Agron Kaja/ Në Botërorë jemi të “salduar” nga fundi

500
Duke parë gjithë historinë e futbollit tonë kombëtar që nga themelimi i FSHF-së në vitin 1930, pranimin në FIFA në vitin 1932, Kombëtarja shqiptare e futbollit ka patur shumë dritëhije në pjesëmarrjet e saj në 20 Kampionatet Botërorë që janë zhvilluar nga viti 1930 e deri në vitin 2014. Për vetë kushtet në të cilët ka kaluar vetë Shqipëria, këto dritëhije kanë qenë të imponuara dhe të justifikuara për atë çka është arritur. Sepse në fillimet e Kampionateve Botërorë 1930-1962, Shqipëria ka kaluar dy periudha mes varfërisë e luftës, momente që nuk e bënin të mundur organizimin normal të Kombëtares për të konkuruar në grupet eliminatore. Vetëm në Botërorin e vitit 1966 që finalet i luajti në Angli, Kombëtarja e Shqipërisë njohu për së pari rrugën e ndeshjeve eliminatore në grupe. Fatkeësisht mospjesëmarrjet do të ishin edhe në Meksikë 1970 dhe Argjentinë 1978, për të cilat më shumë i faturohet sistemi komunist që Shqipëria përjetonte në ato vite, i cili në atë periudhë kishte vendosur që futbollin kombëtar ta mbante larg Europës dhe Botës së futbollit. Kështu, pas 8 kampionateve që nuk morri pjesë në periudhën 1930-1962, Shqipëria që nga Botërori 1982 që u zhvillua në Spanjë e deri në Botërorin e fundit që u zhvillua në Brazil në vitin 2014, ka luajtur sistematikisht ndeshjet në grup dhe në asnjë rast nuk është kualifikuar. Kjo është një histori e bukur, por me bilance negative për Kombëtaren tonë ku në 94 ndeshje kualifikuese ka fituar vetëm 13, ka barazuar po 13 ndeshje dhe ka humbur në 68 të tjera me një golaverazh negativ 62:175. Por, edhe pse është e tillë historia shqiptare në Botërorë, realiteti i saj flet për një situatë ndryshe. Ndoshta sot ka ardhur koha që të mendohet ndryshe, jo vendet e “salduara” në fundin e renditjes së çdo grupi ku kemi luajtur eliminatoret. Duke e parë këtë realitet kryesisht në gjendjen e skuadrës sonë Kombëtare në grupin I eliminator të “Euro 2016”, le të themi se këto “tabu” tashmë ndihen si mangësi pjesë të historisë që nuk duhet të ndikojnë në realitetin aktual. Parë kështu, kjo histori e Kombëtares shqiptare që në grupet eliminatorë në 11 Botërorët ku ka marrë pjesë është renditur në vendet e fundit apo të parafundit, sot nuk ndikon në progresivitetin real.
DUKA PËR SHORTIN
I vlerësoj të gjitha skuadra të forta
“Edhe pse është shumë herët për të folur, unë si fillim do të thoja se është një kënaqësi të luash me skuadra të mëdha nga më të mirat në Botë si Italia e Spanja. Por, në kuadrin e vlerësimit, unë do të thoja se të gjitha skuadrat e grupit tonë eliminator janë të forta. Me Maqedoninë mendoj se veç rivalitetit, problem do të jetë edhe tifozeria për vetë përbërjen etnike me shqiptarë të shtetit maqedonas. Gjithsesi, nga ana sportive do të jetë një ndeshje pa probleme, e po kështu edhe me Izraelin apo edhe Litehshteinin”.
DE BIAZI PËR SHORTIN
Short konkurrues, skuadra ka rritje
“Shorti na ka vënë përballë dy skuadra të mëdha në Botë, Italinë e Spanjën, por unë nuk do të nënvleftësoja Izraelin e Maqedoninë. Me të gjitha këto, duke përfshirë edhe Litehshteinin, unë do të kërkoja që skuadra Kombëtare të luajë pa frikë. Por unë tashmë mbetem i fokusuar tek ndeshjet e Evropianit, sepse ato për Botërorin duan edhe një vit që të nisin, e deri atëherë ndryshimet në rritje do të jenë të dukshme. Ky është një short konkurrues për Shqipërinë dhe do të luajmë të gjitha shanset tona”.

Federata Shqiptare e Futbollit
Viti themelimit: 1930
Pranuar në FIFA: 1932
Pranuar në UEFA: 1954
President: Armand Duka
Trajner i Kombëtares: Xhani De Biazi
Kapiten i Kombëtares: Lorik Cana
Stadiumi: “Elbasan Arena”
Kapaciteti: 12.500 vende
Pjesëmarrje në Botërorë 11
Kualifikime asnjë
Nd 94, F 13, B 13, H 68, G 62-175
Sigal