Agron Kaja/ Merkato dhe Europa trazojnë futbollin

633
Muaji qershor 2015 nuk e la të “lirë” futbollin shqiptar, kryesisht skuadrat që do të luajnë në kompeticionet evropiane, të cilat startojnë më 2 korrik me Turin e Parë Paraeliminator të Europa Ligë ku marrin pjesë Kukësi, Laçi dhe Partizani. Por, “gurët” për sezonin e ri janë trazuar që me Kalendarin e sezonit 2015-2016, të cilin FSHF-ja tashmë e ka “varur” në mur për t’u lexuar nga të dhjeta skuadrat pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore. E kështu, të gjitha këto skuadra, më pak edhe të tjerat që s’kanë impenjime në Kompeticionet evropiane, kanë nisur të zgjidhin fjalëkryqin që FSHF-ja u ka servirur me kalendarin duke i bërë ato sa aktive, aq edhe teorike në lëvizjet e tyre për kompletimin e skuadrave në këtë sezon të ri. Duke qenë se ky sezon për katër skuadrat e mësipërme do të nisë shumë shpejt me ndeshjet në Europa Ligë, dritëhijet e merkatos dhe përgatitjet e tyre kanë nisur më shpejt nga të tjerat, duke u bërë sa faktike aq edhe teorike. Themi faktike se ka emra që realisht janë të afruar e të larguar, ndërsa është teorike sepse ka edhe emra që janë në pikpyetje në lëvizjet e tyre, apo edhe të thën si mundësi. Ndoshta problem kanë qenë edhe zgjedhjet lokale të 21 qershorit, sepse ndarja e re Administrative Territoriale me hartën e re ende nuk i ka të qarta piketat që bashkiakët e rinj do të vendosin për sportet në njësitë që do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme. Gjithsesi, kjo është edhe një verë e nxehtë dhe me amulli në vendimmarrjet e futbollit, ku merkato dhe pjesëmarrja në Europë e kanë trazuar tregun, ndërsa një varg dukurish qëndrojnë sipër atyre që do të thonë fjalën e fundit mbi të ardhmen e çdo skuadre. Tre prej tyre kanë mbetur më të “brishta” nga sezoni në sezon dhe gjithnjë, nisur nga Reforma Territoriale ato janë më emergjente për përmirësimin e tyre.
1.Infrastruktura në stadiume
Të thuash se kemi një infrastrukturë të mirë në skuadrat e Kategorisë Superiore, kjo do të ishte vetëkënaqësi para realitetit, por duke qenë se 80% e skuadrave të Superiores i kanë stadiumet në gjendje normale për lojë, ky nuk është një laj i mirë për këtë kategori elite të futbollit shqiptar. Kjo është një nga dukuritë e spikatura të futbollit tonë, sepse stadiumet tona janë shumë të ndryshueshëm në stinët e vitit. Në stinë të nxehtë vështirësia për lojë dhe për shikimin e saj bëhet stres, ndërkohë që në stinë dimri me shira e mot të ftohtë, fushat shpesh kthehen edhe në statusin e një moçali jashtë një loje normale. Këtu bëjnë përjashtim stadiumi i Ballshit dhe stadiumi i Pukës, dy skuadrat që janë debutuese në Kategorinë Superiore, për të cilët FSHF-ja ka vënë edhe kushtet e vënies së tyre në funksion brenda datës 31 korrik 2015. Dhe nëse veçojmë edhe Vllazninë që gati të gjitha ndeshjet e fazës së parë në fushën e saj do t’i luajë në një fushë sportive për shkak të restaurimit të stadiumit “Loro Boriçi”. Prandaj infrastruktura në stadiumet tona ka mbetur si një nga dukuritë që nuk i japin futbollit bukurinë e duhur.
2. Financat e pastabilizuara
Të paktën në 15 vitet e fundit, financat në skuadrat e elitës në futbollin shqiptar kanë qenë të pastabilizuara. Jo vetëm në ato skuadra që kanë patur në drejtimin e tyre bashkitë respektive, por edhe në disa të tjera që në drejtim kanë patur presidentë me financa të stabilizuara në bizneset e tyre. Tradicionalisht në këtë periudhë është reflektuar dukuria ku financat në skuadrat tona zbehen në pjesën e dytë të sezonit, si në ato me presidencë bashkiake, ashtu edhe në të tjerat me presidentë. Në këtë sezon vetëm skuadra e Vllaznisë duket e braktisur financiarisht, pasi ende nuk është marrë drejtimi zyrtar nga kryebashkiakja e re, ndërsa asnjëherë nga presidentët e klubeve nuk është bërë garant ana financiare e skuadrave të tyre. Të gjitha skuadrat e tjera duken më të pavarura nga bashkitë e qyteteve të tyre, por asnjëherë nuk e kanë nënvleftësuar rolin e pushtetit lokal në financa. Ky handikap mund të quhet edhe si “Thembra e Akilit”, ku financa asnjëherë nuk ka mundur të jetë primare, dhe me situatën paraprake para fillimit të këtij sezoni, klubet ende nuk dinë se sa fonde u duhen të përballojnë këtë sezon.
3.Bashkitë pas zgjedhjeve
Për vetë kushtet e stadardet që ka futbolli shqiptar, roli i bashkive në këtë futboll është i rëndësishëm jo vetëm për financat që ato i akordojnë këtij futbolli. Një aspekt i rëndësishëm në marrëdhënien e tij me futbollin është edhe gatishmëria që ato tregojnë në harmonizimin e punëve me presidentët e skuadrave.Në Ligjin për Sportet, bashkitë janë pronarët e stadiumeve ku luhen ndeshjet e futbollit dhe në këtë status ato kanë edhe detyrime për mirëmbajtjen e tyre. Ky është ai moment që i bën faktor këto bashki në futbollin tonë, sepse asnjëherë ato nuk kanë ndihmuar që më fondet e tyre t’i mirëmbajnë stadiumet. Thuajse në të gjitha stadiumet e skuadrave të Kategorisë Superiore nga FSHF-ja ka patur ndihma periodike me fusha të standardeve normale të kohës, por bashkitë e nënvleftësojnë detyrimin e tyre ligjor në mirëmbajtje dhe administrim e mirë të tyre. Një element që mund të bëhet faktor pozitiv në këtë tregues është fakti që me zgjedhjet e 21 qershorit do të kemi më pak bashki, që në këndvështrimin sportiv do të gjenerojnë më shumë të ardhura për sporte, në veçanti për futbollin. Ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në rritjen e stadardeve në futbollin tonë, si roli i presidentëve, drejtimi i lojës nga arbitrat, apo edhe formula e Kampionat me 10 skuadra dhe me shumë ndeshje.
LËVIZJET NË MERKATO
SKËNDERBEU
Lëvizje cilësore me “piktore”
Të larguar: Fation Sefa, Enkel Alikaj, Diego Martins, Arco Stojkov, Peter Olyanik
Të afruar: Bujar Shabani, Bekim Dema, Arbër Abilaliaj, Romulo Pinto, Mateus Lima
KUKËSI
“Kampion” në të dy krahët
Të larguar: Dritan Smajli, Argent Halili, Roland Peqini, Erion Dushku, Albi Dosti, Ylli Hoxha, Rigels Dushku, Kushtrim Lushtaku, Hair Zeqiri, Alison Rikardo
Të afruar: Përparim Islami, Gentian Muça, Emanuel Souza, Felipe Dos Santos, Leonardo Granho, Juliano Da Silva, Zhan Karioka, Edison Qafa, Erik Flores, Darko Milevsski, Kostandin Ndoni
PARTIZANI
Orientohet në pistën shqiptare
Të larguar: Adrian Cuculi, Armir Rahmani, Arben Muskaj
Të afruar: Ditmar Bicaj, Sebino Plaku, Arsid Tafili, Renato Kalari
TIRANA
Ka afrime dhe largime “big”
Të larguar: Selemani Ndikumana, Elis Bakaj, Kire Ristevski, Renato Kalari, Renato Hyshmeri, Miroslav Bushiç
Të afruar: Ronald Gërxhalliu, Olsi Teqja, Dritan Smajli
LAÇI
Merkato graduale dhe në qetësi
Të larguar: Olsi Teqja, Stipe Buljan, Anthimo Selala, Arbër Hliti, Rafael Souza
Të afruar: Matej Begariç, Drilon Musaj, Besart Islamaj
FLAMURTARI
Largimet “djegin”, afrimet “ngrohin”
Të larguar: Jani Urdinov, Vukashin Tomiç, Shkodran Metaj, Albin Hoxhaj, Nikolos Gelashvili, Beco Nikoliç, Polizoi Arbri, Arbër Abilaliaj, Franc Veliu
Të afruar: Argent Halili, Dejan Çabraja
VLLAZNIA
Evarur nga “lëmoshat” e bashkisë
Të larguar: Bekim Dema, Arsid Tafili, Arsen Hajdari, Alis Boçi, Arsen Sykaj, Olsi Gocaj
Të afruar: Samel Hepaj, Ersil Ymeri, Andrea Dragoviç, Benkert Abdiaj
TEUTA
Në merkto ecën si “nëndetëse”
Të larguar: Ansi Nika
Të afruar: Emiliano Musta, Viktor Kuka, Ardit Hila
BYLIS
Skuadra zyrtarisht s’e njeh merkaton
Të larguar: Nuk ka
Të afruar: Nuk ka
TËRBUNI
Debutues me merkato pa emra
Të larguar: Marko Djarmati, Vladen Giljen, Miroslav Kaluderoviç
Të afruar: Nuk ka
KATEGORIA SUPERIORE 2015-2016
SKUADRAT/ QYTETET/ STADIUMET
Skuadrat Qytetet Stadiumet
1.Skënderbeu (Korçë) “Skënderbeu”
2.Kukësi (Kukës) “Zeqir Ymeri”
3.Partizani (Tiranë) “Qemal Stafa”
4.Tirana (Tiranë) “Selman Stërmasi”
5.Laçi (Laç) Laç
6.Flamurtari (Vlorë) “Flamurtari”
7.Vllaznia (Shkodër) “Loro Boriçi”
8.Teuta (Durrës) “Niko Dovana”
9.Bylis (Ballsh) “Adush Muça”
10.Tërbuni (Pukë) “Ismail Xhemali”
Sigal