Agron KAJA/ Lutjet e Papës, bekim edhe për sportet!

496
Sigal

KËNDVËSHTRIM/ Vizita e djeshme e Papa Françeskut në Shqipëri, inkurajim edhe për lëvizjen sportive në vendin tonë

Dje, ditën e diele të 21 shtatorit 2014, mbarë Kombi ynë përjetoi një ëndërr të përmasave të mëdha. Në këtë të diele të madhe, çdo shqiptar që nuk e ka pasur  mundësinë të vizitojë Vatikanin në ndonjë ngjarje fetare të veçantë, apo të ndodhet aty për pelegrinazh, dje të paktën është ndjerë i lumtur që në vendin e tij kishte si MIK të madh Papa Françeskun. Më shumë se një ëndërr, kjo vizitë e Papës, e para për të në Evropë, është një ngjarje e veçantë edhe për vetë historinë e Kombit shqiptar, pasi pikërisht në këtë vend ku dje u kthye në kryeqendrën fetare të Evropës e të mbarë Botës, për më shumë se 50 vjet mbizotëroi një pushtet diktatorial me ideologjinë anti-fe, i cili ka ekzekutuar e martirizuar me qindra klerikë shqiptarë, katolikë, ortodoksë, myslimanë e bektashinj. Dhe këtu, në këtë ambient kombëtar mikpritës bënte pjesë edhe komuniteti sportiv, e gjithë ajo pjesë e shoqërisë shqiptare që e ushtron sportin, por edhe ata dashamirës që u japin atyre më shumë jetë. Prania e Papës për një ditë në Shqipëri nuk mund të kuptohej pa aromën sportive që vetë Shqipëria transmeton në një ditë të tillë, ku edhe pse janë ndalur të gjitha sportet në këtë ditë në respekt të vizitës së tij, ato kanë hyrë në lutjet dhe bekimin e Papës, bekim që do t’u sjellë forcën e besimin për të shkuar më larg në rezultate. Kjo ditë e veçantë me Papa Françeskun në Shqipëri, ndoshta do të rikthehet edhe si  një kurë shpirtërore për heqjen e atyre apendikseve që sportin shqiptar e kanë shoqëruar kohë pas kohe, ku dhuna në stadium mbetet si çibani më i “qelbëzuar”, që pas kësaj vizite duhet të marrë melhemin e duhur nga bekimi i Papës. Dje, edhe ata njerëz që janë skeptikë në besimin fetar, e kanë çliruar shpirtin e tyre duke e pasuruar atmosferën, në të cilën padyshim që mes tyre kishte edhe sportistë. Ky Papë që erdhi dje në Shqipëri, nuk është moralist e dogmatik, e kësisoj kujdesi i tij për qeniet njerëzore, sidomos për ato në nevojë, e bën 77- vjeçarin argjentinas Mauro Bergoljo (aktualisht Papa Françesku), një engjëll shpirtëror që i bën homazh vuajtjeve e inkurajon besimin tek të gjithë. Ky është Papa i 266-të në historinë e krishtërimit botëror, ndërkohë që, një vizitë të tillë shqiptarët e kishin përjetuar më 25 prill 1993, por në atë kohë Shqipëria sapo kishte dalë nga izolimi e diktatura, të cilat e lanë edhe pa fenë. Atëherë ndoshta përjetimi me Papa Vojtilën nuk ka pasur këto përmasa që dje i pështjelluan mendjet dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve të çdo besimi fetar, sepse pas tij edhe sporti nuk e gjeti si duhet veten e tij në dy dekadat e ardhshme. Ndërsa dje, pas 21 viteve të asaj vizite, harmonia e bashkësisë së vlerave që transmetojnë komunitetet fetare në Shqipëri është një e veçantë që e kanë zili edhe vende me demokraci më të përparuar se sa ne, dukuri që vetë Papa e ka quajtur si elementin më të spikatur të vizitës së tij. Brenda tyre janë edhe sportistët, ku sporti meriton të quhet si pjesa më e veçantë e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri. Dje, Papa i bekoi shqiptarët që ta duan vendin e tyre edhe kur ata janë sportistë elitarë e të çdo niveli tjetër, ta duan Shqipërinë edhe kur kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë e në Botë. Liria fetare që Papa e predikon me forcë, dje e mori karakterin edhe të një inspirimi për lirinë sportive në vendin tonë. Një bashkëjetesë e tillë e bën sportin ambasadorin real të vlerave njerëzore dhe vizita e Papës do të kthehet në një portë e madhe për shqiptarët në integrimin e tyre në Evropë e në Botë, e këtu sporti do ta gjejë më mirë veten e tij në gjeografinë mbarëshqiptare.

Ju faleminderit Papa Françesku, edhe sporti në Shqipëri dje e morri bekimin tuaj!

Somario

Kjo ditë e veçantë me Papa Françeskun në Shqipëri, ndoshta do të rikthehet edhe si një kurë shpirtërore për heqjen e atyre apendikseve që sportin shqiptar e kanë shoqëruar kohë pas kohe, ku dhuna në stadium mbetet si çibani më i “qelbëzuar”, e cila pas kësaj vizite duhet të marrë melhemin e duhur nga bekimi i Papës

 

Kategoria Superiore ,javë e veçantë, pesë rezultate me shifrat 2-0

 

Java e 5-të e Kategorisë Superiore erdhi me të veçantën e saj, ku në pesë takimet e luajtura u shënuan pesë rezultate të njëjta me shifrat 2-0. Dhe veç kësaj dukurie, këto rezultate më shumë treguan se diferencat mes skuadrave nga java në javë po bëhen edhe më të dukshme, ndërkohë që kjo javë e ndau “de fakto” Elbasanin si pretendenten e parë për të rënë një kategori më poshtë, pasi skuadra verdheblu regjistroi humbjen e pestë radhazi. Nga ana tjetër, në javën e 5-të u veçua “elita” e tabelës së renditjes ku për herë të parë Flamurtari merr kreun, por me pikë të barabarta me Tiranën, Skënderbeun e Partizanin. Këtyre kryesueseve ju mungoi Kukësi, i cili këtë javë nuk arriti të përsëriste rezultatet pozitive që kishte regjistruar në Korçë në dy kampionatet e kaluara. Në të gjitha ndeshjet e luajtura këtë javë u evidentua edhe “qetësia olimpike” e tifozerisë, e cila në Peqin në takimin Elbasani-Flamurtari 0-2, kërkoi të belbëzonte diçka nga arkiva e zezë, por u ndal shumë shpejt, si për të thënë se do kohë që fenomeni i dhunës të zhduket nga skena e futbollit. Nëse i shohim çiftet veç e veç, duhet parë si fillim fitorja e Skënderbeut me Kukësin, një fitore pretendentësh që korçarët i ngre në renditje, ndërsa kuksianët i fut në krizën e humbjeve. Edhe fitorja e Partizanit ndaj Teutës kishte përmasa të tilla, por Partizani këtë herë tregoi se ndaj skuadrave të forta ndërton vetëm strategji fitoreje. Tirana stopoi në Laç, madje me rezultat të pastër, humbje që e zbriti nga vendi i parë në të katërtin, edhe pse me pikë të barabarta. Vllaznia vazhdon serialin pozitiv të rezultateve, por këtë herë “Loro Boriçi” ka ndjerë dhimbjen që të shkakton mungesa e tifozerisë, e cila fitoren me Apoloninë e ka mësuar vetëm nga ekranet televizive. Jo më pak e  rëndësishme ishte edhe fitorja e Flamurtarit ndaj Elbasanit, ku veç tri pikëve skuadra vlonjate mori komandën e renditjes dhe u fut realisht në grupin e skuadrave që do të sulmojnë vetëm për titullin kampion. Në aspektin sportiv, social e financiar, na duhet që të shohim gjithmonë javë të tilla në futbollin tonë.

Ndeshjet-Java e 5-të

Datë 19 shtator 2014

Partizani-Teuta              2-0

Skënderbeu-Kukësi        2-0

Datë 20 shtator 2014

Elbasani-Flamurtari        0-2

Laçi-Tirana                     2-0

Vllaznia-Apolonia           2-0

RENDITJA

 

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Flamurtari          5        10

2.Skënderbeu       5         10

3.Tirana                5          10

4.Partizani            5         10

5.Kukësi               5         7

6.Laçi                    5        6

7.Vllaznia             5         5

8.Teuta                 5         4

9.Apolonia           5         4

10.Elbasani          5         0

Formula 1 –Hamilton fiton në Singapor, Rosberg nuk e ndjek dot

U zhvillua dje gara e 15 e kampionatit të F1 në Singapor dhe pa përsëri fitues Leëis Hamilton po ashtu si në Monza vetëm se këtë herë nuk ndiqej nga Rosberg, pasi ky i fundit u tërhoq nga gara herët për arsye mekanike, por ndiqej nga Sebastian Vettel që duket se nuk i reziston dot shampanjës së Singaporit për të 6-tin vit radhazi. Gara shkoi e qetë për Hamilton pasi askush nuk pati mundësi ta rivalizonte realisht, duke qenë se nuk ishte në pistë Rosberg, dhe kjo fitore e vë në vendin e parë të klasifikimit me vetëm tre pikë para shokut të tij Nico Rosberg, katër gara para përfundimit të sezonit. Vendin e tretë të podiumit e zuri piloti tjetër i Red Bull, Daniel Riçiardo i ndjekur nga Alonso, Massa, Vergne, Perez, Raikkonen, Hulkenberg dhe plotëson dhjetëshen Magnussen. Për sa i përket rënditjes për konstruktorë, vazhdon të udhëheqë bindshëm Mercedes i ndjekur nga Red Bull dhe Ëilliams, Ferrari ndodhet vetëm në vendin e katërt. Gara e ardhshme do të jetë në Japoni pas dy javësh, me 5 tetor.

 

Renditja për pilotë:

Leëis Hamilton 241
2. Nico Rosberg 238
3. Daniel Riçiardo 181
4. Fernando Alonso 133
5. Sebastian Vettel 124
6. Valtteri Bottas 122
7. Jenson Button 72
8. Nico Hulkenberg 72
9. Felipe Massa 65
10. Sergio Perez 45
11. Kimi Raikkonen 45

Renditja për konstruktorë:

1. Mercedes 479
2. Red Bull 305
3. Ëilliams 187
4. Ferrari 178
5. Force India 117
6. McLaren 111
7. Toro Rosso 27
8. Lotus 8
9. Marussia 2
10. Sauber 0
11. Caterham 0