Agron KAJA/ Moti ngel në klasë futbollin, reshjet nxjerrin jashtë loje futbollin

547
Sigal

OPINION/ Pas një dite të ngarkuar me reshje shiu, java e 30-të thuajse u luajt në moçale

Ky fund i muajit prill, me reshje të shumta shiu e në ndonjë rast edhe me reshje bore, ndoshta kërkon që të sfidojë jo vetëm jetën e përditshme të shqiptarëve, por edhe futbollin e tyre. Kjo situatë u vërtetua “live” të shtunën  kur kalendarët sportivë kishin planifikuar të luheshin të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë, që për kapriçiot e tij, moti u ngarkua me reshje të dendura shiu. Çfarë pamë veç futbollit në këto ndeshje? Natyrisht që u luajt në fusha të rënduara nga reshjet e shiut, të cilat në pjesën më të madhe të tyre të jepnin përshtypjen e një moçali të vogël, atje ku veç notit për shpezët e vogla asgjë tjetër nuk mund të ishte brenda normales, sikundër të themi edhe futboll. Një zyrtar i FSHF-së pas ndeshjes Tirana-Vllaznia, u shpreh se, situata në fushën e lojës ishte brenda normales përsa i përket ngarkesës së fushës me reshjet e dendura që ajo u ngarkua, të cilat nuk ju ndanë nga fillimi e deri në fundin e saj. Dakord, por se cila është normalja në këtë situatë, kjo ndoshta kërkon edhe një sqarim më konkret të rregullores së futbollit, e cila e përcakton qartë se kur duhet të luhet në të tilla situatë reshjesh. Duke e parë këtë takim njëherësh edhe live në stadium, por edhe në disa monitorë në kabinat e transmetimit, do të thosha se loja u zhvillua në një fushë jo normale. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, me gjendjen e tij në 10-15 vitet e fundit ka kaluar edhe situata më të rënduara nga reshjet dhe ndeshjet janë luajtur, por asnjëherë nuk është thënë për normalitet. Në këtë koncept mund të thuhet se vazhdoi ndeshja për të plotësuar anën zyrtare të saj, por futboll asnjëherë nuk mund të mendohet se luhet kësisoj. Nga këto reshje, goli i Partizanit ndaj Kastriotit edhe mundet të mos ishte shënuar dhe ne nuk do të thoshim se është normale, pse nuk kemi ende fusha të sakta që të përballojnë reshjet e shiut të nivelit nën mesatar,  krahasuar me standardet e fushave në stadiume të shumta në Europë. Mendo pastaj se në çfarë gjendje kanë qenë fushat në stadiumet e Kategorisë së Parë, ku vetëm në stadiumin “Tomori” në Berat, kolegët gazetarë kanë folur e shkruar se ishte një moçal, ndërkohë që fusha në këtë stadium ka vetëm tre sezone që është restauruar dhe vetë stadiumi thonë se renditet në tre vendet e para në Shqipëri. Pra, kjo do të thotë se fushat në stadiumet tona të futbollit nuk janë në standardet e duhura për të përballuar normalisht ndeshjet që luhen aty në çdo stinë të vitit dhe ndodh si të shtunën që aty luhet vetëm për të plotësuar formalitetin zyrtar të tyre. Kësisoj, futbolli “ngeli në klasë” edhe pse u luajtën 90 minuta në çdo takim. Dhe në një farë mënyre, moti me reshje gjatë ditës së shtunë u mendua se do të kompromentonte rezultatet e ndeshjeve, kur kemi parasysh që në Superiore ishte java e 30-të dhe ka ende skuadra që shpresojnë më të mirën e tyre në të dy kahet e renditjes. Por, askush në këtë javë të 30-të nuk tha as edhe një fjalë nëse këto ndeshje të luajtura të shtunën pasdite, kishin ose jo doza trukimesh. Dhe ky është një lajm i mirë për futbollin tonë, kur kujtojmë se në sezone të kaluara në këtë periudhë sezoni, Kampionati ka pasur mes tij edhe ndeshje të paravendosura, thënë më qartë, të trukuara. Tashmë kanë mbetur tre javët e fundit në Kategorinë Superiore, në të cilat do të luhet vetëm për Europën, pasi skuadrat që duhet të zbresin një kategori më poshtë, në 99% të tyre janë përcaktuar: Besa, Kastrioti, Lushnja dhe Bylis. Të urojmë një mot më ndryshe nga e shtuna e 26 prillit, të paktën të shijojmë 270 minutat e fundit të Kampionatit të 75-të në situata normale të motit. Që të shohim edhe pakëz futboll!

 Pas 24 vjetësh rikthehet emisioni i famshëm i sportit shqiptar. Drejtuesit e shquar, nga Mazreku te Bellova

   Ilir J. Hoxha/ “Ju flet Tirana, Rubrika Sportive!”

 Pas 24 vjetësh mungesë, Radio Tirana u ktheu dëgjuesve të saj nostalgjinë e të famshmes “Rubrika Sportive”. Nuk besoj se, ka ndonjë shqiptar mbi 40-vjeçar që nuk do kureshtohej së paku për të rikujtuar atë emocion që vetëm mjeshtrit e vërtetë mund ta sillnin me aq patos dhe përkushtim. Nuk ka ndryshuar shumë. Ka dasht’ zoti që edhe profesor Bellovën në këtë 80-vjetor ta kemi shëndetplotë dhe me të njëjtën dëshirë dhe vitalitet. Ashtu sikur atëherë “Marshi Sportiv” i Preng Jakovës që do ta çonte adrenalinën duke na rinuar 24 vjet që në nisjet ë tij. Ndryshimet  demokratike të pas viteve  90-të përpos lirisë së munguar në atë vrull do të na “burgosnin” edhe vlera që duheshin diferencuar. Nëse do të qëndronim korrekt me historinë, “padrejtësitë” kundrejt këtij zhanri sportiv, Radio Tirana i ka nisur që në lindje të saj teksa  edhe pse  ka për sipar të saj transmetimin e një ndeshje ndërkombëtare futbolli më shtator të vitit 1938 nga  Anton Mazreku, dhe përsëri për ditëlindje mban atë të 28 Nëntorit të këtij viti. Kundrejt atij fanatizmi diktatorial, ka qenë kualiteti i diferencuar i redaksisë së sportit që do të na e  barazonin cilësinë e së vetmes radiofonike me atë të simotrave ballkanike. “Rubrika Sportive” do ta niste rrugën  e saj  në vitin e largët të  1962 atëherë kur korifenjtë e medias sportive radiofonike Anton Mazreku dhe Ismet Bellova do të projektonin  këtë emision  për të vazhduar plotë edhe 28 vjet më pas. Pionieri i parë ka emrin e  Spiro Shakës e mandej stafeta do transmetohej  me të njëjtin përkushtim nga Ahmet Shqarri që kujtdo i kujtohen   lidhjet e drejtpërdrejta nga Pallati i Sportit apo ndjekja  e  turneve çiklistike që askund sot nuk transmetohen. Po kështu profesionistë të nivelit Vangjel Shundi për lojërat me dorë, Kristaq Andoni për shahun apo  Xhaferr Bogdani për sportet e rënda do të përbënin boshtin e një emisioni që do ta çonin  në kufijtë e legjendës nga ndjekshmëria auditive apo  profesionalizmi cilësor. “Bëmat” e saj shumë shpejt do thyenin çdo ligj apo  rregull  sado fanatik që të ishte. Ashtu sikur priteshin ndeshjet , shumëfish ishte kureshtja për të dëgjuar përmbledhjen e aktiviteteve sportive të vendit që aq me përkushtim e bënin vetëm ata që ishin profesionalist dhe e donin sportin aq sa dhe median. Mjeshtëria dhe profesionalizmi i tij,   në konspiracion do të ndryshonte edhe orarin e mbledhjeve të  ‘Partisë mbi të gjitha’, ndërsa ndërprerja e dasmave dhe qëndrimi i trenit në orën që ishte  emisioni  kishin marrë legjimitetin absolut dhe askush nuk kishte të “drejtë” ta kundërshtonte. Edhe sot është përpjekja e pandërprerë e gazetarit të shquar të  emisioneve sportive Pirra Ruvina, i cili pa reshtur asnjëherë ka mundur të “çajë” pengesën  për ta futur në programacion këtë vlerë që cilado medie, po ta kishte në ekskluzivitet nuk do ta neglizhonte për asnjë sekondë. Po sot(dje) ky emision vjen edhe si një dhuratë për 80-vjetorin e lindjes, që cilido që e kujton  e identifikon me vetë emrin e atij që i vinte “qershinë kësaj torte” me shije te paharrueshme, Ismet Bellovën.

 Gjoka: “Dua katër pikë nga Vllaznia e Tirana”

 Ndërsa skuadrat e tjera që luftojnë për mbijetesë në Superligë, Tirana, Vllaznia e Besa, luajtën të shtunën, duke pasur fate të ndryshme përsa u përket rezultateve të ndeshjes, Flamurtari fitoi 3-0 në tavolinë me Bylisin e përjashtuar. Vlonjatët u ngjitën në kuotën e 44 pikëve, duke qenë tani në vendin e gjashtë; duke pasur një pikë më shumë se Tirana (43), tri më shumë se Vllaznia (41) dhe gjashtë më shumë se Besa (38) e vendit të 9-të, pozicion që të zbret një kategori më poshtë. Por, megjithatë trajneri i kuqezinjve Ernest Gjoka këmbëngul në faktin se skuadra e tij duhet të grumbullojë edhe 4 pikë në dy ndeshjet e radhës me Vllazninë (në Shkodër) dhe Tiranën (në Vlorë) për të siguruar mbijetesën. “Ne nuk e shohim leverdinë te ndeshjet e skuadrave të tjera por te vetja jonë. Flamurtari duhet të shohë ndeshjet e tij dhe të marrë pikët që i duhen, nëse do të bëjë këtë do të  ketë rëndësi se çfarë bëjnë të tjerët. Shpresojmë që brenda kësaj jave të marrim katër pikë, që për ne do të thotë sigurim të mbijetesës”, – tha Gjoka. E ndërsa ai këmbëngul te mbijetesa, është fakt që vlonjatët kanë shanse reale të luajnë në Europë Ligë edhe nëpërmjet kampionatit, nëse dështojnë në finalen e Kupës së Shqipërisë. “Ky kampionat ka qenë i paparashikueshëm, por unë këmbëngul se objektivi ynë është qëndrimi mes më të mirave të futbollit shqiptar. Ne shikojmë vetëm përpara për të larguar rrezikun që na kanoset nga pas”. Përsa i përket ndikimit që mund të kenë në skuadër problemet financiare që e kanë shoqëruar Flamurtarin gjatë gjithë sezonit, Gjoka u shpreh. “Flamurtari ka pasur probleme financiare dhe me afrimin e donatorëve gjërat sikur janë qetësuar pak por edhe donacionet mbeten donacione. Futbollistët e Flamurtarit janë mundur të japin maksimumin e tyre për këtë ekip dhe për imazhin e tyre.”

TRI JAVËT E MBETURA

Java 31/(30 prill)

Skënderbeu-Kukësi

Laçi-Partizani

Lushnja-Teuta

Bylis-Besa

Vllaznia-Flamurtari

Kastrioti-Tirana

Java 32/(3 maj)

Partizani-Skënderbeu

Laçi-Kastrioti

Kukësi-Lushnja

Teuta-Bylis

Besa-Vllaznia

Flamurtari-Tirana

Java 33/(10 maj)

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Bylis-Kukësi

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari

RENDITJA

1 Skënderbeu      30   +20 57

2 Partizani    30   +8   50

3 Kukësi             30   +6   50

4 Teuta         30   +4   45

5 Laçi           30   +4   45

6 Flamurtari 30   +4   44

7 Tirana       30   +1   43

8 Vllaznia           30   +7   41

9 Besa          30   +2   38

10 Kastrioti  30   -11  29

11 Lushnja          30   -20  26

12 Bylis       30   -25  2