futboll e kemi ngrënë me bukë dhe nuk na bën përshtypje, e rëndësishme është që këtë çorbë që po e gëlltisin i njomi dhe i thati, ta ndajë mirë garuzhde e FSHF-së. Kambana ka rënë shumë dëgjueshëm për ata që kanë sy të shikojnë dhe veshë të dëgjojnë, ndërsa në futbollin tonë duhet vërtet një “mjek” që t’u kurojë veshët dhe mendjet e atyre që e kanë bërë biznes lojën e futbollit. Në sezonin e kaluar edhe UEFA na e tha qartë se kemi një futboll që luan në fushë, por më mirë jashtë saj, përderisa fatin e tyre e vendosin në sallonet e basteve (trukimet). Mat pa kundërshti apo futboll në brishtësi! Rruga është përpara për ta mësuar emrat e heronjve të trukut sportiv. E gjej me vend ti mbyll këto radhë me një shprehje humoristike të aktorit të ndjerë Roland Trebicka në Komedinë “Pallati 176”: “Ë hë, plasën çokollatat këtej!” Në këtë rast, kjo e Vlorës ka aromën e Adriatikut dhe të Jonit, përderisa ky quhet edhe “derbi bregdetar” i  futbollit shqiptar. Pa ndeshjen Flamurtari-Teuta 2-1 dhe 15 golat e shënuar, kjo nisje e fazës së tretë të Kategorisë Superiore tregoi se janë bërë pak ndryshime nga skuadrat, si në lojë, në taktikat e përdorura dhe në emrat e merkatos. Gjithsesi, janë ende edhe 17 ndeshje të tjera për t’u luajtur, brenda së cilave, veç futbollit nuk i dihet se çfarë do të gatuhet: trukim, dhunë apo ndershmëri.

Ndeshjet-Java e 19-të

Datë 24 janar 2015

Tirana-Apolonia            2-0

Vllaznia-Kukësi             1-2

Flamurtari-Teuta           2-1

Datë 25 janar 2015

Laçi-Partizani                 1-1

Elbasani-Skënderbeu     1-4

Renditja

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Kukësi               19      41

2.Skënderbeu       19      39

3.Tirana               19      38

4.Partizani            19      37

5.Laçi                             19      28

6.Flamurtari                   19      25

7.Vllaznia             19      23

8.Teuta                 19      16

9.Elbasani            19      9

10.Apolonia                   19      9