Agron Kaja: Mbyllëm një vit të mirë, Kombëtarja sukses i Kombit

526
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i bën një “skaner” situatës në futbollin shqiptar para rinisjes së sezonit
Në këndvështrimin tim, dukeni pak mediatik. Pse ndodh kështu me një ish-futbollist që në karrierë median e ka pasur si suport?
Së pari, unë do t’ju falënderoj për këmbënguljen tuaj që të merrnit këtë intervistë, Ndoshta nga kjo vonesë, kështu ju është dukur ju, por unë jam natyrë e tillë, sepse për të gjitha mediat kam respekt. Sikundër ne që punojmë në institucionin e futbollit, edhe ju kontribuoni për këtë futboll.
Keni vite që punoni në FSHF në detyra të rëndësishme, e shikoni të largët aromën e barit të fushës së lojës?
Tani po, e shoh se do të jetë e largët ndoshta një ditë, në kuptimin që të heq kollaren e të vesh tutat. Natyrisht që këto vite pune në zyrë kanë bërë që fusha të më mungojë, por duke qenë se çdo ditë jetojmë me futbollin dhe dy apo tre herë në javë shohim ndeshje në fushat e stadiumet tona, më duket sikur edhe unë jam pjesë aktive e lojës.
Cilat janë momentet kur jeni ndjerë më mirë, ose keq në këtë post?
Në FSHF, në të gjitha funksionet që unë kam pasur e kam, është një punë që ka lëvizje e kontakte me njerëzit dhe mes tyre kemi pasur marrëdhënie nga më të ndryshmet. Rëndësi ka që me të gjitha aktorët e lojës së futbollit në Shqipëri jemi marrë vesh për punën tonë të përbashkët, që nënkupton se mbizotërojnë më shumë momentet e mira. 
Në raport me fillimet tuaja në FSHF, në sektorin e garave dhe sot Sekretar, si e përshkruani gjendjen e futbollit shqiptar në përgjithësi?
Ky është viti i 12-të që unë punoj këtu në FSHF dhe që nga ajo periudhë e deri më sot, konstatohet një progres i dukshëm në të gjithë treguesit e menaxhimit të lojës së futbollit në klube, dhe në Kombëtaret e të gjitha niveleve. Dukuria që vlen të veçohet më shumë është infrastruktura, e cila ka një përmirësim shumë cilësor në raport me 15 apo 20 vite më parë.
Po në këtë sezon, 2016-2017, cilat veçoni si dukuritë më pozitive me sezonin e kaluar?
Ka një bashkëpunim më të afërt mes FSHF-së me klubet dhe skuadrat, gjithçka në të mirë të punës sonë të përbashkët për një lojë më fair-play dhe më argëtuese për të gjithë.
Viti futbollistik 2016, çfarë të “fshehta” ka patur sipas jush futbolli, nga ato që nuk janë shfaqur ende?
Futbolli luhet në fushë dhe është i shfaqur në të gjithë elementët e tij. Ndoshta duhet thënë së pari se ka qenë një vit i suksesshëm për Kombëtaren tonë, e cila morri pjesë për herë të parë në historinë e saj në një Kampionat Evropian. Por, edhe në nivelet e klubeve, gjatë vitit të kaluar ka pasur progres, njëherësh ka pasur edhe dukuri të tjera që janë bashkudhëtare me futbollin, që kur ai është krijuar si lojë. 
Po momentet më delikate ku ju keni pasur më shumë probleme gjatë kësaj periudhe kalendarike, cilat do të veçonit?
Unë nuk do t’i quaja momente delikate, por si problematika që janë në progres. Kështu mund të përmend vetëm ndërgjegjësimin për organizimin e mirë të lojës së futbollit nga të gjithë faktorët: klub-skuadër-FSHF. Ky mund të quhet si moment delikat, jo vetëm për shkallën e ndërgjegjësimit, por edhe për shkallën e kualifikimit e të profesionalizmit të disa personave që merren me këtë punë në futboll.
Duke sjellë në kujtesë dhunën, e cila nga viti në vit është shfaqur acaruese me futbollin. Cilat janë e do të jenë detyrimet tuaja që ky fenomen të shkëputet sa më shumë nga loja e futbollit? 
Si fillim për këtë pyetje, unë kam këtë përgjigje: në sezonin në vazhdim nuk kemi asnjë rast dhunë në fushat e stadiumet tona, përjashtu raste sporadike të tifozerive të ndryshme jashtë fushe. Vitet e fundit ka një rënie të ndjeshme dhuna në fushat e stadiumet tona të futbollit, e kjo është gjëja më e mirë. Por, janë të pakta rastet në futboll që fjala dhunë të mos ekzistojë, kryesisht në nivelet e ulëta.
Njëherësh, në futbollin shqiptar, problem kanë qenë edhe trukimet e ndeshjeve, si e lufton FSHF-ja këtë dukuri?
Trukimet janë fenomen jashtë kuadrit tonë, por duke qenë se ne jemi organizatorë të garës në çdo nivel, ne kemi bashkëpunuar me të gjitha hallkat që të zbusim sa më shumë efektet e saj. Të gjithë që shikojnë një ndeshje futbolli, nuk duan ta ngatërrojnë atë me ringun apo tapetin, e në këtë këndvështrim, puna jonë ka qenë e do të jetë në ritmikën e saj më të lartë.
Në Kategorinë Superiore ka stadiume normale, ndërsa në kategoritë e tjera ka edhe mangësi. E keni në projektet tuaja në FSHF përmirësimin e këtij treguesi jetik për futbollin?
Kur unë ju përmenda më sipër se infrastruktura është një nga dukuritë më pozitive, besoj se nënkupton progresin. Në Kategorinë Superiore dhe në pjesën më të madhe në Kategorinë e Parë, ka stadiume të mira dhe normale për këto kategori, ndërsa në nivelet më të ulëta ka edhe probleme. Ne si FSHF nuk e kemi detyrë që të ndërtojmë stadiume, por kemi dhënë kontributet tona të shpeshta për përmirësimin e infrastrukturës. 
Asnjëherë nuk kanë shpëtuar edhe arbitrat me gjykimet e tyre. Në këtë sezon shikoni përmirësim në nivelin e tyre, apo është situatë e njëjtë?
Dy ditë më parë ne zhvilluam një bashkëbisedim të gjerë mes arbitrave e kapitenëve të skuadrave në Kategorinë Superiore dhe në Kategorinë e Parë. Realisht ka përmirësim, por ka edhe dukuri që më së shumti ne i quajmë ato njerëzore, të cilat nuk kanë patur ndikim në zhvillimin dhe në rezultatin e lojës. Ka nevojë për më shumë përmirësim, dhe ne do të punojmë në vazhdimësi që niveli i tyre të jetë gjithmonë në rritje.
Një përfundim zyrtar, çfarë projekte afatshkutra apo afatgjata ka FSHF-ja për përmirësimin e treguesve negativë në futbollin shqiptar?
Projektet tona janë në vazhdimësi, pasi FSHF-ja është si një ndërmarrje ku punëtorët duan punë e drejtim në çdo kohë. E solla figurativisht si krahasim, për të treguar se përmirësimi vjen në gradualitet e në ritmikë.
Viti 2017 po mbyll muajin e parë të tij, por sot në Shkodër ristarton gjysma e dytë e sezonit 2016-2017, çfarë do të uroni për futbollin shqiptar?
Urimi im është që të luhet futboll. Ne të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm se është një lojë që me rregullat e saj kërkon spektaklin dhe argëtimin e tifozëve. 
Somario
Realisht ka përmirësim të dukshëm me gjykimet, por ka edhe dukuri që, më së shumti, ne i quajmë ato njerëzore, të cilat nuk kanë pasur ndikim në zhvillimin dhe në rezultatin e lojës. Ka nevojë për më shumë përmirësim dhe ne do të punojmë në vazhdimësi, që niveli i tyre të jetë gjithmonë në rritje
Ilir Shulku
Datëlindja: 21.01.1969
Vendlindja: Tiranë 
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Roli në fushë: Mbrojtës
Skuadrat ku ka luajtur: Me Partizanin 1987-1997 dhe 1999-2002, Eintraht Northorn 1997-1999
Tituj e trofe të fituar: Titull Kampion me Partizanin 1986-1987 dhe 1992-1993; Kupën e Shqipërisë me Partizanin 1990-1991, 1992-1993 dhe 1996-1997
Me Kombëtaren: Luajtur 42 ndeshje, shënuar 1 gol
Si trajner: Me të Rinjtë e Partizanit 2002-2005
Tituj personalë: Mjeshtër Sporti 
Detyra në futboll: Në periudhën 2006-2012, Shef i Sektorit të Garave në FSHF, nga viti 2012 e në vazhdim, Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së
KATEGORIA SUPERIORE
NDESHJET/ JAVA E 19-të
Sot, 27 janar 2017
Vllaznia-Kukësi 18:00
Nesër, 28 janar 2017
Korabi-Laçi 14:00
Skënderbe-Flamurtari 14:00
Luftëtari- Partizani 14:00 
Teuta-Tirana 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Kukësi 18 36
2.Partizani 18 35
3.Skënderbeu 18 32
4.Tirana 18 27
5.Luftëtari 18 22
6.Vllaznia 18 21
7.Flamurtari 18 17
8.Teuta 18 16
9.Laçi 18 14
10.Korabi 18 11
Federata Shqiptare e Futbollit
Viti themelimit: 1930
Pranuar në FIFA: 1932
Pranuar në UEFA: 1954
President: Armand Duka
Sekretar i Përgjithshëm: Ilir Shulku
Trajner i Kombëtares: Xhani De Biazi
Kapiten i Kombëtares: Ansi Agolli
Stadiumi: “Loro Boriçi”
Kapaciteti: 16.000 vende
Viti i ndërtimit: 1953 “Vojo Kushi”
Viti 1990: Ndryshon në “Loro Boriçi” 
Rikonstruksioni: Përfundoi në 2016 
Drejtuesit e FSHF në vite
1930 Luigj Shala
1932 Izedin Beshiri
1945-1970 Anton Mazreku
1970-1980 Zyber Konçi
1980-1990 Kristaq Miço
1990-1997 Eduard Dervishi
1997-2002 Miço Papadhopulli
2002 e në vazhdim, Armand Duka
Sigal